Reforma gjyqësore e vitit 2013 solli një riorganizim pothuajse të tërësishëm të sistemit gjyqësor në Kosovë. Përkundër kësaj, komuniteti i biznesit ka vazhduar të has në vështirësi të konsiderueshme në lidhje me trajtimin e lëndëve komerciale. Kohëzgjatja e tepruar e trajtimit të lëndëve dhe mungesa e kapaciteteve dhe e ekspertizës profesionale në fushat komplekse të së drejtës komerciale dhe administrative tek gjyqtarët dhe stafit profesional janë problemet kryesore të idenfikuara. Kjo bëhet edhe më problematike kur kemi parasysh se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë 99% të ndërmarrjeve në Kosovë. Për ndërmarrje të tilla, një kontest i vetëm mund të ndikojë edhe në vet ekzistimin dhe zhvillimin e ndërmarrjes. Ministria e Drejtësisë përmes sponsorizimit të Projektligjit për Gjykatën Komerciale është përpjekur që me një rrugë që i bie shkurt të zgjidh të gjitha problemet. Mirëpo, zgjedhja e ofruar përmes këtij projektligji krijon më shumë probleme për sistemin e drejtësisë sesa zgjidhje.
Disa nga çështjet të cilat paraqesin implikime serioze kushtetuese përfshijnë: mosrespektimin e parimit të dyshkallëshmërisë, kufizimin e të drejtës për ushtrim të Revizionit, përjashtimin e të drejtës së ushtrimit të Kërkesës për Mbrojtjen e Ligjshmërisë dhe trajtimin e pabarabartë të gjyqtarëve të sistemit gjyqësor si pasojë e kompenzimit më të lartë të gjyqtarëve të Gjykatës Komerciale, dhe kufizimin e autorizimeve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës në raport me këtë gjykatë.
Ajo që bie në sy fillimisht është se nën juridiksionin lëndor të kësaj Gjykate synohen të përfshihen edhe konfliktet administrative ku palë janë shoqëritë tregtare dhe organet publike. Pra, gjykata nuk do të ishte vetëm gjykatë komerciale, por ‘gjykatë komerciale dhe gjykatë administrative.’ Në këtë aspekt, vetë emërtimi i Gjykatës së propozuar si ‘Gjykata Komerciale’ nuk është i duhur. Por, përtej emërtimit adekuat, ajo që synohet të krijohet është një Gjykatë e shkëputur në masë të madhe nga pjesa tjetër e sistemit të drejtësisë, duke e përfshirë edhe kufizimin e mundësisë që Gjykata Supreme të rishikojë vendimet e saj si autoriteti më i lartë gjyqësor. Gjykata Komerciale do të duhej të ishte pjesë unike e sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës. Kjo e fundit, do të parandalonte krijimin e strukturave të cilat para se të tentojnë të ofrojnë zgjidhje të problemeve aktuale, do të krijonin probleme kushtetuese.
Nuk mund të ketë gjykim të drejtë dhe të paanshëm nëse e njëjta gjykatë trajton lëndën në shkallë të parë dhe në shkallë të dytë!
Në kontestet e natyrës civile duke përfshirë ato komerciale, secili rast iniciohet me padi. Padia paraqitet para gjykatës së shkallës së parë e cila vlerëson kërkesat, faktet provat, mban seanca dhe gjatë procedurës apo në përfundim nxjerr vendim. Kjo konsiderohet si vendosje në shkallë të parë. Palët e kontestit, ndaj vendimeve të shkallës së parë në shumicën e rasteve kanë të drejtë ankese. Kjo e drejtë garantohet me Kushtetutë, dhe rregullohet tutje edhe me ligjet procedurale. Përmes të drejtës për ankesë, pala e pakënaqur paraqet argumentet e veta se pse vendimi i shkallës së parë nuk është i drejtë. Përmes ushtrimit të së drejtës në ankesë, rishikohet vendimi gjyqësor nga gjykata më e lartë e cila vlerëson ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendimit të gjykatës së shkallës së parë. Kjo poashtu njihet si parimi i dyshkallëshmërisë, meqë imponon obligimin e ekzistimin të gjykatës më të lartë e cila rishikon vendimin e shkallës së parë. Në sistemin gjyqësor të Kosovës, këtë funksion e kryen Gjykata e Apelit.
Përkundër këtij parimi, Projektligji për Gjykatën Komerciale përcakton se gjykata do të funksionojë si gjykatë e shkallës së parë dhe gjykatë e shkallës së dytë. Kjo përmes krijimit të dy dhomave. Njëra dhomë do të gjykojë në shkallë të parë kontestet të cilat iniciohen nga paditë, ndërkaq tjetra dhomë në shkallë të dytë do të vendosë sipas ankesave që ushtrohen ndaj vendimeve të shkallës së parë. Një model i tillë i gjykatës në praktikë është i pazakontë, madje paradoksalisht edhe kur është testuar me Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme kjo qasje e ‘one stop shop’ nuk është treguar efikase. Kjo praktikë vë në pikëpyetje vetë parimin e dyshkallësisë të garantuar me Kushtetutë. Natyrisht, organizimi dhe juridiksioni i Gjykatave sipas Kushtetutës i lihet Kuvendit. Por, kjo në asnjë rrethanë nuk nënkupton se organizimi në fjalë nuk duhet t’i respektojë parametrat Kushtetues në lidhje me një pushtet gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm. Vendosja në shkallë të parë dhe të dytë nga e njëjta Gjykatë në shikim të parë mund të duket si zgjidhje praktike, por esenca e ekzistimit të parimit të dyshkallëshmërisë nuk përfshinë në vete vetëm të drejtën e ushtrimit të ankesës si mjet i rregullt ligjor. Në të vërtetë, rëndësia e dyshkallshmërisë qëndron kryesisht te garancia se ankesa do të trajtohet nga një gjykatë më e lartë e cila në të njejtën kohë është e pavarur dhe e paanshme nga gjykata e shkallës së parë.
Tutje, Projektligji për Gjykatën Komerciale parasheh se dy dhomat e Gjykatës Komerciale do të udhëhiqen nga një Kryetar, i cili në të njëjtën kohë do të shërbente edhe si gjyqtar i dhomës së shkallës së dytë. Si e tillë, është e pamundur të mos vihet në pikëpyetje rroli i mundshëm influencues i Kryetarit mbi rishikimin e vendimeve të dhomës së shkallës së parë, nga dhoma e shkallës së dytë. Rrespektimi i parimit të dyshkallsisë është kusht i domosdoshëm për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejtë kjo e garantuar më Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (rasti Micallef v. Malta), paanshmëria e Gjykatës duhet të vlerësohet sipas qasjes subjektive dhe qasjes objektive. Sipas qasjes subjektive, duhet vlerësuar nëse gjyqtari me sjelljen e vet ka treguar anshmëri dhe paragjykim personal gjatë çështjes. Ndërkaq, sipas qasjes objektive duhet vlerësuar nëse gjykata, përmes përbërjes së saj si tribunal është duke ofruar garancitë e mjaftueshme për të përjashtuar çdo dyshim apo frikë të arsyeshme për sa i përket paanshmërisë së saj. Në lidhje me qasjen objektive GjEDNJ ka përcaktuar se “përveç sjelljes së gjyqtarit, mund të ekzistojnë edhe disa fakte të konstatueshme apo rrethana tjera të cilat mund të vënë në dyshim paanshmërinë e tij dhe të tribunalit si trupë vendimmarrëse. Kjo nënkupton se për të vendosur nëse në një rast të caktuar ekziston arsye legjitime për të pasur frikë se gjyqtari apo tribunali është i paanshëm [...] është vendimtare të përcaktohet nëse kjo frikë mund të cilësohet si e justifikuar.” Më tej, praktika e GjEDNJ-së (rasti Thorgeirson v. Iceland), përcakton se në kuadër të qasjes objektive edhe dukshmëria e paanshmërisë është tejet e rëndësishme dhe jo vetëm ekzistimi i saj. Kjo sepse ajo që vihet në rrezik është vetë besimi që gjykatat në një shoqëri demokratike duhet të përçojnë në publik. Bazuar në këtë, është mjaft e qartë se krijimi i dhomave të shkallës së parë dhe të dytë brenda një gjykate paraqet dyshime të arsyeshme se gjykata nuk është e paanshme në vendimmarrjen e saj. Për ta ilustruar këtë, të themi hipotetikisht se Kryetari i Gjykatës, si gjyqtar i shkallës së dytë është pjesë e tribunalit gjatë rishikimit të një vendimi të nxjerrë nga gjyqtari individual i dhomës së shkallës së parë. Le të themi tutje hipotetikisht se ndaj gjyqtarit individual në fjalë është paraqitur ankesë nga një palë për shkelje disiplinore. Kjo ankesë është paraqitur tek Kryetari i Gjykatës i cili sipas legjislacionit përkatës është i autorizuar të iniciojë procedurat e hetimit. Në këtë situatë, Kryetari i Gjykatës në njërën anë është kompetent që të vlerësojë se a do të procedojë më tutje një ankesë të paraqitur nga pala ndaj gjyqtarit individual, si dhe në të njëjtën kohë është kompetent të rishikojë vendimin e nxjerrë nga gjyqtari individual si gjyqtar i shkallës së dytë. Natyrisht, Kryetari mund ta përjashtojë veten nga vendimarrja në shkallë të dytë, por mundësi të tilla nuk duhet të lihen si opsione nën diskrecionin e Kryetarit.
Për më tepër, në praktikën e rregullimit të sistemeve gjyqësore në shtetet me rregullim të ngjashëm të sistemit gjyqësor të Kosovës, nuk hasim në asnjë rast kur një gjykatë të vendosë në shkallë të parë dhe në shkallë të dytë për kontestet e njëjta. Modeli i Gjykatës Komerciale i deri në një masë duket të jetë bazuar në Gjykatën Komerciale të Malit të Zi dhe asaj të Kroacisë. Sidoqoftë, asnjëra nga këto shtete nuk ka paraparë që Gjykata të përmbajë dhomë të shkallës së parë, dhe dhomë të shkallës së dytë. Në të dyja shtetet, vendimmarrja në ankesë bëhet nga gjykata më e lartë.
Përfundimisht, integrimi i dyshkallësisë brenda një gjykate përmes dy dhomave të cilat vendosin në dy shkallë dhe të cilat udhëhiqen nga një Kryetar i vetëm nuk është në përputhje me parimet kushtetuese për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, dispozitat ligjore procedurale dhe as praktikat ndërkombëtare të rregullimit të sistemit gjyqësor.
Pasojat e kufizimit të së drejtës për ushtrim të Revizionit vetëm për kontestet me vlerë mbi 1 milion euro
Sot, bazuar në Ligjin për Procedurën Kontestimore, kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë, palët mund të paraqesin Revizion për konteste në vlerë mbi 3,000 EUR. Ndërsa me Projektligjin në fjalë, është paraparë kufizimi i ushtrimit të Revizionit, si mjet i jashtëzakonshëm i goditjes, vetëm për konteste vlera e të cilave tejkalon shumën prej 1,000,000 EUR. Një krahasim i thjeshtë i vlerave të përcaktuara të objektit të kontestit, për lejimin e ushtrimit të Revizionit, vë në pah pragun tejet të lartë të vendosur nga sponsoruesi i projektligjit: prag të cilin shumica absolute e kontesteve tregtare në gjykatat e Kosovës nuk mund ta arrijnë.
Marrë parasysh ekonominë e vendit, kontestet e natyrës milionëshe janë shumë të rralla. Në ato raste kur konteste të vlerave kaq të larta ekzistojnë, zakonisht zgjidhen përmes formave alternative të zgjidhjes së kontesteve, siç është arbitrazhi. Rrjedhimisht, numri i rasteve të cilat do të arrinin një vlerë të tillë të kontestit janë të pakta, gjë e cila nënkupton që Revizioni si mjet i goditjes së vendimeve gjyqësore nuk do të gjente përdorim të gjerë. Atëherë synimi i përgjithshëm i projektligjit, që të përmirësohet qasja në drejtësi për komunitetin e biznesit, mbetet thjeshtë koncept deklarativ i Ministrisë së Drejtësisë.
Jo rrallëherë ndodhë që vendimmarrja e instancave më të ulëta të has në gabime formale dhe materiale të cilat komprometojnë ndjekjen e të drejtave të palëve në procedurë kontestimore. Në rastin konkret ku edhe ankesa do të shqyrtohej nga e njëjta gjykatë, në fakt, do ta rriste nevojën për një përfshirje më domethënëse të Gjykatës Supreme. Andaj edhe theksohet nevoja për ushtrimin e mjeteve të jashtëzakonshme të goditjes. Sidoqoftë, rëndësia e Revizioni si mjet juridik nuk konsiston vetëm në shfrytëzimin e të drejtës kushtetuese së ankimimit në shkallë të tretë, por më tepër qëndron tek kontributi që sjellë në realizimin e standardizimit të praktikës gjyqësore. Sipas Ligjit për Gjykatat, Gjykata Supreme e Kosovës “përcakton qëndrimet parimore, nxjerr mendime juridike dhe udhëzues për zbatimin unik të ligjeve nga gjykatat në territorin e Kosovës.” Ky standardizim i praktikës gjyqësore arrihet vetëm përmes vendimeve unifikuese për çështje juridike, që në praktikë realizohet përmes ndikimit të vendimeve të Gjykatës Supreme mbi vendimet e instancave më të ulëta (në rastin tonë, dyshkallshmërinë e parashikuar brenda Gjykatës Komerciale). Megjithatë, është me rëndësi të theksohet se vetë esenca e krijimit të një Gjykate Komerciale, me qëllim parësor adresimin e nevojave të komunitetit të biznesit, do të zbehej nëse nuk do të investohej drejtë krijimit dhe zbatimit uniform të standardeve juridike, ku për objekt shqyrtimi kemi çështje tregtare. Së këtejmi, konsistenca e vendimeve që do të merreshin nga gjykata e propozuar do të linte shumë për të dëshiruar nga parimi i sigurisë juridike që për standarde formale ka saktësinë, qartësinë dhe qëndrueshmërinë e vendimeve gjyqësore.
Për më shumë, përcaktimi i një pragu të tillë, arbitrar dhe të paprecedent, si kusht formal për lejimin e Revizionit, më shumë duket të jetë tendencë për të penguar palët t’i drejtohen Gjykatës Supreme të Kosovës dhe si pasojë të kufizojnë numrin e lëndëve për shqyrtim, sesa që do të përbënte ndonjë vlerë të shtuar për gjyqësorin kosovar, palët apo vet Gjykatën Supreme. Vlen të theksohet se nëse arsyeja prapa përcaktimit të një pragu të tillë qëndron te dekurajimi i ushtrimit të Revizionit nga palët e pakënaqura, ka mënyra tjera të rregullimit të cilat do të mundësonin rezultatin e dëshiruar, pa efekt të përjashtimit procedural. Në një rast të tillë, shtrohet pyetja se a po bëhet kompromis me efektivitetin në emër të efikasitetit?
Pasojat e mos lejimit të ushtrimit të Kërkesës për Mbrojtjen së Ligjshmërisë
Përveç limitimit të së drejtës së ushtrimit të Revizionit si mjet i jashtëzakonshëm juridik përmes përcaktimit të një pragu të paarritshëm për shumicën e kontesteve të shoqërive tregtare në Kosovë, Projektligji për Gjykatën Komerciale shkon tutje duke përjashtuar tërësisht mundësinë e ushtrimit të Kërkesës për Mbrojtjen e Ligjshmërisë. Kërkesa për Mbrojtje të Ligjshmërisë si mjet i jashtëzakonshëm juridik mund të paraqitet vetëm nga Prokurori i Shtetit kundër vendimeve të formës së prerë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore apo aplikimit të gabuar të së drejtës materiale. Në praktikë, Prokurori i Shtetit asnjëherë nuk ngrit Kërkesën pa u paraqitur propozimi nga njëra palë e kontestit. Sidoqoftë, me inicimin e procedurës, pjesëmarrës është vetëm Prokurori i Shtetit ndërkaq palët në kontest gjatë kësaj procedure nuk kanë legjitimitet procedural. Rrjedhimisht Kërkesa për Mbrojtje të Ligjshmërisë si mjet juridik i jashtëzakonshëm paraqet dyshime kushtetuese për shkak të mos respektimit të parimit të kontradiktoritetit dhe parimit të dëgjimit të palëve. Si e tillë, shumica e shteteve të rajonit e kanë larguar këtë mjet juridik nga e drejta e tyre. Por, në të drejtën tonë vazhdon të ekzistojë, edhe pse rrallë herë ushtrohet nga Prokurori i Shtetit. Një e drejtë e tillë për palët duhet ose të hiqet në tërësi për të gjithë gjykatat ose të mbetet në fuqi dhe të zbatohet në mënyrë uniforme, pasi që zbatimi selektiv i këtij mjeti juridik të jashtëzakonshëm forcon përshtypjen se sponzoruesi i ligjit ka tentuar që t’i bëjë të paprekshme vendimet e kësaj gjykate.
Pavarësisht dyshimeve mbi kushtetushmërinë e këtij mjeti të jashtëzakonshëm juridik, dhe faktit se nuk gjenë përdorim të shpeshtë në praktikë, konsiderojmë së Projektligji për Gjykatën Komerciale nuk do të duhej ta përjashtojë mundësinë e shfrytëzimit të këtij mjeti ligjor. Kjo sepse Projektligji në fjalë nuk është ligj i natyrës procedurale por ligj i veçantë i cili themelon një institucion të specializuar gjyqësor duke përcaktuar strukturën, organizimin dhe kompetencat e tij. E kemi të qartë se e drejta civile, duke përfshirë atë komerciale, përbëhet nga ligjet materiale dhe procedurale. Përderisa e para përcakton të drejtat dhe detyrimet e subjekteve, e dyta përcakton rregullat dhe instrumentet për realizimin e atyre të drejtave dhe detyrimeve. Andaj, është jashtë çdo praktike të mirë të rregullimit, që me ligje me të cilat themelohen institucione gjyqësore, të përcaktohen edhe rregullat për shfrytëzimin e mjeteve juridike. Tutje, privimi nga shfrytëzimi i këtij mjeti juridik të jashtëzakonshëm për shoqëritë tregtare si subjekte juridike të së drejtës, përderisa personat fizik do të mund ta ushtronin të njëjtin, mund të konsiderohet si trajtim diskriminues dhe jo i barabartë i shoqërive tregtare kundrejt personave fizikë.
Diskriminimi i gjyqtarëve si pasojë e kompensimit të pa barabartë
Çështja e pagave të sistemit gjyqësor është tematizuar së fundi si pasojë e vendimeve paraprake të Qeverisë për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar. Me apo pa dijeni, vendimi në fjalë kishte prodhuar pasoja zinxhirore ngase sipas Ligjit për Gjykatat, pagat e sistemit gjyqësor janë reflektim direkt i pagave të kabinetit qeveritar. Më saktësisht, paga e Kryetarit të Gjykatës Supreme është ekuivalente me atë të Kryeministrit, ndërkaq pagat e gjyqtarëve tjerë përcaktohen në bazë të pagës së Kryetarit të Gjykatës Supreme.
Ndryshe nga përcaktimet e Ligjit për Gjykatat, si ligj special për rregullimin e sistemit gjyqësor duke përfshirë edhe pagat e gjyqtarëve, Projektligji për Gjykatën Komerciale parasheh që Kryetari dhe gjyqtarët e kësaj gjykate të kenë pagë 10% më të lartë se kolegët e tyre me pozita ekuivalente në Gjykatën Themelore dhe të Apelit. Është krejtësisht e pakuptimtë që gjyqtarët e një gjykate të pranojnë kompensim më të lartë se gjyqtarët e gjykatave tjera të cilët kanë pozitë, përgjegjësi dhe funksione ekuivalente. Një përcaktim i tillë domosdoshmërisht vë gjyqtarët e Gjykatës Themelore dhe të Apelit në pozitë të pabarabartë me kolegët e tyre në Gjykatën Komerciale. Në këtë drejtim duhet pasur parasysh Nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës i cili garanton të drejta të barabarta para ligjit, pa diskriminim.
Tutje, praktika e Gjykatës Kushtetuese ka përcaktuar qartazi detyrimin e Qeverisë si propozuese e ligjit, por edhe të Kuvendit si ligjvënës që të respektojnë barazinë para ligjit kur kemi të bëjmë më pagat e sektorit publik. Më saktësisht, në rastin KO219/19, parashtrues Avokati i Popullit, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se gjatë hartimit të legjislacionit që ka të bëjë me pagat në sektorin publik, qoftë përmes një ligji të përgjithshëm ose përmes disa ligjeve të veçanta apo edhe ndryshimit të ligjeve ekzistuese, Qeveria dhe Kuvendi duhet të kenë parasysh parimet e barazisë para ligjit dhe trajtimin e barabartë të të gjithë personave të drejtat e të cilëve preken nga çfarëdo lloj ndryshimi ligjor. Rrjedhimisht, përcaktimi se gjyqtarët e Gjykatës Komerciale të kompensohen 10% më shumë se gjyqtarët e Gjykatës Themelore dhe të Apelit, bie ndesh me parimet e barazisë para ligjit si dhe trajtimit të barabartë siç ka elaboruar Gjykata Kushtetuese në praktikën e saj vendimmarrëse.
Rekrutimi i stafit dhe statusi i tyre i veçantë cenon unitetin e shërbimit civil dhe prek kompetencat kushtetuese të Këshillit Gjyqësor të Kosovës
Me këtë projektligj është paraparë që Këshilltari Ligjor dhe të gjithë anëtarët e Njësisë Ligjore, përveç Sekretarëve Juridik, stafit administrativ dhe atij përkrahës të mos konsiderohen staf civil siç është rregulli për të gjitha gjykatat tjera, por janë kategorizuar si staf i ashtuquajtur “kuazi-gjyqësor”. Punësimi i stafit civil në institucionet e shtetit, duke përfshirë institucionet e drejtësisë është rregulluar deri vonë me Ligjin për Shërbimin Civil, tash Ligji për Zyrtarët Publik. Pra, të punësuarit në administratën e institucioneve të sistemit të drejtësisë janë staf civil apo nëpunës civil. Kjo vlen për të gjithë administratën e të gjitha gjykatave, prokurorive, Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial. Për çudi, Projektligji për Gjykatën Komerciale parasheh se një pjesë e zyrtarëve të Gjykatës Komerciale nuk duhet të jenë nëpunës civil të institucioneve të shtetit, por staf “kuazi-gjyqësor”. Me këtë veprim është shpikur një kategori e re e nëpunësve civil. Një rregullim i tillë bie ndesh me ligjet e aplikueshme për shërbimin civil dhe krijon pabarazi në mes stafit të Gjykatës Komerciale dhe stafit civil të pjesës tjetër të sistemit gjyqësor.
Për më tepër, është paraparë që rekrutimi i administratorit të gjykatës të bëhet nga vet Kryetari i Gjykatës Komerciale. Në anën tjetër, Kushtetuta ia njeh këtë kompetencë ekskluzivisht Këshillit Gjyqësor të Kosovës jo vetëm në rekrutimin e administratorëve por edhe në mbikëqyrjen e tyre. Synimi i Ministrisë së Drejtësisë që këtë kompetencë ta kalojë tek kryetari i gjykatës është tejet absurd dhe në kundërshtim të hapur me Kushtetutën.
Përfundimi
Së bashku me të gjitha çështjet e lartpërmendura, konsiderojmë se Gjykata Komerciale po ashtu do të duhej të themelohet brenda sistemit unik gjyqësor të Kosovës dhe duke respektuar parimet kushtetuese. Kjo sepse sipas Kushtetutës, pushteti gjyqësor në Kosovë është unik. Për t’i jetësuar parimet kushtetuese, çdo gjykatë e cila krijohet duhet të jetë pjesë e këtij sistemi të integruar dhe kjo duhet qartazi të përcaktohet në projektligj. Krijimi i një gjykate të specializuar nuk nënkupton krijim të një sistemi gjyqësor paralel, por krijim të një gjykate e cila kompetencën lëndore e ka të specializuar. Në këtë drejtim, ideale do të ishte po që se Gjykata Komerciale do të themelohej përmes plotësimit të Ligjit për Gjykatat, por edhe nëse krijohet me ligj të veçantë, konsiderojmë se e njëjta duhet të organizohet dhe funksinojë sipas përcaktimeve të Ligjit për Gjykatat, Ligjit mbi KGJK dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në të kundërtën, rrezikojmë të krijojmë laramani të rregullimit të një pushteti i cili do të duhej të ishte unik. Në strukturimin e Gjykatës Komerciale në asnjë rrethanë nuk duhet të marrë për shembull Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme të cilat nuk kanë dhënë rezultatin e pritur.
Tutje, duhet pasur parasysh se edhe nëse krijohet një gjykatë në pajtim me rregullat kushtetuese dhe ligjore, nuk kemi garanci se si e tillë do të arrijë të ofrojë zgjidhje të çështjeve problematike si zgjidhja e kontesteve në kohë të arsyeshme dhe me kualitet të lartë në vendimmarrje. Kjo sepse struktura jo domosdoshmërisht garanton kualitet. Në fund, mbetet ekspertiza dhe përvoja e stafit gjyqësor dhe mbështetës si faktor determinues i vendimeve të drejta. Andaj, Ministria e Drejtësisë dhe partnerët mbështetës, duhet të kenë parasysh së investimi në krijimin e kuadrove profesional duhet të jetë po aq i rëndësishëm sa investimi në krijimin e një gjykate me kompetencë të specializuar.
Në fund, por jo nga rëndësia, përderisa iniciativa për themelimin e një Gjykate Komerciale ka gjetur përkrahje të gjerë të akterëve të ndryshëm publik e privat, është me rëndësi të lartë që përgjatë të gjithë këtij procesi draftues dhe finalizues të Projektligjit, të kihet parasysh se pala kryesore e interesit mbetet komuniteti i biznesit. Në mënyrë që ky Projektligj ta kalojë kontrollin kushtetues, dhe kjo Gjykatë në të ardhmen vërtetë të shërbejë në vendosjen e drejtë të çështjeve komerciale të ekonomisë moderne, është i nevojshëm rishikimi në pikat e lartpërmendura. Nevoja për katalizator të zhvillimit ekonomik, përfshirë nevojën për integrim të vazhdueshëm në ekonominë ndërkombëtare, është pikënisja dhe qëllimi kryesor i gjithë kësaj iniciative ligjore. Andaj, është esenciale që gjykata të themelohet bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, gjë që do të minimizonte mundësinë që në të ardhmen e afërt të shfaqen probleme ligjore dhe kushtetuese, disa nga të cilat parashihen me këtë analizë.
"Autorët janë juristë të cilët kanë studiuar për master në të drejtën komerciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes programit të bursave Transformational Leadership Program të financuar nga USAID dhe Qeveria e Kosovës."