OpEd

Ende në pritje për të parë...

...e me gjasë diçka do të shohim. Nëse jo ndonjë veprim nga Specialja, atëherë gjithsesi do t'i shohim rezultatet e zgjedhjeve në Amerikë, që për ne kanë rëndësi tepër të madhe

Kaloi java nga vjedhja e dy e kusur milionëve nga thesari. Ndodhi që pronari i firmës të cilit i ishin derdhur paratë u vetëdorëzua. Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës mbajti një konferencë për shtyp ku u tha se alarmin për vjedhjen e kishin bërë nëpunësit civilë të Ministrisë së Infrastrukturës, duke e demantuar Hykmete Bajramin. Kjo e fundit u paraqit para deputetëve për të treguar se ishin bllokuar 500 mijë nga shuma e vjedhur.

Për dallim nga kolegu i saj partiak, Agim Veliu, që e injoroi komisionin përkatës, Bajrami bile po tregohet më trime se ministrat e tjerë. Pavarësisht se nuk jep dorëheqje për shkak të vjedhjes, ajo së paku po del e po jep arsyetime dhe po u përgjigjet pyetjeve të deputetëve. E megjithatë, kjo nuk mjafton. Ashtu siç nuk mjafton të mos e kemi marrë asnjë informatë shtesë për arkën e zhdukur nga AVUK-u javën e shkuar.

Dhe e gjithë kjo po ndodh në kohën kur tashmë me të madhe kemi hyrë në valën e dytë të infeksioneve me COVID: dje u regjistruan 418 raste infektimi dhe 4 vdekje - në një trend që duket nuk do të ndalet, sepse jemi duke u tallur me virusin. E edhe me vetveten.

Pritja 1

Pra, në mes të COVID-it: u rrëzua një qeveri; u zgjodh një tjetër e cila mund të bjerë për shkak të vendimit në pritje të Kushtetueses; u bë publike që kryetari i shtetit dhe ish-kryeparlamentari ballafaqohen me aktakuza për krime lufte; nisi gjykimi i parë në Hagë; u nënshkrua "marrëveshja historike" në Washington; u shpërbë Task Forca për luftimin e korrupsionit; u vazhdua me bisedimet përjetësisht jotransparente në Bruksel, e ne mbetëm, me gjasë, edhe pa vaksinat kundër gripit sezonal, për të dytin vit me radhë.

Në këtë kohë, askush nuk do të mund të thoshte se "e kemi pasur një jetë të mërzitshme" këta muaj. Porse askush nuk do të mund të thotë se e kemi pasur edhe një jetë të lehtë dhe fort të këndshme, pos hajnave dhe të korruptuarve, kuptohet, për shkak se ata ia shohin hairin secilës stinë e secilës situatë.

Një tension të panatyrshëm dhe të panevojshëm e shkakton edhe Gjykata Speciale në Hagë. Pas kalimit të afatit ligjor për konfirmimin ose jo të aktakuzave ndaj Thaçit e Veselit, prej andej vjen heshtja, e cila thyhet vetëm me ndonjë komunikatë të kotë në stilin "jemi duke iu përmbajtur procedurave".

Javën e shkuar pati reagime në publik, kryesisht nga avokatët, që thoshin se heshtja e Speciales në fakt paraqet shkelje të të drejtave të njeriut të personave të apostrofuar para gjashtë muajsh se kishin aktakuzë. Se minimumi që kërkohej është që në rastin e Thaçit të dilej publikisht të flitej për konfirmimin ose jo të aktakuzës, e që të mos pritej dita kur të nisnin procedurat para gjykatës që të vërtetohej se aktakuza qëndron.

Dhe, në fakt, ky veprim i gjykatës e mban peng jo vetëm Thaçin por të gjithë shtetin e Kosovës. Për më keq e vërteton atë që e kemi përsëritur prej kohësh: që Thaçi, për shkak se ka qenë nën hetime me vite të tëra ka qenë i shantazhueshëm. Se për shkak se ka qenë i tillë e ka kërkuar shpëtimin e tij me marrëveshje të rrezikshme dhe premtime kokë më vete që i ka hedhur mbi tavolinë në biseda me Daçiqin dhe Vuçiqin. Tash, ka kohë që nuk dëgjohet, nuk e dimë as çfarë bën e as me çfarë merret, përderisa ende e mban postin e të parit të shtetit. Nëse Specialja nuk ka respekt për të, si ndonjërin nga rastet e saj potenciale, do të duhej të kishte respekt për Kosovën, e cila e ka përfshirë këtë Speciale në Kushtetutën e vet. Është tepër e komplikuar të jetosh në një shtet të cilin e udhëheq dikush që është akuzuar për krime lufte - për shkak se i gjithë populli, deshëm apo s'deshëm, identifikohet me kryetarin e vet kur shikohet prej së jashtmi. E për ta çliruar këtë popull nga kjo hipotekë e rëndë, Specialja duhet dalë e treguar se çfarë ka vendosur.

Nga ky vendim do të varet se si do të zgjidhet gara për t'ia zënë vendin Thaçit dhe në çfarë kohe: tash menjëherë apo në shkurt.

Pritja 2

Ndërkohë, SHBA-ja po hyn në fazën finale të fushatës për zgjedhjen e kryetarit të vet, pra njeriut që do të jetë në krye të shtetit më të fuqishëm në botë.

Se interesimi kësaj radhe edhe në Amerikë ka qenë i madh për zgjedhje tregon fakti se rreth 80 milionë amerikanë tashmë kanë votuar, apo rreth 30% e të gjithë votuesve. Sipas parashikimeve, pritet që numri i votuesve të përgjithshëm të jetë mbi 60%. Edhe pse vota popullore nuk e vendos fituesin e garës, ajo në fakt e vendos se nga do të shkojnë votat elektorale që përfundimisht e përcaktojnë fituesin.

Për Kosovën është dhe do të jetë shumë me rëndësi se kush do t'i fitojë zgjedhjet. Sepse cilido kandidat që t'i fitojë zgjedhjet do të ketë shumëçka për të thënë e për të vendosur për Kosovën. Ani pse ne nuk votojmë, e fundja as që na pyet kush se çfarë mendojmë se kush duhet fituar. Megjithatë, jam e sigurt se secili prej nesh tashmë në vete e ka zgjedhur kandidatin të cilin beson se do të jetë më i përshtatshmi për ne.

Përvoja me Trumpin në krye të Shtëpisë së Bardhë karshi çështjes së Kosovës nuk mund të them se ka qenë më e mira që kemi shpresuar të ishte. Futja në agjendë e Kosovës në fund të mandatit, me një "marrëveshje" që ishte listë zotimesh të llojeve të ndryshme që mbase edhe nuk e kishin ndonjë logjikë dhe më pas deklaratat e përsëritura të Trumpit se ai e kishte ndalur gjakderdhjen mes Kosovës dhe Serbisë, nuk ishte se kishin ndonjë sens për ne. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të kenë rëndësi për votuesit e tij.

Bideni nga ana tjetër, është njeri i cili gëzon shumë respekt në Kosovë, për shkak të aktivitetit të tij si senator më parë sesa si nënkryetar i Amerikës. Ngase gjatë mandatit të Obamës, çështja e Kosovës thuajse u arkivua në raftet e Shtëpisë së Bardhë duke i hapur rrugë një procesi negociator dhjetëvjeçar në Bruksel pa ndonjë orientim të qartë se nga është nisur e ku do të përfundojë.

Cilido që do të fitojë do të merret, në një formë a tjetrën, me çështjen e gjendjes së pazgjidhur të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Për Kosovën është me rëndësi që nyja të zgjidhet, porse jo më me kompromise që mund të çojnë në bosnjëzimin e Kosovës - e kjo çfarë është duke ndodhur tash, është pikërisht rruga e nisur në atë drejtim.

Zgjedhjet do të mbahen më datën 3, porse nuk është e sigurt se kur do të dihen njëmend rezultatet përfundimtare. Natyrisht se në rastin e Amerikës nuk do të duhej të ndodhte ajo që na ndodh neve përherë në zgjedhjet tona - që të mos kemi rezultate përfundimtare as pas tre muajsh. Por, ku ta dimë, mbase virusi kosovar i zgjedhjeve do të ketë arritur, pavëmendshëm edhe në Amerikë.

Pritja 3

Ndërkohë, do të nisë edhe një rund jotransparent bisedimesh me ndërmjetësimin e Brukselit. Asnjëherë nuk na u bë e qartë se çfarë është duke bërë Skënder Hyseni atje dhe me çka është duke u marrë.

Këndej, shefi i ri i BE-së në Kosovë doli për të na treguar se negociatat nuk kanë nevojë të jenë transparente. Na tregoi gjithashtu se tekstet e marrëveshjeve janë përherë të tilla ku gjithmonë ka ndonjë nen këndej, e ndonjë andej që nuk u pëlqejnë palëve. Gjithashtu na tregoi se, me gjithë kritikën që iu bë shuarjes së Task Forcës nga të gjithë të huajt, se ishte i kënaqur me shpjegimet që ia kishte dhënë Avdullah Hoti për këtë punë, e që ne si qytetarë të Kosovës të mos e kemi marrë vesh ende. Të vetmen gjë që vazhdon ta përsërisë është se ai trup ka qenë kundërkushtetues, ani pse këtë kualifikim nuk e ka kërkuar askush nga Kushtetuesja për 10 vjet.

Eh pra, delegacionet do të vijnë e shkojnë e ne nuk do të kemi as parime negociuese, ndërkohë që do t'i lëvizim vijat e kuqe sa herë që dikujt do t'i bjerë në mend se mundet për ta akomoduar edhe ndonjë kërkesë absurde në emër të proamerikanizmit.

* * *

Pritja e fundit lidhet për një aktgjykim të Kushtetueses për të cilën nuk është folur thuajse hiç. Kur është zgjedhur Qeveria aktuale, në të ka votuar një deputet, i cili tashmë e kishte pasur aktgjykimin e formës së prerë për një vepër penale që e kishte kryer. Dilema është nëse një deputet i tillë ka pasur mandat në atë çast dhe nëse është dashur të merrej parasysh vota e tij, që në fund mbase doli të ishte përcaktuese për formimin e qeverisë së re.

Po qe se anulohet votimi, shtrohet pyetja, juridikisht, a duhen anuluar edhe të gjitha vendimet e marra nga kjo Qeveri? Nga ana tjetër, a do të mund të ndodhte që vota të vlerësohej si joekzistuese, e që pastaj çështja të kthehej në pikën zero, a do të thotë kjo se Qeveria në detyrë e asaj kohe do të duhej të kthehej në detyrë sërish? Përgjigjet në këto, e mbase edhe plot pyetje të tjera, pritet t'i japë Kushtetuesja, e besoj shumë shpejt. Të shohim se sa kreative do të dalë të jetë kësaj here.

Ndërkohë, kjo Qeveri e përgatit buxhetin për vitin tjetër dhe na tregon se do të kemi buxhet prej nja 2.4 miliardë eurosh dhe se në të është përfshirë edhe projekti i autostradës së Dukagjinit - po asaj për të cilën Hoti kishte thënë se nuk kishte nevojë të ndërtohet. Na mbesim të presim nëse do të ketë numra që ky buxhet të kalojë.

Ende në pritje për të parë diçka.

[email protected]