Gjërat e këqija ndodhin në tërë botën, por e keqja në shtëpi është përherë më e dhimbshme. E aq më e dhimbshme kur dihet se shkaktarët e një gjendjeje të mosndëshkimit edhe shoqëror e edhe gjyqësor janë në rend të parë politikanët e këtij vendi që na kanë dërrmuar plotësisht qe 20 vjet, e edhe ne, që i kemi lejuar me vite që të bëhemi viktimë e tekave të tyre
Gjatë javës pata takim me një diplomat perëndimor të akredituar në Prishtinë. I interesonte këndvështrimi im për atë që po ndodhte në Kosovë dhe pas secilës fjali më kërkonte një frymë optimizmi se gjërat mbase do t'u kenë hyrë binarëve të duhur dhe se gjërat do të nisnin të përmirësoheshin.
Nuk pati ndonjë qëndrim insistues për taksën e famshme, porse gjithsesi nuk prante së përsërituri se negociatat ishin shumë të domosdoshme për Kosovën, për shkak se gjendeshim në situatë të rëndë për shkak të mosnjohjeve dhe të faktit se jemi ende larg OKB-së.
U përpoqa t'ia shpjegoja se askush, në parim, nuk i kundërshtonte negociatat. Porse shumëkush e kundërshtonte faktin se negociatat e deritanishme këta tetë vjet, e në veçanti këta dy vjetët e fundit, nuk i kishin sjellë Kosovës ndonjë dobi. Për më tepër, i thashë se fakti se Thaçi e kishte akaparuar procesin për ta shpëtuar lëkurën e vet, nuk ishte në të mirën tonë të përgjithshme.
Këtu ma priti me një pyetje: “Nëse Thaçi i paska hyrë kësaj pune për veten, pse atëherë Vuçiqi e ka pranuar ta luajë lojën?” Për shkak se Vuçiqi është më i mençur dhe e di se për të këto negociata do t'i sjellin fitim, i thashë. Për shkak se me marrëveshjen “historike” të 2013-s, Serbia e fitoi statusin e shtetit kandidat, e ne as liberalizimin e vizave. E tash, po të viheshin nënshkrimet në një copë letër, sikurse kishin bërë Daçiqi e Thaçi atëherë, Serbia do ta mbyllte kapitullin 35 (Kosovën), dhe më nuk do të merrej me këtë çështje, e zbatoi apo jo marrëveshjen. Kosova, nga ana tjetër, do të krekosej nëpërmjet Thaçit se ja e arriti edhe një marrëveshje “historike”, e cila nuk do t'i sjellë as njohje nga Serbia e as anëtarësim në OKB.
Delegacioni shtetëror dhe një platformë me shumë vrima
Kërkonte pak optimizëm edhe për delegacionin shtetëror. Dhe zor se mund ta gjente. Fakti se delegacioni nuk është gjithëpërfshirës me mungesë të pjesës dërrmuese të opozitës dëshmon se ky do të shërbejë për legjitimimin e veprimeve të deritanishme të Thaçit. Fakti se bashkëkryesuesit duhen shkuar në Bruksel për të takuar këshilltarët e Mogherinit për të kuptuar se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre dy vjetëve, duke e pasur Thaçin te hunda për t'iu rrëfyer, vetëm flet për terrin edhe mungesën absolute të transparencës të një procesi që për ne është jetik.
Fakti se Mogherini vazhdon të deklarojë se taksa duhet të hiqet për ta vazhduar dialogun dhe se është e gatshme të mbyllet me dy bashkëbiseduesit që vetë i ka përzgjedhur edhe tre muaj po qe se është nevoja që të arrihet një marrëveshje, tregon se këto negociata s'kanë parime. Dhe, se kushtet vendosen përherë nga pala serbe sa herë që hidhërohen me ndonjë veprim kosovar. Me gjithë këtë “parimësi” nuk e di ku mund ta gjejë kushdo optimizmin për një epilog fatlum.
Ndërkohë, delegacioni, në kundërshtim me premtimin e vet, vazhdon të mblidhet dhe nuk lejon që informatat të depërtojnë. Për më tepër, ka shkuar aq larg saqë takimin me korin diplomatik nuk e kanë paralajmëruar dhe se janë hidhëruar kur i kanë parë gazetarët aty. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, Limaj, i zemëruar i kishte komentuar dikujt nga sigurimi: “A nuk i hoqët këta, a?”, duke i urdhëruar që t'i largonin gazetarët prej aty. Ekipet televizive kishin refuzuar të largoheshin, dhe për pasojë i kishin ngujuar me një kënd, prej nga mund të merreshin vetëm ca pamje të ambasadorëve duke hyrë në sallë dhe duke dalë nga ajo. Kaq sa për transparencën dhe për optimizmin që duhet gjetur në këto veprime.
Kriza në qeveri
Përderisa tema e pashmangshme vazhdoi ta mbante vendin e parë në toplistë, ndërkohë që tri gjëra hiç të këndshme dhe me pasoja shumë të rënda po përpiqen të kontrabandohen si projekte të zhvillimit ekonomik.
I pari qe vendimi për përcaktimin e akcizës për duhanin me përqindje e jo me vlerë për kilogram që prodhohet në vend dhe subvencionimin e grumbullimit të duhanit. Krejt do të ishte në rregull po qe se Kosova do të kishte më shumë se një fabrikë të duhanit dhe do të rritej konkurrenca e vendit që do të mundë të krijonte vende pune. Porse zbritja substanciale e akcizës do t'ia shkurtonte të hyrat buxhetit, ndërkohë që do ta favorizonte një zyrtar politik të AAK-së dhe një të PSD-së, që janë pronarë të fabrikës së vetme kosovare.
I dyti qe propozimi i ZRRE-së për tentimin që t'i dyfishojë tarifat për energji elektrike, me vendosjen e taksës për siguri të furnizimit, që zbërthyer me fjalë të thjeshta, nënkupton se çmimi për kilovat që do ta paguajnë konsumatorët do të jetë dyfishi i çmimit aktual. Lëre që ende vazhdojmë ta paguajmë rrymën që serbët e shpenzojnë në veri (sepse nuk po shoh që faturat e rrymës të na jenë zvogëluar, përkundrazi), tash përpiqen të na fusin në lojë për ta siguruar “investitorin” e termocentralit të ri. Duke ia siguruar “furnizimin”. Me paratë tona, për pronën dhe pasurinë tonë.
I treti, një paralajmërim për “investimin strategjik” të 97 milionë eurove për energji të ripërtërishme në rajonin e Pejës, pasi që për 55 milionë eurot e premtuara e jo edhe të investuara në Deçan e shkatërroi Grykën e Deçanit, duke e futur në tuba lumin në gjatësi prej nja 12 kilometrash, për t'i prodhuar vetëm 3 megavate orë energji elektrike. Ideja “fantastike” e radhës është që e njëjta të bëhet edhe në Lumbardhin e Pejës, dhe që në Kosovë të replikohet tmerri që e katandisi Valbonën në Shqipëri. Po nuk shkatërrohet bre asnjë park nacional e asnjë e mirë e përbashkët për asnjë ryshfet e as për asnjë interes personal.
Me siguri do të ketë edhe shumë gjëra të tjera që po ndodhin e që ende nuk janë zbuluar, porse këto tri raste thuajse flasin vetvetiu për intencën e kësaj qeverie që të dalë përfituese nga këto kontrata të mundshme, përderisa ende e mban pushtetin, i cili duket se është zgrip.
Një përçarje evidente ndërmjet AAK-së e NISMËS nga njëra anë, dhe PDK-së nga tjetra, po flet për krizën që tashmë e ka kapluar këtë Qeveri, përderisa asnjëra palë nuk është e interesuar të shkojë në zgjedhje të parakohshme. PDK-ja tashmë është bërë e zëshme me kërkesën që taksa të suspendohet, ashtu që të “mos prishen raportet me amerikanët”, përderisa Haradinaj vazhdon të përsërisë dy të vjetra: taksa hiqet veç kur ta pranojë Serbia Kosovën, dhe nëse i keni 61 vota rrëzojeni Qeverinë.
Qeveria mbase edhe do të mundë të bjerë, po qe se PDK-ja ia del ta bindë (e mbase edhe ta mashtrojë për të tretën herë) LDK-në, që të bëjnë koalicion dhe që udhëheqjen me qeverinë ta marrë Isa Mustafa. Duke ditur qasjen e LDK-së, që sa herë ka marrë vendime të këtilla komprometuese ua ka veshur ato “trysnisë së miqve ndërkombëtarë”, hiç nuk është larg mendsh se një koalicion i ri PDK-LDK-PSD (59 deputetë) do të mundë të formohej për ta shtyrë këtë mandat qeveritar deri në fund. Për PDK-në do të ishte “një e rame, dy të vrame”: edhe do të mbeste në pushtet, edhe formalisht do ta inkuadronte LDK-në në ekipin shtetëror të negociatave.
Duhet pritur për të parë se sa do të shtohet trysnia ndaj Haradinajt, posaçërisht nga SHBA-ja, dhe sa do të jetë ky i vendosur që të mos heqë dorë nga taksa, që tash është bërë thuajse motivi i tij i vetëm politik.
Degradimi
Pra, politika e keqe dhe e gabuar, të cilën për fat të keq duhet ta përcjellim dhe jetojmë dita më ditë, është shkaktarja kryesore e degradimit që e përjeton kjo shoqëri në të gjitha aspektet.
Rasti i vajzës nga Drenica është mbase shembulli më drastik, i cili është bërë publik, ku absolutisht të gjitha segmentet shoqërore kanë dështuar. Për mua, nuk ka asnjë dyshim të vetëm se kjo vajzë është viktima më e madhe e gjithë këtij rrëfimi. Dyshimi se atë do ta kenë keqpërdorur seksualisht madje tre burra më të moshuar dhe, për më tepër, me obligime familjare, më bën të mendoj se ajo është bërë pjesë e një skenari të shëmtuar qërimi hesapesh ndërmjet tyre. Shfrytëzimi i moshës së saj, i gjendjes së varfërisë së skajshme, i joshjes me gjëra që normalisht nuk do të mundë t'i arrinte -- pavarësisht rrethanave që do të mundë t'i zbulonin hetimet që po zhvillohen -- atë e bëjnë këtë çfarë është: viktimë.
Madje edhe publikimi i lajmit, në formën siç është paketuar, mund të jetë pjesë e këtij skenari. Zhurma e madhe për t'i fajësuar dy burra, mbase paska qenë e kurdisur për ta mbuluar fajin eventual të të tretit. Ngase kjo javë tregoi qartë se njeriu i cili e ka “zbuluar” rastin është ftuar nga prokuroria në Prishtinë për t'u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin”.
Fushatat e pakontrolluara në përpjekje për t'ua hedhur fajin mediumeve të KOHË-s për “etiketimin” e kujtdo të përfshirë në këtë rast, vetëm për shkak se ato po merren me hulumtimin e thukët të krejt kësaj çështjeje, të bëjnë të mendosh se në të gjithë rastin mund të ketë edhe më shumë njerëz të implikuar. Përderisa nuk befason as padia e avokatit ndaj kompanisë sonë për shpifje e fyerje (sipas parimit sulmi është mbrojtja më e mirë), e as akuza e çmendur se diçka mund t'i ndodhë vajzës për faj të KOHË-s, befason reagimi paternalist i kolegëve gazetarë, që lëre që i paragjykojnë veprimet e mediumeve të tjera, por edhe shpallen mbrojtës të ligjit duke çuar letra nëpër ambasada të huaja në Kosovë.
Rasti i Drenasit e shpërfaqi krejt degradimin e kësaj shoqërie. Aty ku vlera për edukimin e mirëfilltë të fëmijëve dështon që në hapin e parë, në familje; aty ku arsimi nuk shërben për nxënie, por për abuzime; aty ku gjyqësia di të jetë shumë selektive e hetuesia shërben për mossundim ligji; aty ku komplet një sistem vlerash fundoset, sepse nuk ka shembull të mirë për të cilin mund të mbështetet.
Gjërat e këqija ndodhin në tërë botën, por e keqja në shtëpi është përherë më e dhimbshme. E aq më e dhimbshme kur dihet se shkaktarët e një gjendjeje të mosndëshkimit edhe shoqëror e edhe gjyqësor janë në rend të parë politikanët e këtij vendi që na kanë dërrmuar plotësisht qe 20 vjet, e edhe ne, që i kemi lejuar me vite që të bëhemi viktimë e tekave të tyre.