Nuk e di nëse pushtetarët e dalë nga lufta kanë besuar se janë të paprekshëm, për shkak se si të tillë janë sjellë. Nuk e di nëse kanë qenë aq naivë të besojnë se mund ta themelojnë një gjykatë speciale e që me atë akt ta amnistojnë veten nga ndjekja e saj, ani që pikërisht ata ishin arsyeja që nxiti kërkesën për themelimin e saj. Nuk e di çfarë kanë menduar, porse nuk kanë menduar mirë për Kosovën
Zor do të besoja se pas 20 e kusur vjetësh do të mund të na ndodhte që ta përjetonim ngjarjen që ia qet një hije aq të keqe e të rëndë Kosovës, sikur ajo që e përjetuam të enjten. Indicet tashmë ishin aty dhe pritej vetëm dita se kur do të mund të ndodhte që kryetari i shtetit të Kosovës të detyrohej të jepte dorëheqje për shkak të akuzave për krime lufte nga Gjykata të cilën vetë e formoi. Dhe e gjithë kjo ka mundur të shmangej, po të kishim pasur pak mend dhe shumë vullnet.
E tëra nisi një ditë më herët, me një desant policësh në shtëpinë e Jakup Krasniqit në Prishtinë, e më vonë edhe në Negrocin e tij të lindjes. Mund të spekulohet për arsyet e veprimit të këtillë të Prokurorisë Speciale në bashkëpunim me misionin e EULEX-it, sepse arsyet e njëmendta nuk do të na tregoheshin publikisht. Njëra ka mundur të ishte të matej pulsi i popullatës karshi një intervenimi të këtillë në shtëpinë e një ish-eprori të UÇK-së që kishte qenë kryeparlamentar e madje edhe u.d. i kryetarit të shtetit. Po qe se nuk do të kishte reagim nga populli, atëherë do të shkohej tutje me arrestimet ose vetëdorëzimet të të akuzuarve të tjerë të angazhuar me punë në institucionet e Kosovës. Arsyeja e dytë do të ishte se kjo do të ketë mundur të jetë porosi edhe për këta tre të tjerët - pra një veprim goxha përçmues në rastin e një kryetari shteti, një kryetari partie dhe një shefi grupi parlamentar.
Reagime pati në FB dhe në deklarata të aty-këtushme. Nuk pati protesta, nuk pati shkatërrime. Pati përcjellje të një ngjarjeje krejtësisht të pakëndshme që ka mundur të mos ndodhte. E që e gjitha të përmbyllej me vetëdorëzimin e Krasniqit dhe mbylljen edhe të kësaj kaptine, me vazhdimin e asaj që do të ndodhte të nesërmen. Me një dorëheqje për të cilën kambanat po binin moti, porse që ai të cilit i binin bëhej i shurdhër.
* * *
Në mëngjes Veseli doli për të thënë se i ishte konfirmuar aktakuza dhe e lëshoi një komunikatë me nivel dhe të dinjitetshme. Pas një ore erdhi njoftimi për konferencën për shtyp të Thaçit dhe tashmë e dinim se dorëheqja po vinte. Fjalimi i tij, me nuanca patetike që e karakterizojnë, ishte i shkurtër. Nuk la hapësirë për pyetje. Shkoi, për t'u bartur në selinë e EULEX-it, prej nga u nis me aeroplan ushtarak amerikan për në Hagë, së bashku me Veselin dhe Rexhep Selimin, i cili gjithashtu u vetëdorëzua pasi bëri homazhe te varri i Astrit Deharit.
Reagimet sërish brofën në FB, porse nuk kishte lëvizje nëpër rrugë. Dhe nuk është vetëm puna e COVID-it ajo që i ndali. Do të ketë qenë vetë kërkesa e tashmë të akuzuarve që të mos krijoheshin trazira të panevojshme për një proces që nuk mund të kthehet prapa, pa u shkuar procedurave siç është përcaktuar në ligj. Për shkak se pasojat për Kosovën, në të kundërtën, do të ishin shumë të mëdha dhe serioze. Kurse dëmi në procedurë i madh.
Nuk pati reagim edhe për shkak se jo pak njerëz në Kosovë janë thellësisht të zhgënjyer me figurat e luftës për veprimet e tyre pas luftës. Pasurimi marramendës i tyre dhe udhëheqja e keqe deri në shkatërrimin e përgjithshëm të të gjitha segmenteve të jetës nuk ka lënë hapësirë as për simpati e as për përkrahje, jashtë rretheve të tyre klienteliste dhe të militantëve partiako-biznesorë.
* * *
Gjykata Speciale ka mundur të shmangej. Është dashur të shmangej. Dhe kjo ka qenë në duart e atyre që e kanë mbajtur pushtetin këta 20 vjet. Monopolizimi i pushteteve, përfshirë edhe atij gjyqësor, thuajse ua dha garancinë se gjërat e shëmtuara që kanë ndodhur në luftë dhe pas luftës do të mbeteshin të groposura diku thellë e të kalonin në harresë. Porse ka njerëz që nuk harrojnë, e ka edhe të tillë që kanë hesape të paqëruara, e ka edhe të tillë që duke dashur të lavdërohen flasin më shumë seç do të duhej.
Dhe dolën të tillë, të orkestruar ose jo, që folën dhe krijuan dosje. Krijuan edhe një raport të rëndë, me detaje shumë të shëmtuara në to dhe me jo pak emra që akuzoheshin drejtpërsëdrejti për krime të dënueshme. E nuk ka pasur pse që kushdo të merrej as me raporte e as me kërkesa për themelimin e një gjykate speciale që do t'i gjykonte, sepse është dashur të jetë themeluar një degë në gjyqësor që do të merrej me krime lufte. Dhe që aty të vërtetohej edhe një herë, se viktimat jo vetëm të asaj lufte, por të një represioni shumëvjeçar, kishin qenë shqiptarët dhe vetë Kosova.
Nuk e di nëse pushtetarët e dalë nga lufta kanë besuar se janë të paprekshëm, për shkak se si të tillë janë sjellë. Nuk e di nëse kanë qenë aq naivë të besojnë se mund ta themelojnë një gjykatë speciale e që me atë akt ta amnistojnë veten nga ndjekja e saj, ani që pikërisht ata ishin arsyeja që nxiti kërkesën për themelimin e saj. Nuk e di çfarë kanë menduar, porse nuk kanë menduar mirë për Kosovën.
Tash pas konfirmimit të aktakuzës bëhet shumë e qartë që Thaçi e ka ditur se ajo ishte ngritur. Ishte shumë e qartë që përpiqej ta gjente një shpëtim duke u lidhur me Grenellin dhe duke e orkestruar në rrëzim qeverie pa asnjë arsye të vetme, pos mundësisë të shkohej në Washington dhe për ta lidhur një "marrëveshje historike" me kush e di çfarë pasojash politike për Kosovën, dhe për t'u dëshmuar figura pa të cilën politika kosovare nuk bën. E ka ditur dhe ka heshtur. Ashtu siç vazhdoi të heshtte edhe pasi kaloi afati për konfirmimin. Sepse duhet ta ketë ditur shumë më herët se aktakuza i ishte konfirmuar dhe se do të shkonte në Hagë, për t'u gjykuar që nga e hëna që vjen.
Po t'ia kishte dashur të mirën këtij vendi, do të ishte dorëhequr po atë ditë kur ekzistimi i aktakuzës u bë publike. Po t'ia donte të mirën këtij vendi, nuk do t'ia falte ca vjet burgim njerëzve që janë dënuar në rastin “Bllaca”, pra njerëz që kanë vrarë me porosi, dhe që madje edhe do të mund të inkriminoheshin apo edhe të shërbenin si dëshmitarë në proceset në Hagë. Po t'ia donte të mirën këtij vendi, është dashur ta linte politikën që në kohën kur doli raporti Marty dhe të luftonte për ta dëshmuar të kundërtën e asaj që thuhej aty. Por jo, me veprimet ose mosveprimet e tij, e mbajti Kosovën peng, dhe arriti te ballinat botërore në cilësinë e të akuzuarit për krime lufte derisa ende mbante postin e kryetarit të shtetit.
* * *
Me këtë kapitull Kosova futet në udhëkryqin e ri. Thaçi dha dorëheqje, porse Kushtetuta nuk e njeh këtë mundësi për ta ndërprerë mandatin. Nuk ekziston asnjë dispozitë që e shpjegon se çfarë duhet të ndodhë në rast dorëheqjeje në gjashtë muajt e ardhshëm, për të mos shkaktuar vakum institucional.
Ekziston një qeveri që ecën me këmbë të qelqta dhe të varet nga një koalicion i gjerë partish me interesa të ndryshme. Dy nga partitë që bëjnë pjesë në koalicion së shpejti mund të mbeten pa liderët e tyre, nëse mbështetemi në formën e veprimit të Speciales. Kjo qeveri nuk po mbërrin ta kalojë një ligj për rimëkëmbje ekonomike, merr vendime bajagi të pamatura dhe pa paralajmërim për karantinim dhe ndalim-qarkullimi. Ka probleme përmbajtjesore politike mes partnerëve.
E megjithatë, në këtë situatë, nuk po fshihen ambiciet e disa prej anëtarëve të këtij koalicioni për t'u bërë me postin e kryetarit të shtetit. Në situatën kur Kosova ka hyrë thellë në valën e dytë të COVID-it me shifra alarmante, marrë parasysh kapacitetet tona shëndetësore (prej të hënës deri dje u regjistruan mbi 7300 raste të reja, dhe madje 44 vdekje). Dhe në situatën ku ekonomia po fundoset me shpejtësi, ndërsa kjo qeveri ka arritur të ndajë vetëm 460 euro ndihmë për secilin të punësuar në Kosovë, që nga shfaqja e pandemisë. Maqedonia e Veriut ndërkohë e ka futur në zbatim pakon e katërt të ndihmës emergjente në vend, ndërkohë që ne bëjmë garë se kush po ia zë vendin Thaçit.
* * *
Pra, edhe një herë në udhëkryq. Në një labirint në të cilin e kemi futur veten me ambiciet tona personale dhe shpesh të sëmura. Dhe sërish në situatë kur duket se duhet kërkuar ndihmë, që dikush nga jashtë të vijë të na shpëtojë sikur para 21 vjetësh.
Mbase edhe do të na e dëgjojnë klithmën.