OpEd

DipLLOMacia kosovare

Duke bërë hulumtime të shumta mbi sukseset dipLLOMatike, të cilat i kishte arritur z. Begjet Pacolli gjatë karrierës së tij, unë arrita që ta përpiloja një listë, e cila është me sa vijon: 1. Begjet Pacolli e ka parë Shokun Tito cullak; 2. Begjet Pacolli ka marrë tenderë nga presidenti i dikurshëm rus, Boris Jelcin; 3. Begjet Pacolli është pajtuar me Baton Haxhiun; 4. Begjet Pacolli ia ka shtrënguar dorën Donald Trumpit; 5. Begjet Pacolli e ka shef Ramush Haradinajn.

DipLLOMacia kosovare

Është e rëndë që unë si ambasador i Kosovës në Facebook dhe platformat e tjera të rrjeteve sociale të merrem me kritikën e diplomacisë kosovare, faktikisht krerëve të shtetit dhe diplomacisë kosovare, si dhe fiaskove të tyre jashtë e brenda shtetit. Së fundmi të gjithë ishim dëshmitarë të fiaskos së radhës që këta burra na e shkaktuan kësaj radhe me prezencën dhe sjelljet e tyre në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York.

Ndoshta mund t’i humbas paksa kronologjinë dhe renditjen se si kanë rrjedhur gjërat, por ajo është pak e rëndësishme. Shkuan burrat tanë kosovarë në selinë e OKB-së. 

Sorollateshin korridoreve në tendencën e tyre të mendësisë së cubave duke “zënë prita” që të ndalnin njerëzit dhe të “lobonin” për Kosovën. Begjet Pacolli, zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht edhe ministër i Punëve të Jashtme, ishte ai i cili ra në sy më së shumti me aktivitetet e tij dipLLOMatike. 

Personalisht nuk m’u duk aq tragjike shtrëngimi i duarve nga ana e tij me presidentin e SHBA-së Donald Trump. Më problematike m’u duk postimi i asaj videoje në Facebook nga Begjet Pacolli, si dhe fillimisht emërtimi i videos “nga takimi me presidentin Doland Trump”, të cilin më vonë e korrigjoi në shtrëngim duarsh me presidentin Donald Trump.

Për mua, si diplomat i regjur dhe i kalitur ndër dekada e gjithsesi i vetëshpallur, fiaskoja më e madhe ishte qasja që ministri Pacolli e pati ndaj kryeministres së Serbisë, Bërnabiq. 

Por a ishte e rastësishme mënyra se si iu përgjigj z. Pacolli znj.Bërnabiq, unë, përveç diplomatit, i cili lexon midis rreshtash, do ta luaj edhe rolin e “avokatit të dreqit”. 

Në pyetjen të cilën znj. Bërnabiq ia bëri z. Pacolli se ku e kishte marrë lejen për të hyrë brenda selisë së OKB-së, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës iu përgjigj se atë e kishte marrë nga ajo. 

Kjo qe një përgjigje nënshtruese parexcellance në të cilën, pasi që i hyri në 16-metërsh (penall), znj. Bërnabiq iu përgjigj se sikur leja të ishte kërkuar nga ajo personalisht ai nuk do të lejohej aty ... Z. Pacolli, duke dashur të tregohej se sa xhentëlmen që është, i tha se ajo është një zonjë e nderuar në Kosovë. 

E unë i garantoj z. Pacolli se sikur t’i pyeste banorët kosovarë as 99.9% të tyre nuk do të dinin të përgjigjeshin në pyetjen se kush është kryeministër i Serbisë, kështu që pjesa e mbetur prej 0.1% janë ministrat, brigada e zëvendësministrave, këshilltarët politikë, kryeministri, Lista Serbe, presidenti dhe bodigardat e tyre. 

Kështu matematikisht të zbërthyer, ky del të jetë numri i saktë i njerëzve që janë në dijeni se kush është kryeministër i Serbisë dhe të cilët mund të kenë respekt për të. Nga ky numër i dijenisë së popullatës përjashtova gazetarët, analistët politikë, si dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës. Lajthitja e dytë, të cilën z. Pacolli e bën aty nëpër korridoret e selisë së OKB-së, është prapë prononcimi i tij për takimin me kryeministrin e Marokut, i cili nuk vonoi shumë dhe në një prononcim të tij përgënjeshtroi se ai ishte takim. 

Ne fakt ai e quajti “personin nga Kosova” si dikush që imponohej dhe se Maroku nuk e njeh Kosovën, do ta vazhdojë që mos ta njohë atë dhe nuk ka marrëdhënie me të. Po ka shumë gjëra që Marokun edhe nuk e bëjnë ndonjë vend që shkëlqen nga demokracia, por ne e dimë që z. Pacolli ka ditur që ndonjë shtet që kishte tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës ta quante të parëndësishëm dhe shtet jorelevant. Totalisht autogol në diplomaci dhe në luftën për korrjen e njohjeve të reja dhe sigurimin e ulëses në OKB në një të ardhme. 

Këto ishin dy shpulla të cilat DipLLOMacia kosovare i mori brenda ditës. E treta do të vinte në trajtë të një knockdowni në boks, kur nga selia e OKB-së zëdhënësja e saj do të deklaronte se DELEgacioni i Kosovës nuk kishte ftesë për pjesëmarrje në Samitin e OKB-së, e as si shtet vëzhgues, dhe se hyrja dhe qëndrimi i tyre në permisat e selisë “nuk dihej” se si ishte aranzhuar. 

Në rolin e avokatit të dreqit do të shtroja pyetjen: a me të vërtetë mund të kenë kërkuar leje nga Serbia për pjesëmarrje në ndërtesën e OKBsë??? E dini sa shumë nga ne mburreshim me paraqitjet e ambasadores sonë në Uashington, znj. Vlora Çitaku, në selinë e OKB-së, kundërvëniet e saja të bazuara në fakte ndaj Daçiqit dhe shtetit serb. 

Po e di, shumë nga ju do të thoni: po ajo vetëm e bën punën e saj e pse të përgëzohet? Po atë po e kërkoj edhe nga z. Pacolli që vetëm të bëjë punën e tij qysh duhet. Nga ajo që unë kam parë deri më tash nuk mendoj se z. Pacolli është i denjë për një pozitë të tillë delikate politike, ai mund të ketë sensin e të bërit biznes, por të bërit biznes dhe diplomacia janë dy gjëra shumë të ndryshme e këtë ne e shohim edhe nga fiaskot e ndryshme, të cilat ia shkakton shtetit të Amerikës presidenti i saj Trump, sepse edhe ai e ka mendësinë e një biznesmeni egocentrik, por assesi të një diplomati. 

Për t’u mos mjaftuar me kaq, z.Pacolli në vazhdën e amatorllëkut të vet dipLLOMatik vazhdon të deklarojë më tutje se Kosova dhe Serbia nuk do të duhej të kishin kufij midis tyre dhe se ato nuk kanë pasur të këqija ndaj njëra-tjetrës dhe gjithmonë kanë jetuar bashkë. Huh?!? Presidenti flet për korrigjim kufijsh, ministri i Punëve të Jashtme flet për heqje kufijsh, çakordancë më totale qëndrimesh dhe idesh s’e besoj që edhe zadrugat e shekullit të kaluar mund të kenë pasur gjatë “potpisit” (regjistrimit) të mallit të tyre se lëre më burrat që udhëheqin proceset diplomatike të shtetit tonë. 

Unë e vërej dukurinë që njerëzit në Kosovë thuajse jetojnë në një botë paralele dhe janë të shndërruar në zobmie të “lumtur”, ku gjithçka është e ngjyrosur me ngjyra të bukura dhe jeta është e bukur dhe e lehtë në Kosovë, dhe Qeveria bën punë të mrekullueshme për mirëqenien e qytetarëve të saj. Të njëjta janë edhe sjelljet e politikanëve tanë dhe dipLLOMacisë sonë kundrejt Serbisë, ja referohuni deklaratave të fundit të Begjet Pacollit dhe do ta keni të qartë këtë që po ua them. 

Duke vazhduar në rolin e “avokatit të dreqit”, pse do të duhej që z.Pacolli të deklaronte diçka të tillë në lidhje me heqjen e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? Kjo gjë në vazhdën e zhvillimeve politike globale do të duhej t’u takonte gjeneratave të diplomatëve dhe politikanëve të rinj ndoshta pas 20- 30 vjetësh, jo tani. Jo me bagazhin e krimeve me të cilin Serbia synon që të hyjë në Evropë, duke e mos njohur Kosovën si shtet të pavarur, dhe duke mos kërkuar as kërkimfalje formale për krimet e saja, të cilat i kishte shkaktuar në këto troje, dhe për plotësimin e gjithë kësaj ironie me aktorët e njëjtë që në kohën kur këto krime u shkaktuan ishin pjesë e aparatit të politikëbërjes së Serbisë, ndërsa sot na qenkan veshur në petkun e “integrimeve evropiane dhe tolerancës”. 

Duke bërë hulumtime të shumta mbi sukseset dipLLOMatike, të cilat i kishte arritur z. Begjet Pacolli gjatë karrierës së tij, unë arrita që ta përpiloja një listë, e cila me sa vijon është: 1. Begjet Pacolli e ka parë Shokun Tito cullak 2. Begjet Pacolli ka marrë tenderë nga presidenti i dikurshëm rus, Boris Jelcin 3. Begjet Pacolli është pajtuar me Baton Haxhiun 4. Begjet Pacolli ia ka shtrënguar dorën Donald Trumpit 5. Begjet Pacolli e ka shef Ramush Haradinajn Me këto suksese të shënuara dipLLOMatike e të mëtosh se do të sjellësh njohje të reja nga shtete të reja (gjë që prejse është në detyrë ne nuk ishim dëshmitarë) është vetëm edhe një tregues se Kosova është e kapluar nga sharlatanizmi në shumë nivele e gjithsesi se ai niveli që ne na përfaqëson si shtet është më i ndjeshmi. 

Me këto qasje në OKB (O Kuku Bre) vështirë të na sigurohet një karrige. Unë mendoj se Kosova veçse ka në dispozicion gjeneratën e të rinjve të shkolluar jashtë, të cilët kanë studiuar për marrëdhëniet diplomatike, shkencat politike e shumë lëmenj të tjerë relevantë. Këta të rinj qeveritë kosovare nuk do të duhej të hezitonin që t’i angazhonin në diplomacinë kosovare, edhe duke mos i kushtëzuar fare politikisht për t’u bërë pjesë e ndonjërës nga partitë politike kosovare. 

Mendoj se ato gra e ata burra do të jepnin kontributin e tyre të çmueshëm pa asnjë hezitim dhe se Kosova do të përfaqësohej denjësisht ashtu siç një shtet i ri si ajo do ta meritonte në skenën ndërkombëtare.