OpEd

Frytet dhe pasojat e Daytonit

Bosnjë-Hercegovina 30 vjet pas Daytonit jeton me frytet dhe pasojat e saj. Për 30 vjet jeton në paqe pas luftës së përgjakshme, por nuk funksionon si shtet normal. Ndërsa armiqësitë e dikurshme janë shndërruar në konflikte të pafundme politike. Daytoni ndali luftën, por edhe pranoi “realitetin në terren” që në këtë rast do të thotë rezultatet e gjenocidit dhe pastrimit etnik

Edhe pse data e përvjetorit të 30-të të arritjes së Marrëveshjes së Daytonit është akoma disa muaj larg, tashmë kanë nisur konferencat kushtuar kësaj ngjarjeje, analizat dhe vlerësimet se si ndodhi, çfarë i parapriu, çfarë pasoi dhe cilat ishin mësimet që u nxorën. Një takim i tillë ishte ai i Asamblesë Parlamentare të NATO-s ku morën pjesë shumë liderë të sotëm politikë, por edhe ish-zyrtarë dhe ushtarakë të asaj kohe.

Në një distancë historike prej 30 vjetësh, mund të pritet që të ketë pak a shumë pajtim për atë që ka ndodhur para tri dekadash. Kjo i bie për luftën në Bosnjë-Hercegovinë sikur viti 1975 pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Për habi në Bosnjë-Hercegovinë të gjithë thirren në Daytonin. Larg janë nga pajtimi, por secila palë apo secili komb konstitutiv nxjerr argumente nga Marrëveshja e Daytonit. Boshnjakët se Daytoni garantoi dhe çimentoi sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës si shtet i pandarë, serbët se Daytoni u ka garantuar entitetin Republika Srpska që ata e shohin pothuajse si shtet, ndërsa kroatët e përmendin këtë Marrëveshje si garanci për statusin e tyre të kombit konstitutiv, të barabartë me boshnjakët dhe serbët, ani pse sipas Marrëveshjes së Daytonit janë detyruar të jenë praktikisht pakicë në entitetin e përbashkët me boshnjakët që përfshin 51 për qind të territorit, ndërkohë që serbët të vetëm kanë pjesën tjetër, pothuajse gjysmën e territorit.
Bosnjë-Hercegovina 30 vjet pas Daytonit jeton me frytet dhe pasojat e saj. Për 30 vjet jeton në paqe pas luftës së përgjakshme, por nuk funksionon si shtet normal. Ndërsa armiqësitë e dikurshme janë shndërruar në konflikte të pafundme politike. Daytoni ndali luftën, por edhe pranoi “realitetin në terren” që në këtë rast do të thotë rezultatet e gjenocidit dhe pastrimit etnik.

Për nga aspekti praktik, Daytoni ndali luftën e cila në verën e atij viti po merrte përmasa të tmerrshme. Vetëm disa muaj më herët kishte ndodhur gjenocidi në Srebrenicë, një enklavë ku siguria garantohej me aktet e OKB-së, e cila e kishte shpallur “zonë të sigurt”. Por Ushtria e Serbëve të Bosnjës, që në fakt ishte e mbështetur nga ajo e Serbisë, jo vetëm se nuk hezitoi të vriste mbi 8000 boshnjakë në disa ditë, por dhe i lidhi nëpër shtylla dhe ura, duke i turpëruar ushtarët e misionit të UNPROFOR-it. NATO ishte e bllokuar të ndërhyjë sepse vlente çelësi i dyfishtë, sipas të cilit për ndërhyrje të NATO-s duhej edhe pajtimi i vendeve anëtare, por edhe i OKB-së, që ishte e pamundur.

Ndryshimi ndodhi pas fillimit të gushtit kur brenda disa ditësh Kroacia me operacionin Stuhija (Oluja) çliroi pjesën deri atëherë të okupuar të Krainës. Kjo dëshmoi se ushtria e fortë serbe nuk ishte e pamposhtur dhe u dha vullnet forcave boshnjake dhe kroate edhe në Bosnjë. Menjëherë u çlirua edhe zona e Bihaçit në Bosnjë-Hercegovinë me bashkëpunimin e forcave kroate dhe boshnjake. Po të mos ishte ndërhyrja amerikane që e parandaloi një gjë të tillë, kroatët, bashkë me boshnjakët, ishin afër të merrnin edhe Banjallukën. Më vonë u kuptua se si në Washington ishte përpiluar tashmë plani për t’i dhënë fund luftës sipas të cilit Bosnja do të mbetej si shtet, por do të ndahej në dy njësi në paritetin 51:49 për qind. Ka pasur shumë dëshmitarë që kanë konfirmuar se ishin amerikanët ata që nuk lejuan që forcat kroate të marshonin drejt Banjallukës.

Kështu Bosnjë-Hercegovina fitoi paqen, por agresori nuk e humbi luftën. Për dallim nga Kroacia dhe Kosova ku forcat serbe dolën si humbës të qartë, një gjë e tillë nuk mund të thuhet për Bosnjë-Hercegovinën nëse pas gjithë atyre krimeve entiteti i Republikës Serbe tash ka gati gjysmën e territorit dhe vazhdimisht kërcënon me shkëputje.

Daytoni dëshmoi edhe një herë se në politikë nuk ka gjithmonë drejtësi. Por dëshmoi edhe një herë se aktet që prezantohen si “të përkohshme” mund të bëhen të përhershme. Daytoni ishte bazë për ndaljen e luftës dhe funksionimin e vendit pas luftës. Por nuk ishte menduar të ishte kushtetutë për funksionimin e një shteti. Dëshmoi që atëherë se pa angazhimin amerikan, Evropa nuk është një gjendje t’i japë fund ndonjë lufte në pragun e saj dhe të zgjidhë një problem të madh në kontinent. Evropa, e me këtë mendojmë më së shumti në BE, po tregohet edhe e paaftë në promovimin e idesë së saj për Bosnjë-Hercegovinën me moton “Nga Daytoni kah Brukseli”. Reformat e Daytonit nuk kanë lëvizur dhe pa to Bosnjë-Hercegovina nuk mund të bëhet anëtare e BE-së. Kur flitet për këtë sistem të komplikuar politik dhe juridik, me të cilin sot funksionon Bosnjë-Hercegovina nuk duhet harruar se kjo ishte një krijesë ndërkombëtare, e jo diçka që e kishin zbuluar në atë vend. 

Bashkësia ndërkombëtare ka nxjerrë mësime nga shembulli i Bosnjë-Hercegovinës nga të cilat ka përfituar edhe Kosova. Ndërhyrja në Kosovë e NATO-s ishte në masë të madhe edhe për shkak të përvojës së hidhur në Bosnjë-Hercegovinë, ku Perëndimi ishte turpëruar dhe kishte lejuar që para syve të ushtarëve të NATO-s të ndodhte gjenocidi. Edhe statusi i Kosovës dhe Kushtetuta e saj, sado që të kenë krijuar disa paradokse, në aspektin paktit e bëjnë Kosovën të jetë shtet më i pavarur sesa Bosnjë-Hercegovina ndonëse nga aspekti i subjektivitetit ndërkombëtar, Bosnjë-Hercegovina është më shumë shtet sesa Kosova.  

Sa herë që flitet për ngjarjet siç ishte Daytoni, apo në rastin e Kosovës, Rambouilleti, duhet gjithmonë të merren parasysh rrethanat e asaj kohe e jo ato të sotme. Por fakti se 30 vjet pas Daytonit nuk ka pranim të përgjegjësisë për gjenocid, se boshnjakët pa probleme nuk mund as të mbajnë homazhe në Srebrenicë, e cili është në Republika Srpska, që është paradoks në vete, dëshmon se nuk është bërë sa duhet në tejkalimin e pasojave nga e kaluara. Dhe për këtë faj të madh ka edhe bashkësia ndërkombëtare, sidomos për tolerimin që u bën mohuesve të gjenocidit në Srebrenicë. Këtu edhe qëndron dallimi më i madh kur bëhen krahasimet për pajtimin e popujve të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore me shembullin e luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë. Sepse krimet e Gjermanisë fashiste nuk janë mohuar e as relativizuar, ndërsa pajtimi nuk është ndërtuar mbi harresën, por mbi dënimin e tyre.