Në botën shqiptare tendenca e vitit zero është mani. Sado ta rrotullojmë kryet për 360 gradë sytë tanë vështirë gjejnë objekte që mund të mbajnë të paktën dy vjet zero brenda
Pas çdo shkrimtari të suksesshëm qëndrojnë të paktën njëqind shkrimtarë të dështuar, të gatshëm në çdo moment për t’u hakmarrë. Ndërkohë që janë të paktë artistët e suksesshëm, ushtria e dështakëve është e madhe dhe e mirushqyer. Kështu Platoni, që kishte pasur ëndërr të bëhej dramaturg, poet e piktor, por nuk kishte aspak talent, i dëboi artistët nga Republika e tij si manipulues e njerëz të pavlerë dhe nuk rreshti tërë jetën së shkruari kundër artit. Arti ishte kopja e një kopjeje, diçka e pavërtetë, imorale, banale. Frustrimi e shpuri të shtronte pyetjen “Çfarë vlere ka letërsia? A ishte parë ndonjherë që një poet të përmirësonte shoqërinë?”. Nëse Republika e Platonit do të ishte realizuar, do të kishim pasur precedentin e hakmarrjes artistike me armët e politikës, shkruan Buonanno në librin e tij “Sindroma e Neronit”.
Një dorëshkrim i mbetur në sirtar a një pikturë fantazmë mund të ketë vlerën e një bombe atomike, shkruan Bonanno, e shpjegon lidhjen e fortë që qëndron te shumica e diktatorëve pikërisht me dështimin e tyre në art. Që nga Neroni, poeti e dramaturgu që e shndërroi perandorinë në një skenë tragjikomike, Napoleoni, shkrimtari i rrallë, por që kishte probleme themelore me frëngjishten, Hitleri, piktori i shkëlqyer që u sakrifikua për politikë, Musolini artisti multidimensional, të gjithë kishin një ëndërr të fshehtë, të arrinin majat e artit.
Forca që mban përbrenda mediokriteti është e frikshme kur ai vishet me pushtet. Ndërkohë që një artist i suksesshëm nuk e shpenzon veten në politikë, qindra artistë të dështuar gjejnë yllin e vet aty. Tekefundit, edhe politika është art, e nëse nuk është, e bëjmë të jetë. Është e çuditshme sa banale është arsyeja e vërtetë që fshihet pas tiranëve të mëdhenj. Ajo është vetëm një ëndërr që ta prishë gjumin tërë jetën, një ëndërr që mund të na kafshojë të gjithëve, nëse ndodh që të ketë pushtet.
Enver Hoxha, i kthyer nga Parisi me bisht ndër shalë, ku nuk kishte kaluar as vitin e parë të studimeve, kur mori pushtetin iu kundërvu me gjithë entuziazmin rinor elitës intelektuale. Pasi dënoi shumicën e shkrimtarëve të talentuar, iu vu punës dhe i shkroi vetë plot 70 vepra. 70 vepra aq të rëndësishme, të cilave nuk kishte titull që mund t’u përshtatej, e mbasi titulli i merituar nuk iu gjet, u quajtën Vepra. 70 vepra, të cilat populli detyrohej t’i shijonte deri në skajin më të largët të atdheut, aty ku nuk shkonte as buka e grurit.
Numri i artistëve të dënuar nga diktatori është ende i pallogaritshëm, por ajo që kurrë nuk do të shpëlahet nga memoria kolektive është zhvarrimi i armikut të popullit Gjergj Fishtës dhe përjashtimi i tij nga letrat shqipe. Ashtu kishin bërë më parë edhe turqit me eshtrat e Skënderbeut. Gurët e varreve janë kundërshtarë të fortë të tiranëve, me ata bëhet lufta përfundimtare. Arsyeja është e thjeshtë, gurët e varreve nuk mund të tjetërsohen më. Mbeten aty ku ishin, të palëvizshëm. Në trup mbajnë të gdhendur emrat, identitetin, historinë. Enver Hoxha këtë e dinte, ndaj nuk ua kthente kurrë familjeve trupat e “armiqve të popullit” pasi i kishte pushkatuar. I groposte natën, larg syve, për t’ua fshirë përgjithmonë ekzistencën e pasvdekjes, atë të patjetërsueshmen. Historia fillonte nga ai.
Në botën shqiptare tendenca e vitit zero është mani. Sado ta rrotullojmë kryet për 360 gradë sytë tanë vështirë gjejnë objekte që mund të mbajnë të paktën dy vjet zero brenda. Historia e objekteve tona është çmendurisht e shkurtër. E vjetra duket se na provokon keqas, na turbullon, na ngjall kujtime të frikshme, ankthe, bëhet e padurueshme, na çmend. Kështu marrim kazmën a buldozerin a ç’të gjejmë përpara dhe i fshijmë nga faqja e dheut. Duhet të shpëtojmë. Dy duar për një kokë.
Këtë aftësi provokuese të tmerrshme e pati edhe teatri fashist që rrinte mu në qendër të Tiranës. Me gjithë abuzimet që i kishim bërë gjatë viteve, fashisti nuk rrëzohej. Rrinte aty si për inat, duke na shpalosur një nga modelet e arkitekturës futuriste, që kishte lindur paradoksalisht nga një tendencë artistike e vitit zero në Evropë. Në Manifestin e tij futurist më 1909, Marinetti e tha qartë: deklaroj shkëputjen nga tradicionalja, ne i përkasim kohës së re, modernes, qytetares, botës së industrializuar. Ne jemi e ardhmja.
Sant’Elia, i cili nuk arriti të realizonte asnjë vepër që kishte projektuar, pasi vdiq gjatë Luftës së Parë Botërore ku kishte shkuar si vullnetar, thoshte se arkitektura futuriste ishte arkitekturë e llogaritjes së mençur, e thjeshtësisë, arkitekturë e çimentos, hekurit, qelqit, kartonit, gurëve, arkitekturë ku harmonizohej ambienti me njeriun, duke u bërë projektim direkt i shpirtit. Një ndërtesë të tillë, të projektuar në Milano, ku vlonin idetë futuriste, na e instaluan edhe ne shqiptarëve mu në qendër të një qyteti të ri, të cilin përpiqeshim ta bënim kryeqytet. Kështu Tirana iu bashkua artit më të ri evropian me disa ndërtesa që ia dekoruan qendrën.
Por asgjë nga këto nuk do t’i kishim ditur po mos të kishte qëlluar kryeministri i vendit një artist, i cili u kap pikërisht me teatrin. Aty morëm vesh më në fund identitetin e arkitektëve, që na ishte mbajtur fshehur. Artisti politikan që dikur kishte ngjyer fasadat e ndërtesave të shëmtuara të komunizmit, duke shënuar fillimin e një epoke të re fasadash, ku pamja e parë është me rëndësi, nuk ka rëndësi se çfarë shëmtie vazhdon të jetojë nga mbrapa, na tregoi se koha e futurizmit është vjetruar, ani pse qëndron në bazën arkitektonike të metropoleve evropiane, tashmë është koha e fluturës ‘aveniriste’. Të dyja rrymat do të thonë e ardhme, por e dyta i referohet besimit te vlera që do sjellë në të ardhmen vepra në fjalë.
Kështu, artisti kryeministër, ai që si Napoleoni që linte betejën për të shkruar romanin kryevepër, është i njohur për skicat që u bën personaliteteve gjatë takimeve, vendosi ta realizonte ëndrrën e vet. Kjo gjë nuk mund të bëhej më mirë sesa natën gjatë pandemisë globale, kur njerëzit flenë të trishtuar me qindra frikë brenda vetes. Meqenëse gjumi mund t’u prishet lehtë nga ankthi, artisti vendosi që gjatë aktit të demolimit të ndërpriste telefoninë mobile. Kështu, askush nuk do ta prishte qetësinë publike me zile telefonash, ndërsa buldozeri do të rrëzonte qetësisht dëshmitarin e një arti futurist të rrezikshëm për jetën e artistëve. Ja si pandemia ua jep një mundësi të mirë njerëzve të vegjël që të bëhen diktatorë.