Zgjedhjet e shkuara na treguan se Kosova do ta ketë perspektivën shumë të zymtë, që në çastin kur tyxhari do ta shesë votën e tij për një post ministror e ca kontrata. E tyxhari, i cili tashmë u dogj së paku dy herë, mbase nuk po do që të kuptojë se do ta djegin sërish – dhe se gjithë kjo aventurë do të mbarojë shpejt. Për aq sa do t’u nevojitet shefave të Klanit Pronto!
“Lum” Kosova për politikanët që i ka. “Lum” ne për ata që me mish e me shpirt po përpiqen me “na shpëtu” duke ia zgjatur vetes jetën në pushtet. E kështu të vazhdojnë të na fundosin edhe më shumë, sepse po get kjo fundosje skaj nuk paska. Të “lumtë” ne që personazhet kryesore që po e bëjnë të pamundurën “për interesin e popullit”, e që mbajnë mbledhje nëpër kafehane, janë dy komandanta, një kryespiun dhe një i akuzuar për krim të organizuar. Këtyre, së fundi, u është bashkuar edhe një tyxhar.
Për të siguruar kohë që të vazhdojnë ta maltretojnë një popull të tërë, kujdesen “gojëmblit” Enver Hoxhaj, Pal Lekaj dhe Bilall Sherifi – që përherë kanë diçka për të thënë në “mbledhjet konsultuese” dhe që kundërargumenteve u përgjigjen me “kush jeni ju, për të vënë në pyetje këtë apo atë”.
“Kush jeni ju?” i bie “kush ju ka dhënë të drejtë që të flisni?”. Ata që e kundërshtuan PAN-in atë ditë në Kuvend, mandatin e kanë marrë nga votuesit për të folur. Unë, që po dua t’i them disa fjalë për ju që pyetni “kush jeni ju?”, jam votuese dhe pjesëtare e popullit të Kosovës, të cilit ia keni lodhur kokën (mirësjellja nuk më lejon të përdor term tjetër) me shkatërrimin sistematik të nervave që po na e bëni.
Para se t’ia mohoni kujtdo të drejtën për t’ju quajtur gënjeshtarë dhe pjesëtarë klanesh, ndaluni të mendoni se kush jeni ju, dhe pse duhet të shkoni, për të na lënë të marrim frymë lirshëm.
Ju, PAN-ista (me gjithë 500 partitë që i keni marrë bisht në koalicion) jeni ata që:
- E falët “Ferronikelin” dhe na detyruat, qytetarët, që t’ia subvencionojmë rrymën privatizuesit të fabrikës;
- Na detyruat, pa na pyetur, që ta paguajmë rrymën që serbët e shpenzojnë, e të cilën nuk e paguajnë që nga paslufta;
- E imponuat decentralizimin dhe i krijuat madje 10 komuna me shumicë serbe, duke ia cunguar Kosovës mundësinë e organizimit normal territorial;
- Na bëtë të paguajmë madje 15 milionë për rehabilitimin e objektit të “Rilindjes”, për nevojat e krekosjes suaj, kur me ato pare pesë ndërtesa ishin ndërtuar;
- Kurrë nuk u lodhët të uleni e ta përpiloni një raport gjithëpërfshirës mbi të cilin do të kërkonit reparacionet e luftës nga Serbia, se nuk patët vakt duke vrapuar pas pasurimit personal;
- Lejuat që një OJQ nga Beogradi të ketë evidencë më të qartë për të vrarët në Kosovë sesa institucionet që do të duhej të merreshin me këtë çështje;
- Kurrë nuk e ngritët çështjen e të pagjeturve aty ku është dashur dhe kurrë nuk u dhatë mjete të mjaftueshme ekipeve të forenzikës për t’i përpunuar mbetjet mortore;
- Injoruat me vite të tëra nevojën e trajtimit të dhunimeve të luftës, dhe madje refuzuat me vite të tëra ta kaloni Ligjin për viktimat e kësaj kategorie;
- Rrejtët për numrin e veteranëve të luftës, dhe kështu ua paguat favoret atyre që do të kenë vjedhur vota për ju;
- Lejuat shitjen e të gjitha aseteve që kishte Kosova për nja një miliard euro, përderisa i kurdisët privatizimet ashtu që me ato asete të bëheshin njerëzit të cilëve ua patë hairin financiar;
- Mundësuat shkatërrimin e natyrës, të lumenjve; shndërrimin e tokave bujqësore në toka ndërtimore; lejuat ndërtimin pa leje aty ku duhej shpronësuar toka për të ndërtuar autostrada e hapur mihje;
- Na sëmurët tërësisht si popull, duke e ngritur nivelin e ndotjes në hava – ndaç nga termocentrali, ndaç nga importimi i veturave që shtetet perëndimore i hedhin në bërllok;
- Mundësuat krimin e organizuar në institucionet shëndetësore, ku barnat gjenden vetëm në të zezën, kurse zemrave të pacientëve u futen stenta pa pasur nevojë, ose nuk u futen fare, por u faturohen;
- I “humbët” 16 milionë euro të telefonisë së dytë mobile dhe shpëtuat pa therrë në këmbë dhe mbase me ndonjë kundërshpërblim që natyrisht kurrë nuk u bë publik;
- Na i fshehët kontratat më të shtrenjtat në historinë e ndërtimit të rrugëve dhe lejuat që rrugët të ndërtoheshin pa mbikëqyrje – ani që rruga u shemb e që ka një vit e kusur nuk rregullohet në dalje të Prishtinës;
- E futët politikën aq thellë në Universitetin e Prishtinës, saqë e shkatërruat një institucion që u ndërtua me shumë mund, dhe çuditërisht, jo nga ju. E nuk ju doli boll, po i hapët edhe gjashtë universitete, veç për të treguar se Kosova nuk ka aq shumë papunësi, sepse edhe kjo është vetëm një perceptim. Ah, edhe rrugës e punësuat akraballëkun e dostllëkun – se gjynah, ata s’bën me mbet pa punë;
- Zyrtarisht bëtë që të shpalleshim popull analfabet, duke u renditur nga fundi në testin PISA;
- Lejuat dhe ndihmuat evazionin masiv fiskal prej afro 500 milionë eurosh në vit, përderisa krekoseshit që Kosova ka rritjen ekonomike më të madhe në rajon, pa pasur guximin për të thënë se po të mos ishte diaspora, moti kishim mbaruar;
- Bëtë të mundur që vetëm një përqindje e vogël e naftës që futet në shtet të kontrollohet për cilësi dhe nuk bëtë shumë përpjekje që pompat e benzinës të pajisen me arka fiskale, për shkak se është sekret publik se kush i kontrollon cilat pompa në cilin rajon;
- Mundësuat shpëlarjen e parave kur i mblidhnit mjetet për mbrojtjen juridike të shefave tuaj; krijuat fond të veçantë për mbrojtjen e shefave tuaj, nëse pa hiri dikush i çon në Specialen e Hagës;
- E falët Distribucionin e rrymës për dy kilometra asfalt, e ia mundësuat blerësit që për më pak se tre vjet ta nxjerrë katërfishin e investimeve;
- E lejuat lidhjen e një kontrate për PTK-në me një firmë që as emrin nuk ia mbani në mend, dhe e bëtë asisoj që gjithë neve na dhatë një autogol, se tash duhet paguar dënime në arbitrazh;
- U futët në muhabete madje për privatizimin e një hoteli, që pasoi me (vetë)vrasjen e shefit të privatizimit, dhe së fundi me shkarkimin e avokatit të shtetit, për shkak se pati guximin të fliste hapur edhe për një arbitrazh;
- E fshehët tekstin e Kushtetutës derisa përpilohej dhe shisnit mend qysh ky dokument është vepër arti, përderisa në fund na doli vepër shoshe, të cilën e shpon kush do sa herë që të dojë për t’jua bërë juve të mundur ta mbani shtetin në duar;
- I pranuat me duartrokitje gjashtë pikat e Ban Ki-moonit dhe e përkrahët gjithashtu me duartrokitje edhe futjen e Fusnotës e edhe Marrëveshjen “historike” të Brukselit për autonominë e serbëve me të cilën na e bllokuat jetën;
- E politizuat skajshmërisht Gjykatën Kushtetuese, të cilën e bëtë mashë tuajën; i infiltruat njerëzit tuaj në polici, gjykata, prokurori, dhe na bëtë shtet pa ligj e pa rend;
- Lejuat që nëpër burgje të vdesin të burgosurit e që të mos kuptohet kurrë se as për çka u morën e as çka kanë pasur të thonë;
- Lejuat që për faj tuajin të dalë një Raport Marty dhe që për shkak të atij raporti Kosova të kriminalizohet; sepse nuk e patët guximin që të ballafaqoheni me të këqijat që dikush i ka bërë gjatë luftës, për më tepër lejuat që dëshmitarët të zhdukeshin;
- Lejuat vjedhjen e dhomave të dëshmive në Polici dhe kaluat nëpër këtë punë, thuajse kjo punë është gjë normale që ndodh gjithkund;
- Financuat pandërprerë transmetuesin publik dhe e mbajtët nën kontroll politikën redaktuese, përderisa njëkohësisht e mbushët me njerëz partiakë e familjarë, patën a nuk patën punë;
- Nuk u brengosët asnjë grimë që për më pak se tre muaj Kosovën e braktisën 100 mijë njerëz. I përdorët si arsyetim për dështimet tuaja politike, sepse nuk ishit në gjendje t’u ofroni jetë të dinjitetshme – se s’kishit kohë të merreshit me popullin, por me interesat tuaja të ngushta;
- Rrejtët për liberalizimin e vizave dhe vazhdoni të rreni, për shkak se vetes ia keni bërë sherrin kur e keni pranuar demarkacionin si kusht, kurse korrupsionin nuk mund ta luftoni, ngase është palidhje ta luftosh veten;
- E bëtë demarkacionin ashtu siç ia bën shqiptari kur e pyesin a di ta pilotojë aeroplanin, pa ditur as çka është ky objekt që quhet edhe fluturake;
- I rrëzuat Qeveritë sa herë kjo u konvenoi shefave dhe krijuat koalicione “stabile” po aq herë që kjo u konvenoi shefave dhe suitës së tyre. E pse e shkatërruat Kosovën, kjo është punë e parëndësishme për ju;
- Pranuat që Kosova të ketë regjistrim të mangët të popullatës dhe që vit pas viti të na dalin më shumë votues sesa banorë – porse kjo natyrisht ju ka konvenuar, se manipulimet në mjegull mbesin të pazbuluara;
- Pranuat që paratë e pasaportave t’ua vjedhë një grua (në emër të kush e di kujt) e që për atë punë askush të mos japë përgjegjësi politike;
- E emëruat shefin e Policisë në kundërshtim me ligjin dhe emëruat për shef të krimeve ekonomike dikë të akuzuar për marrje ryshfeti për mbylljen e rasteve në Polici;
- Formuat Qeveritë me nga njëzet ministri; harxhuat para pa kurrfarë kontrolli; përdorni veturat zyrtare për të shkuar nëpër pushime dhe kurrë nuk jepni llogari se sa para i mblidhni nga mëditjet kur shkoni në udhëtime të kota zyrtare;
- Krijuat kushtet që mbi 300 veta të shkojnë e të luftojnë në Siri e Irak, për ta mbrojtur fenë; dhe në vend se ta ndalni depërtimin e rrymave të rrezikshme fetare ju i dhatë shtytje para, edhe duke ia njohur statusin e veteranit shefit të BIK-ut;
- Riparuat nga dy a tri herë stadiumet e futbollit dhe kurrë nuk u ndalët së kërkuari para shtesë, se kurrë nuk ju mjaftuan për të nisur e bitisur një punë si duhet;
- E krijuat Klanin Pronto, kurse tash vetëm sa jeni duke e zgjeruar – se prej një po shtohen edhe disa subjekte me mentalitet dhe me synime të njëjta...
Këto janë vetëm disa nga ato çka keni arritur të bëni në vitet e pasluftës. Ka edhe shumë të tjera që madje më vjen turp t’i listoj, sepse kurrë nuk më ka shkuar në mendje se populli im mund të ketë kësi njerëzish që më parë e shesin shtetin sesa të pranojnë se janë të paaftë për të kryer punë shtetërore. Se mund të ketë njerëz që janë thellë të bindur se populli u ka borxh, sepse këta kanë luftuar (kush sa ka luftuar, këtë me gjasë nuk do ta marrim vesh kurrë) e ne tjerët paskemi ndenjur qetë duke pirë kafe. Se mund të ketë njerëz që nuk duan të kuptojnë se shteti mund të udhëhiqet edhe pa ta, dhe se diktaturat, sado që zgjasin, dikur mbarojnë.
Zgjedhjet e shkuara na treguan se Kosova do ta ketë perspektivën shumë të zymtë, që në çastin kur tyxhari do ta shesë votën e tij për një post ministror e ca kontrata. E tyxhari, i cili tashmë u dogj së paku dy herë, mbase nuk po do që të kuptojë se do ta djegin sërish – dhe se gjithë kjo aventurë do të mbarojë shpejt. Për aq sa do t’u nevojitet shefave të Klanit Pronto!