OpEd

Janar i trishtë

Shpeshherë e pyes veten: a thua, si do të dukej shteti ynë sikur ne të ishim 40-50 milionë banorë dhe sikur të ishim udhëhequr nga po ky i njëjti mentalitet i politikanëve. Mirëpo, kur e mendoj se ne jemi më pak se 2 milionë banorë dhe të jemi kaq jopërgjegjës për shtetbërje dhe politikëbërje, ky me të vërtetë mbetet rast unik për një studim të mirëfilltë

Fundi i muajit më të gjatë dhe më të mërzitshëm të vitit është pranë. Ngjarjet të cilat e veçuan muajin janar në ditarin tim diplomatik ishin inaugurimi i presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, si dhe vdekja e më tepër se 100,000 personave nga Covid-19 në Britaninë e Madhe dhe që për kokë banori shënon vdekshmërinë më të madhe në botë nga ky virus, i cili e kaploi botën.

E dhimbshme se si aq shumë jetë të shuara vrullshëm, përnjëherë shndërrohen vetëm në një statistikë krahasuese me vendet e tjera për matjen e një tragjedie njerëzore. Nënat, baballarët, motrat, vëllezërit, fëmijët e dikujt përnjëherë shndërrohen në numra e grafika statistikore.

Vetëm ditën e djeshme në Mbretërinë e Bashkuar u shënuan 1,725 vdekje dhe është numri më i madh i vdekjeve brenda 24 orësh. Vaksinimi i popullatës është duke vazhduar, duke filluar nga grupet më të rrezikuara dhe të moshuarit. Masat e karantinimit mbesin në fuqi, shkollat vazhdojnë të ngelen të mbyllura dhe përflitet se mund të priten masa më të rrepta të kontrollimit të kufirit dhe të hyrje-daljeve nga shteti.

Pasojat ekonomike dhe recesioni, i cili do të kaplojë këtë ishull, mendoj se do të jetë shumë më agresiv se ai i krizës financiare globale më 2008. Shumë biznese do të falimentojnë, shumë vende të punës do të humben e shto këtu edhe BREXIT-in, i cili prej datës 1 janar veçse ka hyrë në fuqi.

Pasojat e para njerëzit kanë filluar t’i kuptojnë tash pas Vitit të Ri me porosinë e gjërave të ndryshme me postë nga shtetet anëtare të BE-së. Para se të lëvrojnë parcelën (varësisht nga vlera e saj monetare) paguhet edhe taksa shtesë doganore, e cila më parë nuk ka ekzistuar me shtetet e BE-së. E ky realitet i ri ka filluar që t’i agjitojë qytetarët. Për shkak të pandemisë nuk ka edhe aq shumë udhëtime jashtë shtetit, sepse një ditë kur të normalizohet edhe ajo gjë, do të ketë pakënaqësi shtesë me kuptimin e realiteteve të reja.

Fushatat parazgjedhore jozyrtare të partive politike kosovare për zgjedhjet e parakohshme veçse kanë filluar dhe janë në vlugun më të madh. Ajo çka i veçon këto zgjedhje nga të mëparshmet sipas mendimit tim, e të cilin po e bazoj nga debatet e shumta politike televizive, si dhe artikujve e statuseve dhe komenteve të shumta nëpër rrjetet sociale, mbetet propaganda shumë më e ashpër e partive politike me akuzat e ndryshme ndaj njëra-tjetrës apo ndaj eksponentëve të tyre partiakë. Gjërat nuk i ka bërë më të lehta as interpretimi i Gjykatës Kushtetuese për votën e Etem Arifit dhe ndalesën e kandidimit për deputet të cilitdo kandidat, i cili në tre vjetët e fundit ka qenë i dënuar nga gjyqi.

Tash aty po del se kemi edhe deputetë të cilëve u mohohet e drejta për kandidim edhe për shkak të ndonjë dënimi për kundërvajtje në trafik. Për mua pjesa më e dhimbshme mbeten votat e diasporës dhe mënyra se si sillen ndaj këtij grupi të votuesve, dhe si nga zgjedhja në zgjedhje ky proces vetëm se u komplikua edhe më shumë në vend se të ndodhte e kundërta. Edhe vetë deklarata e kryetares së KQZ-së, e cila në vend se të inkurajojë mërgatën që te shfrytëzojë të drejtën e saj legjitime, ajo e bënte të kundërtën duke deklaruar se votimi nga jashtë është proces i ndërlikuar dhe se njerëzit "pritojnë" të votojnë. Është problematike kur një deklaratë e tillë vjen pikërisht nga udhëheqësja e një institucioni, i cili do të duhej që t’i gjente mënyrat dhe metodat e thjeshtëzimit të procesit të votimit për mërgimtarët tanë.

Por në vendin ku ne e çudisim edhe vetë çudinë edhe kjo kalohet dhe përballohet.

E pse i frikëson vota e mërgimtarëve establishmentin shtetëror dhe partitë politike? Sepse tashmë një pjese të madhe të atyre votuesve potencialë nga diaspora nuk mund t’u shesësh dushk për gogla për gjërat bazike në një shoqëri demokratike dhe kushtet bazike organizative të një shoqërie të mirëfilltë demokratike. Sepse atyre nuk mundesh t’u premtosh asfalt, as vende fiktive pune, e as investime nga jashtë, e as liberalizim vizash. Secili nga ta ka ndonjë pronë private në Kosovë, qoftë ajo ndonjë shtëpi e ndërtuar rishtas, ndonjë banesë e blerë, ndonjë dyqan apo biznes i vogël. Në të gjitha këto prona secili nga ta i paguan taksa shtetit edhe pse jeton në një shtet tjetër. Edhe 22 vjet pas përfundimit të luftës, pjesa më e madhe e tyre në qytetet apo fshatrat ku i kanë pronat e veta ende ballafaqohen me mungesën e shërbimeve elementare, siç janë furnizimi me rrymë elektrike 24h, me ujë të pijshëm si dhe një infrastrukturë tjetër përcjellëse. Mos të flasim për plaçkitjen e cila iu është bërë me policat e sigurimeve kur ata në vendlindje shkojnë me veturat e tyre.

Sikur të gjitha këto të mos mjaftonin tash edhe u komplikohet procesi i votimit sepse natyrisht ai i cili voton nga jashtë nuk e dëshiron atë stagnim, ai e dëshiron ndryshimin, vota e tij nuk mund të kushtëzohet e as shantazhohet me asgjë.

Tani kur politikanët tek ne flasin dhe premtojnë për projektet dhe investimet e ndryshme, po t’i dëgjosh pak me më shumë vëmendje ata tingëllojnë thuajse ato para i kanë nga kursimet familjare dhe se janë aq shumë të përkushtuar për t'ia rregulluar kushtet elementare të jetesës qytetarit kosovar.

Nga deklaratat e ndryshme të qytetarëve, shokëve, familjarëve mundem ta kuptoj se ekziston një atmosferë kur njerëzve u kanë ardhur gjërat përtej hundës dhe kërkojnë një ndryshim drastik në politikëbërjen kosovare. Fundja ajo po reflektohet edhe nëpërmjet sondazheve të shumta të porositura qoftë nga partitë politike, të bëra nga organizatat e ndryshme joqeveritare apo thjesht matje të opinionit nëpërmjet votimeve të ndryshme LIVE gjatë transmetimit të debateve të shumta politike, të cilat ndodhin çdo natë në televizionet e shumta nacionale të Kosovës.

Pak a shumë, në pyetjet e shtruara në mënyrë të ngjashme, përgjigjet korrespondojnë të jenë të ngjashme në përqindje. Edhe sikur vetëm 50% të jenë të sakta këto lloj votimesh e sondazhesh, për disa parti politike do të duhej që të ishte diçka shumë brengosëse. E si duket pikërisht ajo brengosje i ka bërë që agresivitetin në propagandën e tyre mediatike ta kenë shumë më të theksuar dhe më të egër sesa herëve të tjera.

Natyrisht se dështimet e njëpasnjëshme në politikëbërjen dhe shtetndërtimin e mirëfilltë të një shoqërie demokratike sjellin si rezultat pakënaqësinë e qytetarëve dhe shprehjen e revoltës së tyre nëpërmjet votës. Mbetet që të shohim epilogun e asaj të cilën shumë nga ne e dimë se është e pashmangshme, që të ketë një ndryshim dhe në të njëjtën kohë ndëshkim me votë.

Nga lista e deputetëve nga të gjitha partitë mendoj se mund të gjesh kandidatë të cilët ia vlen që të votohen, mirëpo ajo që mua më brengosi është futja e familjarëve të ish-deputetëve nëpër listat partiake për deputetë. Në fund qytetari vendos vetë se a do t’i votojë ata individë, mirëpo kjo nuk e zbeh faktin se kjo dukuri po e lë një shije të keqe, pavarësisht se nga cila parti vjen.

Në Kosovë më brengos fakti se për vaksinën anti-Covid ende nuk flitet dhe asgjë konkrete nuk ka në tavolinë. Përderisa në heshtje Serbia i vaksinon edhe serbët në pjesën veriore të Kosovës (nuk jam i sigurt se me cilin lloj të vaksinës), në Kosovë qytetari i saj është i lënë në mëshirën e politikanëve hipokritë, dhe vaksinat e vaksinimi i popullatës duket si diçka e largët. Shpeshherë e pyes veten: a thua si do të dukej shteti ynë sikur ne të ishim 40-50 milionë banorë dhe sikur të ishim udhëhequr nga po ky i njëjti mentalitet i politikanëve. Mirëpo kur e mendoj se ne jemi më pak se 2 milionë banorë dhe të jemi kaq jopërgjegjës për shtetbërje dhe politikëbërje, ky me të vërtetë mbetet rast unik për një studim të mirëfilltë.

Këtij janari të zymtë po i afrohet fundi, mirëpo ende ky vit i ri kalendarik nuk po tregohet si diçka më i mirë apo më i mbarë se viti i mbrapsht 2020, të cilin e lamë pas. Thonë se dita e mirë shihet në mëngjes dhe më falni për pesimizmin, mirëpo edhe sot është vetëm edhe një nga mëngjeset e errëta dhe morbide të radhës.