Fenomeni me profetë të rrejshëm është i njohur që nga rrëfimet biblike. Eksperimenti me një të tillë në Kosovë prekë thellë në balancat etnike dhe religjioze të vendit e kombit
1.
Nuk ishte skenë e krijuar me inteligjencë artificiale. Profesor Pëllumb Pilinçi në këtë vapë korriku së pari shkoi në Theth e pastaj në Kosovë. Në sytë e nikoqirëve u paraqit një figurë që erdhi me një “Cadillac Escalade”, aso që zakonisht duken në lajmet e mbrëmjes me ministra e presidentë anembanë botës. Mysafiri megjithatë është edhe më i rëndësishëm në status - në sytë e nikoqirëve një skenë e këtillë u pa me vizitën e presidentit George W. Bush - ngase truprojat janë kapur për dyer e dritare të veturës në lëvizje, shenjë e rrezikshmërisë së lartë të personit të mbrojtur.
Personi i rrezikuar del i veshur me kostum e kravatë përkatëse, i krehur dhe me fytyrë e shikim të vendosur, vendosmëri e përforcuar me një libërth që e nxjerr nga xhepi i brendshëm i xhaketës. Përgjatë tre viteve të fundit Profesori, siç ka qejf ta quajnë, shpërfaq mendimin e besimin e tij për rendin shoqëror në Shqipëri (“të gjithë janë hajdutër”) dhe pas tëhollimit të mëtejmë të argumentit mbi hajdutërinë e përgjithshme ose të përgjithshmen e hajdutërisë nxjerr argumentin kryesor që duhet të shpjegojë misionin e tij, libërthin me Programin e misionit.
Misioni është tepër i rëndësishëm dhe i është dhënë në majat më të rëndësishme të SHBA-së, për të cilat nuk mund të flasë publikisht, ndonëse para tre vjetësh shpjegoi se si njëri prej miqve të tij më të afërt ishte sekretari i shtetit Tony Blinken i cili “di ku gjendem dhe më thërret çdo orë me telefon”.
Mbeti sekret puna e ritmit të rregullt njëorësh të thirrjeve telefonike të Blinkenit dhe do të mbetet, deri të zbulohet eventualisht, në është trashëguar obligimi i sekretarit Rubio që të mbajë ritmin e paraardhësit të tij, në mos për kurrgjë tjetër atëherë ngase misioni i Profesorit nuk ka përfunduar, siç dëshmon fotografia e tij në Kosovë. Me disa mikrofona përpara, nga një përkrahës në njërën dhe anën tjetër dhe me katër bodigardë të formave të avancuara të muskulaturës së zgjeruar e fytyrave të vrenjtura, zoti Pilinçi nxjerr libërthin - argument-kardinal dhe deklaron zgjidhjen e të gjitha problemeve me themelimin e Qeverisë teknike, të përbërë nga intelektualët, ajo specie e rrallë që i përngjet atij.
(Pamja e fundit, ndërsa përplasë libërthin mbi tavolinë, shenjë e të vërtetës përfundimtare, do të ishte interesante të shihej në një film që arrin të shkrijë hapësirën mes shpotitjes së Paolo Sorrentinos dhe të Alfonso Cuaronit)
2.
Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë për Pëllumb Pilinçin dhe vështirë të kenë dëgjuar për të në Theth e Kosovë, por ai përmbushi kushtet themelore për t’u bërë lajm. Hyri në Theth e Kosovë me “Escalade” e truproja, kishte kostum e kravatë, ishte i krehur dhe deklaroi se ishte me mision të rëndësishëm nga Amerika duke bërë me dije njëkohësisht e në formë konsistente se duhet themeluar një Qeveri teknike, diçka si formën le të bëhet njëherë Qeveria e për hollësitë flasim më vonë. Për një publik të përgjithshëm, këta janë faktorë më se të mjaftueshëm të kalimit të testit të pranueshmërisë. Pra, profesor Pilinçi i këtillë siç është, bëhet i legjitimuar edhe po të mos japë ndonjë shpjegim shtesë - madje do të kishte avantazh të mjaftueshëm besueshmërie e pranueshmërie po të mos jepte shpjegime shtesë.
Dëgjova disa nga intervistat e tij- një hapësirë e shtrirë mes konvencioneve (lufta kundër korrupsionit, misioni i shenjtë amerikan, etj.) dhe komedisë së absurdit të të shpallurit se ky është shpresa demokratike e Shqipërisë.
Mbase ky konstatim humori - se profesori Plinçi është shpresa për demokraci në Shqipëri, flet jo aq për gjendjen e demokracisë në Shqipëri sa për vetironizimin kolektiv në vend: nëse qytetarët e Shqipërisë përgjatë tranzicionit kanë arritur që të prodhojnë dy opsione politike që zëvendësojnë njëra tjetrën duke ia marrë njëkohësisht veset njëra tjetrës, atëherë konkluza logjike e kësaj spiraleje është Shpresa - Pilinçi, apo çfarëdo që ai të paraqesë (skenën filmike Sorrentino-Cuaron, për shembull).
3.
Ky mund të merrej si njëri prej rrëfimeve për profetë të rrejshëm (misionari Pilinçi si i dërguari i Amerikës) dhe historia është e mbushur me ta që nga rrëfimet biblike. Një vistër e tërë studiuesish janë marrë me këtë fenomen në shekullin XX dhe aty Pilinçi nuk do të meritonte ndonjë vëmendje të veçantë krahasuar me bashkështetasin e tij, Nikollë Bllazhde i njohur në Kosovë si atë Nikollë Xhufka.
Nikollë Xhufka u bë i njohur fillimisht si prift shqiptar ortodoks që theu derën e një kishe ortodokse serbe në Podujevë e duke shpallur se kishte mbajtur shërbesën e parë shqipe në të.
Zoti Bllazhde nuk konsiderohet prift nga kanoni i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, autoritetit të vetëm fetar ndër ortodoksët shqiptarë. Por, zoti Bllazhde zgjodhi rrugë tjetër jo vetëm duke e shpallur veten prift por edhe duke shpallur se është Peshkop i Kishës ortodokse shqiptare në Kosovë, një entiteti joekzistues.
Në balancat delikate fetare ndër shqiptarë dhe miksin fetar-etnik në Kosovë, paraqitja e zotit Xhufka prek në të drejtën kanonike dhe në rregullimin juridik të Kosovës. Në të drejtën kanonike, zoti Xhufka mund të ishte prift si i shuguruar prej Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë e kjo nuk ka ndodhur. Nga aspekti kanonik aq më pak do të mund të thirrej Peshkop, të hapë Mitropoli e të themelojë Kishë ortodokse shqiptare të Kosovës. Në rendin e ortodoksisë ekziston mënyra se si kjo do të mund të bëhej eventualisht, e kjo nënkupton hierarki kanonike dhe proces ndërkishtar.
Nga aspekti juridik, Xhufka është duke hyrë në objekte në të cilat janë mbajtur tradicionalisht shërbesa të Kishës ortodokse serbe që është jo vetëm sakrilegj kishtar por është në kundërshtim me rregullimin kushtetues-ligjor me të cilin Kosova shpalli pavarësinë, pra Paketën Ahtisaari.
I mbështjellë me flamur kombëtar, Xhufka po i prin një lëvizje politike që pretendon të jetë religjioze. Ai po bëhet profet i një besimi të ri etno-klerikal se çdo problem politik në Kosovë zgjidhet me pretendimin e pronësisë shqiptare të kishave ortodokse në Kosovë, duke mohuar njëkohësisht identitetin e serbëve të Kosovës e të besimtarëve serbë ortodoks si pjesë e identitetit të Republikës së Kosovës.
Në traditën religjioze të Kosovës problemi më i madh që është paraqitur në marrëdhënie të ndërsjella - dhe ky është problem që vazhdon në formë të spikatur me Patriarkun Porfirije - ka qenë etnofiletizmi i Kishës ortodokse serbe. Karshi këtij problemi tash po manifestohet një version cubërie etnofiletizmi shqiptar me Xhufkën, madje në një pjesë të hapësirës së shqiptarëve ku besimtarët shqiptarë ortodoksë janë pothuajse joekzistentë.
4.
Po shoh që disa kryetarë komunash në Kosovë kanë filluar ta presin Nikollë Xhufkën në vizitë zyrtare. Mbase do të duhej ta ftonin edhe profesor Pilinçin. Në mos kurrgjë tjetër për të dhënë ende ide për skenarin e filmit Sorrentino-Cuaron. Në atë film shekulli XX fillon me Peshkopin Noli që bashkëdyzon emrin e madh të Amerikës dhe misionin e shenjtë të Autoqefalisë ortodokse të Shqipërisë e shqiptarëve. Në atë film shekulli XXI zhvillohet me Profesor Pilinçin dhe Nikollë Xhufkën.