OpEd

Demokracia shqiptare

Flamur Hyseni

Demokracia për shqiptarët, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, përfaqëson më shumë se një sistem qeverisës – përfaqëson një aspiratë historike për liri, barazi dhe drejtësi. Kjo formalisht është arritur tash e 35 vjet. Pas dekadash represioni dhe mungese të shtetit të së drejtës, vitet ’90 shënuan një kthesë për shqiptarët në Ballkan: Shqipëria braktisi komunizmin në favor të një rendi demokratik, ndërsa Kosova nisi rrugën e saj drejt çlirimit dhe më vonë pavarësisë. Megjithatë, ndërtimi i demokracisë nuk ka qenë i lehtë për shqiptarët. Është demokraci tipike shqiptare, që është e pakrahasueshme me secilën demokraci rajonale dhe aspak e krahasueshme me demokracitë perendimore. Është shoqëruar me kriza të thella institucionale, tranzicione të gjata, mungesë të konsensusit politik, mos kuptim të politikës dhe institucione të brishta.

Demokracia shqiptare në retrospektivë

Shqipëria (1990–2025): Nga rënia e komunizmit te sfidat e demokracisë funksionale

Pas rënies së regjimit komunist në vitin 1990, Shqipëria hyri në një periudhë transformimi të thellë politik dhe shoqëror. Kalimi nga një sistem monist drejt një rendi demokratik pluralist nuk ishte i lehtë. Pasojat janë evidente edhe sot. Vitet e para të tranzicionit u karakterizuan nga mungesa e përvojës politike, dobësia e institucioneve dhe polarizim i theksuar. Ngjarjet dramatike të vitit 1997, të shkaktuara nga kolapsi i skemave piramidale dhe humbja e kontrollit shtetëror, përbëjnë një pikë kulmore të krizës së demokracisë shqiptare pasojat e së cilës vazhdojnë edhe tani. 

Me kalimin e viteve, Shqipëria ka bërë përpjekje për të ndërtuar institucione më të qëndrueshme dhe për të ndjekur rrugën drejt integrimit evropian. Zgjedhjet pluraliste janë bërë normë, edhe pse shpeshherë të kontestuara, ndërsa reformat në drejtësi dhe administratë publike janë vënë në qendër të debatit politik. Vazhdojnë me qenë tema kryesore politike. Megjithatë, demokracia shqiptare vazhdon të përballet me sfida serioze si korrupsioni i përhapur dhe ndërhyrja partiake në institucione të pavarura. Me pak progres në lidershipin e Partisë Socialiste vërehet ndryshimi sasior dhe cilësor në shoqërinë shqiptare të Shqipërisë. Kjo ka dhënë rezultate në mirëqenie dhe mardhënie ndërkombëtare. Ndërsa te Partia Demokratike mendësia e fillimit të shekullit 20 vazhdon ta fundosë identitetin politik partiak. Kështu që Shqipëria mbetet me demokraci dy partiake, ku njëra parti me shumë vështirësi më në fund arrin ta kuptojë politikën ndërsa partia tjetër e ka shumë të vështirë ta kuptojë politikën.

Kosova (1999–2025): Demokracia në një shtet të ri

Kosova nisi ndërtimin e demokracisë pas luftës së 1999 dhe administrimit ndërkombëtar të UNMIK-ut. Pas shpalljes së pavarësisë më 2008, nisi procesi i ndërtimit të institucioneve shtetërore. Këto procese krijuan një realitet të ri politik ku u formuan shumë parti politike. Demokratizimi i këtyre partive politike po del të jetë rrugë e gjatë me pasoja të paparashikueshme për shtetin dhe shoqërinë kosovare. 

Roli dominues i partive të dala nga lufta, mungesa e një elite politike të konsoliduar dhe përçarjet e shpeshta politike kanë ndikuar në polarizimin e skenës politike dhe në vonesat në procese të rëndësishme demokratike. Demokracia në Kosovë ka qenë e mbështetur fuqimisht nga faktori ndërkombëtar, por nuk ka arritur ende të fitojë autonominë e plotë funksionale. Vazhdon të ndihet mungesa e mbështetjes së faktorit ndërkombëtar. Është një përshtypje se, më shumë kishte stabilitet në kohën e administrimit ndërkombëtar dhe deri në kohën e përfundimit të pavarësis së mbikqyrur më 2012, sesa pas 2012 kur pavarësia është e plotë dhe nuk duhet asnjë koordinim me askënd për vendimmarrjen në politikat e brendshme.

Dallimet kryesore: Ndërtimi institucional dhe përvoja historike

Shqipëria e miratoi Kushtetutën e saj më 1998, në një kontekst të brendshëm. Kosova, përkundrazi, e miratoi Kushtetutën në vitin 2008, duke u bazuar në Planin e Ahtisaarit dhe me një ndikim të madh ndërkombëtar. Larg kontekstit shoqëror dhe politik. Kushtetutë e gatshme – e dhuruar dhe e konstruktuar e cila po të analizohet me kujdes vetëm kapitulli i parë del se, ka për qëllim që ta ndryshojë realitetin kosovar. Sa herë që realiteti është tentuar të ndryshohet pasojat kanë qenë afatgjate dhe të paparashikuara. Kjo krijon një rend institucional të kushtëzuar dhe të ndikuar nga obligime të jashtme.

Shqipëria trashëgoi nga komunizmi një aparat shtetëror të centralizuar dhe me përvojë institucionale, sado represive që ishte. Kosova, ndërkaq, doli nga lufta pa institucione funksionale dhe me një elitë politike të krijuar në rrethana të jashtëzakonshme (1989 – 1999). Kjo ka ndikuar në qasjen ndaj shtetit dhe funksionimit demokratik.

Pse mungon pjekuria politike në Kosovë?

Kjo mungesë shpjegohet nga trashëgimia e sistemit partiak monist dhe e luftës, që e shndërroi organizimin politik në vazhdim të strukturave ushtarake dhe jo si rezultat i konkurrencës demokratike. Liria u përjetua rënd dhe shfryerja e mllefit të akumuluar ndër vite në proceset e brendshme la pasoja të mëdha në edukim, arsim, shëndetësi, kulturë, ambinet, sport, infrastrukturë. Politika u keqkuptua duke u shndërruar në veprimtari ku bëhet “luftë gladiatorësh” në vend që të kuptohet si veprimtari ku vihet në shprehje dija dhe mençuria në funksion të interesit të përgjithshëm. 

Mungesa e elitës intelektuale politike, që të ofrojë platforma vizionare dhe debat të mirëfilltë. Elita intelektuale politike është e topitur. Përjashto disa individë që e kanë ruajtur dinjitetin dhe autoritetin intelektual të cilët vështirë që do të mund të ndikojnë në ndryshimin e gjendjes aktuale. 

Ndikimi i faktorit ndërkombëtar, që në disa raste ka zëvendësuar përgjegjësinë vendore. Kjo aq sa ka qenë e mirë për zhvillimin politik po aq ka lënë pasoja sepse ka krijuar varësi totale e cila po vërehet tash e disa herë që partitë paralementare aktuale nuk janë në gjendje ta kuptojnë që zgjedhja e kryetarit dhe e kryesisë së kuvendit është në të mirën e tyre dhe institucioneve shtetërore. Partia e cila ka dalë tri herë radhazi e para në zgjedhje me numrin më të madh të deputetëve në Kuvend (2019, 2021, 2025) nuk është e aftë ta kuptojë demokracinë parlamentare. Udhëheqja me institucionet qëndrore shtetërore mbi 5 vjet radhazi nuk i ka mjaftuar që të kuptojë se rotacioni qeverisës është mençuri politike, jo “luftë gladiatorësh”. 

Pasiviteti qytetar, që ka lejuar partitë politike të mos ndiejnë presion për transparencë, reformim apo ide të reja. Përgjegjësia është e të gjitha partive sepse nga seksioni, nëndega, dega dhe deri në kryesinë qendrore i kanë kurdisur proceset zgjedhore partiake, ku në emër të zgjedhjeve partiake kanë emëruar persona të cilët i shërbejnë grupacioneve partiake.

E ardhmja e demokracisë shqiptare

Demokracia shqiptare, në të dy shtetet ku shqiptarët përbëjnë shumicën, mbetet e brishtë. Shqipëria dhe Kosova ndajnë sfida të përbashkëta – si korrupsioni, mungesa e sundimit të ligjit dhe polarizimi shoqëror – por kanë edhe rrugë të ndryshme për shkak të historisë së tyre unike. 

Zhvillimi i demokracisë përmes partive politike vazhdon të mbetet forma e vetme formale por, pa përmbajtje sepse mungon individi politik dhe i mençur. Lideri partiak është përcaktuar për ta mposhtur kundërshtarin, në vend që të bashkëpunojë për ta zhvilluar vendin. Lideri merr përkrahje pavetëdijshëm për pasojat që i shkakton. Njëjtë si në monizëm. Në zgjedhjet demokratike ka pjesëmarrje për të kërkuar besim dhe legjitimitet për përgjegjësi, jo “luftë gladiatorësh”. Nuk janë të vetëdijshëm se, nëse e mposhtin kundërshtarin politik çka kanë për të fituar? Nëse mposhtet kundërshtari politik a zhvillohet Kosova ekonomikisht? Nëse mposhtet kundërshtari politik a bëhet reforma në drejtësi dhe shëndetësi? Nëse mposhtet kundërshtari politik a bëhet reforma në edukim dhe arsim? Të gjitha këto reforma bëhen atëhere kur në parti politike vjen në shprehje brezi i politikanëve, që e kupton se beteja për ta mposhtur kundërshtarin politik është rrugë pa dalje. Heq dorë nga kjo mendësi “gladiatorësh”. E kupton që kjo betejë nuk ka kurrfarë kuptimi logjik dhe praktik. 
Ndërtimi i institucioneve funksionale, zhvillimi i një kulture politike demokratike dhe përfshirja aktive e qytetarëve janë të domosdoshme për të ardhmen. Demokracia nuk është vetëm strukturë formale, por një mënyrë të menduari dhe jetuari – dhe kjo kërkon kohë, përkushtim dhe përgjegjësi kolektive. Kërkon zëvendësim të mendësisë së “gladiatorëve” me mençurinë politike.

(Autori është profesor i teorisë së shtetit dhe së drejtës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës)