Momentalisht vetëm në parashikimin e motit nuk përmendet fjala korona. E gjen këtë fjalë në gati çdo artikull të çdo gazete e reviste perëndimore. Një përpjekje për të gjetur tema të tjera.
1. Si i ndihmoi CIA autorit rus Boris Pasternak të marrë Nobelin për Letërsi më 1958
Romani “Doktor Zhivago” u botua më 1957 në italisht dhe pastaj në shumë gjuhë të tjera. Po aq i njohur sa romani është filmi “Doktor Zhivago” – me Omar Sharifin dhe Julie Christie në rolet kryesore. Në Bashkimin Sovjetik romani nuk u lejua të botohet. Gazeta “Pravda” shkroi: “Romani i Pasternakut është publicistikë e ulët reaksionare pa vlera letrare”. Se si u botua romani në Perëndim? Thënë shkurt: romani u botua falë komunistëve italianë dhe agjentëve amerikanë të CIA-s. Si ndodhi kjo?
Më 1955 shefi i librarisë së Partisë Komuniste Italiane, Sergio D’Angelo, shkoi në Moskë për të ndihmuar në programin italisht të radios sovjetike. Më parë D’Angelo takoi botuesin Giangiacomo Fletrinelli, i cili e porositi të gjurmojë autorë interesantë rusë. Në Moskë D’Angelo dëgjoi për një roman të pabotuar dhe vizitoi Boris Pasternakun. Ky ia dha dorëshkrimin komunistit italian dhe e porositi: “Që tani po ju ftoj në ekzekutimin tim”. Pasternak ishte i bindur se e priste një ndëshkim i rëndë nga udhëheqja komuniste.
Sapo e mori dorëshkrimin nga D’Angelo, botuesi Fletrinelli u kujdes që romani të përkthehej sa më shpejt dhe të botohej. Më 1958 Boris Pasternak u nderua me Nobelin për Letërsi, por udhëheqja sovjetike nuk e lejoi Pasternakun të shkonte në Stockholm dhe ta pranonte personalisht mirënjohjen e lartë.
Pak ditë pasi romani u botua në Perëndim, shërbimi sekret amerikan CIA u mor me këtë libër. Librat, shkroi CIA, “janë arma më e rëndësishme në propagandën strategjike”, andaj propozohej që romani të përkthehej në sa më shumë gjuhë. Para se të merrte vendim për të shpërblyer Pasternakun, Komiteti i Nobelit të Stockholm u ballafaqua me një problem: romani “Doktor Zhivago” nuk ishte i botuar në gjuhën origjinale, në rusisht. Këtu erdhi në shprehje aleanca veriatlantike. Shërbimi sekret britanik MI6 siguroi një mikrofilm të dorëshkrimit dhe ua dorëzoi kolegëve amerikanë nga CIA. Në Amerikë romani u radhit në origjinalin rus dhe pastaj u shtyp në Holandë.
2. Punë gjermane
Në pranverën e vitit 1999 avionët “Tornado” të ushtrisë gjermane sulmonin forcat serbe për të ndalur terrorin në Kosovë. “Tornadot” tani janë “plakur” dhe duhet të zëvendësohen. Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, po insiston që Gjermania të blejë avionë F-18 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por kundër kësaj blerjeje janë deklaruar socialdemokratët, të cilët janë partnerë koalicioni i CDU-së, partia konservatore e kancelares Angela Merkel dhe ministres së Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer. Socialdemokratët nuk duan që Donald Trumpi ta shfrytëzojë blerjen e avionëve nga Gjermania për të bërë poza triumfaliste. Trump shpesh me të drejtë i akuzon gjermanët se nuk po ndajnë mjaft para për ushtrinë dhe NATO-n. Nëse Gjermania blen avionë F-18, Trump mund të krenohet se kritika e tij pati efekt. A bëhet politika me inate? Për disa socialdemokratë gjermanë me sa duket kjo është përgjigjja. A ka alternativa Gjermania për të zëvendësuar “Tornadot”? Jo, nuk ka, shkruan gazeta “Süddeutsche Zeitung”. Avionët “Eurofighter” nuk janë të dizajnuar për bartjen e bombave atomike. Gjermania nuk ka bomba atomike, por vendi është obliguar që në kuadër të aleancës veriatlantike të jetë pjesë e “participimit nuklear”.
3. Nazizmi dhe rasti i piktorit Felix Nussbaum
Më 1 shtator 1939, në orën 04:45, ushtria naziste e Adolf Hitlerit sulmoi Poloninë pa i shpallur luftë. Qëllimi i Hitlerit ishte “zgjerimi i hapësirës jetësore” gjermane në Lindje. Këtij zgjerimi i “qëndronin në rrugë” popujt e tjerë, prandaj ata duhej të zhdukeshin e shfaroseshin. Më 1933 piktori gjerman me prejardhje hebraike, Felix Nussbaum, braktisi Gjermaninë pasi Hitleri kishte filluar fushatën e përndjekjes së hebrenjve. Nga viti 1940 Nussbaum u fsheh në Bruksel. Pasi u denoncua, ai bashkë me 562 hebrenj të tjerë u deportuan në kampin e Auschwitzit, ku u vra më 9 gusht 1944. Karakteri i luftërave të Hitlerit kundër popujve të tjerë ishte racist, ideologjik, shfarosës. Nga nëntori i viti 1939 të gjithë hebrenjtë duhej të bartnin një shenjë dalluese, kryesisht yllin hebraik (Judenstern). Piktori Felix Nussbaum më 1943 portretizoi veten me yll hebraik dhe me kartën hebraike. Gazeta javore naziste “Das Schwarze Korps” (Korpusi i Zi) në një koment të datës 20 gusht 1942 shkruante: “Detyrë e jona nuk është ta gjermanizojmë Lindjen në kuptimin e vjetër, domethënë: që njerëzve që jetojnë atje t’ua mësojmë gjuhën dhe ligjet gjermane, por të kujdesemi që në Lindje të banojnë vetëm njerëz me gjak gjerman”. Vetëm në Auschwitz-Birkenau nazistët vranë 1 milionë hebrenj dhe të tjerë. Sipas studiuesve, nazistët vranë 6 milionë hebrenj.
4. Darka e gabuar
Prokuroria e Stuttgartit ka nisur një procedurë parahetimore kundër ministrit të Shëndetësisë të landit të Baden-Württembergut, për shkak të dyshimit për favorizim. Ministri Manfred Lucha akuzohet se në vitin 2018 është ftuar dy herë në darkë nga humoristi Christoph Sonntag. Darkat u hëngrën para se Ministria e Shëndetësisë të vendoste për përkrahjen financiare të një projekti të demokracisë së humoristit. Ndërkohë në Kosovë nuk dihet ende se kush ia ka paguar pushimin një kryeministri në një qendër turistike dimërore mondane luksoze, në një vend të quajtur Konfederata Helvetike.