OpEd

Edhe dy javë vetëlavdërime

Përdoruesit e rrjeteve sociale nuk kanë si t’u shmangen fytyrave të kandidatëve që dalin orë e çast nga ky apo ai kënd i qytetit. Druaj që së shpejti do të nisin të na shfaqen posa t’i hapim edhe frigoriferët... e jo që kanë për të na thënë diçka të mençur, porse gjithsesi do të kenë shumë për të premtuar, e me premtime edhe për të gënjyer, ashtu siç bëjnë përherë

Sot bëhen dy javë qëkur, zyrtarisht, nisi fushata për zgjedhjet komunale. Aq bajat ka qenë fushata e para katër vjetësh, saqë interesimi për ta përcjellë këtë kësaj radhe ishte minimal, pavarësisht opsioneve të pafundme për prezantimin e “programeve” zgjedhore nëpër një zilion mediumet që i ka Kosova.

Përdoruesit e rrjeteve sociale nuk kanë si t’u shmangen fytyrave të kandidatëve që dalin orë e çast nga ky apo ai kënd i qytetit. Druaj që së shpejti do të nisin të na shfaqen posa t’i hapim edhe frigoriferët... e jo që kanë për të na thënë diçka të mençur, porse gjithsesi do të kenë shumë për të premtuar, e me premtime edhe për të gënjyer, ashtu siç bëjnë përherë.

Deri tash, nga ajo pak që desha të dëgjoja, asnjëri kandidat nuk doli me ofrimin e zgjidhjeve për problemet shumë akute me të cilat ballafaqohet e gjithë Kosova: mungesa e ujit, menaxhimi i mbeturinave dhe ndalimi i ndotjes së ajrit edhe asaj akustike, vetëm sa për t’i marrë tri-katër elemente për shqyrtim.

* * *

Pra, atë që e shohim është se kryetarët aktualë dalin e flasin për “mrekullitë” e kryera gjatë katër vjetëve të shkuar, natyrisht duke i thumbuar oponentët politikë, të cilët i shohin si njerëz të papërvojë në menaxhim dhe njerëz me mungesë vizioni. Për shkak se i gjithë vizioni, sado i shtrembëruar, shikohet si pronë personale e kryetarëve në fund të mandatit. Ngase në të shumtën, ashtu edhe janë sjellë me komunat: sikur të ishin pronë e tyre private. E kjo vlen sidomos për qendrat e mëdha komunale.

Nga ana tjetër, një freski në qasje e sjell fraksioni i dalë nga VV-ja, që tash ka marrë formën e PSD-së me dy kandidate, në Prishtinë e Deçan. Besa Shahini dhe Natyra Kuçi po e zhvillojnë një fushatë të thjeshtë, simpatike dhe të përqendruar kryesisht në rrjete sociale. Përderisa Shahini merret kryesisht me problemet e kryeqytetit (që janë të mëdha, por nuk duhet harruar se Prishtina i ka edhe 40 fshatra, nëse nuk gabohem, që janë pjesë e përgjegjësisë së kryetarit të komunës), Kuçi merret me problemet në pjesët rurale të Deçanit dhe ndikimin politik të partisë në pushtet atje prej më shumë se dy dekadash.

Objektivisht, duke qenë pjesëtare të një partie të vogël politike, gjasat do t’i kenë të vogla (Shahini gjithsesi) për të arritur shumë numra, porse që mund të ndikojnë në sigurimin e ndoshta ndonjërës ulëse në kuvendet komunale që mund ta çrregullojnë balancën. Nga ana tjetër, në Prishtinë, PSD-ja është pjesë e një skeme të turbullt, nëpërmjet NPB-së, për shfrytëzimin e hapësirës për ndërtimin e shumëkatësheve në “Lakrishtë”, edhe pse vetë Shahini në fushatën e saj përmend me mijëra banesat e pabanuara në Prishtinë...

* * *

Më kujtohet që në njërën nga fushatat e para nja 15-16 vjetësh, në Prishtinë ishte paraqitur ideja për ndërtimin e një treni në ajër që do ta përshkonte qytetin dhe do ta zhbllokonte tollovinë e trafikut në qytet. Nëse ende e mbaj mend mirë, ai tren duhej nisur diku prej Xhamisë së Llapit e të mbërrinte deri te spitali a Veterniku..., po ja që ishte vetëm edhe një nga shumë premtimet a prezantimet që mbetën në letër, pa as intencën më të vogël për t’u realizuar, sepse tregu i ha të gjitha.

Në zgjedhjet e shkuara dëgjuam për rrënimin e stadiumit të qytetit dhe shndërrimin e asaj zone në liqen. Natyrisht, gjë që nuk u bë, për shkak se në vend të ujit e gjelbërimit, Prishtina u mbush me hala më shumë beton.

Sidoqoftë, tash del në pah premtimi për një tramvaj (nuk po di cili e tha i pari, porse ideja u shpërfaq pas një konference shkencore të mbajtur në Fakultetin Teknik para nja dy javësh). Me vete, kur hekurudha ekzistuese që kalon nëpër qytet nuk u shfrytëzua kurrë për transport, po mund ta paramendoj se çfarë kaosi do të krijohet, me përpjekjen për të shtruar binarë nëpër qytet. E gjithashtu po e paramendoj se punët për një ndërmarrje të tillë eventuale do të zgjasin deri në fund të mandatit të radhës, nëse e marrim për bazë që betonimi i një rruge 200-metërshe mori rrafsh dhjetë muaj për t’u realizuar.

Sido që të jetë, zgjedhjet këtë e kanë: imagjinatën e pakufi për të premtuar gjëra që munden, por që kryesisht kurrë nuk realizohen. Për shkak se në 25 vjetët e fundit nuk dëgjuam që dikush të ketë dhënë përgjegjësi për rrenat e thëna në fushatë – as penale e as qytetare.

Në të shumtën, madje, ka pasur rizgjedhje kryetarësh, për shkak se baza partiake ka qenë shumë e fuqishme, dhe ka animuar militantët që ta votojnë kandidatin e asaj partie, e meritoi apo jo rizgjedhjen.

* * *

Pas krizës së gjatë politike dhe lodhjes së qytetarëve me pasigurinë e krijuar, me zvarritjet e pafundme të një çështjeje që është dashur të jetë zgjidhur në fillim dhe pa shumë komplikime, nuk do të jenë të paktë ata që vendosin të mos dalin fare në votime.

Unë personalisht nuk e kam dilemën nëse duhet dalë. E besoj se duhet, për shkak se secili votues duhet ta mbrojë votën dhe zgjedhjen e vet. Edhe nëse kjo votë nënkupton anulimin e fletëvotimit me vullnet, si shenjë proteste për gjithçka që po ndodh.

Për shkak se, edhe pse në tri palë zgjedhjet e kaluara ka pasur pak ankesa për vjedhjen eventuale të votave, të cilat kanë ekzistuar, por nuk kanë qenë të përmasave nga e kaluara, megjithatë nuk ka asnjë garanci se vjedhjet nuk do të mund të përsëriteshin sërish sivjet – kur gara për pushtetin lokal tash bëhet shumë e rëndësishme për shkak të interesave të mëdha financiare që lidhen për komunat.

Nuk duhet shkuar më larg përtej Prishtinës – buxheti vjetor i Komunës më të madhe është gati 125 milionë euro... për katër vjet janë më shumë se gjysmë miliardi euro.

* * *

Unë e kam shumë të qartë që vota ime do t’i shkonte, pa asnjë dilemë, ndonjërit kandidat që në rend të parë do të ma ndalte zhurmën në rrugë. E kjo nënkupton që nuk do të lejojë që kujt t’i teket qejfi të dalë në rrugë e të bëjë “performanca artistike” për t’i dëfryer shtatë veta të ulur në kafehanet, që sërish i kanë uzurpuar krejt kalimet duke i shtrirë karriget gjithandej.

Vota ime do t’i shkonte atij (dhe po them atij, se ato nuk kanë shans të fitojnë) që do ta gjente zgjidhjen për mbeturinat që na mbytën. Përderisa ka kryetarë komunash që dalin në shëtitje e takohen me përfaqësues të huaj, do ta uroja atë që do ta merrte nismën për t’i takuar homologët e komunave fqinje për ta gjetur mënyrën më adekuate të menaxhimit të mbeturinave: që së bashku të mendojnë për impiante riciklimi, për eventualisht eksportimin e mbeturinave dhe në fund, përdorimin e tyre për prodhimin e energjisë elektrike. Natyrisht se kjo nuk bëhet pa përkrahjen e nivelit qendror, porse nuk bëhet as pa vullnetin e pushtetit lokal dhe detyrimin e qytetarëve që të sillen sipas normave e jo sipas qejfit dhe papërgjegjësisë absolute për jetesën në kolektivitet.

Vota ime do të shkonte për atë që i bën përpjekjet maksimale që qyteti të ketë ujë të pijshëm. Hej bre, shekulli 21, një çerek shkoi, ne ende e kemi gjysmën e qytetit pa mundësi për ta pirë ujin të mbushur me mangan. E çështja e ujit të Badovcit ka zgjidhje, këtë e thonë ata që dinë se si menaxhohen ujërat. Nuk duhet më shumë se një pyetje dhe pak vullnet për ta zgjidhur problemin.  

* * *

Kanë mbetur edhe dy javë për t’i dëgjuar premtimet, rrenat dhe të sharat e kandidatëve nëpër të gjitha komunat. Nuk e besoj se kjo do të mund të ndikojë shumë në votën e atyre që kanë vendosur të votojnë dhe qysh tash e kanë të qartë se për kë do të votojnë.

Dy javët e fundit të fushatës së vetëlavdërimit do të jenë vendimtare për ata që janë në dilemë nëse duhet votuar fare ose jo. Se sa bindës do të jenë kandidatët e caktuar kur të premtojnë bahçe trëndafilash a ndonjë dron a satelit transportues.

Për ata që do të dalin për ta prishur votën, tashmë gjithçka është e qartë: nuk do të bëhen përkrahës të zgjatjes së jetës të pushteteve që vendnumërojnë.

Kjo do të jetë votë proteste.

Votë paralajmëruese për ato zgjedhjet e tjera që do të mbahen së shpejti.

[email protected]