OpEd

Gjuhë burrash, aspak burrërore

Posti i kryetarit të Zagrebit nuk është për gra - thotë një plak, i cili qëlloi të jetë babai i kryetarit të kryeqytetit kroat. Një politikane e re humb zgjedhjet në një komunë të vogël bregdetare kroate dhe zbulon se është kërcënuar nga njerëz me të kaluar kriminale. Emancipimi është një betejë e përditshme dhe hyrja në BE nuk është garanci se çdo gjë bëhet mirë

Në Zagreb, së fundi, janë mbajtur zgjedhjet për kryetar të qytetit. Fitoi Tomisllav Tomasheviq, i cili këtë funksion e ka ushtruar edhe në katër vjetët e kaluar. Tomasheviq ka qenë aktivist për mbrojtjen e ambientit, luftëtar kundër korrupsionit, alpinist (vazhdon të jetë). Një politikan me perspektivë, mund të thuhet. Pas fitores, Tomasheviq dhe përkrahësit e tij u mblodhën për të festuar në “Tvornica”, një lokal i njohur alternativ i Zagrebit. Aty ishin edhe prindërit e Tomasheviqit. Aty ishin edhe shumë gazetarë me mikrofonat e tyre. Befas, para një mikrofoni u gjend i ati i Tomasheviqit. Ai tha: “Djali im po përmbush atë për të cilën ne, mbrojtësit (e Kroacisë), luftuam në luftë. E respektoj (kundërkandidaten) Marija Selak Raspudiq, por mendoj se disa gjëra ajo i ka mësuar pak përmendësh. Së dyti, ky post në Zagreb, pa ofendime, nuk është për gratë. Ky është një post shumë i vështirë dhe i rrezikshëm”.

E lexuat mirë, besoj: posti i kryetarit të Zagrebit nuk është për gra. Thotë babai i kryetarit të Zagrebit. Gjuhë burrash, aspak burrërore. Tomisllav Tomasheviq u gjend në një situatë të pakëndshme, tha se deklarata e babait të tij ishte problematike dhe tregoi se ka folur me të për këtë çështje. Kjo deklaratë tregon se emancipimi është një betejë e përditshme (madje deri në moshë të shtyrë) dhe hyrja në BE nuk është garanci se çdo gjë bëhet mirë.

Edhe kur me meritë zgjidhen në një post, gratë përballen me pritshmëri më të larta se burrat. Ato duhet të jenë të afta, kompetente, por jo emocionale dhe assesi dominuese. Dominanca sikur është e rezervuar për burrat, të cilët përfitojnë edhe nga rrjetet joformale: njëra dorë lan tjetrën dhe të gjithë ndihmojnë njëri-tjetrin, duke u ngjitur në shkallët e karrierës.

Para 4 vjetësh politikania e re Petra Radiq (atëbotë 28-vjeçare), arriti një sukses spektakolar: u zgjodh kryetare e komunës Podgora në bregdetin kroat. Sapo mori postin, ajo tha se kishte hasur në një gjendje katastrofike të financave. Borxhet e komunës silleshin rreth 4.5 milionë euro. Paraardhësi i saj Ante Miliçiq, është një politikan lokal me ndikim, i cili e kishte drejtuar komunën në tri mandate. Mandatin e parë e fitoi si kandidat i partisë HDZ, e cila me ndërprerje të shkurtra dominon politikën në Kroaci që nga fillimi i viteve 1990. Pastaj Miliçiq u bë “i pavarur”, me gjasë s’kishte më nevojë as për parti. Flitej për kontrata të dyshimta, çrregullime financiare dhe gjëra të tjera jo aq të shndritshme. Në vitin 2014 ai e shpalli qytetar nderi të Podgorës kryetarin e atëhershëm të Zagrebit, Millan Bandiq, njërin nga politikanët më të përfolur për afera korruptive në Kroaci. 

Bandiq e drejtoi Zagrebin për 21 vjet - dhe vdiq papritmas më 2021, në moshën 65-vjeçare. Ai qëndroi dy herë në paraburgim, për dy skandale u nxor para gjyqit: një herë u shpall i pafajshëm, procesi i dytë nuk përfundoi. Për herë të parë u zgjodh kryetar i Zagrebit në vitin 2000, dy vjet më vonë e shkaktoi një aksident trafiku (ishte në gjendje të alkoolizuar), tentoi ta korruptonte një polic dhe qe i detyruar të jepte dorëheqje (për t’u kthyer prapë në post). Mund të merret me mend se një listë e tillë skandalesh, një gruaje politikane nuk do t’i falej kurrë.

Të kthehemi sërish te komuna e Podgorës në bregdetin kroat.

Petra Radiq i humbi zgjedhjet para 10 ditësh. Kryetar i ri do të jetë ai i vjetri: Ante Miliçiq. Rrjetet e vjetra të burrave funksionuan sërish. Në një prononcim në rrjetet sociale Petra Radiq shkroi: “Faleminderit që besuat kur ishte më së vështiri, kur fjalët dinin të lëndonin dhe heshtja edhe më shumë. Disa vende fituam, disa i humbëm, por fatkeqësisht kjo nuk ishte e mjaftueshme për një mandat të ri dhe për ta vazhduar punën”. 

Pastaj ajo shpjegoi se përse kishte heshtur 48 orë. “Duhet t’ju kërkoj falje që nuk isha e pranishme këto 48 orë. Nuk u zhduka, nuk u dorëzova, thjesht duhej ta vendosja sigurinë e familjes dhe vetes sime në vend të parë. Pas kërcënimeve, thirrjeve publike për linçim dhe fyerjeve, që vinin nga njerëz me të kaluar kriminale serioze dhe të njohur - nuk kisha zgjedhje tjetër. Por, as atëherë nuk isha vetëm. Ju ishit aty, me mesazhe, telefonata, kujdes. Dhe këtë nuk do ta harroj kurrë”. Në katër vjetët e ardhshme Ante Miliçiq sërish do ta drejtojë komunën Podgora. Dhe, ndoshta, do të kalojë shumë kohë edhe në plazh, aty ku - sipas akuzave të prokurorisë së Splitit -  e kishte ngritur një ndërtesë pa leje.