Bashkimi Evropian vërtet ka insistuar se Kosova është një sui generis, se nuk mund të krahasohet me Katalonjën. Por BE-ja asnjëherë nuk është shprehur se pavarësia e Kosovës është e pranueshme. Kur liderët e sotëm të Serbisë kërkojnë sqarime pse “Kosova bën të jetë e pavarur e Katalonja jo”, nuk e bëjnë këtë për shkak se vërtet u intereson përgjigjja. Presidenti Vuçiq, ministri i Jashtëm, Daçiq, dhe të tjerët e dinë më mirë sesa vetë Brukseli pse Kosova është rast i veçantë. Serbia dëshiron tash ta shfrytëzojë shqetësimin e BE-së për Katalonjën për të penguar njohjen e mëtejme të Kosovës, integrimin e saj në strukturat ndërkombëtare dhe të zbusë presionin ndaj Beogradit për të pranuar realitetin e ekzistimit të shtetit të Kosovës
Katalonja vazhdon të jetë një ndër temat që shqetëson më së shumti jo vetëm Spanjën, por edhe Bashkimin Evropian. Duke u vënë tërësisht në anën e qeverisë në Madrid, madje edhe duke arsyetuar dhunën e policisë ndaj civilëve, BE-ja ka bërë të qartë se nuk mbështet synimet e Katalonjës për t’u bërë shtet i pavarur. Zëvendëspresidenti i parë i Komisionit Evropian, Frans Timerrmans, duke folur në një debat në Parlamentin Evropian, ka thënë se “secila qeveri duhet të sigurojë sundimin e ligjit dhe për këtë nganjëherë nevojitet edhe përdorimi proporcional i forcës”.
Kjo është parë si një mbështetje edhe për veprimet e dhunshme të policisë së Spanjës gjatë ditës së referendumit në Katalonjë. Nga aspekti ligjor Bashkimi Evropian bazohet në ligjet e Spanjës, një vendi anëtar, kur thotë se referendumi është ilegal. Në përgjithësi në BE, që nga viti 2004, ekziston një e ashtuquajtur “doktrina Prodi” (President i Komisionit Evropian në atë kohë), sipas së cilës Komisioni Evropian nuk do të përzihet në çështje të brendshme të shteteve anëtare. Kjo është vazhduar edhe nga ana e Komisionit Barroso dhe vazhdon edhe tash në periudhën e Junckerit.
Kështu ka qenë edhe në rastin e Katalonjës duke i dhënë mbështetje asaj që thotë qeveria e një vendi anëtar dhe kanë porositur se nëse do të pavarësohej Katalonja me marrëveshje me Madridin, me këtë do të dalë edhe nga BE-ja.
Në BE ka pasur pyetje nga gazetarët se pse Katalonja nuk bën të jetë e pavarur e Kosova bën. Këtë pyetje pastaj, në mënyrë agresive dhe me shumë zhurmë, e paraqet Beogradi madje duke paralajmëruar se do të kërkojë edhe me shkrim nga BE-ja sqarime.
Bashkimi Evropian vërtet ka insistuar se Kosova është një rast sui generis, se nuk mund të krahasohet me Katalonjën. Por, BE-ja asnjëherë nuk është shprehur se pavarësia e Kosovës është e pranueshme. Kur liderët e sotëm të Serbisë kërkojnë sqarime pse “Kosova bën të jetë e pavarur e Katalonja jo”, nuk e bëjnë këtë për shkak se vërtet u intereson përgjigjja.
Presidenti Vuçiq, ministri i Jashtëm, Daçiq, dhe të tjerët e dinë më mirë sesa vetë Brukseli pse Kosova është rast i veçantë. Serbia dëshiron tash ta shfrytëzojë shqetësimin e BE-së për Katalonjën për të penguar njohjen e mëtejme të Kosovës, integrimin e saj në strukturat ndërkombëtare dhe të zbusë presionin ndaj Beogradit për të pranuar realitetin e ekzistimit të shtetit të Kosovës.
Duhet thënë se Bashkimi Evropian asnjëherë nuk ka thënë se pavarësia e Kosovës është e pranueshme, e drejtë, por as që nuk është.
Në fakt, Bashkimi Evropian ka dështuar të ndërtojë një qëndrim unik për Kosovën që nga koha kur Martti Ahtisaari, nobelist dhe ish-president i Finlandës, i emëruar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, kishte nxjerrë propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Edhe pse në ekipin e tij rolin kryesor e kishin ekspertët e BE-së, edhe pse propozimi u ishte përshtatur nevojave të BE-së, pranisë së saj në Kosovë, BE-ja në fund nuk qe në gjendje të pranojë dhe të mbështesë atë propozim. Ata edhe pas propozimit të Ahtisaarit dolën me deklaratën se “mbështesin përpjekjet e Ahtisaarit”, edhe pse Ahtisaari nuk kishte më fare përpjekje, sepse tashmë kishte nxjerrë propozimin.
Kur Kosova shpalli pavarësinë, BE-ja nuk e mbështeti këtë. Kjo u pa edhe në konkluzionet që u miratuan nga BE-ja pas shpalljes së pavarësisë.
“Më 17 shkurt të vitit 2008, Asambleja e Kosovës ka miratuar një Rezolutë e cila e shpall Kosovën të jetë e pavarur. Këshilli merr në dijeni se Rezoluta shpreh përkushtimin e Kosovës për parimet e demokracisë dhe barazisë së të gjithë qytetarëve, mbrojtjen e serbëve dhe pakicave të tjera, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare dhe mbikëqyrjen ndërkombëtare. Këshilli mirëpret vazhdimin e pranisë së bashkësisë ndërkombëtare bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244”, thuhej në konkluzionet e miratuara në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së, të miratuara në mëngjesin e ditës 18 shkurt, vetëm një ditë pasi ishte shpallur Pavarësia e Kosovës.
Pikërisht për të pasur mundësi që BE-ja të reagojë para Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishte planifikuar që Kosova të shpallte pavarësinë në një ditë kur nuk punohet, të dielën, dhe të përkojë me një mundësi të takimit të rregullt të ministrave të Jashtëm të BE-së shpejt pas shpalljes së Pavarësisë. Prandaj edhe “Koha Ditore” e para e kishte botuar dy herë ditën se kur do të shpallej Pavarësia e Kosovës. Pasi në Spanjë më datën 8 mars zhvilloheshin zgjedhjet, kishte ide që shpallja e pavarësisë të shtyhej për datën 9 mars. Por, kur nga Madridi erdhi sinjali se pa marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve në Spanjë ky shtet nuk do të bjerë dakord për njohje të Kosovës nga BE-ja, atëherë nuk pati arsye të shtyhej shpallja e pavarësisë.
Duhet thënë se ministri i atëhershëm i Jashtëm i Spanjës, Moratinos, kishte shkelur edhe një pajtim mes shteteve të BE-së që askush të mos bënte prononcime publike rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës derisa të mos bëhej publik qëndrimi i përbashkët i BE-së për këtë. Ai erdhi shumë herët në ndërtesën e Këshillit dhe u tha gazetarëve se shpallja e Pavarësisë së Kosovës është shkelje drastike e së drejtës ndërkombëtare dhe Spanja nuk pajtohet me një gjë të tillë.
Madje këtë e krahasoi edhe me ndërhyrjen ushtarake në Irak që për këtë ministër socialist të Spanjës ishte ilegale. Prej atëherë sa herë që Spanja pyetej për pavarësinë e Kosovës ajo shprehej kundër, dhe sa herë që shprehej kundër bëhej më vështirë që t’i ndërrohej mendja. Nganjëherë thuhej se ajo pret që numri i njohjeve të kalojë shifrën magjike prej 100 dhe pastaj Spanja “mund të lëvizë”. Të tjerët thoshin se Spanja do të lëvizë pas mendimit të GJND-së. Por gjithmonë nga Madridi vinte porosia se pa pajtimin e Beogradit Madridi nuk mund ta njohë pavarësinë e Kosovës. Së paku këtu ishte Spanja pak më e avancuar se Qiproja, sepse kjo e fundit thoshte se nuk do ta njohë Kosovën shtet qoftë edhe nëse këtë e bën vetë Beogradi.
Dhe gjasat që këto dy vende të lëvizin u shuan kur nisi dialogu mes “Beogradit dhe Prishtinës” i “lehtësuar nga BE-ja”. Robert Cooper dhe ekipi i tij, me bekimin e baroneshës Ashton, punonte me filozofinë dhe qasjen se ndasitë brenda BE-së rreth statusit të Kosovës janë avantazh për ta, sepse kjo e bën këtë ekip të jetë lehtësuesi më i mirë i mundshëm. Disa herë na është thënë, gjithmonë jozyrtarisht, se atyre kjo situatë iu ndihmon shumë, sepse shqiptarëve u thonë se Kosova është e pavarur, nuk ka kthim, sepse është e njohur në atë kohë nga 22 prej 27 vendeve anëtare. Ndërsa serbëve u thoshin se “BE-ja vepron me unanimitet dhe përderisa ka shtete që nuk e njohin Kosovën, BE-ja është neutrale ndaj statusit”. “Po ta njihnin të gjitha shtetet e BE-së Kosovën si shtet të pavarur, atëherë Beogradi mund të mos na e njohë rolin e lehtësuesit objektiv, prandaj ne jemi më të duhur për këtë rol sesa Rusia apo SHBA-ja”, thoshin diplomatët nga zyra e baroneshës Ashton. Kjo qasje e BE-së vazhdon.
Sa i përket njohjes së Pavarësisë së Kosovës, konkluzione e BE-së thoshin: “Këshilli merr në dijeni se shtetet anëtare do të vendosin në përputhje me praktikën nacionale dhe të drejtën ndërkombëtare për raportet e tyre me Kosovën”.
Ende nuk kam hasur në asnjë deklaratë të vetme zyrtare të dikujt në emër të BE-së që të pajtohet me pavarësinë e Kosovës. E kosovarëve shpesh u thuhet se “BE-ja nuk njeh shtete, sepse kjo është në kompetencat e vendeve anëtare”. Por kjo nuk është krejtësisht e vërtetë, sepse në rastin e Malit të Zi me konkluzione të ministrave ishte shprehur qartë se me Malin e Zi vendet e BE-së do të lidhin raporte si me një shtet të pavarur, dhe se për këtë vendimi ishte miratuar në nivel të BE-së. Nuk thuhej se “merrej në dijeni” ndonjë paragraf për demokracinë apo të drejtat e pakicave, por se është vendosur që raportet me Malin e Zi të jenë si me një shtet të pavarur.
Ja çfarë thuhej në konkluzionet e BE-së pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi nga ana e Kuvendit në Podgoricë:
“Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare për këtë kanë vendosur që të zhvillojnë tash e tutje raportet me Republikën e Malit të Zi si me një shtet sovran dhe të pavarur, duke marrë tërësisht në konsideratë rezultatet e referendumit dhe aktet e pastajme të Parlamentit”, thuhej në deklaratën e Këshillit të Jashtëm të BE-së dhe më tutje shtohej se “shtetet anëtare do të ndërmarrin masat e duhura për implementimin e këtij vendimi në përputhje me të drejtën dhe praktikën ndërkombëtare”.
Sa u përket dallimeve mes Katalonjës dhe Kosovës, ato janë të shumta dhe të qarta. BE-ja pa dyshim do t’i përgjigjet Serbisë pse Kosova është një rast i veçantë, i cili nuk mund të krahasohet me asnjë rast tjetër. Për këtë përmendet situata që solli deri tek shpërbërja e ish-Jugosllavisë, shkelja e të drejtave të njeriut në Kosovë, pastrimi etnik, ndërhyrja ushtarake, vendosja e administratës ndërkombëtare, rezolutat e OKB-së dhe deklaratat e Grupit të Kontaktit, propozimi i një të dërguari ndërkombëtar, e shumë të tjera. Por as në atë përgjigje BE-ja nuk do të mundë të shprehet se Kosova mund të jetë shtet i pavarur. Mungesa e një përgjigjeje të tillë do të vazhdojë t’i bëjë dëm Kosovës, të komplikojë rrugëtimin e Kosovës në procesin e integrimeve në BE dhe do të inkurajojë Serbinë që të jetë destruktive në raport me Kosovën. Një sjellje e tillë agresive e Serbisë dëshmon se nuk janë të bazuara pritjet se Serbia është duke u bërë gati të përballet me realitetin se Kosova është shtet i pavarur.