OpEd

Demarkacioni përdoret si arsyetim për izolim apo shantazh të qytetarëve

Sikur përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, duke e përfshirë edhe presidentin Thaçi, të kishin bërë po aq përpjekje për ta bindur Brukselin se ratifikimi në Kuvend i Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi nuk mund të jetë kusht për liberalizim vizash, as sa punojnë për ta bindur opozitën dhe disa deputetë të pozitës që ta votojnë këtë ratifikim, ndoshta do të tejkalohej kjo pengesë. Ende në Bruksel askush nuk ka dhënë një përgjigje të drejtë, të kuptueshme, logjike dhe të sinqertë, se pse tash ky kusht për Kosovën. Por kanë thënë se “vetë Qeveria e Kosovës është pajtuar me këtë kusht“

Pas vizitës së tij në Bruksel, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryegarantuesi për heqjen e shpejtë të vizave tash e shtatë vjet, u kumtoi qytetarëve të Kosovës se Brukseli kërkon që të ratifikohet Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe se, sapo kjo të ndodhë, do të hiqen vizat. Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, vazhdon ta përmendë “izolimin e qytetarëve” për të kritikuar kundërshtarët e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje. Për fat të keq, ata vërtet kanë të drejtë kur thonë se “pa ratifikimin e kësaj marrëveshjeje nuk do të lëvizë çështja e liberalizimit të vizave”, por pjesa tjetër e porosisë, se sapo të ratifikohet Marrëveshja do të bëhet liberalizimi, duhet marrë paksa me rezervë. Sepse ka edhe një kusht tjetër për të cilin mund të dalin pikëpyetje, e ai ka të bëj me rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vërtet në BE pranojnë se përmes disa rasteve, sidomos akuzave ndaj Azem Sylës dhe Ukë Rugovës, Kosova ka dëshmuar se mund të ketë rezultate, por këtu ndonjë shtet anëtar mund të dalë dhe të kërkojë edhe më shumë. Nga ana tjetër, në disa qarqe diplomatike përmendet edhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe si një nga “detyrat e paplotësuara nga ana e Kosovës”, edhe pse kjo nuk është në mënyrë direkte e lidhur me liberalizimin e vizave.

Sido që të jetë, një gjë është tash më se e sigurt; pa ratifikimin e Marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi nuk mund të ketë liberalizim. Por edhe nëse kjo Marrëveshje ratifikohet nuk ka garanci se liberalizimi do të ndodhë shpejt. Madje, as premtimet që japin personalitetet e larta si Fderica Mogherini, apo edhe Jean Claude Juncker, apo Donald Tusk, nuk duhet të kuptohen si garanci. Jo pse ata nuk janë seriozë apo fjala e tyre nuk ka peshë, por për shkak se ky është një proces në të cilin asnjëri nga këta tre nuk merr vetë vendimin i cili është në kompetenca të përbashkëta të vendeve anëtare dhe të Parlamentit Evropian. Natyrisht se gjasat nuk janë të vogla që të hiqen vizat nëse përmbushen kushtet, sepse këto ditë u mor vendimi për liberalizimin e vizave për Ukrainën, ndërsa disa javë më parë edhe për Gjeorgjinë. Por prapë duhet pasur kujdes, sepse në këtë proces nuk ka garanci.

Është fatkeqësi pse ratifikimi i Marrëveshjes me Malin e Zi u bë kusht dhe ndërkohë ky kusht e ka përçarë aq shumë skenën politike në Kosovë dhe e ka bërë popullin të ndihet i shantazhuar nga BE-ja në stilin “jepni tokë për liberazim vizash”. Ky është një kushtëzim i padrejtë, i panevojshëm dhe shumë i palogjikshëm, sepse flitet për një territor i cili pak mund të ndikojë në kontrollin e lëvizjes së njerëzve, që është një kriter për të cilin në BE dhe shtete anëtare janë shumë të interesuar. I kujt është një livadh në bjeshkët e Rugovës vështirë që mund të jetë interes prioritar i dikujt në Berlin, Paris apo Bruksel.

Sa e sa herë kemi përmendur dhjetëra shembuj nga vetë shtetet e BE-së se sa të gjata dhe të komplikuara janë zgjidhjet e kontesteve kufitare. Me rëndësi është që për këto konteste nuk ka kërcënime me dhunë dhe rrezik nga konfrontimet. Dhe BE-ja asnjëherë nuk përzihet në këtë. Madje as në rastin e Kosovës, si duket, nuk po përzihet BE-ja në dilemat se e kujt është cila pjesë e bjeshkës, por që të përmbyllet kjo çështje.

se i tërë problemi është rritur për shkak të joprofesionalizmit, neglizhencës apo arrogancës së politikanëve të Kosovës, ose nga të tria këto së bashku. Ata kanë bërë një gjë dhe kanë filluar debatin dhe përpjekjet me komisione të ndryshme pasi e kanë bërë nënshkrimin. Kjo, edhe në rastet kur gjithçka mund të jetë ndoshta pikërisht ashtu siç thotë qeveria, krijon dyshime, sepse duket se çdo komision merr detyrën që të konfirmojë se ajo që ka bërë Qeveria është në rregull. Sikur të kishte pasur debat para nënshkrimit, matje të territorit, komisione etj., ndoshta ngritja e tensioneve rreth kësaj çështjeje do të ishte evituar. Përfaqësuesit e Qeverisë kanë mundur të bëjnë edhe më shumë përpjekje që BE-në ta bindin se ky kusht është plotësuar, edhe pse nuk ka përfunduar procesi. Kanë mundur t’u japin dëshmi se ajo që kërkohet nga Kosova është e tepërt dhe nuk është kërkuar nga askush. Kanë mundur t’ua rikujtojnë se shumë shtete të tjera, që kanë liberalizim vizash, nuk e kanë të përfunduar çështjen e demarkacionit me shtetet fqinje dhe kjo për ta nuk ka qenë pengesë. Dhe për këtë nuk kanë nevojë të zbulojnë dëshmi, mjafton të përdorin vetë raportet e progresit të Komisionit Evropian, i cili konfirmon se Mali i Zi me Kroacinë, Kroacia me Bosnjë e Hercegovinën dhe Serbinë, Bosnjë e Hercegovina me Kroacinë nuk e kanë të përfunduar shënimin e kufirit. E këto shtete tash e sa vite janë në listën e bardhë të Schengenit dhe qytetarët e tyre nuk kanë nevojë për viza për të udhëtuar në vendet e Schengenit dhe të gjitha shteteve të tjera të BE-së pos Irlandës dhe Britanisë së Madhe.

Sikur përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, duke e përfshirë edhe presidentin Thaçi, të kishin bërë po aq përpjekje për ta bindur Brukselin se ratifikimi në Kuvend i Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi nuk mund të jetë kusht për liberalizim vizash, as sa punojnë për ta bindur opozitën dhe disa deputetë të pozitës që ta votojnë këtë ratifikim, ndoshta do të tejkalohej kjo pengesë. Ende në Bruksel askush nuk ka dhënë një përgjigje të drejtë, të kuptueshme, logjike dhe të sinqertë, se pse tash ky kusht për Kosovën. Por kanë thënë se „Vetë Qeveria e Kosovës është pajtuar me këtë kusht“.

Te çështja e kufirit me Malin e Zi kushti nga udhërrëfyesi, nga blloku që ka të bëjë me menaxhimin e “Kufirit/linjës administrative“ nuk ka qenë fillimisht që të ratifikohet Marrëveshja për demarkacionin, por ka qenë më shumë që Kosova të dëshmojë se nga ana e saj i ka ndërmarrë të gjitha përpjekjet. Në udhërrëfyes shkruan se Kosova duhet “të bëjë përpjekje të kompletojë, në mënyrë të koordinuar me palën tjetër, shënimin e kufirit/linjës administrative me Malin e Zi”.

Kjo, po të kishte gatishmëri për heqjen e vizave pa shfrytëzimin e këtij kushti për të forcuar kushtëzimin, do të mundë të konsiderohej si kusht i plotësuar, sepse Kosova vërtet ka bërë përpjekje, të cilat edhe në këto momente po vazhdojnë, që të kompletoj këtë çështje. Dhe, siç e dinë shumë mirë në Bruksel dhe çdo kund në Evropë, as përpjekjet maksimale nganjëherë nuk mjaftojnë për të zgjidhur disa mospajtime mes shteteve edhe kur ato janë shtete mike.

Por tash kërkohet edhe ratifikimi në Kuvend. Në këtë debat të tensionuar përdoren edhe argumente të çuditshme. Për shembull, ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, thotë se “me këtë territor Kosovën e kanë njohur 114 shtete!”. Sikur të gjitha këto shtete që e kanë njohur Kosovën të kenë kërkuar dëshmi se sa metra katrorë ka territori i Kosovës. Me çfarë territori atëherë i kanë njohur Kroacinë e Slloveninë, të cilat kanë probleme shumë më të mëdha kufitare sesa Kosova e Mali i Zi. Kryeministri Mustafa thotë se “Ratifikimi i Marrëveshjes forcon sovranitetin e Kosovës!”. Prapë edhe kjo krijon pyetjen se a mos nuk e kanë të dyshimtë sovranitetin shtetet si Kroacia, Sllovenia dhe Mali i Zi. Apo deri dje edhe Holanda dhe Belgjika, sepse nuk e kishin të zgjidhur një mospajtim për një breg në lumin Maas.

Është e habitshme se si në Kosovë i tërë debati bëhet vetëm rreth asaj se a humb apo jo Kosova tokë e jo pse u lejua që ratifikimi i kësaj Marrëveshje të bëhet kusht për liberalizim vizash dhe të shndërrohet kjo çështje vërtet në një arsye për izolim apo për shantazh edhe të qytetarëve.