OpEd

Imazhi politik dhe politika e imazhit

Gjithçka u falsifikua sa i përket imazhit politik shqiptar kur partitë politike nisën të mos pranonin më filmimet e korrespondentëve televizivë nëpër rrethe apo në qendër, por të dërgonin në studiot e lajmeve kasetat e filmuara nga operatorët e tyre, të kuruara me kujdes, që mitingjet të dukeshin sa më të fryra e entuziaste.

Ky ishte dhe çasti kur mediat nënshkruan “paktin” me politikën, që fytyra elektorale e saj të paraqitej jo më me profesionalizmin gazetaresk, por me amatorizmin partiak. Me hir apo pa hir, kjo gjë u legjitimua në opinionin publik, atij t’i servirej sapun dhe ai ta hante atë për djathë. Dhe erdhi një ditë që kryeministrit aktual nuk do t’i mjaftonin ekranet e disa televizioneve mbushur me dukun e tij, tubimet e përditshme publike në të gjithë vendin, “Facebook”, “Twitter” e plot hapësira të tjera të komunikimit publik, por krijoi dhe televizionin e tij vetjak, “ER-TV”, që është dhe kulmi i individualizmit në lëmin mediatik.

Pa dyshim që ka një absurditet në përdorimin e imazhit politik në shoqërinë e sotme, ku ai mund të jetë i pranueshëm në reklamat e modës dhe të mallrave, në funksion të tregut, ndërkohë që politika nuk është treg, nuk ka asgjë për të shitur e blerë. I vetmi rast kur ajo mund të luajë me imazhin, përballë kundërshtarit politik, është kur ka për të shpalosur ide dhe vizione të mëdha për të nesërmen e shoqërisë, çka nuk e shohim. Pse e themi këtë? Ndryshe premtohet në takimet elektorale dhe të tjera gjëra bëhen më të hipur në pushtet, ku rasti më flagrant i kësaj janë kullat e Tiranës, ato që janë bërë dhe ato që janë penguar deri tani nga reagimi publik.

Imazhi butaforik shpreh mendësinë “madhore” të udhëheqësve tanë gjatë gjithë transicionit. Kryeministri Rama është shprehur se do të më kërkoni kur të mos më keni!? Nga dëshira për të qenë i “vetmi trim në luftë”, sot e nesër, ai opozitën (PD dhe LSI) e “çon” për skrap, një batutë e tij e panatyrshme. Është e habitshme se si ai, në vend që të merret me problematikat e mëdha të këtij vendi, siç janë ikjet e përditshme të shqiptarëve, rri e sajon “metafora” me zhargonin e rrugës, si: rrumpallë, kazan, Kadri e deri Noc Rroku, që vetëm në fjalorin e një kryeqeveritari nuk kanë përligjje. Zoti Rama i jep vetes të drejtën të dalë në një emision televiziv dhe të etiketojë gazetarët njërin pas tjetrit, ky është Kadri e ky është kazan?! Por kjo është vetëm njëra anë e habisë së madhe.

Ana tjetër është se njerëzit rreth e qark tij sillen pikë për pikë si shefi dhe kanë të njëjtën “filozofi” si ai, opozita, sipas tyre, nuk mund të vijë në pushtet… për aq kohë sa të ndrisë ylli i Ramës! Edhe kjo e gjitha përmes trukimit të imazhit, që Qeveria dhe qeveritarët kinse po dërrmohen në punë për të mirën e këtij populli, që, në të vërtetë, nuk i mbeti pasuri pa iu grabitur. Nëse në radhët e opozitës herë-herë dëgjon zëra mospajtues me kreun e PD-së, për iks çështje, kjo nuk ndodh thuajse në asnjë rast me funksionarët e “Rilindjes”, sikur qeverisja e tyre të mos ketë asgjë të qortueshme nga brenda, gjë që bëhet për të mos ulur imazhin e qeverisjes. Ama, qeverisja e “Rilindjes” është jo pak e kritikueshme dhe nga vetë socialistët, që kanë pasur funksione drejtuese në PS dhe qeveritë e saj të kaluara, si Dade, Bello etj. Problemi i imazhit ka qenë thelbësor për regjimin e kaluar, që ishte një shoqëri e mbyllur dhe mund të përfitonte “armiku i jashtëm”, kurse sot kjo ngjet qesharake.

Dielli nuk mbulohet me shoshë, thotë populli. Sado ta veshësh nusen ditën e dasmës, të nesërmen ajo është prapë ajo që ishte nizata apo individë, që kujtojnë se kanë kapur qiellin me dorë, meqë kanë mundësinë të qesin në publik vetëm arritjet e tyre. Kështu, pavarësisht se në vendin tonë punët nuk shkojnë mirë, këto nuk lënë fije pa luajtur që të jenë në qendër të vëmendjes së publikut. A mund të hidhet një lopatë asfalt në rrugët e Tiranës dhe të mos jenë aty nja dhjetë kamera? A mund të ketë takim shoqate në kryeqytet, ku të mos shfaqet me përparëse bamirësie kryebashkiaku, Veliaj? Në tre muaj duhet të kenë qenë nja 90 kronika vetëm për mbjelljen e pemëve në kodrat e Tiranës, kur kjo gjë nuk përbën lajm në kuptimin gazetaresk të fjalës as dhe një herë të vetme, pasi pemë mbillnin dhe ministrat e Bujqësisë të monizmit, po folur për gjyshërit dhe etërit tanë, që e bënin këtë gjë gjithë jetën pa kamera e fotografë nga pas.

Mirëpo, ç’ndodh përtej mirazhit qeverisës? Për restaurimin e sheshit të një qyteti harxhohen miliona euro dhe kur vjen puna, pas tre vjetësh, gropat e rrugëve mbushen me dhe të kuq, që të bën këpucët me baltë!? Apo, vitin e kaluar, në një doganë, të nesërmen e përurimit, në prani të ministrave të Infrastrukturës së dy vendeve, në oborrin e saj, bashkë me makinat, shëtisnin lopët!… Ditën e parë, edicionet e lajmeve, dhanë dhjetëra herë shiritin që po pritej me muzikë festive, kurse bajgat e së nesërmes as nuk u fshinë, ani se ishte verë e turistët ishin të panumërt, ku kësaj here ishin ata që filmonin!…

Në këtë zallamahi të komunikimit publik, nuk është e rastit që vitet e fundit kanë lindur portalet, që mëtojnë të ushtrojnë gazetarinë profesionistë, që nga lajmi korrekt, denoncimi i skandaleve qeveritare etj. Njerëzit nuk u drejtohen më atyre mediave ku shpërthen dëliri i politikanëve e zyrtarëve të llojllojshëm, por dritareve të reja si këto, përmes së cilave njihen me pamjen reale të zhvillimeve në Shqipëri.

E vërteta është se imazhi “perfekt” nuk është vetëm një problem moral i politikës, por dhe i gjithë sferës populiste të rrjeteve sociale, të cilat kanë gjetur mjetin për amplifikimin e vetvetes pa kurrfarë skrupujsh. Na thoshte një miku ynë, që kryeson një institucion të rëndësishëm të sferës shpirtërore: Postimet nuk i shoqëroja asnjëherë me foton time, por qëlloi një herë. Sakaq, më mori në telefon motra, me profesion psikologe: çfarë ka ndodhur me ty, mor vëlla, që paske nxjerrë foton tënde? Nuk e sheh, i thashë, jo pa ironi, ka shkuar në një mijë numri i pëlqimeve! Kurse herët e tjera, dy herë më pak!!!…

Sigurisht, jo të gjithë janë marrë mendsh pas kësaj famës virtuale. Është dhe një kategori që nuk punon për imazhin: shkrimtarët, dijetarët dhe profesorët. Ata nuk shfaqen, me përjashtime të rralla, në panelet e zhurmshme politike, aq më pak në rrjetet sociale. Nuk shqetësohen se nuk iu zihet emri në gojë, tash e parë, si ca deputetëve e ministrave, që kur të mos jenë më në ato këmbë, do të harrohen si të gjithë paraardhësit e tyre. Nëse politikanët s’duan t’ia dinë se ka pasur para tyre Luigj Gurakuq, elita ka disa shqisa të vetëdijes, që e bëjnë atë të mos harrojë kurrë se para atyre vetë kanë shkëlqyer: Eqrem Çabej, Tefta Tashko, Gjovalin Gjadri e të tjerë korifenj të diturisë dhe artit, të cilëve më të vërtetë iu vete pas historia.

Së fundi, për të mos pasur ndonjë keqkuptim, institucionet politike dhe shtetërore nuk mund të mos merren me imazhin e tyre, ashtu si i gjithë spektri tjetër social-kulturor, pasi imazhi i shërben mirëfunksionimit të tyre. Thënë ndryshe, problemi nuk është kultura e imazhit, por deformimi i tij, përmes krijimit të një “dekori” festiv dhe aty ku nuk ka vend për fanfarë.

(Marrë nga Gazeta “Panorama”, Tiranë)