OpEd

Implikimet e rezultateve të zgjedhjeve në Bashkimin Evropian në raport me Ballkanin Perëndimor

Që zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor është ‘off the table’ Macron dhe Merkel e konfirmuan edhe përmes organizimit të mini-samitit në Berlin i cili nuk dha as mini rezultate. Thjeshtë, ishte nje truk, një hile diplomatike e cila u përdor për nevoja të tyre që Ballkani mos të bëhej pjesë e fushatave zgjedhore populiste gjatë zgjedhjeve në BE. Një dite pas këtij mini samiti Macron e publikoj ‘ Strategjinë Franceze për Ballkanin Perëndimor’. Askund në këtë dokument nuk u përmend qartë zgjerimi për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në anën tjetër, vendimit të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për Shqipërine dhe Maqedoninë e Veriut nuk duhet ti jepet një kuptim që nuk e ka. Ky proces në fakt i jep kohë BE-së që me këtë qasje ta bëj procesin edhe më të gjatë dhe më të papërcaktuar. Nëse përspektiva e zgjerimit nuk përkrahet nga secili vend anëtar i BE-së i përcjellur me një plan konkret, atëherë narrativa e Komisionit Evropian nuk premton asgjë.

Rasti tjetër edhe pse i shkëputur nga procesi i zgjerimit është mosliberalizimi i vizave për Kosovën. Përveç qe na shtuan një kriter si ai i demarkacionit për shkak të cilit u desh që në parlament të hungërijne plot kuaj e të performojne gomerë për tri vite radhazi, çdo statistikë flet se Kosova ka plotësuar kushtet. Nga 72.000 aplikacione për azil në 2015 numri i tyre ka rënë në 7.500 në vitin 2017, pra ka rënie mbi 90%. Nga 9.700 kthime të dhunshme në Kosove nga BE në 2015 numri i tyre ka rënë në 1800 në vitin 2017. Nga 19.000 migrime legale në 2015 numri i tyre është ngritur në 26.000 në vitin 2017. Kurse askush nuk mund të konfirmoj se nivelet e korrupcionit në Kosovë jane shumë më të larta se në Bosnë, Shqipëri, Serbi apo Moldavi, Gjeorgji e Ukrainë vende këto që kanë liberalizim të vizave.

Atëherë pyetja është se çfarë do Macron në Ballkanin Perëndimor pas zgjedhjeve në BE pa opcionin e zgjerimit në tavolinë? Nëse ka zgjedhur bllokimin e zgjerimit nga frika se kjo temë është e ndieshme të elektorati françez (i frigohet Le Pen) apo për shkak se dëshiron të rris pazarin e tij në negociatat me Merkel lidhur me reformën në BE (ku kanë interesa të ndryshme), kjo është gabim sepse ndërkohe në Ballkanin Perëndimor po shtrihen suksesshëm Rusia dhe Kina. Nëse e kanë nga friga se popullata në këto shtete janë me shumicë myslimane atëhere duhet ta krahasoj se sa million mysliman i ka Franca dhe Gjermania e sa Bosna, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të gjitha së bashku, apo të merr shembull se si një nga kryeqytetet më të zhvilluara në Europë si Londra udhëheqet nga një mysliman.

Kjo në asnjë mënyrë nuk domethënë që vendet aspiruese të mos vazhdojnë me reformat demokratike, por kjo poashtu nuk domethënë që të pritet që këto vende të funksionojnë si Suedia, Danimarka apo Zvicra sepse ato standarde janë të paarritshme edhe për disa shtete anëtare të BE-së. Për shembull ne pamë se si Qeveria në Spanjë pati një skandal të madh me konservativët që kishin shtrirë korrupcionin më të madh në histori të vendit.

Megjithë dallimet me Macron sa u përket çështjeve brenda Unionit, për këtë çështjen e (mos)zgjerimit si duket pajtohet edhe Merkel sepse Gjermanisë po i konvenon vetëm absorbimi i fuqisë së kualifikuar punëtore nga Ballkani (për cka ata kanë shumë nevojë) si dhe rrjedha e gazsjellësit rus “ Turkish Stream” i cili do të kaloj nëpër Serbi për të furnizuar në të ardhmen edhe Gjermaninë, mirëpo kursesi nuk janë të qartë edhe për integrimin politik të rajonit në Union.

Pas zgjedhjeve në BE është e qartë se ky trend i BE-së në relacion me Ballkanin Perëndimor do të vazhdoj dhe gradualisht do të zhduk të vetmin sukses të madh të politikës se jashtme të BE-së deri më tani e që ka qenë zgjerimi me anëtarë të rinj. Fatkeqësisht, kjo strategji që i vendos shtetet aspiruese të rajonit me decenie në ‘ dhomën e pritjes’ nuk i kontribon transformimit demokratik të tyre, përkundrazi kjo e ul entuziazmin për reforma duke krijuar terren të favorshem për nacionalistët lokal, euroskeptikët, migrimin, krimin e organizuar dhe për horrat terrorist. Kjo strategji e BE-së pa zgjerimin në perspektivë prandaj i konvenon vetëm Rusisë e cila investon dhe shfrytëzon çdo situatë për të mbajtur konfliktet ndez në Ballkan. Rasti më i freskët është aktiviteti i ‘diplomatit’ rus të UNMIK-ut në Veri. Madje Rusia e fton vetën në dialogun Kosovë-Serbi si dhe shpreson të keqpërdor edhe protesta si ato në Serbi, Mal të Zi e Shqipëri duke besu se ato mund të destabilizojne rajonin dhe si të tilla të mos jenë në rezonancë me interesat e SHBA-së në rajon.

Nëse Ballkani mbetet ‘ duke pritur Godonë’ përderisa BE do të filloj diskutimet e gjata për reformat institucionale, politikat fiskale, paketën financiare për vitet e ardhshme dhe e imponon ‘diktaturën’ e saj burokratike në vendet aspiruese, atëhere deficiti demokratik në rajon do të rritet. Kur kësaj i shtohet rivaliteti i fuqive të mëdha në kuadër të lëvizjeve të reja gjeopolitike për Ballkanin, atëherë lehtësisht rajoni mund edhe të provokoj konflikte në baza etnike dhe veriu i Kosovës është gjeografia më e përshtatshme për operacione të tilla.

Kjo qasje tregon se edhe pas këtyre zgjedhjeve implikimet për Ballkanin Perendimor nga ana e BE-së nuk ndryshojnë. Krejt çfarë mund të thuhet që Kosova ka përfituar nga këto zgjedhje është që nuk është rritur numri i partive të djathta në atë masë sa të dominojnë institucionet e BE-së. Në një situatë të tillë me orkestrimin e miqëve të Vuçiqit si Salvini e Orban ka mundësi që do të insistohej që Serbia të integrohet në BE sipas modelit të Irlandës apo te Qipros, pra se pari integrimi e më vonë zgjedhja e çështjeve kontestuese.

Kjo qasje tregon se edhe Macron edhe Merkel nuk do të jenë në gjendje të gjejnë baraspeshë midis angazhimit efektiv dhe politizimit të dëmshëm të procesit të zgjerimit dhe do të dështojne të gjejne mënyra se si BE-ja mund të përmirësojë besueshmërinë e politikave të saj drejt Ballkanit Perëndimor. Kjo qasje e tyre do të vazhdoj ta mbaj temën e zgjerimit si një subjekt me plot ambivalenca dhe ndjenja negative, qoftë për opinionin publik brenda BE-së por edhe për shtetet anëtare të BE-së.

Thjeshtë, kjo situatë na e konfirmon se pas qerasjes së madhe me drekën “ Marshall’ nga SHBA-të, BE-ja arriti të bëhet një gjigant ekonomik, por vazhdon të mbetet një xhuxh politik dhe pse jo edhe milingonë ushtarake në krahasim me SHBA-në. Shpresa e rajonit prandaj prapë e ka adresën te politika e jashtme amerikane e cila ka konsistencë në Ballkanin Perëndimor më shumë se dy decenie. Pavarësisht magnitudave të këtyre dy viteve të fundit, nëse observohet qasja e administratës Trump atëherë vërehet qartë se trajektorja e saj nuk ka lëvizur nga binarët strategjik 20 vjeçar të SHBA-së e që kanë për qëllim ndalimin e qasjes së Rusisë në ujërat e nxehta (në këtë rast Detin Adriatik). Dëshmitë janë më se të qarta, sepse në funksion të kësaj SHBA lobuan dhe përkrahen anëtaresimin e Malit të Zi në NATO si dhe inicuan, mbikëqyrën dhe përkrahen zgjidhjen e problemit afër 30 vjeçar mes Greqisë dhe Maqedonisë. Tani radhën e ka Kosova dhe Serbia në mënyrë që Ballkani Perëndimor njëherë e përgjithmonë të hyj nën ombrellën e zonës së sigurisë së NATO’s respektivisht asaj amerikane duke e minimizu kështu ndikimin rus ne rajon. Nëse dialogu Kosovë – Serbi mbetet të trajtohet përmes letargjisë europiane edhe pas këtyre zgjedhjeve, atëherë përspektiva e Ballkanit Perëndimor do të mbetet e zymtë. Rrjedhimisht, lidershipet politike shqiptare duhet të punojnë që të mbesin brenda binarëve strategjik amerikan dhe mos të bëhen si ai çajaxhiu që të gjitha i di por vetëm çaj nuk din të bëj. Në të kundërtën, ka mundësi që për herë të parë në këtë historinë e re shqiptarët mund të mbesin duke e shikuar lojën nga pankina. Politika nuk është emocion, ajo ka një set rregullash dhe për çështje të interesave shtetërore të Kosovës dhe të Shqipërise si dhe atyre kombëtare përgjithësisht ne nuk duhet të udhëhiqemi nga emocionet. Pavarësisht që në momente të caktuara inatet, mosdija dhe pasionet mund të vijnë edhe nga shumica ne duhet që esull të dijmë të bëjmë dallimin në mes të vendimeve të guximshme të burreshtetasëve në institucione nga vendimet e politikanëve emotiv që shërbejnë vetëm si karburant për elektorat. Vetëm në këtë mënyrë shqiptarët do mund të realizojnë interesat e tyre, pra brenda kontekstit të interesave strategjike amerikane në rajon, rrjedhimisht edhe brenda dinamikave të reja gjeopolitike duke ruajtur njëkohësisht linjën miqësore të komunikimit e integrimit me BE-në.

(Autori është ligjërues në Departmentin e Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës)