Një muaj para mbylljes së tij, Tribunali i Hagës, i cili do t’ia përcjellë detyrat e mbetura Mekanizmit për Tribunalet Penale Ndërkombëtare, duket si një institucion që nuk ka kurrfarë ndikimi më. Në Serbi të dënuarit e këtij tribunali njihen si heronj, emërohen ligjërues në Akademi ushtarake, ndërsa as Bashkimi Evropian më nuk është i interesuar për ankesat e këtij tribunali. Duket se as në përballjen e popujve të ish-Jugosllavisë me të kaluarën ky tribunal nuk ka ndihmuar shumë. Në Serbi, për shembull, edhe Qeveria, edhe shumica e qytetarëve mendojnë se ata ishin viktimat më të mëdha dhe mohojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi
Javën që vjen, më saktësisht më 22 nëntor, do të shpallet verdikti për rastin Ratko Mladiq i trupit gjykues të Tribunalit të Hagës për Krimet e Luftës në territorin e ish-Jugosllavisë, i njohur në opinion si Tribunali i Hagës, ndërsa saktësisht me shkurtesën ICTY. Gjenerali serb, Mladiq, është pa dyshim i akuzuari kryesor për të cilin ky tribunal do të shpallë verdikt dhe përgjegjësinë e të cilit e ka proceduar. Ai ka qenë komandanti më famëkeq që ka udhëhequr trupat serbe në Kroaci gjatë krimeve, ndërsa kulmin e ka arritur duke komanduar me gjenocidin në Srebrenicë, rastin e vetëm të dëshmuar juridikisht të gjenocidit në territorin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.
Prandaj edhe gjykimi i tij do të ketë një jehonë të madhe në tërë botën. Për shkak të peshës që ka roli i tij, Tribunali i Hagës dhe shtetet kryesore që mbështeten punën e këtij tribunali thoshin se pa e dënuar Mladiqin nuk mund të mbyllet ky tribunal. ICTY ishte krijuar që në vitin e largët 1993 si një trup i përkohshëm ndërkombëtar, me mendimin se krijimi i tij do t’i frikësojë kriminelët e luftës dhe do t’i parandalojë krimet. Ideja ka qenë që ky tribunal të përmbyllë punën në vitin 2008, por për shkak se gjenerali Mladiq dhe ish-udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, nuk ishin dorëzuar me vite, duke u fshehur në Serbi apo edhe duke u mbrojtur nga strukturat shtetërore në atë shtet, edhe qëllimi i përmbushjes së “strategjisë së kompletimit” nuk u arrit deri këtë vit. Dhe me verdiktin që pritet ndaj Mladiqit praktikisht do të përmbyllet edhe puna e këtij tribunali. Por pasi do të ketë mundësi edhe për ankesa, pasi ka edhe disa raste më të vogla që duhet t’i përmbyllë ky institucion, puna e pakryer do të bartet tek Mekanizmat e Tribunaleve Ndërkombëtare.
Në kohën kur përmbyllet puna 25-vjeçare e këtij tribunali bëhen edhe analiza se çfarë ka arritur ai. Pa dyshim se ka lënë një arkiv të madh, i cili do të mundë të ndihmojë që të mësohet e vërteta për luftërat dhe krimet në territorin e ish-Jugosllavisë. Pa dyshim se në disa raste ka ndihmuar që shtetet e ish-Jugosllavisë të bëjnë veprime kundër dëshirës së tyre dhe të pastrojnë disi strukturat policore dhe ushtarake. Por ajo që vështirë mund të pohohet është se ky tribunal u ka dhënë drejtësi viktimave dhe ka ndihmuar që popujt të përballen më lehtë me të kaluarën e tyre. Me gjithë punën e këtij tribunali, mendimet e popujve të ish-Jugosllavisë për luftën, viktimat dhe agresorët, fajtorët dhe heronjtë, kanë mbetur pak a shumë të njëjta sikur të mos kishte ekzistuar fare ky tribunal.
Dëgjojmë tash në Serbi se, pasi ka dënuar më së shumti serbë, ky tribunal ka qenë antiserb dhe nuk ka qenë i paanshëm. Një konstatim i tillë që dëgjohet nga Serbia, ku në pushtet janë pikërisht ata që ishin bashkëpunëtorët më të ngushte të ish-diktatorit Milosheviq, dhe që edhe vetë ishin shquar në relativizimin dhe nxitjen e krimeve, dëshmon më së miri se sa i kufizuar ka qenë ndikimi i këtij tribunali.
Në Serbi, për shembull, nuk duan të kuptojnë faktin se ishte pikërisht Serbia ajo që mori pjesë në të tri luftërat e mëdha në territorin e ish-Jugosllavisë: në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë, dhe në të tria rastet në cilësinë e agresorit.
Nuk duhet insistuar se të tjerët nuk kanë bërë krime, sepse një gjë të tillë është pothuajse e pamundur ta dëshmosh. Dhe nuk është e pavërtetë të thuhet se ka pasur krime edhe ndaj serbëve, edhe në Kroaci, edhe në Bosnjë-Hercegovinë e edhe në Kosovë. Por ajo që nuk duhet lejuar është barazimi i përgjegjësisë, sepse krimet nuk mund të barazohen as për nga niveli, as për nga përmasat e metodologjia e tyre.
Serbia është ajo e cila ka bërë agresion ndaj të tjerëve, krimet e regjimit të Slobodan Milosheviqit kanë qenë sistematikisht të planifikuara dhe të ekzekutuara, kanë pasur qëllime politike të okupimit të territoreve dhe ndryshimit të strukturës etnike përmes krimeve dhe pastrimit etnik. Krimet ndaj serbëve, pesha e të cilave nuk mund të mohohet, sepse për secilën viktimë krimi ndaj tij është krimi më i madh, kanë qenë reaksion, hakmarrje apo në shumicën e rasteve vepra të individëve apo grupeve të caktuara e jo politika shtetërore.
Pasi gjykimi i krimeve më nuk bëhet në stilin e një “gjykate të fituesve”, siç është bërë pas Luftës së Dytë Botërore në Nyrnberg dhe Tokio kundër ushtarakëve gjermanë dhe japonezë, kësaj radhe as të dyshuarit për krime, të cilët kanë luftuar për të mbrojtur tokat e tyre, nga Kroacia e Bosnja e deri në Kosovë, nuk kanë mundur t’u ikin drejtësisë. Dhe as thirrja e tyre se kanë bërë luftë mbrojtëse nuk ka mundur të jetë arsyetim. Prandaj edhe Tribunali i Hagës, edhe gjykatat nacionale, apo edhe ato nën administrimin ndërkombëtar në Kosovë kanë ngritur akuza kundër atyre që dyshohet se kanë bërë krime ndaj serbëve.
Por Serbia është shteti i vetëm, i cili e ka pasur tërë udhëheqjen shtetërore, politike, ushtarake, policore dhe paraushtarake që është akuzuar për krime lufte dhe që edhe është dënuar nga Tribunali i Hagës. Po të kishte mbetur gjallë edhe Slobodan Milosheviqi do të ishte dënuar për krimet në Kosovë. Prandaj se ishte shteti i Serbisë ai i cili ka bërë krime në Kosovë është një fakt i vërtetuar nga vetë Tribunali i Hagës. Ky tribunal kishte ngritur akuza edhe ndaj disa prej ish- udhëheqësve të luftës kundër Serbisë, si gjeneralëve Ante Gotovina dhe Mladen Markaq nga Kroacia, apo Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj nga Kosova, po këto raste prokuroria i humbi dhe ata u shpallën të pafajshëm. Prandaj edhe ai Tribunal i Hagës, i cili ka bërë disa lëshime në punën e tij të deritashme, në një mënyrë ka vërtetuar se, ndonëse edhe të tjerët kanë bërë krime ndaj serbëve, është Serbia dhe krijesat e saja në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë ato që kanë bërë krimet më të mëdha.
Dhe ajo Serbi, në të cilën aktualisht në pushtet janë persona që kanë qenë aktivë edhe në regjimin e kohës së luftës, duhet të dëshmohet më shumë se të tjerët se dëshiron të përballet me pjesët e errëta të së kaluarës së saj.
Një muaj para mbylljes së tij, Tribunali i Hagës, i cili do t’ia përcjellë detyrat e mbetura Mekanizmit për Tribunalet Penale Ndërkombëtare, duket si një institucion që nuk ka kurrfarë ndikimi më. Në Serbi të dënuarit e këtij tribunali njihen si heronj, emërohen ligjërues në Akademi ushtarake, ndërsa as Bashkimi Evropian më nuk është i interesuar për ankesat e këtij tribunali. Duket se as në përballjen e popujve të ish-Jugosllavisë me të kaluarën ky tribunal nuk ka ndihmuar shumë. Në Serbi, për shembull, edhe Qeveria, edhe shumica e qytetarëve mendojnë se ata ishin viktimat më të mëdha dhe mohojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi.
Gjithsesi nuk mund të thuhet se puna e Tribunalit nuk ka pasur fare ndikim, sepse, megjithatë, nuk i la rehat shumë kriminelë lufte. Shpresa mbetet që puna e këtij tribunali të ndikojë që në të ardhmen, duke llogaritur se mund të përballen me drejtësinë ndërkombëtare ata që planifikojnë krime të tilla lufte dhe krime kundër njerëzimit, do të mendojnë më shumë dhe në këtë mënyrë do të evitohet përsëritja e krimeve të përmasave që u janë bërë në territorin e ish-Jugosllavisë gjatë luftërave të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar.