OpEd

Deformuesit “reformues”

Këta jemi ne. Nuk na ka kush faj që jemi kështu si jemi, për shkak se duket se kolektivisht na e kanë fshirë trurin me rrena dhe me fantazi të llojllojshme. Jemi ata që ende besojmë se mashtruesit dhe injorantët përnjëherë mund të bëhen të ndershëm dhe politikanë të zotë. Jemi ata që nuk e kemi kuptuar ende, e s'po di edhe sa vjet do të na duhen ta kuptojmë se ky vend mund të ecë përpara vetëm atëherë kur këta që na kanë udhëhequr qe 20 vjet të largohen nga politika bashkë me rrjetet e tyre të merimangave.

Nuk e di se pse fundi i pranverës dhe fillimi i verës zakonisht caktohen si kohë për mbajtjen e konventave për t'i zgjedhur udhëheqjet partiake. Nuk po e di a është puna se llogaritet në efektin e të nxehtit që mund të ndikojë në proces, apo llogaritet në faktin se pushimet vjetore janë afër dhe njerëzit mezi presin t'i kryejnë votimet e brendshme.

Ka disa parti që janë më të shpejta dhe i kryejnë procedurat sa çel e mshel sytë, e disa më të ngadalshme, mbase për të treguar se kanë shtrirje më të madhe dhe kanë nevojë për më shumë kohë seç shpenzojnë të tjerat.

Këtë që kemi mundur ta përcjellim në disa muajt e fundit, është një proces me pak përleshje fizike publike dhe një zgjedhje absolutiste dhe me aklamacion te PDK-ja, dhe një riciklim të luftës së karrigeve në LDK, së cilës duket se nuk po i shihet fundi.

Demagogjia e Veselit

“Prandaj, sot jam këtu, për t’u zotuar para jush, se ashtu siç kam luftuar për çlirimin e Kosovës nga Serbia, ashtu do të luftoj, së bashku me të gjithë ju, që ta çlirojmë Kosovën nga korrupsioni, nga nepotizmi, nga abuzimet" - e tha dhe mbeti gjallë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, në Konventën festive, pasi që disa ditë më herët ishte rizgjedhur kryetar i partisë me 100% të votave dhe me aklamacion. Pa dyshim, shumë demokratike të garosh i vetëm dhe t'i mbledhësh votat, ku askush nuk pyetet a voton kundër, përderisa pak kohë më herët e kishe kritikuar shumë procesin zgjedhor me një kandidat të një partie tjetër parlamentare.

Kjo deklaratë populiste e përcjellë nga një veprim tjetër politik, me të cilin i liron ca persona nga udhëheqja partiake e shtetërore, në fakt s'është tjetër gjë pos demagogjisë, së cilës kujtoj se nuk ka shumë njerëz që e besojnë se janë veprime përnjëmend.

Pse është dashur ta priste mandatin e dytë për të vepruar kështu? Nepotizmin, abuzimet me pushtetin dhe korrupsionin i kanë instaluar të gjithë ata që kanë mbajtur pushtet në Kosovë, e më së shumti partia të cilën ai e udhëheq. Ngase prej 19 vjetëve parlamentarizmi në Kosovë, partia e tij ka qenë në opozitë vetëm një mandat trevjeçar. Të kujtojmë se në kohën kur u zgjodh kryetar partie për herë të parë, tashmë ishte kryeparlamentar i një Kuvendi që "e kontrollonte" Qeverinë, ku partia e tij mbante numër më të madh ulësesh. Në atë kohë shpërtheu edhe skandali "Pronto 2", ku ishin implikuar personalitetet më me emër të partisë së tij, përfshirë edhe atë vetë, në diçka që ishte ashiqare abuzim me pushtetin dhe nepotizëm.

Kur u krijua Qeveria aktuale, u abuzua me pushtetin që ia jepte posti i kryeparlamentarit për ta thirrur ose jo seancën për krijimin e Qeverisë, derisa nuk u siguruan blerjet e votave nëpër kafehane dhe prishje koalicionesh parazgjedhore për punë të numrave. Po ta kishte pasur seriozisht këtë që e thotë tash, as nuk do t'i emëronte njerëzit e përfshirë në skandale që të bëheshin ministra, e as nuk do të pranonte që Qeveria të numëronte dy autobusë zëvendësministrash, prej të cilëve bile një e treta janë njerëz të tij. E kjo jo vetëm që është abuzim me pushtetin, por edhe abuzim i paprecedentë i parasë publike.

Po ta kishte seriozisht këtë që e thotë, atëherë nuk do të lejonte që vetë t'i shtronte darkat më të shtrenjta në shehër, e as nuk do të lejonte të flinte në një hotel ku gjumi kushton 600 dollarë, pra dy pensione të një njeriu që ka punuar 40 vjet dhe ka diplomë fakulteti, përkthyer në shifra më të thjeshta të mundshme.

Nëse njëmend mendon se do ta luftojë korrupsionin, përderisa e ka ditur se njeriu i tij e udhëheq Komisionin shtetëror për veteranët dhe rren për shifra, është dashur ta kthente prapa ligjin, sepse e ka pasur shumicën, dhe të thoshte se nuk do që të identifikohej me mashtrues. Por jo, ia pati ëndja t'i mblidhte votat e atyre që u blenë me certifikata veteranësh dhe të dëshmohej si njeriu që e mban fjalën (ani që te ne fjalët i merr era e Obiliqit).

LDK-ja njësoj

E përderisa "reformisti" i PDK-së bile po bën zhurmë kinse diçka po ndërron, LDK-ja po i ndërron trajtat e karrigeve që i hedh nga një mbledhje dege në tjetrën.

Skandali i fundit në zgjedhjet e brendshme të LDK-së ndodhi në Mat, ku thuhet se u përplasën përkrahësit e një njeriu që thotë se flet me Rugovën e vdekur tashmë qe trembëdhjetë vjet dhe një tjetri që ishte shumë afër për t'i fituar zgjedhjet lokale në Prishtinë. Kryesia e partisë e gjeti një zgjidhje solomonike dhe i përjashtoi të dy garuesit prej asaj dege, përderisa këta i akuzonin partitë e tjera që vinin për të provokuar duke hedhur karrige në ajër, prej nga dikujt do t'ia çanin kokën më vonë.

Ajo që po shihet tek po ndodh në LDK është replikë e asaj që u pa te PDK-ja: janë njerëzit e vjetër ata të cilët luftojnë dhe i mbajnë postet kyç politike në nivel lokal dhe atë qendror. Nuk ka prurje të reja, siç kishin zakon të thoshin në zgjedhjet e shkuara, ka vetëm riciklim njerëzish që për një arsye ose tjetrën nuk i lëshojnë kolltukët aq lehtë. Dhe nuk është fare për t'u çuditur: pushteti u ka sjellë pasuri si partive ashtu edhe individëve. Ua ka sjellë mundësinë të ndihen të rëndësishëm duke mbajtur poste si anëtarë bordesh a ministrash e zëvendësministrash, ku detyrën kryesore e kanë ta mbushin arkën partiake, e mundësisht edhe ndonjë xhep të dikujt me porosi.

Është për keqardhje që një parti e cila ishte ndër të parat që u themelua kur mbaroi autonomia, dhe që e ka pasur përkrahjen masive dhe me inerci të krejt popullit për shkak të alternativës politike që po e ofronte, bile me fjalë nëse me asgjë tjetër, të jetë katandisur në këtë formë. Parti anemike që fshihet pas "institucionalizmit", i cili ia vetëmohon të drejtën për ta organizuar madje një protestë masive karshi krejt gjërave negative që i kritikojnë zyrtarët e saj nëpërmjet fejsbukut. Parti oportuniste që për ta ruajtur pushtetin për vete i hyri valles me atë që e goditi dy herë pas shpine, pasi i shërbeu leckë për t'i fshirë këpucët.

Parti e pareformuar, e cila me njerëzit e vjetër do që ta vazhdojë stilin e udhëheqjes së shtetit për interesa klanore, për të njëjtën arsye si këto të tjerat që i kritikon tash. Sepse e pareformuar as që mund të kuptojë se çfarë i nevojitet këtij vendi për t'u bërë shtet përnjëmend, për shkak se ky brez i pareformuar thuajse ende jeton në atë shtetin imagjinar të kohës kur ishte themeluar partia.

Ndërkohë

Pra, ndërkohë nuk ndodhi gjë më shumë seç jemi mësuar të shohim e dëgjojmë për çdo ditë të lume.

Kuvendi i hajgarexhinjve nuk ia doli ta votonte asnjë pikë të rendit të ditës në seancën e javës që e lëmë pas. Hiç asnjë temë nuk mundi të diskutohej, për shkak se koalicioni qeverisës nuk mundi ta siguronte kuorumin. Duke ia lënë kështu, si përherë, duart e lira Qeverisë që të bëjë çfarëdo që ia merr mendja.

E kjo qeveri konglomerat duhet të kënaqë shumë kërkesa, e njëra ndër to është që të rehatohen dostat nëpër bordet e ndërmarrjeve publike. Vetëm dje u emëruan një grumbull njerëzish nëpër shumë borde që i ka ky vend, dhe në secilin prej tyre u gjet nga një vend për bile nga një militant të PDK-së, AAK-së dhe NISMËS.

Ndërkohë doli në pah një raport auditimi për aksionin "Ta pastrojmë Kosovën", që u pagua madje 800 mijë euro nga Zyra e kryeministrit, edhe pse këtë do të duhej ta bënte Ministria e Mjedisit. Pagesat u bënë në bazë të faturimit, fatura të cilat janë publike në ueb faqen e kësaj OJQ-je, porse që janë aq të përgjithësuara, saqë nuk e di njeriu nëse janë përnjëmend ose jo.

E tash, fakti se një OJQ duhet të organizojë fushata për pastrim, kur këtë obligim do të duhej ta kryenin institucionet shtetërore me mekanizmat e tyre, tregon se puna e pastërtisë në Kosovë është punë fushate, e jo obligim jetik që do të duhej të ishte. Pra, Kosova do të duhej të mbahej e pastër nga ata që këtë e kanë punë dhe nga ata që do të duhej të ndëshkonin secilin njeri që del e ndot ambientin pa asnjë fije brenge a brejtje ndërgjegjeje.

Prandaj edhe nuk duhet çuditur fare se përse Kosova me lehtësi i humb 12 milionë që na i fal Evropa për deponinë e materialeve të rrezikshme, për shkak se për Kosovën nuk është asnjë problem të jetohet në ambient të ndotur, sepse vetë ne e ndotim pa hile. E nuk paraqet problem të humben paratë e donatorëve që politikanët tanë i quajnë lëmoshë, që në çastin kur e kuptojnë se nuk mund t'i kontrollojnë tenderët.

* * *

Këta jemi ne. Nuk na ka kush faj që jemi kështu si jemi, për shkak se duket se kolektivisht na e kanë fshirë trurin me rrena dhe me fantazi të llojllojshme. Jemi ata që ende e hamë "foren" sa herë na urohet liberalizimi i vizave, të cilin jemi duke e pritur qe 9 vjet. Jemi ata që ende besojmë se mashtruesit dhe injorantët përnjëherë mund të bëhen të ndershëm dhe politikanë të zotë. Jemi ata që nuk e kemi kuptuar ende, e s'po di edhe sa vjet do të na duhen ta kuptojmë, se ky vend mund të ecë përpara vetëm atëherë kur këta që na kanë udhëhequr qe 20 vjet të largohen nga politika bashkë me rrjetet e tyre të merimangave.

[email protected]