OpEd

Deklaratat e Ramës dhe Thaçit kanë kuptim vetëm nëse kanë synim parandalimin e ndarjes së Kosovës

Me deklarata për bashkim kombëtar, si një lloj “dënimi” për Evropën, kryeministri i Shqipërisë, Rama, dhe presidenti i Kosovës, Thaçi, irritojnë “miqtë ndërkombëtarë”, u japin argumente nacionalistëve serbë, të cilët punojnë për Serbinë e madhe e nuk i kënaqin as shqiptarët që duan bashkim kombëtar si një ideal e jo si një opsion për inat të BE-së

Në Bruksel nuk janë shqetësuar shumë për shkak të deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi rreth bashkimit kombëtar. Në fakt, rreth kësaj nuk ka pasur fare reagime në Bruksel. Ato që në opinion janë paraqitur si “reagime të Brukselit” kanë qenë vetëm përgjigje të zëdhënëses së Komisionit Evropian në pyetje të gazetarëve. E ajo përgjigje ka shkuar në drejtimin e dëgjuar edhe më parë se “të gjithë duhet të përmbahen në deklaratat e tyre” dhe të respektojnë parimin e bashkëpunimit rajonal.

Kur mediat serbe thonë se “NATO-ja ka frikë nga deklaratat e Ramës” harrojnë se Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s. Nganjëherë edhe vetë Shqipëria po harron se është anëtare e NATO-s dhe se ajo më nuk është në procesin e “integrimeve evroatlantike”, por vetëm në ato drejt BE-së, sepse atë pjesën “atlantike” e ka realizuar përmes anëtarësimit në NATO para tetë vjetësh.

Në Bruksel janë mësuar me deklarata të liderëve nga Ballkani dhe tash e një kohë të gjatë nuk i gjykojnë ata në bazë të asaj çfarë flasin, por të asaj çfarë veprojnë. Edhe ashtu e dinë se liderët shqiptarë kur flasin për bashkimin kombëtarë nuk e kanë seriozisht dhe prapa fjalëve të tyre nuk qëndron kurrfarë strategjie e përpunuar për realizimin e një ideje të tillë.

Nuk është hera e parë që Rama dhe Thaçi apo Berisha, apo ndonjë liderë tjetër politikë i shqiptarëve, në Shqipëri, Kosovë apo diku tjetër, ta përmendë bashkimin kombëtar. Por këtë e bëjnë për opinionin e tyre të brendshëm dhe sapo të vijnë në Bruksel apo Paris, apo Berlin sqarojnë se si “janë keqinterpretuar” dhe se kur kanë folur për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, kanë menduar në hyrjen e të dyja këtyre shteteve në BE, pra që Kosova dhe Shqipëria të jenë të bashkuara me Brukselin si kryeqytet.

Me deklarata për bashkim kombëtar, si një lloj “dënimi” për Evropën, kryeministri i Shqipërisë, Rama, dhe presidenti i Kosovës, Thaçi, irritojnë “miqtë ndërkombëtarë”, u japin argumente nacionalistëve serbë, të cilët punojnë për Serbinë e madhe e nuk i kënaqin as shqiptarët që duan bashkim kombëtar si një ideal e jo si një opsion për inat të BE-së.

Nga deklaratat e Ramës dhe Thaçit mbetet e paqartë nëse bashkimi kombëtar është ideal apo kërcënim e drejtë apo variant për të ndëshkuar BE-në në rast se ajo, siç shprehen, ua mbyllë dyert vendeve të Ballkanit. Po ashtu nuk duken këto deklarata të sinqerta kur vijnë nga persona, të cilët shumë shpesh sa herë të marrin pjesë në takime me zyrtarë të lartë evropianë, thonë se kanë marrë garanci për rrugën evropiane të vendeve që ata udhëheqin.

Edhe kur flasin për deklaratat e tilla, të cilat i quajnë “ të dëmshme” dhe “provokuese” disa diplomatë evropianë në Bruksel mendojnë privatisht se ato janë të lidhura me fushatën zgjedhore në Shqipëri e me gjasë edhe në Kosovë. Në rastin e Thaçit mund të jenë të lidhura edhe me hidhërimin e kosovarëve për mosrealizimin e premtimeve të tij për liberalizim vizash. E tash Thaçi nga Prishtina flet për “mungesë lidershipi në BE”.

Por duket se deklaratat e tilla u kanë hyrë mirë në punë politikanëve në Serbi, Rusi e Maqedoni, të cilët kanë nxituar t’i paraqesin ato si dëshmi se “shqiptarët nuk janë për paqe” se “po provokojnë luftë” dhe se “duan ta krijojnë Shqipërinë e Madhe”. Në Serbi dhe Maqedoni kjo u shkon në shërbim të largimit të vëmendjes nga pakënaqësia qytetare me strukturat politike vendore dhe protestat që po zhvillohen në ato vende. Rusia, siç dëshmoi përmes deklaratës së Ministrisë së Brendshme, e ka shfrytëzuar për të kritikuar politikën e NATO-s si “fajtore për acarimin e Ballkanit”.

Janë disa probleme me deklaratat e tilla. Ato nuk janë të sinqerta dhe në rrethanat ekzistuese nuk janë të realizueshme. Ta zëmë që Kosova dëshiron t’i bashkohet Shqipërisë. Një gjë e tillë nuk është e mundshme me Pakon e Ahtisaarit, që ishte bazë e shpalljes së Pavarësisë dhe e Kushtetutës së Kosovës. Sipas saj, Kosova nuk mund t’i bashkohet ndonjë shteti tjetër. Kjo thuhet edhe në kapitullin e parë të Kushtetutës së saj në nenin e parë, pika e tretë: “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti“.

Pra për bashkim me Shqipërinë ose me ndonjë shtet tjetër apo pjesë të ndonjë shteti tjetër, Kosova ose duhet ta shkelë Kushtetutën e saj ose duhet ta ndryshojë atë. Dhe nëse presidenti i Kosovës apo dikush tjetër duhet ta ndryshojë Kushtetutën atëherë duhet të sigurojë për këtë mbështetjen e shumicës së përfaqësuesve të Listës Srpka, që praktikisht do të thotë mbështetjen e Beogradit. Pra, sikurse në rastin e formimit të ushtrisë, ashtu edhe në rast të bashkimit me Shqipërinë do të duhej mbështetja e shumicës së serbëve në Kuvendin e Kosovës.

Në aspektin rajonal realizimi i kësaj ideje nuk duket real, sepse vështirë që shqiptarët do të gjenin mbështetje që vetëm ata të kenë të drejtë në bashkim të territoreve të tyre etnike e që këtë të drejtë të mos e kenë, për shembull, serbët dhe kroatët. E nisja e rivizatimit të kufijve do të krijonte më shumë probleme sesa që do të zgjidhte në rajon. Ndoshta edhe nga pala serbe do të mundë të gjenden politikanë që do të pranonin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë më parë sesa një Kosovë të pavarur. Por këtë nacionalistët serbë do ta pranonin vetëm përmes ndarjes së Kosovës. Edhe në Bosnjë-Hercegovinë ka përkrahës të ideve të ndarjes, ndërsa nëse vazhdon partia VMRO-DPMNE në Maqedoni, me fushatën e saj antishqiptare, kjo do të nxisë rritjen e forcave që do të kërkojnë edhe ndarjen e Maqedonisë. E asnjë ndarje e territorit nuk është e mundur pa zhvendosje të popullatës.

Deklaratat e Ramës dhe Thaçit mund të kenë kuptim vetëm nëse ato kanë për qëllim parandalimin e ndarjes së Kosovës e jo ndonjë kërcënim ndaj BE-së. Bashkësia ndërkombëtare, sado që ka bërë gabime në rajonin e Ballkanit, një gjë deri me tash e ka ruajtur si parim. Nuk ka pasur ndryshim të kufijve, përkundër gjakderdhjes dhe luftërave që janë zhvilluar. Të gjitha shtetet e krijuara në territorin e ish-Jugosllavisë janë bërë shtetet në kufijtë administrativë që i kanë pasur në ish-shtetin e Jugosllavisë. Ky ka qenë edhe njëri ndër argumentet në favor të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth pajtueshmërisë së shpalljes së pavarësisë së saj me të drejtën ndërkombëtare. Kosova ka dalë si shtet në kufijtë administrativë që i ka pasur si njësi federale e ish Jugosllavisë, një prej shtatë shteteve që janë krijuar nga 8 njësi federale. Serbia pohon se me pavarësinë e Kosovës është shkelur parimi i mosndryshimit të kufijve me dhunë, por një argument i tillë nuk është pranuar. Prandaj, nëse diku do të shkelej ai parim atëherë me këtë do të hapej kutia e Pandorës dhe Ballkani do të mund të ndizej përsëri.

Por duke parë situatën në Kosovë dhe sjelljen e Serbisë, duke parë se si me ndihmën Ruse dhe heshtjen e perëndimit Bosnjë-Hercegovina tashmë po shkon nga ndarja, duke parë situatën e paqartë në Maqedoni do të ishte naive që edhe shqiptarët ta përjashtojnë mundësinë e bashkimit përgjithmonë, sepse nuk dihet se çfarë sjell e ardhmja. Nëse bashkësia ndërkombëtare dëshiron t’u japë fund ideve për rivizatimin e kufijve duhet të sigurojë njohjen e Kosovës nga Serbia, heqjen e pretendimeve territoriale të Serbisë ndaj Kosovës, të ndalë nacionalistët serbë në Bosnjë-Hercegovinë nga ideja e krijimit të Serbisë së madhe. Një shkrim në një revistë perëndimore për krijimin e “Shqipërisë dhe Serbisë së madhe“ kishte hasur në simpati ndër nacionalistët serbë, të cilët pas humbjes së luftërave tentojnë që synimet e tyre t’i realizojnë „me mjete politike“. Në rastin e Kosovës, pasi ajo u pavarësua dhe nuk arritën ta „mbajnë në Serbi“ shkojnë në variantin rezervë, atë të ndarjes së Kosovës.