OpEd

Domosdoshmëria e reformës në sistemin prokurorial në Kosovë

Që një shtet demokratik të funksionojë siç duhet, është shumë me rëndësi që të ketë një sistem të pavarur, të drejtë, të paanshëm, llogaridhënës dhe efikas të drejtësisë, të cilit i beson populli

Nga viti 2016 e deri më sot, qytetarët e Kosovës, partitë politike në pushtet dhe opozitë, sistemi gjyqësor dhe prokurorial marrin të njëjtën përgjigje lidhur me sistemin e drejtësisë në Kosovë, nga raporti i vendit për Kosovë. Në çdo drejtim, në fushën e sundimit të ligjit, vlerësohet se Kosova është në fazën fillestare të përgatitjes për zbatimin e praktikave dhe standardeve evropiane dhe se administrimi i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadalshëm, joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve politike.

Përkundër faktit se në pesë vjetët e fundit, Republika e Kosovës, partnerët ndërkombëtarë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe shtete veç e veç kanë investuar me dhjetëra miliona euro në sistemin e drejtësisë në Kosovë, rezultatet e shumëpritura po mungojnë. Numri i gjykatësve, prokurorëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë në pesë vjetët e fundit është rritur vazhdimisht. Janë përmirësuar kushtet e punës për gjykatës dhe prokurorë, janë ndërtuar objekte të reja të gjykatave dhe prokurorive. Mirëqenia sociale dhe financiare e gjykatësve dhe prokurorëve është më e mirë jo vetëm në raport me pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv, por pagat e tyre krahasohen edhe me vende të caktuara të Bashkimit Evropian dhe më të lartat në rajon. Për ta ilustruar, një gjykatës dhe prokuror i nivelit më të ulët pranon pagë vjetore prej së paku 22 mijë eurosh në vit, përderisa një gjykatës dhe prokuror në nivelin më të lartë pranon pagë 30 mijë euro deri në 40 mijë euro në vit.

Megjithatë, as këto investime nuk kanë sjellë rezultatet e pritura që Kosova të shënojë progres në sundimin e ligjit dhe t’i respektojë të drejtat dhe liritë e njeriut.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë, nga shpallja e pavarësisë, ka kaluar nëpër reforma të vazhdueshme që kanë përfshirë miratimin dhe ndryshimin e legjislacionit të ri, shumicën e kohës duke pasur si katalizator procese të ndryshme të jashtme si: Liberalizimi i vizave ose dialogu i procesit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Sipas Strategjisë për Sundimin e Ligjit të miratuar nga Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2021, ndër të tjera thuhet se në Raportet Vjetore të Progresit të lëshuara nga Komisioni Evropian janë kërkuar vazhdimisht përmirësime në funksionimin dhe llogaridhënien e Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke treguar që ky këshill ka dështuar në mënyrë të vazhdueshme në zbatimin e detyrimeve ligjore në nxjerrjen e legjislacionit dytësor. Përveç kësaj, ende nuk ekziston një sistem i kontrollit dhe balancës në sistemin prokurorial. Në bazë të Kushtetutës dhe ligjit, Këshillit Prokurorial i është deleguar pushtet jashtëzakonisht i gjerë, përfshirë trajnimet fillestare për prokurorë, provimet e kualifikimit, propozimet për emërime, riemërime dhe shkarkime për prokurorë, transferimet, ngritjet në detyrë, emërimet e kryeprokurorëve dhe administrimin e procedurave disiplinore.

Keqpërdorimi i pushtetit prokurorial për të amnistuar krimin

Tërë ky pushtet nuk është përdorur, por është keqpërdorur nga drejtuesit e sistemit prokurorial. Viti 2021 e gjen Kosovën me një sistem prokurorial anemik, i cili tërë pushtetin, potencialin dhe fuqinë e tij e ka drejtuar në avancimin e kulturës së pandëshkueshmërisë dhe riciklimit të personave të njëjtë në pozitat kyç të sistemit prokurorial. Nëse merren si bazë vitet 2015 dhe 2021, vërehet se sistemi prokurorial i Kosovës udhëhiqet nga të njëjtit persona, të cilët katër vjet shërbejnë si kryeprokuror, pastaj kalojnë si anëtarë të Këshillit Prokurorial, për t’u kthyer pastaj prapë si kryeprokuror apo për t’u ngritur në detyrë deri në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në mënyrë që një shtet demokratik të funksionojë siç duhet, është shumë me rëndësi që të ketë një sistem të pavarur, të drejtë, të paanshëm, llogaridhënës dhe efikas të drejtësisë, të cilit i beson populli. Për këtë qëllim, pavarësia e drejtësisë duhet të shoqërohet edhe me integritet të lartë.

Sa vërtet ka qenë Këshilli Prokurorial në gjendje të ruajë besimin dhe integritetin e sistemit prokurorial në pesë vjetët e fundit? Mjafton të kujtohen aferat e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, nga koha kur ka marrë këtë pozitë. U dëshmua me prova dhe dëshmitarë se dosja e tij e provimit të jurisprudencës ishte e manipuluar, por rasti u mbyll në mënyrë të turpshme dhe të kundërligjshme nga prokurori Kujtim Munishi. Për këtë Munishi u shpërblye me njërën ndër pozitat më të rëndësishme, atë të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Rrugës Lumezi u dëshmua se ishte pjesë e përgjimeve të aferës më të madhe të përgjimeve “Pronto”, ku ishte përmendur nga protagonistët si aset i çmuar që i duhej politikës për ndikim. Rasti “Pronto” iu nda një prokuroreje të përfshirë në shumë skandale të shkeljes së ligjit, e cila ngriti një aktakuzë, pa propozuar asnjë dëshmitar, rast ky që përfundoj edhe në gjyqësor për faqe të zezë, pa dënime meritore. Dhe krejt në fund, Kryeprokurori Lumezi doli protagonist në disa incizime të publikuara në media, ku theksohej përfshirja e Lumezit për të biseduar me persona të dyshuar për përfshirje në krime, të cilët i kishin dërguar selame se kanë materiale inkriminuese që mund ta shantazhojnë. Për përfshirje në këto incizime, një gjykatës u degradua nga Këshilli Gjyqësor, ndërsa Këshilli Prokurorial as që ka pasur guximin të iniciojë procedurë disiplinore ndaj kryeprokurorit Lumezi.

Këto ishin disa prej rasteve të mëdha për të dëshmuar gjendjen e mjerë në sistemin prokurorial, ku i pari i këtij sistemi, ka qenë protagonist i përfshirjes në skandale e jo shembull për të mirë siç pritet. Ka me qindra raste të tjera që dëshmojnë dështimin e sistemit prokurorial në ruajtjen e besimit dhe integritetit, por po përmend vetëm edhe vrasjen e Sebahate Morinës. Për këtë viktimë, ka një zinxhir institucionesh që kanë dështuar t’ia ruajnë jetën, por dështimi kryesor i faturohet Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila ka dështuar për të ofruar mbështetje dhe ndihmë për të parandaluar vrasjen e saj. Por, çfarë mund të pritet tjetër, kur kryeprokurori i kësaj prokurorie, Kujtim Munishi, në një ngjarje publike, deklaron se nuk është në mandat të prokurorit të shtetit parandalimi i krimit, por vetëm luftimi. Kjo dëshmon mjerimin në sistemin prokurorial, ku një kryeprokuror i Prokurorisë më të madhe në vend, ka problem të njohë abc-në e rolit të institucionit ku është udhëheqës.

Kjo amnisti e krimit dhe prokurorëve dështakë nga vetë sistemi prokurorial, është theksuar vazhdimisht në raportet vendore dhe ndërkombëtare. Se sistemi prokurorial ka probleme serioze me integritetin mjafton të lexohet raporti i vendit për vitin 2021, ku ndër të tjera thuhet se partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, nuk kanë pranuar të monitorojnë procesin e emërimit të kryesuesit dhe anëtarëve të Këshillit Prokurorial, për shkak të shqetësimeve lidhur me mungesën e transparencës së procesit dhe të potencialit për konflikt të interesit. Troç thuhej ajo që dihej e shihej, se pozitat kyç ishin ndarë me marrëveshje. Por, edhe përkundër vërejtjeve dhe kërkesave të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë që të ketë një proces transparent dhe të evitohet konflikti i interesit në emërimin e anëtarëve të rinj të Këshillit Prokurorial, ato janë injoruar.

Reformimi përmes Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës

Ministria e Drejtësisë përmes plotësim-ndryshimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial ka iniciuar ndër të tjera ndryshimin e përbërjes së Këshillit nga 13 anëtarë në shtatë, me këtë edhe ndërprerjen e mandatit të anëtarëve aktualë. Projektligji ka paraparë edhe masa të tjera që lidhen me procedurën e emërimit të katër anëtarëve nga Kuvendi i Kosovës dhe tre anëtarëve nga Këshilli Prokurorial. Ministria e Drejtësisë në konsultim me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë ka pranuar që projektligji në fjalë të dërgohet për opinion këshillëdhënës në Komisionin e Venecias.

Komisioni i Venecias pas takimeve në Prishtinë më përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësues të Këshillit Prokurorial, shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë ka hartuar një draft fillestar ku janë dhënë qëndrimet lidhur me këtë projektligj.

Opinioni i Komisionit të Venecias, në bazë të praktikës së ndërtuar, si rregull qëndron pranë parimit kundër ndërprerjes së mandatit të anëtarëve të KPK-së. Përjashtimisht, nga ky rregull, ky komision e sheh mundësinë e ndërprerjes së mandatit të anëtarëve të KPK-së vetëm nëse ka arsye të fuqishme për të besuar se përbërjet aktuale të KPK-së kanë mungesë të theksuar të integritetit dhe ka dyshim të bazuar se përbërja aktuale nuk ka vullnet për të qeverisur mbi parimet e sundimit të ligjit.

Kjo ndodh në rastet kur ka mungesë të theksuar të llogaridhënies, kur Këshilli kthehet në një korporatë e shoqëruar me pandëshkueshmëri dhe instalim të kulturës së favorizimit apo mospërmbushjes së detyrave dhe pritjeve të publikut për një sistem prokurorial të pavarur, të paanshëm dhe të drejtë.

Në draftin e parë të Komisionit të Venecias është miratuar propozimi i Ministrisë së Drejtësisë për ndërprerjen e mandatit të shumicës së anëtarëve aktualë të KPK-së, me kusht që të sigurohet një lloj kontinuiteti i këtij mekanizmi dhe që anëtarët e rinj të KPK-së të mos emërohen mbi baza politike, ose nga partia në pushtet, por të ketë konsensus politik, ku mund të përfshihen 2/3 e votave të deputetëve për emërim të katër anëtarëve të KPK-së, lehtë kjo e arritshme nëse ka vullnet politik nga ana e partisë në pushtet.

Opinioni i Komisionit të Venecias është fitorja e parë e Republikës së Kosovës drejt reformimit të sistemit prokurorial dhe ndërtimit të një mekanizmi të ri të bazuar në meritokraci dhe parimet e sundimit të ligjit. Më të drejtë, opinioni shihet si një pikë kthese dhe një mundësi unike që pas shtatë vjetëve të humbur në sistemin prokurorial, përmes një ristrukturimi të këtij mekanizmi të kthehen integriteti dhe llogaridhënia, dhe me këtë edhe besimi i qytetarëve.

(Autori realizon emisionin e specializuar për fushën e sundimit të ligjit “Tempus”, në KTV).

* Falas