OpEd

E ardhmja e Evropës varet ende nga Amerika

Pika më e dobët e Evropës është Gjermania, e cila është fuqia më e madhe ekonomike. Ajo ka humbur shumë besimin me hezitimin që të mbështetë qëndrimet e ashpra ndaj Rusisë dhe insistimin se kinse bashkëpunimi me Rusinë në aspektin e energjisë “nuk ka lidhje me politikë!”. Ndoshta më së miri sjelljen e Gjermanisë e ka përshkruar ish-ministri i Jashtëm i Polonisë, Sikorski, në një shkrim ku ka thënë se Gjermania mbledh frytet e faktit se është e rrethuar vetëm nga aleatët dhe u mban ligjërata të tjerëve për demilitarizim. Kështu, Gjermania varet nga Rusia për energjinë dhe nga Amerika për sigurinë e saj. Dhe kjo varësi është bartur në tërë BE-në

Institucionet e Bashkimit Evropian tash e më shumë se një vit janë duke e zhvilluar të ashtuquajturën “Konferencë për të ardhmen e Evropës”. Është njëra prej proceseve më ambicioze të konsultimeve me qytetarë, ekspertë, akademikë, shoqëri civile, politikanë dhe shtresa të tjera të shoqërisë që ka bërë deri tash BE-ja për të identifikuar ndryshimet që i duhen në të ardhmen. Janë dëgjuar shumë ide, prej përshpejtimit të digjitalizimit, rritjes së mbrojtjes së ambientit, ndryshimit të procesit të vendimmarrjes në institucione, listat transevropiane në zgjedhje dhe shumë gjëra të tjera. Por përshtypja është se është neglizhuar një element i rëndësishëm; paqja dhe siguria. Ndoshta diçka që në Evropë shpesh e marrin si gjë që është vetvetiu e nënkuptueshme dhe e garantuar.

Por kriza rreth Ukrainës dhe kërcënimet e Rusisë edhe një herë kanë nxjerrë në pah se sa e brishtë është Evropa në aspektin e sigurisë. E si mund të ketë të ardhme të ndritshme një union, i cili nuk është akoma as për së afërmi në gjendje të mbrohet nga ndonjë kërcënim serioz i ndonjë force të madhe.

diplomatë tash me ironi përmendin një anekdotë që dëshmon edhe realitetin e brishtësisë së Evropës në aspektin e sigurisë: “Çfarë bisedojnë presidenti amerikan Biden dhe ai rus Putin përmes telefonit: bisedojnë për të ardhmen e Evropës!”.

Varësia e Evropës nga Amerika nuk është diçka e re. Për më shumë se 100 vjet, roli amerikan ka qenë determinues për të ardhmen e Evropës. Nga angazhimi amerikan në Luftën e Parë Botërore, ku kanë humbur jetën me qindra e mijëra të rinj për çlirimin e Evropës, e më pas Lufta e Dytë Botërore, mbrojtja e Evropës Perëndimore gjatë Luftës së Ftohtë, roli vendimtar në thyerjen e Murit të Berlinit e deri te ndërhyrja e NATO-s në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë, gjithmonë është dashur angazhimi amerikan që të zgjidhen problemet e rënda në Evropë.

Edhe sot, me gjithë faktin se BE-ja do më shumë autonomi në aspektin e sigurisë dhe të mbrojtjes, për çka e ka mbështetjen amerikane, nuk është arritur ndonjë rritje e kapaciteteve ushtarake evropiane.

Me daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja është zvogëluar edhe më shumë fuqia e bllokut në aspektin e mbrojtjes. Britania e Madhe ka qenë një fuqi e madhe ushtarake, fuqi bërthamore dhe anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së me të drejtë vetoje. Tash me ato cilësi ka mbetur vetëm Franca, ndër anëtarët e BE-së. E Franca po i udhëheq përpjekjet që BE-ja të ketë më shumë kapacitete ushtarake dhe të jetë më pak e varur nga Amerika. Dhe ka të drejtë, ngase as Amerikës nuk i dihet. Për këtë dëshmoi mënyra sesi Amerika vendosi që të tërhiqet nga Afganistani, në mënyrë të turpshme, duke i zënë në befasi edhe aleatët.

Pika më e dobët e Evropës është Gjermania, e cila është fuqia më e madhe ekonomike e saj. Ajo e ka humbur shumë besimin me hezitimin që të mbështetë qëndrimet e ashpra ndaj Rusisë dhe me insistimin se kinse bashkëpunimi me Rusinë në aspektin e energjisë “nuk ka lidhje me politikë!”.

Ndoshta më së miri sjelljen e Gjermanisë e ka përshkruar ish-ministri i Jashtëm i Polonisë, Sikorski, në një shkrim, ku ka thënë se Gjermania mbledh frytet e faktit se është e rrethuar vetëm nga aleatët dhe u mban ligjërata të tjerëve për demilitarizim. Kështu Gjermania varet nga Rusia për energjinë dhe nga Amerika për sigurinë e saj. Dhe kjo varësi është bartur në tërë BE-në.

Rritja e kapaciteteve ushtarake të BE-së do të ishte e mirëpritur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sepse asaj do t’i hiqej një pjesë e barrës për stabilitetin dhe për sigurinë evropiane. Por kjo me kusht që në asnjë mënyrë të mos vihet në dyshim roli i NATO-s, si shtylla kryesore e sigurisë euroatlantike.

E brenda NATO-s, vendet anëtare të BE-së kanë vetëm një përqindje të vogël të kapaciteteve, edhe për nga numri i ushtarëve, e edhe të armatimit dhe gjithashtu të mjeteve financiare që i ndajnë për mbrojtje.

Shtetet e Bashkuara kanë ushtrinë më të numërt në NATO, me 1.34 milionë ushtarë. E dyta është Turqia, me 440 mijë. Franca ka dy herë më pak sesa Turqia, ndërsa Gjermania edhe më pak.

Për më tepër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajnë rreth 35.000 ushtarë në Gjermani, në bazë të aranzhimeve që datojnë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, që është kontingjenti më i madh i ushtarëve amerikanë të stacionuar jashtë Shteteve të Bashkuara.

Vitin e kaluar SHBA-ja ka shpenzuar për mbrojtje hiç më pak se 880 miliardë dollarë. Sa për krahasim, Gjermania ka shpenzuar vetëm 58 miliardë. Investimi i Gjermanisë në mbrojtje është nën nivelin e caktuar bashkërisht nga NATO-ja, që duhet të jetë 2-përqindëshi i bruto prodhimit vendor. Franca është në nivelin e duhur, por shumë shtete të BE-së nuk janë.

Nëse merret parasysh kontributi i vendeve të tjera që janë në NATO por jo në BE, si Turqia, Kanadaja, Britania e Madhe dhe Norvegjia, kontributi i vendeve të BE-së mbetet shumë i vogël.

Por nuk është fuqia vetëm ajo ushtarake. Fuqia varet edhe nga vendimet e duhura politike.

Me ironi sot thonë se fuqia më e madhe ushtarake e botës, Amerika, humbi nga talebanët në Afganistan. E fuqia e BE-së dhe e NATO-s do të varet më së shumti nga uniteti në veprim. Rusia ka investuar shumë për ta prishur këtë unitet dhe ka arritur sukses të caktuar. Por tash kërcënimi rus ka bërë që edhe evropianët t’i bashkojnë radhët, të rikthejnë besimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dobësuara, sa për shkak të sjelljes së ish-presidentit Trump, por aq edhe nga naiviteti i politikanëve në Evropë.

Dhe këto tensione në raportet me Rusinë janë edhe një rikujtim se, kur të mendohet për të ardhmen, nuk duhen harruar edhe kapacitetet për t’u mbrojtur dhe nuk duhet menduar se paqja dhe stabiliteti janë diçka e garantuar vetvetiu.