Për cinikët, e që sigurisht ka mjaft të tillë, sepse i gjej nëpër komentet e statuseve të mia në Facebook, fushatës sime
Gjendemi para nyjës së javës vendimtare për shumë rrjedha historike, fillimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe si pasojë e saj edhe e rrjedhave të tjera gjeopolitike në botë.
Data 3 nëntor e zgjedhjeve presidenciale në Amerikë do të jetë përcaktuese e këtyre rrjedhave politike.
Unë nuk jam antiamerikan, por jam anti Trump dhe zgjedhjes së tij edhe për një mandat të dytë. Përtej interesit të një qytetari amerikan, i cili do ta votojë Donald Trumpin dhe që nuk do të jetë në gjendje ta thotë një arsye të qëndrueshme faktike dhe logjike, se pse e voton atë kandidat, në shtjellimin e ditarit tim, në shumë raste dhe shembuj, kam argumentuar pse Trumpi është i rrezikshëm për Amerikën pikësëpari, e edhe për politikën globale si pasojë.
Në arrogancën e tij, të cilën ai nuk heziton ta manifestojë në çdo çast, edhe mbrëmë gjatë fushatës së tij ai përmendi se si kishte arritur ta ndërpriste luftën 400-vjeçare midis shqiptarëve dhe serbëve, dhe se ai atë pajtim ka arritur ta bënte brenda 20 minutash në Zyrën e tij Ovale, e ku më pas, ata të cilët u "pajtuan" ndërmjet vete, u përqafuan dhe shkëmbyen puthje të ndërsjella. Për mua personalisht kjo deklaratë e tij, qoftë edhe për nevojat e fushatës së tij, (gjë të cilën ka shumë muaj që e proklamoj se ai do ta bënte dhe për këtë gjë sigurisht se edhe jam përqeshur), më irritoi pa masë.
Këtij irritimi iu bashkëngjit edhe drejtimi i Richard Grenellit nëpërmjet një videoparaqitjeje drejtuar komunitetit të shqiptarëve të Amerikës, duke kërkuar nga ta që ta votojnë Donald Trumpin për president të SHBA-së. Irritimi ka të bëjë me faktin se sa i nënçmon ai shqiptarët ashtu haptazi, d.m.th. mjafton një video-kërkesë për shqiptarët derisa me komunitetin serb ai shkon në meshën kishtare, në Milwaukee, kalon kohë me ta, mban fjalim të rastit aty, ku, ndër të tjera, ai iu thotë: "Bëni diçka për presidentin Trump, ai ka punuar për ju!".
Fotografi të shumta të afishuara nga ajo vizitë anembanë rrjeteve sociale. Normal është e drejtë e tij që të lobojë për punëdhënësin e tij, edhe për vendin e tij potencial të ri të punës, por është e drejta e imja që nëse mundem që së paku një shqiptari t'ia ndrroj mendjen për mos ta votuar Donald Trumpin për president, atë gjë do ta bëj me kënaqësi. Nuk e di të ekzistojë diku edhe një diplomat tjetër po kaq transparent sa jam unë!
Në disa shkrime të ekspertëve të politikës amerikane dhe njohës të saj, ata shfaqin dyshime dhe parashikime se në rast të humbjes së zgjedhjeve, Donald Trump nuk do t’i njohë ato, dhe nuk do të lërë gur ligjor pa e lëkundur vendi derisa të arrijë që situatën ta kthejë në favor të vetin.
Për cinikët, e që sigurisht ka mjaft të tillë, sepse i gjej nëpër komentet e statuseve të mia në Facebook, fushatës sime "antiamerikane" iu kishte bashkëngjitur edhe ish-sekretarja e SHBA-së, Madeleine Albright, e cila e kishte kritikuar ashpër politikën e presidentit Donald Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë. Urdhëroni cinikë, çfarë t’i themi kësaj zonje tani? Çfarë t’i themi kësaj mikeshe të dëshmuar të popullit shqiptar të Kosovës qysh nga ditët më të vështira kur luftohej për ekzistencë, edhe thjesht mbijetesë kombëtare. Ta quajmë antiamerikane? I njeh kjo interesat e Amerikës më pak se administrata e Donald Trumpit? Kështu që, cinikët e mi të dashur, Qeveria Hoti nuk e ktheu raportin e normalizimit midis Kosovës dhe Amerikës, por me trampolinë të nënshtrimit e katapultoi Aleksandar Vuçiqin në Shtëpinë e Bardhë, ca foto rasti, (puthje e përqafime midis palëve negociuese, sipas Trumpit) nëse s’ka qenë ashtu do të dëshiroja që ta demantoni zotërinë. Ndoshta ato pëshpëritjet e Skënder Hysenit në veshin e Avdullah Hotit, Donald Trump nga tavolina e tij e madhe mund t’i ketë konceptuar si puthje dhe mund ta ketë përzier Dukën e Dobratinit me ndonjë nga ekipi tjetër negociues. Nuk përjashtohet si mundësi.
Lista e miqve të Kosovës e të cilët haptazi i shfaqin bindjet e tyre anti-Trump është e gjatë: George Bush, Clintonët, Colin Powell, Madeleine Albright, Condoleezza Rice, Donald Rumsfeld, Elliott Engel, Bob Dole, Wesley Clarke e shumë e shumë të tjerë, dhe madje pa dallime partiake nga të dyja kampet edhe republikane, edhe demokrate.
Nga kabllogramet politike nga vendi do t’i veçoja disa shkrime portalesh, të cilat thonë se së shpejti pritet aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ligjshmërinë e votimit të Qeverisë Hoti dhe votën e 61-të diskutabile të deputetit të dënuar me burg Etem Arifi. Edhe për këtë ngjarje unë kam shkruar në ditarin tim qysh nga dita kur u votua Qeveria Hoti, dhe këtë gjë e kam cekur shumë herë në shkrimet e mia. Një e mirë është se vendimet e Gjykatës Kushtetuese deri më tash gjithnjë janë pranuar nga të gjitha partitë politike, mirëpo unë, si diplomat që jam, më duhet që ta luaj avokatin e dreqit.
Pse pikërisht tani do të dalë Gjykata Kushtetuese me këtë aktvendim? Unë nuk jam jurist, mirëpo mendoj se kjo çështje s’do të guxonte të merrte aq shumë kohë që të shqyrtohej që nga dita kur është deponuar ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje për shkelje të kushtetutshmërisë dhe ligjit me rastin e këtij votimi. Fatkeqësisht edhe në të kaluarën na është dëshmuar se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka pranuar që të bëhet pjesë indirekte e lojërave dhe skemave politike të Kosovës, sidomos të atyre skemave të bëra nga ana e presidentit Hashim Thaçi për nevojat politike ditore të tija. Sa i përket kryeministrit Hoti, e kam thënë edhe më parë se di se çfarë gjumi të rehatshëm ka mundur ai që ta bënte si intelektual që është, kur e di se në çfarë mënyre i janë bërë 61 vota. Jam i mendimit se në momentin kur politika dhe ambicia politike fitojnë dhe sundojnë mbi intelektualizmin dhe integritetin, aty gjithçka mund të ketë, vetëm intelektualizëm jo, servilizëm gjithsesi.
Do të vazhdoj me rolin e avokatit të dreqit. Pse bash tash në këtë kohë? Ju e vëreni lojën dhe hezitimin e PDK-së për të votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti. Kështu me këtë vendim në stilin e Hashimit, një e rame e dy-tri të vrame, vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të binte te shpallja e Qeverisë Hoti si qeveri jolegjitime apo kundërkushtetuese, cilido që të jetë termi më adekuat ligjor në këtë rast. Ajo do të binte, por jo me mocion nga PDK-ja. Në Kuvend do të sillej në rivotim Qeveria Hoti. Tashmë partneri qeverisës në opozitë, PDK-ja, do ta votonte haptazi Qeverinë e re Hoti. Me këtë potez do të hiqnin qafesh AAK-në dhe ambicien e Ramush Haradinajt për president dhe shantazhet të cilat ai ia bën koalicionit ekzistues, PDK-së, zyrtarisht do të bëhej partner i koalicionit të ri qeverisës dhe sigurisht se aty në atë marrëveshje do të ishte e mbështjellë edhe pozita e presidentit.
Por tani unë kam disa pyetje në të cilat do të dëshiroja përgjigje nga njohësit dhe ekspertët ligjorë. Në rast se Qeveria e tanishme Hoti shpallet si kundërkushtetuese, çfarë ndodh me të gjitha vendimet dhe marrëveshjet të cilat i ka arritur ajo? Zëri i arsyes ma thotë se që të gjitha duhet anuluar dhe se përderisa janë marrë nga një qeveri kundërkushtetuese, si pasojë edhe çdo aksion i saj do të duhej të cilësohej i tillë gjithashtu! Por, siç e thashë edhe më herët, unë nuk jam jurist me profesion, mirëpo po flas me zërin e një logjike të shëndoshë që jo medoemos do të thotë se ligji vepron ashtu.
Mirëpo po të vinte deri tek anulimi i atyre vendimeve për Qeverinë Hoti, ajo do të ishte si një amnistim për shumë vendime katastrofale, të cilat i ka ndërmarrë, dhe ashtu qysh kesh t’u ndejtë u kall loja, edhe që unë jom i paqtë edhe një herë me ia fillu nga fillimi e mos me i ba gabimet e njëjta!
Ndoshta edhe unë me këtë rolin tim të avokatit të dreqit po hyj shumë në fusha konspirative edhe në fantashkencë, por nga salltat politike të cilat i kam parë deri më tani në skenën politike kosovare, asgjë nuk më çudit.