Çështja më fondamentale është nëse bota do të mund ta gjejë një mënyrë për ta kapërcyer përplasjen midis preferencave të përhapura kombëtare e rajonale dhe nevojës përherë më urgjente për veprim kolektiv. Klima është bërë sfera e sprovës në këtë aspekt. Rezultati në fund të fundit do të tregojë nëse agjendat e dyfishta të rindërtimit të përkatësisë ekonomike dhe menaxhimit të të përbashkëtave globale mund të përputhen. Për ta mësuar përgjigjen do të duhet kohë. Globalizimi i moçëm po vdes, por e reja ende duhet që të lindë
Për shumicën e njerëzve, globalizimi ka qenë për dekada me radhë emri ndryshe i liberalizimit. Duke nisur kryesisht në vitet 1980, qeveritë kanë lejuar që mallrat, shërbimet, kapitalin dhe të dhënat të kalojnë përtej kufijve, me fare pak kontrolle. Kapitalizmi i tregut triumfoi dhe rregullat ekonomike të tij u zbatuan botërisht.
Siç përmend me të drejtë titulli i librit më të fundit të Branko Milovanoviqit, kapitalizmi ishte më në fund vetëm.
Ç’është e vërteta, ka pasur edhe aspekte të tjera të globalizimit që patën lidhje me kapitalizmin e tregut. Globalizimi i shkencës dhe informacionit e zgjeroi qasjen në dije në mënyra të pashembullta. Nëpërmjet veprimeve civile përherë e më ndërkombëtare, aktivistët e klimës dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut koordinuan aktivitetet e tyre si kurrë më parë. Ndërkohë, mbrojtësit e qeverisjes kanë argumentuar qysh herët se vetëm globalizimi i politikave mund ta baraspeshojë marshimin përpara të tregjeve.
Por këto anë të tjera të globalizimit kurrë nuk u matën me dimensionin ekonomik. Globalizimi i politikave ishte veçanërisht zhgënjyes, kur kriza financiare e 2008-s e shpërfaqi më theksueshëm mënyrën e dështimit të qeverisjes.
Kjo fazë e globalizimit tani po përfundon, për dy arsye. E para është vetë shkalla evidente e sfidave që komuniteti ndërkombëtar duhet t’i luftojë, prej të cilave shëndeti publik global dhe kriza klimatike janë më të spikaturat. Çështja e përgjegjësisë së përbashkët rreth të përbashkëtave globale është e padiskutueshme. Të arriturat në këtë rrafsh kanë qenë të pakta deri më tani, porse qeverisja globale e ka fituar betejën e idesë.
E dyta është arsyeja politike. Vend pas vendi janë shpalosur dëshmitë e rebelimit të të braktisurve, nisur nga rasti i Brexitit e zgjedhjes së Donald Trumpit për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e deri tek ai i protestave të “jelekverdhëve” në Francë. Akëcili komunitet ka shprehur pakënaqësitë në mënyrat e veta, por të përbashkëtat e tyre janë të pagabueshme.
Siç e thotë Raghuram Rajani, bota është bërë një “nirvanë e shtresës më të lartë të mesme” (dhe natyrisht të kamur), “ku vetëm fëmijët e të suksesshmëve korin suksese”.
Të braktisurit përherë e më shumë përfundojnë në kampin nativist, i cili e ofron njëfarë ndjesie të përkatësisë. Krejt kjo e vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë politike të globalizimit.
Përplasjet midis nevojës së pashembullt për veprim kolektiv global dhe aspiratës në rritje për rindërtimin e komuniteteve politike që qëndrojnë prapa kufijve kombëtarë përbëjnë sfidë përcaktuese për politikëbërësit e së sotmes. E aktualisht është e tejet e paqartë nëse ata mund ta zgjidhin këtë përplasje.
Në një shkrim të gjatë të paradokohshëm, Pascal Canfin, shef i Komitetit të Parlamentit Evropian për Mjedis, Shëndet Publik dhe Siguri në Ushqim, e përmend rastin që ai e quan “epokë progresive e globalizimit”. Canfin argumenton se aktivizmi fiskal dhe monetar i mbështetur nga pothuajse të gjitha ekonomitë e avancuara në kundërpërgjigje ndaj pandemisë, rreshtimi në rritje për planet e veprimit klimatik dhe marrëveshja e fundit e G7-s për vënie të taksave ndaj kompanive shumëkombëshe nënkuptojnë krejt bashkërisht se globalizimi i qeverisjes po bëhet realitet. Po kështu, gjelbërimi i financave globale përbën një hap drejt “kapitalizmit të përgjegjshëm”.
Dikush mund ta vërë në pikëpyetje shkallën e fitoreve që Canfini i liston, por ai ka të drejtë kur thotë se mbrojtësit e qeverisjes globale kanë rrëmbyer iniciativën dhe kanë bërë përparime të mjaftueshme për të rifituar kredibilitet. Globalizimi progresiv nuk është më një ëndërr; po bëhet projekt politik.
Mirëpo, megjithëse globalizimi i qeverisjes mund ta zbusë të majtën, ajo vështirë se do t’i lehtësojë shqetësimet e atyre që i kanë humbur vendet e mira të punës dhe të atyre që janë përballur me zhvlerësimin e shkathtësive. Punëtorët që ndihen të kërcënuar dhe gjejnë zgjidhje proteksioniste joshëse që të presin përgjigje më konkrete.
Në librin e fundit, Martin Sandbu i Financial Timesit e skicon një agjendë për rikthimin e përkatësisë ekonomike, nëpërmjet mbajtjes së kufijve të hapur. Ideja e tij, me pak fjalë, është se secili shtet duhet të jetë i lirë që ta rregullojë tregun e brendshëm në përputhje me vetë preferencat e tij, nën kushtin që të mos i diskriminojë të huajt. Bashkimi Evropian, për shembull, mund ta ndalojë një pulë të larë në klor (të cilën nuk e bën), jo për shkak se pula është e prodhuar në Shtetet e Bashkuara, por për shkak se BE-ja nuk i beson produktit.
Po kështu, çdo shtet duhet të jetë në gjendje që t’i bllokojë trungjet që rezultojnë nga shpyllëzimi apo kreditë që ofrohen nga bankat me nënkapital, duke aplikuar rregulla të njëjta që zbatohen në kompanitë vendore dhe ato të huaja.
Transaksionet do të mbesin të lira, por standardet kombëtare do të zbatohen ndaras. Ky është një parim i shëndoshë. Por derisa aplikimi për produktet është i drejtpërdrejtë dhe në fakt është me vend, zbatimi i së njëjtës gjë në procese është jashtëzakonisht e vështirë. Një mall apo një shërbim i ofruar tekefundit i përfshin të gjitha standardet në fuqi, bashkë me zinxhirin rrethues të vlerës.
Ç’është e vërteta, kombet gjatë këtyre ditëve janë të detyruara që t’i gjurmojnë dhe ta përfundojnë çdo lloj varësie nga angazhimi në punë i fëmijëve te furnitorët e tyre direktë dhe indirektë. Por do të ishte sfiduese që të vazhdohej në të njëjtën mënyrë edhe në aspektet e kushteve të punës, të drejtave të unionit, dëmit lokal mjedisor apo qasjes në kreditë e subvencionuara.
Për më tepër, përpjekja për ta bërë një gjë të tillë do të ngjallte kundërshtim të ashpër midis vendeve në zhvillim, liderët e të cilave argumentojnë se nënshtrimi i tyre ndaj standardeve të avancuara të ekonomisë është mënyra më e sigurt për t’i bërë ato jokonkurrente. Përpjekjet e mëhershme për të përfshirë klauzola shoqërore në ujditë tregtare ndërkombëtare kanë dështuar në fillim të viteve 2000.
Një sprovë e madhe do të vijë në korrik, kur BE-ja do t’i shpalosë planet për një mekanizëm që do t’u kërkojë importuesve të produkteve të karbonit që të blejnë kredi korresponduese në tregun e BE-së për leje të emetimit. Për aq kohë sa dekarbonizimi nuk shkon kudo me të njëjtin ritëm, rasti ekonomik i një sistemi të rregullimit të kufirit është i patëmetë: BE-ja dëshiron t’i parandalojë prodhuesit që të shmangin kufijtë e saj të emetimit, duke lëvizur gjetkë.
Por kjo gjë do të jetë kundërthënëse. SHBA-ja tanimë ka shprehur shqetësimet e veta rreth idesë, Kina është e matur, ndërsa vendet në zhvillim po i mprehin argumentet kundër.
Negociatat e ardhshme mbi çështjen do të jenë skajshmërish të nevojshme. Në rrezik nuk është vetëm puna se sa dhe si do të mund të ecë BE-ja përpara në planet e saj për dekarbonizim. Çështja më fondamentale është nëse bota do të mund ta gjejë një mënyrë për ta kapërcyer përplasjen midis preferencave të përhapura kombëtare e rajonale dhe nevojës përherë më urgjente për veprim kolektiv. Klima është bërë sfera e sprovës në këtë aspekt.
Rezultati në fund të fundit do të tregojë nëse agjendat e dyfishta të rindërtimit të përkatësisë ekonomike dhe menaxhimit të të përbashkëtave globale mund të përputhen. Për ta mësuar përgjigjen do të duhet kohë. Globalizimi i moçëm po vdes, por e reja ende duhet që të lindë.
(Jean Pisani-Ferry, anëtar i lartë në qendrën e studimit të opinionit publik Bruegel me seli në Bruksel dhe anëtar i lartë jorezident në Institutin Peterson për Ekonomi Ndërkombëtare, është kryesues i Tommaso Padoa-Schioppa në Institutin Universitar Evropian. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin ndërkombëtar të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).