OpEd

Gracka e tepihut të kuq

Tepihu i kuq është territor i rrezikshëm. Është mjet elegant manipulimi, i cili fut viktimat e veta në grackën e cila shfrytëzon epshet më të thella njerëzore, siç janë glorifikimi, krenaria dhe pushteti. Si i tillë tepihu i kuq ushqen dëshirat më të zjarrta dhe dobësitë më të mëdha tek viktimat e tyre. Kësisoj tepihu i kuq i Alaskës është tani testi i karakterit për Trumpin dhe Putinin. Ata të dy tani kanë filluar një lojë manipulimi, e cila do të ketë vetëm një fitues

Këto ditë na dëshmuan që Trumpi mund të akuzohet për shumë gjëra, por nuk mund të akuzohet për status-quo. Vetëm këto dy javë ai organizoi më shumë lëvizje diplomatike për përfundimin e luftës në Ukrainë sesa e gjithë presidenca e Bidenit. Me këtë nuk them që Trumpi ka qenë më i suksesshëm se Bideni pasi që lëvizjet diplomatike nuk duhet konfuzuar me progres diplomatik, por sidoqoftë përpjekjet e tij janë të mirëseardhura. Po ashtu duhet shtuar se asnjë mendje racionale nuk ka pritur ndonjë progres të jashtëzakonshëm nga këto takimet e para. Mosmarrëveshjet ndërmjet palëve janë të mëdha dhe komplekse. Kërkesat e Putinit për dorëzimin e katër rajoneve (Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson) janë të papranueshme për Ukrainën. Në veçanti Donetsk është linja e kuqe ukrainase. Arsyeja përse Putini kërkon dorëzimin e Donetskut nuk është e rastësishme. Deri më sot fortifikimet ukrainase në Donetsk - të njohura si “vija e hekurt” - janë dëshmuar të jenë ferr në tokë për ushtrinë ruse. Me gjithë përpjekjet monumentale ruse, ata kanë dështuar të lëvizin ushtrinë ukrainase falë fortifikimeve të jashtëzakonshme ushtarake. Prandaj edhe kërkesa e Putinit për dorëzimin e Donetskut nga Zelensky do të ishte akt vetëvrasës për Ukrainën. Në anën tjetër, kërkesa e Ukrainës për pranim në NATO është vija e kuqe e Rusisë. Diskutimet sikur këto shpërfaqin kompleksitetin e procesit diplomatik dhe negociator për përfundimin e luftës në Ukrainë. 
Por përtej këtyre diskutimeve për çështje thelbësore, një gjë që zuri vëmendjen e të gjithëve këto ditë ishte tepihu i kuq të cilin Trumpi e shtroi për Putinin në Alaskë. Tepihu i kuq është shpikje relativisht e re, por që nga ardhja e tij ai është bërë simbol i mirëseardhjes dhe respektit në politikë, modë, muzikë dhe sport. Nga ardhja e presidentit James Monroe në Karolinën e Jugut, e deri tek fustani ikonik i Marilyn Monroes, tepihu i kuq është bërë sinonim i momenteve të paharrueshme kulturore. Kjo është edhe arsyeja përse një pjesë e madhe e diskursit publik e ka konsideruar ofenduese shtrimin e tepihut të kuq për Putinin. Një akt i tillë është interpretuar si nderim dhe glorifikim i panevojshëm i një krimineli lufte, i cili vazhdon të vrasë civilë të pafajshëm dhe të kërcënojë njerëzimin me luftë të re botërore. 

Patjetër se tepihun e kuq mund të shohim kështu, pra si një akt nderimi dhe respekti, por historia ofron edhe një interpretim tjetër për tepihun e kuq – atë të grackës dhe manipulimit. 
Lufta për Trojën zgjati dhjetë vjet dhe përfundoi më rënien e Trojës dhe fitoren e grekëve. Iliada, Kali i Trojës dhe filmi “Troja” me Brad Pittin kanë popullarizuar luftën e Trojës, por ajo që është më pak e njohur është historia e Mbretit Agamemnon. Agamemnon ishte Mbreti i Grekëve, të cilit kapja e Trojës i shndërrohet në obsesion. Për të arritur këtë qëllim ai flijon edhe vajzën e vet – Iphigenien.

Bashkëshortja e tij, Mbretesha Clytemnestra, nuk do t’ia falë kurrë këtë gjë. Pasi që Agamemnoni kthehet si fitues nga Troja, bashkëshortja e tij do t’i shtrojë tepih të kuq dhe do të organizojë pritje madhështore. Në dëlir nga pushteti dhe glorifikimi që i bëhet, Agamemnoni nuk kupton që e gjithë pritja është grackë për hakmarrjen e një nëne që ka humbur vajzën e saj. Pasi që Mbreti Agamemnon kalon tepihun e kuq dhe hyn në pallate, ai vritet nga Mbretesha Clytemnestra e cila e merr nën kontroll perandorinë e tij. 

Përdorimi i tepihut të kuq nuk ishte mjet manipulimi i rezervuar vetëm për kohërat e antikitetit. Ai ka vazhduar të përdoret edhe në kohërat moderne. Rasti ndoshta më i njohur është Munihu dhe pritja madhështore që Hilteri ia bëri Chamberlainit. Kryeministri britanik Neville Chamberlain ka bërë çdo gjë në fuqinë e tij për të parandaluar Luftën e Dytë Botërore. Pasi që Hitleri tanimë kishte pushtuar Austrinë, Chamberlain shkon në Munih me shpesën se Sudetenland do të jetë vija ku Hitleri do të ndalet dhe paqja evropiane do të ruhet. Për të manipuluar Chamberlainin, Hitleri do të organizojë pritje madhështore për të. Në aeroport Chamberlain do të pritet nga ministri i Jashtëm gjerman, Joachim von Ribbentrop, i përcjellë me gardën e nderit dhe nderime më të mëdha protokollare. Hitleri vendosi që të presë Chamberlainin në “Führerbau” apo “Ndërtesa e Fuhrer-it” – një ndërtesë e re e ndërtuar enkas për Hitlerin dhe zgjedhja e saj si vendtakim i konferencës u interpretua si gjest i vullnetit të mirë dhe nderim personal i Hitlerit për Chamberlainin. Në hyrje të ndërtesës Hitleri do të vendosë një flamur gjigand të Mbretërisë së Bashkuar dhe do të shtrojë tepihun e kuq për Chamberlainin. E gjithë kjo do ta bindë Chamberlainin se Hitleri e ka paqen seriozisht. Ai do të kthehet në Londër për t’ia shpallur botës “fitoren e paqes”. Pas gjashtë muajve Hitleri do të shkelë marrëveshjen e Munihut dhe do të nisë Luftën e Dytë Botërore. 

Episodet e Agamemnonit dhe Chamberlainit janë rrëfime se si tepihu i kuq në sipërfaqe duket një akt nderimi, por në fakt është grackë dhe shfaqje e kalkulimit strategjik nga ana e kundërshtareve të tyre. Në rastin e Agamemnonit epshi i tij për glorifikim e verbëron për të parë se gruaja e tij asnjëherë nuk do t’ia falë flijimin e vajzës së tyre. Dëshira e Chamberlainit për paqe e verbëron për të parë se nderimet që i bën Hitleri janë keqpërdorimi i naivitetit të tij. 

Prandaj historia na mëson se tepihu i kuq është territor i rrezikshëm. Është mjet elegant manipulimi i cili fut viktimat e veta në grackën, e cila shfrytëzon epshet më të thella njerëzore: siç janë glorifikimi, krenaria dhe pushteti. Luftërat – qofshin personale apo në mes shtetesh – janë më shumë se çdo gjë tjetër luftë karakteresh dhe egosh. Në këtë luftë tepihu i kuq ushqen dëshirat më të zjarrta dhe dobësitë më të mëdha tek viktimat e tyre. Ai shpërfaq hendekun në mes ambicieve dhe karakterit të viktimave të tij. Kjo është edhe arsyeja përse duhet të jemi të kujdesshëm kur pranojmë glorifikimet e tilla. Momentin që shkelim në tepihun e kuq ne pranojmë që kemi shkelur me një territor që nuk mund të kontrollojmë më. Jemi bërë piunë në lojë të dikujt tjetër. Kësisoj tepihu i kuq i Alaskës është tani testi i karakterit për Trumpin dhe Putinin. Ata të dy tani kanë filluar një lojë manipulimi, e cila do të ketë vetëm një fitues.