BE-ja dhe bota e lirë i kanë vendosur sanksione të ashpra Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës. Thuhet se këto sanksione do të kenë efekt shkatërrues për ekonominë e Rusisë, por do të shkaktojnë “vuajtje” edhe për qytetarët e Evropës. Por, fjala “vuajtje” sot mund të përdoret vetëm për ukrainasit. Sepse nuk është vuajtje e njëjtë nëse një prodhues i çantave luksoze në Paris nuk do të mund t’u shesë mallin grave të oligarkëve rusë me atë të prindërve në Mariupol, të cilëve ua kanë vrarë fëmijët e mitur dhe ua kanë shkatërruar shtëpinë
Putini nuk është duke e fituar luftën në Ukrainë falë vullnetit dhe guximit heroik të popullit të këtij vendi për t’u mbrojtur. Ekspertët ushtarakë pohojnë se dita-ditës po bëhet e qartë se invazioni nuk po shkon sipas planit, ushtarët nuk u pritën me lule, e as ukrainasit nuk u dorëzuan menjëherë për shkak të frikës se po i sulmon një superfuqi. Dita-ditës po shihet se Rusia nuk është edhe aq e fortë sa është e rrezikshme. Si fuqi bërthamore, Rusia ka kapacitet për ta shkatërruar tërë botën. Dhe kjo tashmë ka krijuar një situatë në të cilën Moska po e terrorizon tërë botën. Nuk po e respektojnë, por po i frikësohen të gjithë, përfshirë edhe NATO-n.
Putini nuk ka llogaritur as në unitetin e botës në përgjigjen ndaj agresionit të tij. Sanksionet janë të mëdha dhe, me gjasë, edhe shkatërruese për ekonominë e Rusisë. Si pasojë, do të kenë ndikim edhe në dobësimin e kapaciteteve ushtarake të Rusisë. Por, kjo në këtë moment nuk do të ndihmojë për të shpëtuar ndonjë jetë të ndonjë qytetari të Ukrainës. Sepse sanksionet janë të targetuara përmes procedurave dhe efekti i tyre nuk është i menjëhershëm. E efekti i bombardimeve ruse në qytetet e Ukrainës është i menjëhershëm.
Putini është duke e bartur në një mënyrë luftën edhe në Evropë, pa marrë parasysh se në shtetet e Bashkimit Evropian nuk po hedh bomba. Si pasojë e veprimeve të Putinit mbi një milion refugjatë tashmë kanë ardhur nga Ukraina. Numri do të rritet shpejt. Mund të bëhen brenda një muaji disa milionë. Evropa në vitin 2015 u gjet në një kaos të llojit të vet për shkak të pak më shumë se një milion refugjatëve nga Siria. E tash kjo shifër u arrit vetëm për një javë. Putini, përmes represionit edhe ndaj popullit të tij në Rusi, mund të rrisë presionin ndaj BE-së edhe më shumë, sepse do të vijnë edhe shtetas rusë për të kërkuar azil. Dhe do të kenë një argument të fortë për t’u pranuar, sepse ikin nga një diktaturë ku më nuk ka asnjë liri politike dhe liri të shprehjes. Në anën tjetër, brenda Ukrainës njerëzit po mbahen në qytete nën rrethim, pa ujë dhe ngrohje. Ky është një krim kundër njerëzimit, por pak ka gjasa që kjo ta shqetësojë Putinin dhe të ndalë makinerinë e tij vrastare.
Në këto rrethana, regjimi i Putinit mund të besojë se akoma ka gjasa që të thyhet ky unitet i Perëndimit. Sepse presioni po ndihet edhe përmes rritjes së çmimit të energjisë, naftës dhe gazit. Një litër naftë në pompa benzine tashmë e ka kaluar 2 euroshin. Sulmet ndaj centraleve bërthamore në Ukrainë dhe kërcënimi me përmendjen e përdorimit të armëve bërthamore rrit ndjenjën e terrorit në Evropë dhe botë. Dhe të gjitha këto Putini dhe propaganda e tij i bëjnë me qëllim, në kohën kur e mbajnë të izoluar popullin e vet.
Por çfarë mund të bëjë bota. A duhet të pranojë terrorin e Putinit. A duhet të njihet si viktimë dhe t’i harrojë 45 milionë ukrainas?. Apo duhet të shkojë deri në fund, nëse jo duke ndërhyrë me avionët e vet në Ukrainë, atëherë duke ndihmuar ushtrinë e këtij vendi dhe duke mos lëshuar pe asnjë milimetër ndaj Putinit dhe regjimit të tij. Sepse fitorja e Putinit do të jetë humbje e krejt njerëzimit e jo vetëm e Ukrainës.
BE-ja dhe bota e lirë i kanë vendosur sanksione të ashpra Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës. Thuhet se këto sanksione do të kenë efekt shkatërrues për ekonominë e Rusisë, por do të shkaktojnë “vuajtje” edhe për qytetarët e Evropës. Por, fjala “vuajtje” sot mund të përdoret vetëm për ukrainasit. Sepse nuk është vuajtje e njëjtë nëse një prodhues i çantave luksoze në Paris nuk do të mund t’u shesë mallin grave të oligarkëve rusë me atë të prindërve në Mariopol, të cilëve ua kanë vrarë fëmijët e mitur dhe ua kanë shkatërruar shtëpinë.
Pamjet nga qytetet e Ukrainës ua thyejnë zemrat pikë së pari atyre, por edhe shumë njerëzve në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci. Të njëjtit skenarë po ndodhin në Ukrainë siç ndodhën gjatë agresionit të Serbisë së Milosheviqit ndaj fqinjëve.
Evropianët para luftës e paguan naftën 1.8 euro, tash e paguajnë 2. A duhet tash që për 20 centë ta harrojmë popullin e Ukrainës, të pranojmë lojën e Putinit, të kemi mirëkuptim për politikanët e korruptuar nga Perëndimi që i kanë shërbyer me votë këtij regjimi, sidomos në Gjermani, Francë, Austri, Itali e Britani të Madhe. A mund të kërkojmë logjikë në kërkesat e Putinit për mohimin e ekzistencës së Ukrainës si shtet, Ukrainës si popull dhe Kishës së tyre, apo ka ardhur koha që t’i durojmë edhe “vuajtjet” për ta mposhtur një qasje të tillë.
Fred Matiq, një deputet nga Kroacia i Parlamentit Evropian, luftëtar nga Vukovari që ka qenë edhe peng lufte i kidnapuar nga forcat serbe, tha këto ditë se “është më mirë ta kemi të ftohtë në një apartament, sesa të vdesim në një bodrum”.
Vuajtjet e Evropës dhe të Perëndimit nuk mund të quhen vuajtje nëse krahasohen me atë që po përjetojnë qytetarët e Ukrainës. Ka ardhur koha që evropianët të pranojnë se liria nuk është e garantuar vetvetiu, se paqja dhe lufta nuk janë diçka që mund të kufizohen vetëm në kufijtë e shteteve të vizatuara në harta dhe nuk mund të jetojnë më në komoditetin që e kanë pasur deri më tash.