Do të ishte mirë sikur Kosova të ishte në gjendje të mos varet fare nga bashkësia ndërkombëtare, por fakt është se akoma varet shumë nga ajo. Edhe më keq për Kosovën është kur duhet të varet nga “vullneti i mirë” i politikanëve të saj. Sepse ata kanë dëshmuar se nuk kanë fare vullnet të mirë. Sikur të kishin, nuk do ta sillnin vendin në një gjendje të tillë çfarë është sot
Diku në fillim të vitit 2000, gjatë një qëndrimi në Kosovë për të marrë pjesë në një konferencë, ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, shumë i dashur për kosovarët, e kishte thënë një fjalë e cila i kishte bërë nervozë politikanët e Kosovës. “Ju jeni popull shumë i mirë, por nuk i keni politikanët e mirë”, kishte thënë ai.
Ani pse e kishte thënë në një ngjarje të hapur dhe publike, ato fjalë shumë media të asaj kohe nuk i kishin botuar. Disa media mendonin nëse “është oportune, apo jo, të botohen”. E politikanët të cilët e kishin gjetur veten në atë fjali, merreshin me teori se “për çfarë qëllimi” dhe “në interes të kujt” ai po e thoshte këtë. Por për shkak të popullaritetit të Sheas në mesin e qytetarëve, nuk guxonin të shkonin aq larg sa që ta akuzonin se nuk ia do të mirën Kosovës.
Fillimi i vitit 2000 nuk ishte i lehtë për qytetarët e Kosovës. Ani pse po e gëzonin lirinë, euforia e çlirimit kishte kaluar. Skena politike ishte mjaft e përçarë, ndasitë ishin edhe rreth së kaluarës e edhe rreth së ardhmes. Bashkësia ndërkombëtare, që formalisht e administronte me vendin, nuk po dëshmohej si e suksesshme, ndërsa në shumë pjesë të Kosovës kishte anarki. Politikanët e Kosovës merreshin me vetveten dhe me kundërshtarët politikë. Ani pse nuk e kishin asnjë pushtet formal, ata mendonin për të zënë pozita që do t’u ndihmonin për të siguruar pushtet një ditë kur ai të bartej nga “ndërkombëtarët” në “vendorët”. Më së paku u interesonin qytetarët dhe fati i tyre.
Sot, 25 vjet më vonë, ndoshta do të mund të vlente përsëri thënia për kosovarët si “popull i mirë me politikan jo të mirë”. Kosova është në gjendje shumë më të mirë sesa para 25 vjetësh. Nuk ka nevojë për krahasime me të kaluarën. Por Kosova nuk është aspak në gjendje të mirë. Ja sa për krahasim, vazhdon të jetë shteti më i varfër në kontinentin e Evropës. Vazhdon të jetë shteti më i izoluar në Evropë, sepse nuk është anëtare e organizatave kryesore ndërkombëtare, nuk po shqyrtohet kërkesa e saj për anëtarësim në BE, është nën sanksione të Bashkimit Evropian dhe nuk po i zhbllokohen fondet, e ato fonde që BE-ja është e gatshme t’ia japë, Kosova nuk është në gjendje t’i marrë, sepse nuk ka Kuvend ta ratifikojë marrëveshjen. Dhe, mbi të gjitha, Kosova vazhdon të përballet me fenomenin e largimit të të rinjve, të cilët në numër të konsiderueshëm akoma nuk po shohin se mund të kenë perspektivë në vendin e tyre. Megjithëse akoma është më i madhi në Evropë, nataliteti në Kosovë ka rënë dukshëm dhe me emigrimin e qytetarëve ajo e shënon zvogëlim të numrit të banorëve. Për disa prej këtyre problemeve nuk e ka fajin vetëm Kosova. Por pa një angazhim të unifikuar të Kosovës asnjë nga këto gjëra nuk do të ndryshojnë për të mirë.
Por krejt këto nuk janë problem për politikanët e Kosovës, sepse ata e kanë prioritet zënien e pozicioneve për vete, sigurimin e pushtetit dhe taktizimet politike. Pos që i kanë zhgënjyer ata që dimë t’i quajmë “miq ndërkombëtarë”, e kanë zhgënjyer edhe popullin. Ndërsa miqtë ndërkombëtarë, disa prej të cilëve shkuan edhe në mbledhje të Kuvendit për të tentuar që me praninë e tyre t’i nxisin politikanët e Kosovës për pak seriozitet, mbetën pa fjalë, pos që thanë se “politikanët po e zhgënjejnë popullin e tyre”.
Do të ishte mirë sikur Kosova të ishte në gjendje të mos varet fare nga bashkësia ndërkombëtare, por fakt është se akoma varet shumë nga ajo. Edhe më keq për Kosovën është kur duhet të varet nga “vullneti i mirë” i politikanëve të saj. Sepse ata kanë dëshmuar se nuk kanë fare vullnet të mirë. Sikur të kishin, nuk do ta sillnin vendin në një gjendje të tillë çfarë është sot.
Sikur Vetëvendosje të kishte vullnet të mirë, do të hiqte dorë nga insistimi për ta bërë Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit, ani pse beson se ajo ka të drejtë në qëndrimin e saj. Kompromis është kur heq dorë nga qëndrimi për të cilin beson se është i drejtë. Ke të drejtë, por nuk i ke votat. Prandaj, kërko kompromis duke e ndryshuar edhe qëndrimin tënd. Opozita, ndërkaq sikur të kishte vullnet të mirë për të konstituuar Kuvendin, do ta votonte për kryetare Albulena Haxhiun. Nuk do të ishte as e para e as e fundit që do të votohej nga deputetët e opozitës, e të cilën nuk e kanë për qejfi. Fundi i fundit, për opozitën gati asnjë kandidat nga Vetëvendosje nuk do të ishte i mirë. Kur partia fituese, së cilës edhe për nga përqindja e votave të fituara i mbetet përgjegjësia më e madhe për këtë krizë institucionale në të cilën është gjetur Kosova, nuk dëshiron të lëshojë pe, dhe kur edhe opozita e mban qëndrimin e saj kokëfortë, pëson Kosova. Dhe pasojat tashmë janë duke i vërejtur e do të vërehen në të ardhmen edhe më shumë. Ka shumë raste kur pas zgjedhjeve në një shtet kalojnë muaj, e edhe vite, derisa nuk formohet qeveria e re. Por Kosova po bëhet fenomen për dështimin e konstituimit edhe të Kuvendit. Jo që Kuvendi ka qenë ndonjëherë në krye të detyrës në nivelin e duhur, madje edhe nga Komisioni Evropian është konsideruar si institucioni më i dështuar në Kosovë. Por pa kuvend nuk mund të ketë asgjë tjetër. I mirë apo i keq, pa të shteti nuk mund të funksionojë. Së paku, jo një shtet që nominalisht është demokraci parlamentare. Në rastin e Kosovës fjalën e urtë shqipe “qysh është vendi = bëhet kuvendi” duhet kthyer në “qysh është Kuvendi, bëhet vendi”. Por kjo nuk flet mirë për gjendjen në të cilën sot është Kosova, e në të cilën e kanë sjellë “të zgjedhurit e popullit”.