Nuk është hera e parë që një kancelar gjerman shpreh mbështetje për liberalizimin e vizave për Kosovën, për njohjen e Kosovës dhe Serbisë si dy shtete, për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe në përgjithësi për procesin e zgjerimit të BE-së. Do të ishte mirë që tash edhe Gjermania të kalojë prej fjalëve në vepra dhe që këto mbështetje të përkthehen në veprime konkrete të këtij shteti në institucionet e Bashkimit Evropian
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dërgoi porosi të qarta dhe premtuese gjatë vizitave të tij në disa vende të Ballkanit Perëndimor. Këto porosi janë të mirëseardhura dhe u kuptuan nga shumë njerëz, jo vetëm politikanë, në rajon si qëndrime serioze të një shteti serioz që ka ndikim vendimtar në Bashkimin Evropian.
Scholz mbështeti në emër të vendit të tij liberalizimin e vizave për Kosovën. Mbështeti nisjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut. Mbështeti njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, pa të cilën as njëri e as tjetri shtet nuk mund të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian. Mbështeti në përgjithësi edhe procesin e zgjerimit të BE-së si një proces të forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe në tërë Kontinentin Evropian.
Duhet pasur kujdes që nga këto qëndrime të kancelarit gjerman të mos kuptohet se gjithçka tash do të shkojë shpejt dhe mirë. Ka shumë politikanë, analistë dhe qytetarë të cilët impresionohen me madhështinë e Gjermanisë, me rolin e saj si shtet udhëheqës në BE. Por Gjermania, po ashtu, ka një klasë politike që shpesh shquhet për pasivitet, kujdes të tepruar në veprim, për mosveprim, dhe kjo shpesh çon në dështime.
Gjermania ka qenë për më shumë se 30 vjet një shtet konsistent sa i përket qasjes ndaj Ballkanit Perëndimor. Ka mbështetur gjithmonë qëndrimet parimore, që nga insistimi për njohjen e pavarësisë së Kroacisë dhe Sllovenisë, ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe në masë të madhe edhe vazhdimin e zgjerimit të BE-së drejt këtij rajoni. Për dallim nga Franca dhe Holanda, që shpesh kanë dalë kundër zgjerimit, duke bërë pengesa edhe atëherë kur nuk kanë pasur asnjë nevojë e as arsye të logjikshme, Gjermania nuk e ka bërë këtë. Sepse Gjermania ka një kujdes të veçantë për çështjet që kanë të bëjnë me luftën dhe paqen. Ka një kujdes të veçantë se si mund të ndikojnë veprimet e caktuara politike, përfshirë edhe procesin e përafrimit të vendeve të rajonit me BE-në, në stabilitetin dhe paqen afatgjatë. Këtë ndjenjë Franca dhe Holanda nuk e kanë.
Gjermania ka qenë gjithmonë e para kur është dashur të pengoheshin edhe veprime dhe ide të rrezikshme. Rasti i fundit ishte ideja për shkëmbimin e territoreve, një fjalë që prapa ka idenë e ndarjes së Kosovës. Krahas Britanisë së Madhe, Gjermania ka pasur rolin udhëheqës për të penguar që në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të shkohet drejt realizimit të kësaj ideje. Gjermania e ka parë si të rrezikshme. Franca nuk ka qenë aq kundër, SHBA-ja në kohën e presidentit Trump ka qenë e hapur për këtë ide, ndërsa në institucionet e BE-së kjo ide ka pasur mbështetje mjaft të theksuar. Madje ka pasur zyrtarë të lartë të BE-së që në biseda private kanë thënë se “po punohet në izolimin e Gjermanisë” dhe qortime se “kush mendojnë ata se janë”, kur Gjermania është shprehur kundër. Berlini, pikërisht për shkak të konsistencës në politikën ndaj rajonit, politikë e cila nuk ndryshon me ndryshimin e Qeverisë, e ka ditur se kjo ide nuk ka aq shumë të bëjë me Kosovën sa me përmbysjen e parimeve, mbi të cilat gjithçka është bërë në ish-Jugosllavi në 32 vjetët e fundit. Gjermania, sikur edhe Britania e Madhe, e cila në atë kohë ishte në procesin e largimit nga BE-ja dhe nuk kishte ndonjë rol, e dinin se me këtë hapej një mundësi e re për rivizatimin e kufijve në ish-Jugosllavi. Kjo ide u mbështet fuqishëm nga lidershipi i serbëve në Bosnjë-Hercegovinë. Me simpati u pa edhe nga disa qarqe kroate në Bosnjë-Hercegovinë. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e panë këtë si rrezik, edhe pse këto dy shtete janë anëtare të NATO-s dhe nuk do të duhej të ndienin ndonjë rrezik për shkeljen e integritetit territorial të tyre, të cilin, në rast rreziku nga jashtë e mbron edhe NATO-ja.
E gjithë mbështetja për pavarësinë e Kosovës, sikurse edhe argumenti që ndikoi në mendimin pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, ishte e bazuar mbi faktin se Kosova është bërë shtet në kufijtë që i ka pasur si një prej njësive federale të ish-Jugosllavisë. Prandaj me pavarësinë e Kosovës nuk është shkelur parimi i mosndryshimit të kufijve me dhunë, edhe pse Beogradi e Moska bëjnë përpjekje për ta treguar rastin e Kosovës si shkelje të këtij parimi.
Sikur në një vend të shkelej ky parim, atëherë do të mund të ndikonte në vende të tjera të ish-Jugosllavisë. Dhe ky ishte ndoshta edhe qëllimi i Serbisë, që shkon edhe në përputhje me idetë e akademikëve nacionalistë serbë se “me mjete politike duhet realizuar qëllimet që nuk u arritën gjatë luftës”.
Gjermania ka një meritë të madhe për parandalimin e rrezikut që do të paraqiste ndarja e Kosovës.
Por derisa Gjermania është shquar për parandalimin e ideve të rrezikshme, nuk është shquar në shtyrjen e ideve të duhura. Gjermania është shumë pasive, dhe ky pasivitet ka ndikuar që në BE të mos ketë asnjë përparim në raportet me rajonin, e as në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Gjermania ka mbështetur fuqishëm emërimin e ish-ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, si të dërguar të posaçëm të BE-së për dialog. Deklaratat e Lajçakut kundër ideve të shkëmbimit të territoreve kanë qenë ndër arsyet e mbështetjes aq të fuqishme të Berlinit për të. Madje Berlini ka shkuar aq larg, saqë kosovarëve t’u thotë se “kush është kundër Lajçakut është kundër Gjermanisë”. Kjo ka ndodhur në kohën kur në Kosovë, dhe jo vetëm në Kosovë, parashtrohej pyetja se a mund të jetë person i duhur si ndërmjetës në dialog një ish-ministër, i cili ka qenë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe ministria e të cilit ka dërguar argumente juridike në Hagë kundër shtetësisë së Kosovës. Për më tepër, as pas mendimit të GJND-së nuk e ka ndryshuar mendimin. Dhe Lajçak ka qenë i emëruar nga një ish-koleg i tij, Josep Borrell nga Spanja, që aktivisht ka punuar kundër shtetësisë së Kosovës, duke bojkotuar edhe takime të BE-së kur Kosova merrte pjesë.
Nga Lajçaku dhe Gjermania ka pasur pritje të mëdha. Gjermania ndihmoi që të krijohej bindja se me emërimin e tij gjërat do të shkonin shpejt dhe se “marrëveshja finale, gjithëpërfshirëse, do të arrihej brenda muajsh e jo vitesh”. Më shumë se dy vjet kanë kaluar dhe jo vetëm se nuk ka përparim në dialog, por ka kthim prapa.
Deklarata e kancelarit gjerman se dialogu duhet të ketë epilog njohjen e dy shteteve mes vete është inkurajuese. Por Gjermania do të duhej të ndikonte në BE-në që të merrej parasysh fakti se ata që janë kundër pavarësisë së Kosovës janë pakicë, e shumica e madhe e mbështesin pavarësinë dhe e kanë njohur si shtet. Nëse dialogu vazhdon duke mos e thënë publikisht se njohja është qëllimi, atëherë Serbia vetëm do të inkurajohet të mos e njohë Kosovën dhe kjo do ta shtyjë dialogun në pakufi.
Nuk është hera e parë që një kancelar gjerman shpreh mbështetje për liberalizimin e vizave për Kosovën, për njohjen e Kosovës dhe Serbisë si dy shtete, për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe në përgjithësi për procesin e zgjerimit të BE-së. Do të ishte mirë që tash edhe Gjermania të kalojë prej fjalëve në vepra dhe që këto mbështetje të përkthehen në veprime konkrete të këtij shteti në institucionet e Bashkimit Evropian.
Sikur Gjermania të ishte më e vendosur ka mundur të bënte më shumë në vitin 2007, kur e pati presidencën e BE-së dhe kur nisi ndarja mes vendeve anëtare pas publikimit të Pakos së Ahtisaarit. Presidenti i tashëm gjerman, Frank Valter Steinmeier, ishte ministër i Jashtëm dhe ai nuk bëri sa duhet për t’i bindur të gjithë kolegët e vendeve anëtare se do të ishte mirë që BE-ja të ketë unitet dhe ta mbështesë Propozimin e Ahtisaarit. Gjermania shumë lehtë pranoi faktin se “BE-ja është e ndarë rreth kësaj çështjeje” dhe kështu mbeti situata edhe sot. Nuk kemi dëgjuar që në 14 vjetët e fundit Berlini të ketë bërë përpjekje serioze për të bindur ndonjërin prej 5 vendeve anëtare të BE-së që nuk e ka njohur Kosovën ta bëjë një gjë të tillë.
Edhe sa u përket çështjeve të tjera, përfshirë edhe liberalizimin e vizave, Gjermania e ka mbështetur Kosovën, por kur dikush është shprehur kundër, nuk ka bërë përpjekje për ta bindur të ndërrojë mendjen. Gjermania nuk është vetëm një prej vendeve të BE-së, por është vendi kryesor i saj. Prandaj një angazhim më i fortë do të mund të ndikojë që të hiqen bllokadat edhe në liberalizimin e vizave për Kosovën, edhe në nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, edhe me përshpejtimin e negociatave me Malin e Zi dhe Serbinë, edhe për rezultate konkrete në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ky angazhim nuk mund të kufizohet në arsyetimet që dëgjohen nga diplomatët gjermanë se “ne i pyetëm dhe ata thanë jo” dhe se “ne shprehim keqardhje për këtë”.