Pyetja e Piterit më intrigoi, jo se isha aq i interesuar për biznesin e tij, por desha që t’i identifikoja P-të që ishin përcaktues dhe determinues në historikun kosovar. Unë e di se me diçka të ngjashme ishte marrë edhe ish-deputeti Milaim Zeka, dhe ai i ka prezantuar P-yhat e tij, por prezantimi im do të jetë më konciz dhe shkencor, i mbështetur nga metodat e matshme empirike
Trotuaret e rrugëve të Londrës kanë filluar të mbulohen me gjethet e thata të rëna nga drunjtë që po zhvishen. Ato valëviten nën dallgët e erës së vjeshtës që sot po fryn në këtë qytet. Sot shi mund të mos ketë, por unë shpejtoj hapin për të shkuar në kafeterinë time të preferuar. Me t’u ulur në tavolinën time të zakonshme përshëndetem nga Piter pronari i këtij lokali.
“Ekselencë ka kohë që nuk jemi parë.
Piter si duket ti ke qenë më i angazhuar, unë pothuajse isha çdo ditë i rregullt këtu në lokalin tuaj.
Është e vërtetë, Ekselenca e juaj. Isha i zënë edhe me lokalet e tjera. Kam hapur edhe dy të reja”, më tha Piter.
Ja shikoi, dhe me dorë po e hapte vjegëzën në telefonin e tij të mençur.
E urova dhe i dëshirova mbarësi në punën dhe në zgjerimin e biznesit të tij.
Çka kemi të re andej nga Kosova dhe nga ambasada jote në Facebook, Ekselencë, më pyeti Piter.
Ah, Piter, ne sapo përfunduam me zgjedhjet e parakohshme të cilat shkuan shumë mirë.
Dhe si do të duket paleta e juaj politike në Kosovë nga tash, më pyeti Piter.
Është opozita ajo që fitoi më së shumti vota, Piter. Janë dy partitë që deri më tash ishin opozitare ato të cilat sot negociojnë për koalicionin e tyre qeverisës.
Qenka zhvillim interesant, m’u përgjigj ai.
Ekselencë, unë e kuptoj modestinë tuaj, por si ekspert të marketingut që jeni dëshiroj t'ju pyes se çka mendoni për implementimin e katër P-ve të marketingut (price, promotion, place, product) nga ana ime në biznesin tim?
Piter, nuk është përgjigje që do të mund ta jepja ashtu përnjëherë, më duhet të di më shumë informata në lidhje me biznesin tënd, konkurrencën, demografinë, biznes-planin etj.
Pyetja e Piterit më intrigoi, jo se isha aq i interesuar për biznesin e tij, por desha që t’i identifikoja P-të që ishin përcaktues dhe determinues në historikun kosovar. Unë e di se me diçka të ngjashme ishte marrë edhe ish-deputeti Milaim Zeka, dhe ai i ka prezantuar P-yhat e tij, por prezantimi im do të jetë më konciz dhe shkencor, i mbështetur nga metodat e matshme empirike.
Menjëherë iu rreka punës, ashtu duke e pirë kafenë time fillova me hulumtimin tim.
Fillova që të bëja kërkime të ndryshme nëpër sirtarët e shumtë në ambasadën time në Facebook. Nuk më është dashur shumë kohë që ta identifikoja P-në e parë përcaktuese.
1. Promaja - po pra. Kjo do ta zërë vendin e parë në P-të që përcaktojnë historikun tonë si komb. Daton si armik i përbetuar i shqiptarëve që nga koha e pellazgëve, më pas e përcjellë tek ilirët e deri në ditët e sotme. Ç'është e vërteta, promaja njihet si armike edhe e ca popujve të tjerë ballkanas ku ajo ka bërë kërdinë. Promaja vepron në shtëpitë tona, në zyrat tona, në veturat tona dhe në lokalet e ndryshme ku ne e kalojmë kohën tonë të lirë. Njoftimin me promajën ne e kemi në kujtesë qysh nga fëmijëria e hershme, ku po s’e mbyllëm derën e dhomës në të cilën do të ishte edhe dritarja e hapur të njëjtën kohë me hapjen e derës kryesore ose ndonjë dritare tjetër në shtëpi do të vinte deri te përplasja e dyerve dhe e dritareve. Një tornado e vogël përbrenda hapësirës ku jetojmë. Zakonisht tek ne promajat janë përcjellë edhe me nga një papuçe të hedhur në drejtimin tonë, të cilat zakonisht kanë goditur në cak pasi që nënat tona ishin eksperte në këtë gjë. Sikur të ishte disiplinë olimpike Kosova, sot do të kishte me qindra medalje të arta. Pra P-ja e dytë e identifikuar kosovare është:
2. Papuçja. I kemi mbathur brenda shtëpisë. Kanë qenë obliguese. Përveçse janë përdorur si armë e ftohtë e cila ta ka ngrohur e ta ka skuqur ndonjë pjesë trupore, papuçet i kemi pasur në forma të vjetruara edhe para dyerve të shtëpive tona. Me to ke shkuar ashtu në afërsi tek ndonjë fqinj për kafe apo tek ndonjë shitore në afërsi për të blerë diçka. Trenerkat e reja “Adidas” në trup me papuçe të vjetra e të stërshkelura të mbathura në këmbë, kombinim fatal.
Gratë shqiptare pa papuçe në çantë nuk janë nisur në çfarëdo ndeje, qoftë për gëzim, qoftë për pikëllim. Pra, është një mishërim i veçantë midis papuçes dhe shqiptarit. Shpresoj nëna ime të mos e lexojë këtë pjesë të Ditarit tim. Ajo ende më bën të marr papuçe me vete edhe kur shkoj në udhëtime dhe vendosem në hotele. Po, ende i kam në banesë edhe këtu në Londër dhe mbesin pjesë e pandashme e jetës sime. Shumë nga ne i kemi pasur edhe papuçet e veçanta të cilat vendqëndrim të tyre permanent për përdorimin e tyre e kanë pasur banjën. E disa prej më fatlumëve të cilët kanë pasur ballkone në shtëpitë e tyre kanë pasur edhe papuçe me vendqëndrim permanent në ballkon. Është një mishërim i papërshkrueshëm midis nesh dhe papuçeve ndër vite e dekada dhe sipas informatave të fundit me të cilat unë disponoj ai ende vazhdon të jetë i tillë.
3. Pragu. Pas themelit të shtëpisë sigurisht njëra nga simbolikat që ndërlidhen më së shumti me nocionin e shtëpisë është pragu i shtëpisë. Simbolizon atë vijën ndarëse midis ambientit të jashtëm dhe shtëpisë sonë. E përdorim si term edhe kur dëshirojmë që të shprehim mllefin tonë ndaj dikujt, me ç’rast themi “asnjëherë nuk do ia shkel më pragun e shtëpisë”. Kjo e shpreh atë zemërimin aq të thellë të cilin e ndiejmë ndaj dikujt.
Në politikë pragu ndërlidhet me pragun zgjedhor, të cilin partitë politike duhet kapërcyer në mënyrë që të bëhen pjesëmarrëse të Kuvendit të Kosovës. Historia e shkurtër parlamentare kosovare na ka njoftuar deri më tash me shumë parti të cilat nuk arritën që të kalonin pragun zgjedhor (ORA, LDD, FER, FJALA, dhe sipas të gjitha gjasave nga këto zgjedhjet e fundit NISMA, AKR, PSD, PD). Një tollovi e vërtetë partish politike aty te pragu. Në botën e besëtytnive dhëndri do ta bartë nusen përtej pragut të shtëpisë për të simbolizuar bereqetin. Gjithashtu në botën e besëtytnive dhe magjive pragu i shtëpisë shfrytëzohet për t’i bërë sehire familjes e cila jeton në atë shtëpi, në mënyrë që t’i jepet e mbrapshta asaj familjeje. Duke vazhduar me besëtytnitë ne kalojmë pragun e shtëpisë dhe dalim nga shtëpia me këmbën e djathtë së pari, e që simbolizon mbarësinë në aktivitetet tona dhe në jetën tonë.
4. Partia/Politika. Medoemos se vendin e katërt tek P-të kosovare/shqiptare e zë partia/politika. I madh e i vogël merremi me të. Unë e di se njeriu mund të verbohet nga dashuria, por tek ne në këtë pjesë të globit ky verbim mund të jetë partiak dhe politik. I verbëri nuk e ka bërë atë përzgjedhje për veten e vet në jetë. Atë e ka bërë natyra për të, mirëpo këtë verbërinë politike/partiake njeriu e zgjedh vetë e deri ku mund të shkojë ajo aty secili nga ne është në gjendje që të marrë me qindra shembuj të tillë. I verbuari partiak/politik tregon edhe shenja të qarta të humbjes së aftësisë të gjykuarit dhe logjikuarit drejt dhe në mënyrë të shëndoshë. Paranoja bëhet mburojë e të menduarit të tyre dhe paranojakë të tillë sigurisht që secili nga ne njohim me dhjetëra sish. Verbërimi partiako politik ka krijuar ndasi të mëdha në shoqërinë tonë, duke filluar nga ndasitë familjare, shoqërore, kolegiale, dhe atyre profesionale. Sikur të mund ta mbash nën kontroll gjakftohtësinë e njerëzve dhe t’i pyesësh se cila është arsyeja që ata verbërisht besojnë në partinë politike, jam i sigurt që asnjëri nga ta ose shumica nga ta nuk do të dinin as ta argumentonin atë gjë dhe me përgjigjet e tyre nuk do të dallonin shumë nga çfarëdo tifozi tjetër i rëndomtë, vetëm se kjo tifozëri është aq përçarëse.
Ne politikën e bëjmë nëpër kafene, nëpër dyqane, nëpër restorante, fakultete edhe shkolla, spitale dhe institucione, uzina e stacione, kemi shumë qytete të cilat i quajmë bastione. A nuk flet kjo mjaft për P-në tonë të katërt. Kur je apartiak dhe i shikon gjërat nga anash, atëherë i vëren këta të verbrit shumë shpejt. Po qe se edhe vetë ke bindje politike, atëherë edhe ti je një nga të verbrit, por edhe niveli dhe shkalla e verbërisë dallojnë, mund të jenë të pjesshëm e deri te total.
Pasi që u ndava i kënaqur me hulumtimin tim dhe me zbërthimin e P-ve përcaktuese dhe determinuese të historikut kosovar, unë u përshëndeta me Piterin dhe me hapa të shpejtë duke luftuar me erën që po frynte dhe me gjethet që po loznin nëpër trotuarin e rrugës në të cilën po ecja, unë vazhdova për në shtëpi.
P. S. Albin, sonte u konfirmua se partia jote VV vetëm sa e vërtetoi dhe thelloi fitoren e saj pas njehjes së votave nga diaspora. Derisa po i shkruaj këta rreshta të Ditarit tim, ti gjendesh në Londër dhe të dëshiroj qëndrim të këndshëm, kritikat nga unë do të fillojnë në momentin kur zyrtarisht të fillosh punën si kryeministër, deri atëherë unë edhe ti jemi në muajin e mjaltit.