Të lodhur e të ngopur prej sundimit të keq dhe prej korrupsionit, votuesit kësaj radhe i ndëshkuan "partitë e luftës" - i çuan komandantët në opozitë, pas shumë vjetësh sundimi. Të frymëzuar, me gjasë, nga rinia e Kurtit dhe Osmanit, që bënë fushata pa premtime megalomane, nuk zgjodhën euforinë. Zgjodhën premtime që synojnë riparimin e dëmit afatgjatë që Kosova ka pësuar në dy dekadat e fundit
Të dielën e shkuar u mbajtën zgjedhjet më të mira që kemi pasur ndonjëherë në Kosovë. Pa incidente dhe tek-tuk ndonjë përpjekje për ndikim në votim, në forma të ndryshme, gara përfundoi me rezultate të shpejta preliminare që treguan se Kosova kësaj radhe votoi për ndryshim. Për një kombinim të ri politik, të paparë deri tash, porse të lëvizur prej një fryme tjetër - asaj të rinisë të cilën jo rrallëherë e kemi përmendur si shpresën për këtë vend.
Proces pa shumë dyshime
Deri në këtë çast nuk i kemi rezultatet përfundimtare ende, dhe rreth 314 vendvotime i janë nënshtruar procesit të rinumërimit për shkak të një gabimi teknik. Pra, të një formulari të shtypur gabimisht që i ka ngatërruar pak shënimet përmbledhëse nga qendrat e votimit. Nuk është e qartë se sa mund të ndikojë kjo në rezultatet përfundimtare e as nuk dihet saktësisht për sa vota bëhet fjalë. Porse fakti është se KQZ-ja nuk ka qenë kurrë më transparente kësaj radhe, duke i vendosur në faqen e saj edhe formularët e votave të rinumëruara, që të mund të bëhen krahasimet.
Rezultatet momentale e qesin VV-në fituese, me nja 5 mijë vota përpara LDK-së, dhe mjaft përqindje votash dallimi ndërmjet këtyre dy partive dhe PDK-së dhe AAK/PSD-së. Këto rezultate e mbajnë NISMËN jashtë Kuvendit, me nja 400 vota shkurt nga kalimi i pragut.
Ajo që vlen të veçohet kësaj radhe është pranimi relativisht i shpejtë i humbjes nga Veseli e Haradinaj. Pati një përpjekje të zbehtë për të ndalur procesin me kërkesë për rinumërim, porse PZAP-i i refuzoi ankesat me shpejtësi marramendëse. Dhe kryesisht nuk pati ankesa të tjera, pos asaj të vazhdueshme nga NISMA/AKR, që insiston se është dëmtuar në proces.
Sido që të jetë, fituesin e kësaj gare kësaj radhe e solli diaspora. Është një vlerësim, e nuk po di sa është i bazuar, se në ditën e zgjedhjeve në Kosovë u gjendën mbi 20 mijë kosovarë që jetojnë në diasporë. Kësaj duhet shtuar edhe rreth 20 mijë vota të tjera me kusht dhe me postë që presin në numërohen diku nga fundi i javës së ardhshme. Përfundimisht këto, po qe se janë valide, do ta përcaktojnë madje edhe dallimin më të theksuar në numrin e votave të fituesve karshi të tjerëve.
Por ajo që këto zgjedhje pasqyruan që atë natë kur priteshin rezultatet preliminare ishte një ndjenje e re - se në fund të tunelit më në fund po shihej një dritë.
Të lodhur e të ngopur prej sundimit të keq dhe prej korrupsionit, votuesit kësaj radhe i ndëshkuan "partitë e luftës" - i çuan komandantët në opozitë, pas shumë vjetësh sundimi. Të frymëzuar, me gjasë, nga rinia e Kurtit dhe Osmanit, që bënë fushata pa premtime megalomane, nuk zgjodhën euforinë. Zgjodhën premtime që synojnë riparimin e dëmit afatgjatë që Kosova ka pësuar në dy dekadat e fundit.
Koalicioni në ardhje
Pra, certifikimi i rezultateve, që mund të ndodhë për nja dy javë mbase, do të tregojë nëse votat e mbledhura nga VV-ja dhe LDK-ja do t'iu mjaftojnë për të krijuar koalicion vetëm, pa ndonjë votë shtesë nga dikush tjetër. Ajo që dihet me siguri është se nëse ndodh ky koalicion, definitivisht nuk do ta ketë Lista Srpskan në të. Sepse mund të ketë nevojë për ndonjë votë minoritetesh joserbe, por jo edhe për votat e Listës së Vuçiqit.
Tash, pasi dihen fituesit e zgjedhjeve, mund të konkludohet se LDK-ja bëri gabim kur nuk lidhi koalicion parazgjedhor me VV-në: jam e bindur se numri i votave për këto dy parti si pako do të ishte më i madh, dhe se mbase numri i të pavendosurve do të ishte më i vogël. E mbase më i vogël do të ishte edhe numri i fletëvotime të zhvlerësuara.
Hap që u përshëndet qe takimi i Kurtit me Mustafën dhe Osmanin. Parimet e përgjithshme që u deklamuan nga Kurti e Osmani pas takimit se Qeveria e re do të kishte më pak ministri, se do të ketë balancë në ndarjen e dikastereve dhe se së paku 30% të ministrave dhe zëvendësministrave do të jenë gra, duken shumë të mbara për nisjen e një reforme qeverisëse në Kosovë.
Megjithatë, ajo që la shije shumë të keqe qenë porositë kundërthënëse të LDK-së pas mbledhjes së Kryesisë së mbajtur dje. I pari doli zëdhënësi Mustafa duke thënë se kontaktet me VV-në do të ndërpriteshin deri në certifikimin e votave. Pas disa orësh Mustafën e ri e demantoi Mustafa, shefi i partisë, duke thënë se kontaktet do të vazhdonin, porse liderët e partive nuk do të takoheshin deri në certifikim të rezultateve. E fundit u deklarua Osmani për të thënë se kontaktet vazhdonin për ndërtimin e një programi të ardhshëm qeveritar.
Kjo qartazi e tregon plasaritjen përbrenda LDK-së dhe saktësisht e reflekton atë të cilën e kemi përmendur më parë: se ata që nuk janë pajtuar me rolet dytësore në këto zgjedhje, do të jenë më kritikët ndaj Osmanit, për shkak se nuk doli e para. Ani që krahasuar me zgjedhjet e shkuara LDK-ja e vetme ka më shumë vota sesa kur garoi me Alternativën dhe AKR-në. E vetë Osmani me siguri kësaj radhe do t'i ketë kaluar ato 60 mijë votat e herës së shkuar, duke ua dëshmuar të gjithë oponentëve të saj brenda, se ka shumë më tepër përkrahës seç kishin pasur ata dëshirë t'i ketë.
Kundërshtimi i hapur i Agim Veliut që të bëhet koalicioni me VV-në tregon se Osmani, e përkrahur nga Mustafa, nuk do ta ketë fare lehtë në procesin e konsolidimit të listës së emrave që do të shpërndahen nëpër dikasteret qeveritare. Shumëçka do të varet nga fuqia e akumuluar e brezit të ri të politikanëve të LDK-së, dhe nëse do të dalin më të fortë sesa "garda e vjetër" që njihet edhe si "krahu i PDK-së" brenda LDK-së. Nëse ia dalin ta tejkalojnë edhe këtë pengesë, ky do të jetë fillimi i ndryshimit në LDK, e cila megjithatë nuk mund të lirohet nga përgjegjësia e keqqeverisjes në të kaluarën, kur ia vazhdoi jetën PDK-së. Por, po qe se ky revolucion i brendshëm ndodh në LDK, bashkëqeverisja me VV-në do të hasë në shumë obstruksione nga brenda LDK-së, krahas atyre të tjerave që do të vijnë nga krahu i luftës.
Çka më së pari?
Dy apo tri javët deri në certifikim do të duhej të mjaftonin që të përpilohet një program qeverisës stabil, i cili megjithatë nuk do të jetë i përkryer.
Ajo që dallon nga hera e shkuar është se nuk do të ketë nevojë për shumë pritje që të konstituohen as Kuvendi e as Qeveria, dhe detyra e parë më e madhe me të cilën do të ballafaqohen këto parti do të jetë hartimi i buxhetit për vitin që vjen.
Ky do të jetë testi i parë i madh për koalicionin e ri - sepse jam më se e sigurt se nuk e kanë as idenë më të vogël se çfarë do të gjejnë nëpër ministri e as sa para janë shpenzuar e sa janë zotuar për turli projekti që është planifikuar larg syve të publikut.
Problemi i radhës do të jetë shërbimi civil tepër i madh për një shtet kaq të vogël. Dhe, edhe pse të dy kandidatët e kanë përsëritur se nuk do ta largojnë askënd nga puna, porse do të përpiqen t'u japin punë brenda në sistem, administrata shtetërore e Kosovës nuk mund të funksionojë normalisht përderisa punëson dyfish më shumë njerëz sesa i duhen. E sidomos jo përderisa një pjesë shumë e madhe e tyre janë militantë partiakë, që për këtë "meritë" janë punësuar aty.
Njëkohësisht, do të ballafaqohen me trysninë më të madhe për ta vazhduar dialogun, dhe për mbërritjen e një marrëveshjeje me Serbinë sa më shpejt, të cilën e kundërshtojnë që të dy, Kurti e Osmani, duke deklaruar se për ta është shumë më e rëndësishme përmbajtja sesa forma. Nga ana tjetër, do ta kenë për detyrë që ta mënjanojnë Thaçin nga procesi i negociatave, dhe ta mbajnë atë në nivelin të cilin ia ka përcaktuar Kushtetuesja: të një raporti konsultativ, por jo edhe vendimmarrës. E nuk do ta kenë lehtë, ngase Thaçi nuk duron dot të dalë në plan të dytë.
E kur jemi te Thaçi, mbase do të ishte shumë e mençur nga këto parti që do të bëhen bashkë, që postin e kryetarit të shtetit të mos e qesin në pazar kur të merren vesh. Thaçi i ka edhe nja 18 muaj mandat - të cilin mund ta humbë vetëm nëse konstatohet se e ka shkelur Kushtetutën dhe nëse për shkarkimin e tij votojnë 80 deputetë. Marrja me këtë post vetëm sa do ta konsumonte energjinë kot dhe do ta mbante koalicionin në tetik pa pasur nevojë. Koha e mbetur deri në zgjedhjen e kryetarit duhet të përdoret për gjëra shumë më të mençme, përderisa këto parti të jenë në gjendje ta neutralizojnë injorancën dhe arrogancën e Thaçit.
* * *
Kur Haradinaj u zgjodh kryeministër, ishte 36 vjeç, kurse kur i erdhi radha Thaçit, ai ishte 39 vjeç. Pra, bëhej fjalë për një brez të ri politikanësh që u bënë të tillë brenda natës dhe që pas vetes nuk e kishin as përvojën më të vogël politike, pos të qenit deputet në Kuvend.
Kurti është 44 vjeç, kurse Osmani 37 vjeçe - që të dy të rinj, porse me përvojë shumë të gjatë në politikë. Për më tepër, me përgatitje të mirë shkollore, në veçanti Osmani që bart gradën e doktores së shkencave. Nga ana tjetër Kurti, e ka kaluar edhe burgun serb në moshë shumë te re për shkak të bindjeve të tij politike. Dhe, që të dy, me njohuri të jashtëzakonshme të anglishtes - që nëse asgjë tjetër, i bën më reprezentativë në takime me të huajt.
Dallimi është i madh mes asaj që e kemi pasur dhe kësaj që po na vjen. Të rinjtë në veçanti i kanë vendosur të gjitha shpresat në këta të rinj dhe ata të rinjtë që i përcjellin dhe përkrahin. Do të ketë edhe të tillë që janë më në moshe dhe do t'i përkrahin në veprimet e tyre politike, porse do të varet nga sinqeriteti dhe mençuria e tyre se sa larg do të mbërrijnë me realizimin e premtimeve të tyre, dhe me ruajtjen nga spërkatja me skandale.
Tashmë e dinë edhe këta se për herë të parë, dhe kurrë më zëshëm, foli sovrani. Po ai sovran që do t'i ketë nën vëzhgim deri në takimin e ardhshëm.