Për Johnin, Jonathanin, Jacquen, Kosovën dhe një botë në protestë
Quhej John Wilkes dhe ishte njëri prej anglezëve më të njohur të shekullit tetëmbëdhjetë. Nuk është se mund të mburrej me atë që shoqëria e njeh për standard bukurie. Madje, njihej si alkoolist dhe i përdalë. “I keq me krejt të këqijat”, do të thuhej për të, nëse për bazë merret “thesari” ynë popullor. Por, Johni kishte edhe anë të forta. Dhunti të tija ishin humori dhe sharmi. E në histori do të radhitej për diçka tjetër: Johni ishte i zoti që mesazhin e pakënaqësinë t’i përçonte tek të tjerët.
I ndarë nga bashkëshortja, ai do ta blinte një ulëse parlamenti me paratë e divorcit. Por jeta i ka të papriturat e veta. Johnit më 1762-tën do t’ia merrte ulësen. Ishte ky viti kur fraksioni i tij do të përjashtohej nga qeveria. Duke vluar nga mllefi ndaj asaj që e quante padrejtësi, Johni do t’i bënte zgjidhje vetes: do të lansonte pamflet javor.
Në të do të tallej me krerët anglezë, ata që në atë shekull konsideroheshin të pacenueshëm. Durimi do t’i shpaguhej. Shumë vjet, e edhe më shumë pamflete, do ta merrte vëmendjen e mbretit të asokohshëm dhe kryeministrit të tij të paaftë. Me protesta do ta fitonte ulësen. Njëri pamflet i tiji, ai me numrin 45, do të bëhej thirrje që do t’i bashkonte shumë anglezë. Quaje shprehje e pakënaqësisë me punën e mbretit, thirrje për ndryshime apo tubim i “të degjeneruarve”. Turma të mëdha do të mblidheshin në përkrahje të tij, me një mbret të ngathtë për të reaguar. Letërsia e historia ndërkaq këto turma, sebep i të cilave qe pamfleti i Wilkesit, do t’i njihte si lëvizjen e parë sociale në botë. Protestë dhe thirrje për ndryshim! Të tilla që sot organizohen me një shpejtësi drite.
Me fjalë të tjera: Beteja nisi.
* * * *
Hong-Kong, 2019: Ta quajmë Jonathan, pasi që emrin e vërtetë frikësohet ta thotë. Thatanik e i imët, i ka vetëm dymbëdhjetë vjet. Axhami, në shkollë kishte filluar t’i mësonte konceptet e ligjit dhe drejtësisë. Kjo po ndodhte në kohën kur vendi i tij ishte ngritur në protestë. Pa e pasur fiks të qartë se për çfarë po protestohej, Jonathani do t’u bashkohej të tjerëve. Ai që dhunën mund ta ketë parë vetëm në film, do ta përjetonte në lëkurën e vet.
Policia do ta arrestonte një mbrëmje fundvere. Të shumtë ishin policët që do ta rrethonin, ta gjuanin përtokë dhe ta shqelmonin. Në stacionin e policisë, dymbëdhjetëvjeçari do të frikësohej për jetë. Do të shpëtonte, por kjo nuk do ta sprapste. Do të kthehej sërish në rrugë, këtë radhë “i pajisur” me një urrejtje edhe më të madhe. Në mesin e pajisjeve do ta kishte edhe maskën e zezë, simbolin që ka bërë tok dhjetëra mijëra të rinj në Hong-Kong.
Në France, Jacque do ta vishte jelekun e verdhë. Bujk dhe me kushte gjithnjë e më të rënduara, ai do ta ndiente veten pjesë të turmës qindra mijëshe franceze. Sebep për këtë jelek do të ishte rritja e çmimit të karburanteve. Dikur mllefi i tij do ta kishte në fokus elitën. Më pas edhe krerët. Një mllef që do të shndërrohej në katarzë: Pakënaqësi për rëndimin e kushteve të tij dhe pasurimin gjithnjë e më të madh të krerëve të Francës.
Në vitin e protestave të botës, Hong-Kongu do të ishte vetëm njëri vend, mbase edhe sinonim i të gjitha pakënaqësive të shprehura. Njëjtë edhe Franca! Dhjetëra mijëra të rinj do ta shprehnin në rrugë pakënaqësinë ndaj padrejtësive. Qofshin në pyetje ligji, liria, krerët e korruptuar apo kushtet e rënduara. “Armiqtë” çfarëdo lloji. Të tilla edhe kërkesat.
Maskat e zeza të Hong-Kongut, jelekët e verdhë të Francës, të pakënaqurit e Irakut: protesta pati gjithandej nëpër glob. U protesta edhe në Antarktik. Disa prej këtyre të tubuarve e arritën qëllimin, e tjerët jo.
Me fjalë tjera: Beteja vazhdon.
* * * *
Është traditë që fjalorët më prestigjiozë të botës ta shpallin fjalën e tyre të vitit. Në pyetje është ajo fjalë apo shprehje që ka peshën më të madhe në sferën publike. Në Kosovë, vota për fjalën e vitit do t’i shkonte “sovranit”. Pra atij, vota e të cilit do të kthehej në sinonim shprese, atë dritën e famshme në fund të një tuneli. Zakon kosovar është që ca gjëra të kategorizohen “në mëshirë” të forcave të përtejbotshme. “Sovrani” do të ishte provë sa ka gjëra në duar të qytetarëve, se në politikë vendosin ata; se politika nuk është vetëm lojë e fuqive të mëdha botërore.
Kosova e ka fituar moti betejën për lirinë. Si goditje sëpate, 1999-ta është gdhendur në kujtesën kolektive si vit lirie dhe shprese. Cikli i njëzet vjetëve të ardhshëm do të ishte ai i një beteje tjetër fare: luftës kundër humbjes së shpresës. Kanë qenë të shumtë ata që e kanë humbur dhe po vazhdojnë ta humbin këtë betejë. Mijëra e mijëra janë dorëzuar. Midis vullnetit dhe apatisë ka fituar ajo e fundit. Në vend të protestës ata e kanë zgjedhur largimin.
2019-ta dhe Kosova në botë. Protesta pati, por më të mëdhatë ato para ambasadave.
Me fjalë të tjera: Beteja do të vazhdojë… për ata që mbesin.