A janë duke kultivuar shokët e Trumpit autokratët dhe ekstremistët evropianë për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë si kreu i një boshti transatlantik të së keqes?
Ndërsa të gjithë i kishin drejtuar sytë nga brohoritja e Tucker Carlson për të fuqishmin antidemokratik, pro-rus të Hungarisë, Viktor Orbanin, në fillim të këtij muaji, një akolit tjetër i shquar i Donald Trumpit ishte diku tjetër në Evropën Lindore duke përgëzuar një diktator tjetër në tentativë që kishte rënë në orbitën e Moskës, Aleksandar Vuçiqin e Serbisë.
Richard Grenell, ambasadori i mëparshëm i Trumpit në Gjermani, dhe, për një kohë të shkurtër, ushtrues detyre i drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, ka marrë prej kohësh anën e presidentit serb në rezistencën e tij ndaj një plani paqësor që do ta detyronte atë ta njihte sovranitetin e Kosovës. Partizanllëku i Grenellit ishte aq i hapur saqë, në vitin 2020, kur ishte i dërguari special i Trumpit në Ballkan, kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti e akuzoi për “përfshirje të drejtpërdrejtë” në rrëzimin e qeverisë së tij. Grenell, tha ai, “bëri presion” te partneri i ri qeveritar për ta lënë koalicionin, pasi ai nuk pranoi të nënshkruante një marrëveshje paqeje që favorizoi Serbinë në një marrëveshje të shkëmbimit të territoreve.
“Unë nuk u rrëzova për asgjë tjetër, por thjesht sepse ambasadori Grenell po nxiton të nënshkruajë një marrëveshje me Serbinë... për të fituar pikë politike para zgjedhjeve presidenciale në SHBA”, akuzoi Kurti. Studiuesi i Ballkanit, Edward P. Joseph, thotë se Grenell “e shtrembëroi dinamikën e negociatave në favor të palës kryengritëse, Beogradit”.
Grenell shkroi në Twitter për ta mohuar akuzën e Kurtit, duke thënë: “Nuk është folur absolutisht për shkëmbime territoriale nga unë - dhe nuk është diskutuar kurrë nga askush tjetër në praninë time. Ne e kemi thënë këtë shumë herë”.
Tetë muaj që nga përfundimi i detyrës, Grenell, 55 vjeç, mbetet i afërt me zyrtarët serbë - gjë që ngre pikëpyetje se çfarë kanë në plan ai dhe Carlson: A po u japin zemër Serbisë dhe Hungarisë, së bashku me nacionalistët e tjerë të ekstremit të djathtë evropian, në një përpjekje për të krijuar një aleancë transatlantike të ekstremistëve që do ta ndihmonin rikthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë si kreu titullar i një rendi të ri autoritar botëror?
Përqafimi i serbëve nga Grenelli është i dukshëm. Në fillim të këtij muaji, vetëm disa javë pasi presidenti Biden vuri sanksione ndaj “personave që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor” - lexoni: serbët - Grenell u filmua në Beograd duke u argëtuar me një zyrtar të lartë në regjimin e Vuçiqit, një ekstremist serb, që gjithnjë e më shumë u distancua nga SHBA-ja dhe u lidh me presidentin rus Vladimir Putin. Me përjashtim të katër vjetëve të administratës së Trumpit, Vuçiq ka qenë prej kohësh halë në sy në Washington. Në vitin 2015, pesë anëtarë të Kongresit protestuan për vizitën e tij të afërt në Washington, duke veçuar vëllain e kryeministrit dhe miqtë e tij për marrëdhënie të dyshuara korruptive me një të dërguar të Putinit dhe duke denoncuar marrjen e mediave të pavarura të Serbisë nga ana e tyre.
“Është e pakuptimtë që Grenell po i lajkatohet një figure pro-Moskës dhe kundër SHBA-së, si Vuçiq”, ka thënë zyrtari i lartë i pensionuar i operacioneve të CIA-s, John Sipher, ish-shef i bazës në Serbi. “E dinim gjithmonë që Grenell kurrë nuk u interesua për parimet ose interesat e SHBA-së, por, përkundrazi, thoshte ose bënte gjithçka për ta mbështetur veten ose Donald Trumpin”.
Grenell nuk iu përgjigj kërkesave të “SpyTalk” për të folur për këtë çështje.
Duket se Grenell ka raporte edhe me diktatorin në lulëzim të Hungarisë, Victor Orban. Vitin e kaluar, grupi studimor për liberalizmin “Responsible Statecraft” zbuloi se në vitin 2016, firma e marrëdhënieve me publikun e Grenellit në Washington, DC, “Capitol Media Partners”, kishte marrë mbi 100.000 dollarë nga një fondacion i financuar dhe drejtuar nga qeveria hungareze. Grenell nuk u regjistrua si agjent i huaj siç kërkohet nga ligji amerikan dhe lidhja mbeti e fshehtë, përderisa ishte ushtrues detyre i drejtorit të Inteligjencës Kombëtare. Përveç kësaj, organizata e lajmeve hulumtuese “Propublica” raportoi vitin e kaluar se Grenell kishte kryer gjithashtu punë konsultimi të fshehta në emër të Vladimir Plahotniucit, një oligark moldav “që tani është i arratisur dhe së fundmi iu ndalua hyrja në SHBA, nën sanksionet antikorrupsion të vendosura muajin e kaluar nga Departamenti i Shtetit”. Në vitin 2016, Grenell shkroi disa artikuj në gazetat e krahut të djathtë duke mbrojtur Plahotniucin. Një avokat i Grenellit i tha “Propublica”-s se ai nuk kishte pse të regjistrohej sipas Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj, “sepse nuk po punonte në drejtimin e një fuqie të huaj”.
Nuk kemi mundur ta kontaktojmë Grenellin për të folur për këtë çështje apo për vizitën e fundit në Beograd. Nuk kishte festa të veçanta kombëtare serbe që në atë kohë, por Grenell mori pjesë në një ngjarje nacionaliste të valimit të flamurit, që dukej se ishte për t’i përkujtuar partizanët serbë, të cilët luftuan me pushtuesit nazistë për katër vjet të gjatë, të përgjakshëm. Në një video nga afër, Grenell mund të shihet duke kënduar me gëzim së bashku me turmën e madhe në një interpretim të zhurmshëm të këngës “Bella Ciao”, një këngë popullore italiane e shekullit të 19-të, që u bë si himn antifashist gjatë luftës, por më vonë u bë një “himn i majtë mbarëbotëror për lirinë”, sipas një eksperti.
Udhëheqësi më efektiv i guerilëve të kohës së luftës, Josip Tito, ishte komunist që do ta bashkonte Ballkanin më 1945 dhe do ta sundonte Jugosllavinë deri në vdekje më 1980. Por më 1989 ndodhi ngritja e ekstremistit serb të krahut të djathtë Slobodan Milosheviq, i cili nxiti ringjallje të çetnikëve, guerilët e Luftës së Dytë Botërore që fillimisht kishin luftuar me nazistët, por përfunduan duke bashkëpunuar me ta. Të udhëhequr nga Milosheviqi, serbët ndezën rivalitetet dhe mëri etnike shekullore, filluan fushata të “spastrimit etnik” në Bosnjë, Kosovë dhe Kroaci dhe e futën Ballkanin në një luftë dhjetëvjeçare që përfundoi vetëm pas një fushate 78-ditore bombardimi të NATO-s të udhëhequr nga SHBA-ja. Milosheviqi dhe dy ndihmësit e tij u dënuan më vonë për krime lufte në Hagë, por një farë e lëvizjes së tyre ka mbirë te Vuçiqi, i cili ishte ministri i propagandës së Milosheviqit gjatë bombardimeve.
Presidenti serb vazhdon ta përgëzojë Milosheviqin. Në një fjalim para serbëve të Kosovës në vitin 2018, Vuçiq e vlerësoi atë si një udhëheqës “të madh”, duke ndezur përsëri zemërimin ballkanik.
Me sa duket, kjo është ajo që u pëlqen Trumpit dhe kompanisë.
Fushata Trumpit e vitit 2020, dhe Grenell në veçanti, iu bindën votës serbo-amerikane të krahut të djathtë, e cila nuk është e parëndësishme dhe duket se do ta tërheqë përsëri për raundin e ardhshëm të zgjedhjeve. Rreth 750.000 serbo-amerikanë banojnë në një numër shtetesh kryesore të fushës së betejës, përfshirë Arizonën, Ohio, Michiganin, Wisconsin, Floridën dhe Pensilvanian. Vitin e kaluar, organizata serbe për Trumpin, që kishte nderuar Grenellin dhe ish-gjeneralin mashtrues Michael Flynn, njoftoi kalimin e saj në një komitet të veprimit politik.
“Grenell ishte i përfshirë në mënyrë aktive në serbët për Trumpin”, tha një ish-diplomat ballkanik i cili kërkoi të mos identifikohej nga frika e ndëshkimit nga agjentët e Vuçiqit. “Ai mbajti fjalime dhe erdhi në ngjarje dhe mbledhje fondesh dhe arriti të organizojë një numër të konsiderueshëm të serbëve amerikanë për ta votuar Trumpin në zgjedhjet e fundit”.
Jo se serbo-amerikanët kishin nevojë për bindje. Shumë prej tyre kanë një urrejtje të veçantë për Bidenin.
“Serbët nuk e kanë harruar mbështetjen entuziaste të Bidenit për fushatën e bombardimeve” kundër serbëve më 1999, tha një artikull në revistën “Wall Street International”, Dow Jones, vitin e kaluar.
Kishte “entuziazëm të madh” për Trumpin në rrethin e Vuçiqit, ka thënë eksperti i Ballkanit Edward P. Joseph, ish-zyrtar amerikan i cili kaloi mbi 12 vjet në Ballkan, përfshirë gjatë konfliktit NATO-Serbi. “Nuk kam më shumë njohuri për vizitën e fundit të Grenellit, por afërsia mes Vuçiqit dhe kolegëve të tij me Trump/Grenell, dhe anasjelltas, ishte e qartë” gjatë kohës së tyre në detyrë”, ka thënë Joseph për “SpyTalk” me email. Vuçiq “gati sa nuk i ra të fikët” para kamerave, kur më në fund u bë e qartë se Trump kishte humbur”.
Pasi Twitteri pezulloi disa faqe lajmesh serbe javën e kaluar për pretendimin se ishin të pavarura, por në fakt ishin nën kontrollin e qeverisë, Vuqiç shpërtheu. “Mezi pres që ata (Twitter) ta mbyllin llogarinë time, kështu pra të bëhem një Trump tjetër në botë!”, ishte ankuar ai. (Trump u përjashtua nga Twitter në janar për nxitje të dhunës.)
Grenell i doli përkrah Vuçiqit, duke shpërthyer në Twitter për "hipokrizinë" e aplikacionit në bllokimin e faqeve serbe.
Intriga e huaj
Jashtë orbitës së Trumpit, animi i fortë i Vuçiqit drejt Rusisë dhe Kinës e shqetëson Washingtonin, i cili u përpoq me guxim ta tërhiqte Serbinë nga Moska gjatë administratës së Obamës. Por Vuçiq nuk ka qenë i qartë në lidhje me prirjet e tij. Pas arrestimit të udhëheqësit të opozitës ruse Alexei Navalny në fillim të këtij viti, të gjitha shtetet e Ballkanit, përveç Serbisë, u bashkuan në sanksionet e Evropës kundër Rusisë.
Më keq, ai dyshohet se ka ndihmuar një përpjekje ruse për grusht shtet të vitit 2016 në Malin e Zi fqinj. Pasi komploti u prish, autoritetet atje kapën një nga komplotistët, i cili foli haptas për dy agjentë rusë që komplotuan “për ta kapur ndërtesën e parlamentit të Malit të Zi muajin e kaluar, për ta vrarë kryeministrin dhe për të instaluar një qeveri të re armiqësore ndaj NATO-s”, ka bërë të ditur “New York Times”.
Vuçiq ende po përpiqet ta përkulë presidentin malazez ndaj vullnetit të tij nëpërmjet një fushate të shpifjes nga tabloidët serbë dhe presionit politik nga Kisha Ortodokse Serbe dhe Fronti Demokratik – “një instrument në përpjekjen për marrjen armiqësore të Vuçiqit të qeverisë në Malin e Zi”, ka raportuar webfaqja e pavarur “BalkanInsight”.
Vuçiq jo vetëm që mohoi çdo përfshirje në grusht shtet, por pretendoi se e kishte penguar, duke mbledhur disa të dyshuar për komplot, të cilëve ai nuk pranoi t’ua përmendë emrat. “Nuk kemi mundur të gjejmë dëshmi të përfshirjes nga politikanët serbë apo malazezë”, kishte shtuar ai.
Shërbimet inteligjente të Kremlinit, ndërkohë, kanë gjetur gjithashtu një shtëpi që i mirëpret në Serbi, sipas ish-diplomatit ballkanik. “Qindra, nëse jo mijëra” agjentë rusë po punojnë me Agjencinë e Sigurisë Ushtarake VBA të Serbisë, një homologe e GRU-së së Rusisë, si dhe BIA, agjencia e fshehtë e jashtme e Beogradit për mbledhjen dhe veprimet e fshehta, ka thënë ai. “Ministria ruse e Mbrojtjes ka hapur një zyrë të përhershme në Ministrinë serbe të Mbrojtjes”, ka thënë ai për “SpyTalk”. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Serbe nuk iu përgjigj emaileve të përsëritura për të folur për çështjen.
Vuçiq ka qenë duke u marrë me armë në Moskë, duke blerë avionë luftarakë MiG, tanke dhe raketa Pantir-S. Ai është gjithashtu “në bisedime për të blerë S-400”, sistemi më i avancuar kundërajror i Rusisë (i aftë të rrëzojë F-16), tha ish-diplomati ballkanik. “Së bashku me të vijnë këshilltarë, teknikë dhe kështu me radhë”, është shprehur Stephen Blank, autor i librave dhe artikujve për politikat e jashtme, energjetike dhe ushtarake ruse. Air Serbia, ndërkohë, së shpejti mund të jetë linja e parë ajrore evropiane që do të fluturojë me aeroplanin rus të udhëtarëve “Sukhoi Superjet 100”, nëse bisedimet e hapura në qershor kanë sukses.
Të gjitha këto ngrenë pikëpyetje në lidhje me besnikëritë përfundimtare të Vuçiqit. Blank, një bashkëpunëtor i lartë në Programin Eurasia të Institutit të Kërkimit të Politikës së Jashtme, e quan Vuçiqin “politikani më të mirë në rajon”, i cili duhet të luftojë me “një lob të madh pro rus në shtëpi” dhe thjesht “po luan në favor të të gjitha palëve”. Vëzhguesit e tjerë e përqeshin, duke thënë se Vuçiq ka rënë në orbitën e Putinit, qëllimi kryesor i të cilit është ta parandalojë përfundimin, siç thotë Bland, të Bashkimit Evropian dhe përparimin e NATO-s.
Eksperti i Ballkanit, Joseph, e quan Vuçiqin “‘tregtar bindës’ për kundërshtarët e Perëndimit - Rusinë dhe Kinën – që praktikojnë dhe promovojnë demokracinë joliberale të BE-së.” Nga viti 2017 deri më 2019, “figurat kryesore politike në Serbi, përfshirë presidentin Vuçiq, vëllain e tij dhe shefin e policisë”, shkëmbyen mbi 1.000 thirrje “me udhëheqësin e një lëvizjeje të dhunshme të ekstremit të djathtë, të bashkëthemeluar nga një nacionalist famëkeq britanik, ka raportuar “The Times”.
Damë kineze
Serbia gjithashtu është afruar me Kinën, qëkur Vuçiq u bë president më 2017.
“Qëkur Vuçiq mori detyrën si president, lidhjet me Kinën janë forcuar përmes investimeve të konsiderueshme në termocentralet e qymyrit dhe industritë e rënda, si minierat dhe shkrirjet e bakrit dhe ringjalljen e një fabrike çeliku të prishur”, kishte raportuar revista “The Diplomat” në prill. “Investimet u shoqëruan me huadhënie masive kineze, takime të nivelit të lartë politik dhe blerjen e armëve kineze. Në vitin 2019, Serbia madje ftoi forcat kineze të sigurisë të merrnin pjesë në stërvitjet e përbashkëta”.
Çdo gjë që e avancon Iniciativën Globale të Brezit dhe Rrugës në Kinë, por veçanërisht në Evropë, shkakton shqetësim në Washington.
Shpërndarës ilegal i armëve
Vuçiq gjithashtu ka bërë marrëveshje të errëta të armëve dhe komerciale me monarkun e Emirateve të Bashkuara Arabe Mohamed bin Zayed, duke shkaktuar akuza për korrupsion. Serbia dhe shtetet e ndryshme arabe kanë pasur prej kohësh një marrëdhënie “të errët”, sipas faqes së internetit “The New Arab”.
“Vuçiq është shumë i afërt me MBZ-në”, siç njihet Zayed, tha ish-diplomati ballkanas për “SpyTalk”. Serbia “po i shiste armë Arabisë Saudite, të cilat përfunduan në Jemen”. Dhe gjetkë: në qershor, autoritetet e qeverisë së Libisë të mbështetura nga OKB-ja zbuluan një minë të maskuar si një arush, i lënë nga rebelët në tërheqje. Pajisja kishte disa pjesë të bombës që ishin të prodhuara në Serbi – “dëshmi se Serbia vazhdon ta anashkalojë një embargo të OKB-së për eksportet e armëve në Libi”, ka raportuar “BalkanInsight”.
Të gjitha këto e bëjnë Aleksandar Vuçiqin një shok të çuditshëm për një ish-diplomat amerikan, për të mos përmendur atë që së fundmi zuri vendin e lartë në inteligjencën amerikane - përveç nëse, natyrisht, ai person është i besuari i një ish-presidenti amerikan, i cili demonstroi një preferencë të theksuar për autokratët e botës mbi udhëheqësit e demokracive të saj. Dhe duke pasur parasysh adhurimin e heroit, Tucker Carlson dhe Grenell kanë bërë dush mbi dy që duken të prirë për një ringjallje fashiste - është e drejtë të pyesim veten nëse ekipi Trump po kultivon një aleancë që përzien fuqinë dhe paratë e autokratëve e nacionalistëve të djathtë ekstremistë amerikanë dhe evropianë, ukrainasve pro-Rusisë dhe monarkive shtetërore të Gjirit në një lloj të ri të boshtit të së keqes, i ankoruar në Shtëpinë e Bardhë.
“Me të vërtetë shpresoj se administrata e Bidenit po vështron aventurat e Grenellit në Ballkan”, ka thënë Sipher, ish-shefi i bazës së CIA-s në Serbi. Ai dëshiron që dikush në administratën e Bidenit t’i analizojë të gjitha marrëdhëniet e Grenellit, kur ai ishte drejtor i Inteligjencës Kombëtare. Por, ndërkohë, ai ka thënë: “Unë jam thjesht i lumtur që ai nuk është më në një pozitë të rëndësishme”.
Tani për tani.
(Autori Jeff Stein është redaktor, gazetar dhe komentator i njohur amerikan për çështje të inteligjencës, sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme. Në të kaluarën ai ka punuar për Neewsweek, Washington Post, Congressional Quarterly, dhe tani është kryeredaktor në SpyTalk. Ai po ashtu është edhe autor i disa librave hulumtues në fushën e inteligjencës dhe sigurisë. Ky shkrim është marrë nga ueb-faqja SpyTalk.co)