E vërteta varet nga një proces i pafundmë zbulimi, i përforcuar nga ligjet dhe institucionet. Musku dhe të tjerët besojnë se liria e shprehjes është një e mirë absolute dhe se e drejta për të gënjyer duhet të peshojë mbi të drejtën për të vërtetën. Botëkuptimi i tyre është i kuptueshëm dhe ka rrënjë të respektueshme. Por është bërë përherë e më i rrezikshëm dhe i papërshtatshëm për kohën. Matematikani francez i shekullit shtatëmbëdhjetë, Blaise Pascal, shkroi: “E vërteta është aq e panjohur në këto kohë, dhe e rremja aq e rrënjosur, saqë, po qe se nuk e duam të vërtetën, nuk do të mund ta dimë atë”. Sot duhet të demonstrojmë se të vërtetën duam ta shndërrojmë në një të drejtë dhe ta vendosim në zemër të ligjeve dhe kushtetutave tona
Zor se shkon java pa një artikull të ri dezinformues në internet – nga teoritë konspirative rreth tentimit për vrasjen e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, deri te cicërima e Elon Muskut mbi pretendimin e rremë të së djathtës ekstreme se Mbretëria e Bashkuar ka polici me dy nivele politike.
E vërteta është nën sulm dhe njerëzit e dinë këtë. Bazuar në studimin e fundit global, të kryer nga Kombet e Bashkuara, më se 85 për qind e respondentëve janë të shqetësuar për ndikimin e dezinformimit në internet.
Bota është e ngufatur me gënjeshtra e shtrembërime, kryesisht shkaku i shtimit të mediave sociale dhe platformave digjitale. Të krijuara për të përfituar nga maksimizimi i angazhimit të audiencës, algoritmet e këtyre platformave e amplifikojnë informatën që tërheqë vëmendje, pa e marrë parasysh vërtetësinë e saj. Për më tepër, negativiteti del se e rrit angazhimin, bazuar në një studim që tregoi se secila fjalë negative shtesë në titull e shton shkallën e klikimit për 2.3 për qind.
Por një arsye tjetër për dështimin tonë në luftimin e dezinformimit është se tradita liberale e prioritizoi lirinë e shprehjes përpara të drejtës për të vërtetën. Çdo kufizim i lirisë së fjalës në botën demokratike, thotë argumenti, do të përdorej nga diktatorët për të justifikuar censurën, apo më keq.
Qasja e Perëndimit rreth shprehjes supozon që konkurrenca e lirë dhe e drejt në “tregun e ideve” do të garantojë që e vërteta të ngadhënjejë mbi gënjeshtrën. Por ne tani e dimë që kjo është e gabuar.
Diçka ngjashëm me Ligjin e Greshamit, që thotë se paratë e pista i nxjerrin nga qarkullimi ato të pastrat, mund të zbatohet në informim: “Vërshimi i zonës me mut”, siç e pati thënë ish-kryestrategu i Trumpit, Steve Bannon, e ushqen mosbesimin dhe e vështirëson veçimin e faktit prej shtrembërimit.
Disa besojnë se e vërteta tani është fragmentuar përtej riparimit. Por shumë shtete i kanë fuqizuar institucionet e destinuara për t’i kërkuar të vërtetat më të mira të disponueshme, mbi të cilat rëndom bazohen shoqëritë dhe ekonomitë. Ligjet për financa i penalizojnë shtrembërimin dhe mashtrimin në përllogaritje dhe në deklarata publike. Gjykatat i përdorin mjetet e sofistikuara të mjekësisë ligjore, si ADN-ja, për të bërë gjykime më të drejta. Ndërsa shkenca moderne mobilizon sa më shumë njerëz për t’i hulumtuar pretendimet.
Ne tani duhet të ndërtojmë mbi këto themele për të garantuar që çdo institucion i fuqishëm t’i ofrojë njohuritë më të mira të disponueshme. Në zemër të kësaj përpjekje duhet të jetë e drejta e re për të vërtetën, e cila mund të ngrihet mbi parimet e vendosura kaherë, si rregull i artë dhe imperativ kategorik.
E gjendur në pothuajse secilin civilizim, ideja e trajtimit të të tjerëve në mënyrën siç do të dëshironim të trajtoheshim prej tyre mund të shërbejë si një themel për rindërtimin e infrastrukturës të së vërtetës.
Vendi i parë prej ku duhet nisur është ligji. Shumë qeveri në Evropë dhe gjetkë kanë ligje të forta të mbrojtjes së konsumatorit, të cilat i ndalojnë pretendimet çorientuese dhe të rreme në reklamim dhe në treg. Parimi i njëjtë duhet të aplikohet në të gjitha komunikimet politike – një veprim ky që Australia është duke e shqyrtuar, bashkë me një sërë masash tjera për ta ngritur qëndrueshmërinë demokratike – dhe, në fund të fundit, në çdo lloj komunikimi masiv. Përhapja e vetëdijshme e gënjeshtrave duhet të ketë pasoja – fillimisht financiare, por mbase edhe të ndalesave për mbajtjen e posteve publike apo të angazhimit në media. Sistemi i drejtësisë është përdorur herë pas here për t’i penalizuar organizatat mediale për përhapje të dezinformatave. Për shembull, rasti i dezinformimit i “Sistemit të Votimit Dominion” kundër “Fox Newsit”, shkaku i transmetimit të konspiracioneve se aparaturat e saja të votimit “i manipuluan” zgjedhjet presidenciale amerikane të 2020-s kundër Trumpit, rezultoi me një ujdi prej afro 800 milionë dollarësh.
Por mund të bëhet shumë më tepër për hapjen e shtigjeve të mbështetjes ligjore ndaj mediave e figurave politike skajshmërisht të pasinqerta nëpërmjet miratimit të ligjeve të reja që e ndalojnë distribuimin e qëllimshëm të gënjeshtrave.
E dyta, institucionet e pavarura që i janë të përkushtuara të së vërtetës duhet të fuqizohen. Të tilla veçse ekzistojnë në rrafshin e shkencës, financave, shëndetësisë dhe sigurisë. Në rrafshin e mediave, këtë rol e mbushin redaksitë jofitimprurëse të lajmeve dhe transmetuesit në shërbim publik. Çelësi për suksesin e këtyre institucioneve është izolimi prej presionit politik dhe të tregut.
E treta, rregullimi mund t’i shtrëngojë provajderët e fuqishëm të informacionit që të shndërrohen në furnizues të së vërtetës. Në korrik, Komisioni Evropian e publikoi gjetjen preliminare se platforma “X” e Muskut i mashtron përdoruesit, duke e lejuar këdo që të paguaj për një llogari të verifikuar, dhe se për këtë arsye e shkel Aktin e Shërbimeve Digjitale. Për pasojë, “X” mund të përballet me gjoba në vlerë deri në 6 për qind të të hyrave globale. Në të njëjtën kohë, Akti i Fuqizimit të Rrjetit i Gjermanisë, që është miratuar më 2017, u kërkon platformave me më shumë se dy milionë përdorues që t’i largojnë përmbajtjet që janë “qartësisht ilegale”.
E katërta, komisionet e pavarura zgjedhore duhet të kenë kompetenca për t’i kontrolluar faktet dhe për t’i korrigjuar pretendimet e rreme dhe bllokuar dezinformatat e dëmshme apo “deefakët” në prag të zgjedhjeve, kohë kjo kur e vërteta është më e cenueshme, kur rreziku për ndërhyrje është më i madhi ndërsa risqet për demokracinë më të lartat.
E pesta, brezi i ardhshëm duhet të jetë më mirë i pajisur për ta veçuar të vërtetën nga gënjeshtra. Shkollat duhet t’i përgatisin të rinjtë për ta dalluar mashtrimin e çfarëdo lloji. Finlanda dhe Danimarka prijnë në këtë aspekt, duke përfshirë në kurrikula lëndë mbi dezinformimin.
Dhe e fundit, prijës të teknologjisë - si “Factiverse” e “Fullfact” në Mbretërinë e Bashkuar, “Muth Detector” në Gjeorgji dhe “Faktiksk Verifiserbar” në Norvegji – po zhvillojnë mjete të reja që i kombinojnë inteligjencën artificiale dhe kolektive për ta dalluar dhe për t’iu qasur dezinformimit. Kwto dhe iniciativa tw tjera duhet tw inkurajohen dhe tw mbwshteten.
Për ta garantuar suksesin, e drejta për të vërtetën – me fjalë të tjera, e drejta për të mos qenë të gënjyer apo vetëdijshëm të çorientuar nga organizata të fuqishme dhe me ndikim – duhet të përfshihet në një protokoll të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të balancojë garancinë e fjalës së lirë të paraparë në Kushtetutën e SHBA-së. Duhet të jetë një prag i lartë për t’u thirrur në këtë të drejt, duke i llogaritur dallimet në mes të opinionit dhe interpretimit. Dhe ky prag duhet të imponohet nga gjykatat, e jo nga qeveritë apo “Ministritë e së Vërtetës”.
Të gjitha liritë e tjera civile në mënyrë implicite mbështeten në disa të drejta për të vërtetën. Për shembull, e drejta për gjykim të drejtë nga juria ka pak kuptim po qe se gjyqtarët nuk sigurojnë që juritë ta kenë informatën më të mirë të mundshme.
Më gjerësisht, e vërteta varet nga një proces i pafundmë zbulimi, i përforcuar nga ligjet dhe institucionet.
Musku dhe të tjerët besojnë se liria e shprehjes është një e mirë absolute dhe se e drejta për të gënjyer duhet të peshojë mbi të drejtën për të vërtetën. Botëkuptimi i tyre është i kuptueshëm dhe ka rrënjë të respektueshëm. Por është bërë përherë e më i rrezikshëm dhe i papërshtatshëm për kohën.
Matematikani francez i shekullit shtatëmbëdhjetë, Blaise Pascal, shkroi: “E vërteta është aq e panjohur në këto kohë, dhe e rremja aq e rrënjosur, saqë, po qe se nuk e duam të vërtetën, nuk do të mund ta dimë atë”.
Sot, duhet të demonstrojmë se të vërtetën duam ta shndërrojmë në një të drejtë dhe ta vendosim në zemër të ligjeve dhe kushtetutave tona.
(Geoff Mulgan, profesor në University College në Londër, është autor i librit “When Science Meets Power”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).