Historia e vendeve të tjera dëshmon se shoqëritë që i pranojnë retorikat e frikës dhe të përçarjes përballen domosdo me ngecje, izolim dhe kriza të vazhdueshme. Prandaj, sfida jonë nuk është vetëm që ta identifikojmë populizmin, por të mos e ushqejmë atë – as me heshtje e as me reagime emocionale që e riprodhojnë të njëjtën logjikë konfliktuale. Vetëm një kulturë politike që e privilegjon arsyen ndaj instinktit, dialogun ndaj përçarjes dhe interesin e përbashkët ndaj kalkulimeve të momentit, mund ta mbrojë Kosovën nga spiralet regresive që i kanë shkatërruar të tjerët para nesh
Shekulli 21 është epokë e populizmit të skajshëm që e eksploaton polarizimin shoqëror për qëllime të arritjes dhe të mbajtjes së pushtetit. Politikanët populistë shfaqen si liderë të fuqishëm që mbajnë vija të ashpra nacionaliste për të “zgjidhur” probleme shoqërore, të cilat i shpikin për ta fajësuar armikun imagjinar të brendshëm apo të jashtëm si shkaktarë të pakënaqësive sociale. Duke e bërë këtë, ata përdorin gjuhën polarizuese si mjet për të ardhur në pushtet dhe për ta mbajtur pushtetin.
Në Evropën Perëndimore dhe në SHBA, politikanët populistë kryesisht i fajësojnë emigrantët dhe grupet minoritare për problemet sociale, siç janë papunësia, shkalla e kriminalitetit apo edhe tendencat centrifugale në shoqëritë e tyre. Politikanët populistë në vende të tjera sajojnë armiq të brendshëm e të jashtëm dhe nuk hezitojnë të fillojnë luftëra, kur ato u kanë shërbyer synimeve të tyre politike. Mirëpo, populizmi nuk është fenomen i panjohur për Evropën. Problemi është se kujtesa historike e evropianëve është e shkurtër dhe ka harresa për dëmet që ia ka shkaktuar asaj populizmi. Kështu, për shembull, Adolf Hitleri ishte një politikan populist, i cili, duke i eksploatuar problemet ekonomike dhe ndjenjën e poshtërimit të popullit gjerman nga Paqja e Versajës e vitit 1918, erdhi në pushtet me premtimin se do ta rivendosë krenarinë dhe madhështinë gjermane. Se çka pasoi ishte një luftë shkatërrimtare, e cila e dyfishoi dëmin që e përjetoi populli gjerman në Luftën e Parë Botërore. U shkaktuan rreth 30 milionë viktima, kurse kontinenti evropian hyri në epokën e perdes së hekurt, ku gjysma kontrollohej nga ideologjia komuniste me qendër në Moskë.
Në ish-Jugosllavi, në vitin 1986, erdhi në pushtet Sllobodan Millosheviqi si mbrojtës i popullsisë serbe në Kosovë nga e ashtuquajtura dhunë e imagjinuar e shqiptarëve kundër tyre. Thënia e tij: “Askush nuk guxon t’ju rrahë”, e thënë në Fushë-Kosovë, e solli atë në pushtet me shpejtësi marramendëse dhe kështu, nga një aparatçik partiak, ai u katapultua në pozicionet e lidershipit. Ai ua premtoi serbëve unifikimin e Serbisë, përkatësisht tkurrjen e autonomisë së Kosovës dhe të Vojvodinës si hap i parë dhe e orkestroi vendosjen e një klike proserbe në pushtet në Mal të Zi. Ai e organizoi të ashtuquajturin “Jugurt revolucion” për ta shembur udhëheqjen jonacionaliste të Vojvodinës dhe të Malit të Zi, kurse në Kosovë i përdori tanket dhe dhunën e pashembullt policore e ushtarake për t’i shuar protestat e shqiptarëve kundër heqjes së autonomisë së Kosovës. Më 1989 ai u përpoq ta fusë nën kontroll mbarë ish-Jugosllavinë nëpërmjet Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, duke e prezantuar të ashtuquajturin “centralizëm demokratik” që shpiu në shthurjen e kësaj partie, në lindjen e pluralizmit politik më 1990 dhe në shpalljen e pavarësisë të ish-republikave jugosllave.
Pas shpalljes së pavarësisë së Sllovenisë, të Kroacisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës, Millosheviqi përsëri e mori rolin e shpëtimtarit të popullit serb dhe i nisi luftërat e përgjakshme në Kroaci e në Bosnjë me justifikimin se serbët po e mbrojnë veten nga gjenocidi, që frikësoheshin se do t’u ndodhë.
Me sloganin se kudo ku ka varre serbe është Serbi, Millosheviqi me eksponentët e tjerë populistë të nacionalizmit serb e projektuan Serbinë e Madhe, si të vetmen mënyrë për ta mbrojtur popullin serb nga ustashët dhe nga myslimanët.
Lufta e viteve 1998-99 ishte e ndryshme. Aty pozicionet e Millosheviqit ishin të qarta. Ai synonte që ta zgjidhte çështjen e Kosovës njëherë e përgjithmonë, përmes asgjësimit të shqiptarëve. Ishte kjo një politikë e hapur për të cilën kishte folur Vojisllav Sheshel, një tjetër politikan populist dhe mentor politik i presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Serbia, sikurse Gjermania në dy luftërat botërore të shekullit XX, nuk shpëtoi pa pasoja. Serbët e Kroacisë jo vetëm që nuk arritën të fitonin gjë, por edhe e humbën atë që e kishin.
Pikësëpari populizmi serb e shkatërroi shtetin e përbashkët të Jugosllavisë, në të cilin jetonin edhe serbët. Pas ndërhyrjes së NATO-s kundër aseteve ushtarake të Serbisë, Kosova u vendos nën protektorat ndërkombëtar, kurse bota demokratike e pranoi pavarësinë e saj të shpallur më 2008. Pavarësisht se Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, realiteti është se ajo, si pasojë e politikës populiste, ka humbur politikisht dhe territorialisht.
Humbja tjetër për të, por edhe për të gjithë rajonin, është mbetja jashtë rrjedhave të integrimit evropian. Përderisa të gjitha shtetet që kanë qenë prapa perdes së hekurt janë bërë anëtare të Bashkimit Evropian, vendet e ish-Jugosllavisë (duke i përjashtuar Slloveninë dhe Kroacinë), edhe pse më të avancuara politikisht dhe ekonomikisht gjatë viteve të shtatëdhjeta e tetëdhjeta, kanë mbetur jashtë rrjedhave të integrimit evropian, për faj të nacionalizmit populist të Millosheviqit. Edhe pse tashmë i vdekur, edhe pas 25 vjetëve hija e tij vazhdon të sundojë me një ngjasim të frikshëm të retorikës nacionaliste të eksponentëve të pushtetit, por edhe të opozitës në Serbi.
Kosova mund t’i nxjerrë tri mësime kryesore nga përvojat e vendeve të tjera të sunduara nga politikanë populistë që e kanë përdorur polarizimin etnik e social për t’i konsoliduar pushtetet.
Mësimi i parë është se secila prej këtyre shteteve, sado e fuqishme të ketë qenë, ka paguar çmim të lartë për shkak të populizmit të liderëve të vet. Mësimi i dytë është se polarizimi i shoqërisë dhe prodhimi i kundërthënieve politike e shoqërore sjell konflikte që e kthejnë shoqërinë prapa, duke mos e lënë atë të përparojë.
Mësimi i tretë është se akterët politikë/partitë politike që i refuzojnë populizmin dhe polarizimin mund ta parandalojnë atë, duke u bashkuar për hir të interesit të përgjithshëm e jo ta ushqejnë populizmin duke rënë në grackën e retorikave polarizuese, siç po ndodh në Kosovë. Shembullin për mësimin e tretë na e japin Gjermania dhe Franca, ku partitë politike të qendrës, me gjithë rritjen e partive populiste të ekstremit të djathtë, arritën që përmes bashkëveprimit ta parandalonin ardhjen e tyre në pushtet.
Si përfundim, epoka e populizmit dhe e polarizimit, ndaj së cilës Kosova nuk është aspak imune, është në vlugun e rritjes. Si shtet i vogël me fuqi të kufizuar ekonomike e ushtarake, Kosova humb shumë po qe se populizmi nacionalist shkurtpamës shndërrohet në modus operandi të liderëve politikë. Në këtë kontekst, mbetet thelbësore që Kosova të mos e nënvlerësojë rrezikun që e sjell ky kombinim i populizmit me polarizimin, sidomos në një realitet politik të brishtë dhe me institucione ende në konsolidim.
Historia e vendeve të tjera dëshmon se shoqëritë që i pranojnë retorikat e frikës dhe të përçarjes përballen domosdo me ngecje, izolim dhe kriza të vazhdueshme. Prandaj sfida jonë nuk është vetëm që ta identifikojmë populizmin, por të mos e ushqejmë atë – as me heshtje e as me reagime emocionale që e riprodhojnë të njëjtën logjikë konfliktuale. Vetëm një kulturë politike që e privilegjon arsyen ndaj instinktit, dialogun ndaj përçarjes dhe interesin e përbashkët ndaj kalkulimeve të momentit, mund ta mbrojë Kosovën nga spiralet regresive që i kanë shkatërruar të tjerët para nesh.