OpEd

“Cirku shtet”

Jemi bërë shtet për t’u përqeshur dhe për të qeshur me të. Gjasat që dikush të na marrë seriozisht janë duke u venitur dita më ditë. Sepse ne veten më nuk po mund ta shohim ndryshe sesa një atraksion panagjyresh që sa herë që montohet e çmontohet e humb nga një copë jo të vogël të tendës që e mbulon

Përfundimisht ngjarja më e shëmtuar që na ndodhi gjatë javës qe ekzekutimi i Oliver Ivanoviqit në Mitrovicë. Atentati klasik ndaj liderit kontrovers serb, që pas vetes la një lëndë të papërfunduar gjyqësore i akuzuar për vrasjen e civilëve shqiptarë, jehoi si një ngjarje e papritur për shumicën shqiptare, por e paralajmëruar për vetë Ivanoviqin dhe familjarët e tij.

Deklaratat që i kishte dhenë për disa gazeta serbe, ku thoshte se nuk do të çuditej po qe se edhe do ta vrisnin, jo shqiptarët por serbët, mbase më së miri e shpjegon se përse e gjithë ngjarja kaloi pa protesta të serbëve. Për më tepër, kaloi pa akuza të drejtpërdrejta se atentatin do ta kenë mundur ta kryenin shqiptarët. Kaloi si një temë për të cilën do të flitej tri-katër ditë, me këtë do të përmbyllej e tëra.

Psenë e vrasjes së tij e dinë porositësi(t) e ndoshta edhe vrasësi(t). Si ish-rezervist, “roje e urës” e politikan aktiv në gati dy dekadat e fundit, do të ketë ditur shumë gjëra që mbase kishte vendosur t’i zbulonte. E mbase kjo është forma e disiplinimit të atyre që shprehen kundër qëndrimeve të establishmentit serb sa u përket bisedimeve. Mbase.

Se a do të zbulohen motivet dhe shkaktarët, kjo mbetet të shihet. Nga ana tjetër, ky do të jetë rast ideal që Policia të dëshmonte se është e aftë për t’i zbuluar kriminelët me apo pa ndihmën e FBI-së. E për Kosovën do të ishte mirë që rasti i Ivanoviqit të mos mbetet i pandriçuar sikurse ndodhi me rastin e një politikani tjetër serb, Janiçijeviq, që njësoj u vra në atentat, njësoj në Mitrovicë, njësoj me plumba, katër vjet më parë dhe po më 16 janar. Do të ishte shenjë se krimi mund të luftohet edhe në Kosovë dhe se hetimet e tilla nuk janë vetëm iluzione, si të cirkut.

Cirku Special

E në cirk të vërtetë është shndërruar e gjithë nisma për shfuqizimin Speciales.

Kryesia e Kuvendit nuk mund të shtyjë asnjë agjendë përpara, sepse po mbetet pa kuorum – pra as që mund të procedohet lënda tutje, edhe pse presioni politik po vazhdon të mbetet njësoj i fuqishëm.

E presionin po e mbajnë Thaçi, i cili topin ia gjuan Kuvendit e ndërkohë e animon OVL-në të reagojë zëshëm. Veseli del e thotë nuk do të ketë shfuqizim, por këndej nuk i udhëzon e as urdhëron deputetët e tij që t’i tërheqin nënshkrimet nga nisma parlamentare. Haradinaj e quan Gjykatën e padrejtë dhe nëpërmjet shefit të grupit parlamentar të AAK-së, deklaron se ajo duhet të shfuqizohet.

Por ylli i cirkut këtë javë u bë sërish Nesim Haradinaj, autori i së famshmes “punë e madhe”. Pra, në këtë stil, zgjodhi ta quante ambasadorin amerikan “...palaço që futet në Kuvend sikur në një stallë të kafshëve, apo siç kanë bërë ushtarët e Delawiet në Guantanamo”. Dhe për të treguar se ka problem me ambasadorin e jo shtetin, e përsëriti se “punët prishen me Delawien e jo me SHBA-në”, se kjo e fundit nuk do ta gjykonte luftën e UÇK-së.

Haradinajt nuk do të mundë t’i zihej për të madhe mungesa e diplomacisë, se fundja ai nuk është një. Kjo pos nëse së shpejti nuk e nisin për ndonjë mision jashtë, për ta përfaqësuar Kosovën. “Denjësisht” kuptohet. Porse ajo që i zihet për të madhe është se mospajtimin e tij me Delawien e shpreh me një ofendim, në emër të një organizate që është përkrahur në cilëndo formë të mundshme nga politikanët kosovarë. Pos që tregon mungesë elementare të edukatës ndaj përfaqësuesit të një shteti që, lëre që e ka njohur Kosovën, porse edhe e ka çliruar dhe ndihmuar të shpallej e pavarur, e tregon gjithë arrogancën e profilit të një veterani, që përfshin edhe pushtetarët, që ia ka parë hairin luftës.

Kjo është pikërisht kritika që ua drejtonim përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare që me vite kanë toleruar, e me këtë edhe përkrahur, arrogancën e pushtetarëve dhe militantëve të tyre. Mungesa e kritikës së ashpër atëherë kur e kanë merituar për jo pak gjëra të këqija që i kanë bërë, mungoi me vite të tëra, “për hir të stabilitetit”; “për hir të dialogut”, edhe për shumë hire të tjera. Kurse në fund, rezultati qe krimi në rritje, papërgjegjësia totale politike dhe në fund lazdrimi deri në pikën kur një njeri që e faktorizon veten me kërcënime, e quan “palaço” ambasadorin e shtetit që na e ka shpëtuar lëkurën.

Është fakt se në mungesë instruksionesh, ndonjë ambasador do të mundë ta thoshte një mendim personal politik për ndonjë çështje, porse e kam vështirë të besoj se një shtet që ekziston me qindra vjet do ta linte shërbimin pa udhëzime. E në rastin e amerikanëve, e këtë ende nuk po duan ta kuptojnë këta që janë duke e krijuar gjithë këtë rrëmujë, kjo që është duke na u përsëritur në lidhje me pasojat e pezullimit të Speciales, do të duhej të merrej tepër seriozisht. Se SHBA-ja nuk bën hajgare, ashtu siç nuk e gjykon luftën e UÇK-së. Sepse lufta nuk shkon në gjykim. Aty shkojnë ata që në emër të luftës kanë bërë krime.

Cirku i privilegjeve

Seriozitetin e vetëm që e ka dëshmuar kjo garniturë qeverisëse është të merret me vetveten dhe privilegjet e veta.

Skandali tashmë i pabesueshëm i dyfishimit të pagës së kryeministrit së bashku me një sërë rrogash në shërbimin civil, në kundërshtim me ligjin, pati për pasojë edhe rritjen e rrogës së kryetarit. Për kot.

E sikur kjo të mos mjaftonte, javën e shkuar ndodhi edhe një shfaqje cirku, kësaj radhe në Kuvendin e Kosovës. Në njërin Komision debatohej për ligjin që do t’i rregullonte privilegjet e kryetarit të shtetit, e që këto t’i bënte të përjetshme. Duket se dikujt nuk i ka pëlqyer ideja se këto privilegje të zgjasnin vetëm pesë vjet, prandaj edhe në situatën kur punët i kemi më pisk se kurrë, i ka rënë ndërmend se mund t’i kontrabandojë edhe privilegjet e përjetshme.

Pas kësaj nisme, natyrisht fshihet ajo tjetra: po qe se kalon ky ligj, e njëjta gjë do të kërkohet të zbatohet edhe për kryeministrat e vendit. Pse jo – një shërbim njëri për tjetrin, dhe një revansh nga ai që përfitoi fillimisht.

Dhe për kapak, e drejta e fituar nëpërmjet ligjit në një çast në kohë, nuk mund të prishet e as të kthehet prapa, për shkak se paraqet shkeljen e të drejtave të njeriut. E kjo do të thotë se po qe se ky ligj kalon, ai do t’i përfshijë Sejdiun, Pacollin, Jahjagën dhe Thaçin. Pra, njerëz që do të gëzojnë privilegje në bazë të postit që kanë mbajtur, pavarësisht se dy të parët Kushtetuesja i ka shpallur antikushtetues; se Jahjaga është vetëm 42 vjeçe dhe do të duhej të ishte në gjendje të punonte bile edhe nja njëzet vjet; dhe se Thaçi mund të mos jetë më kryetar, në rast se Specialja do të merrej me të.

Pra, siç po shihet, kjo Kosovë nuk ka prioritet tjetër pos të merret me qejfet e teket e kolltukxhinjve, që duket sivjet më shumë se kurrë e kanë zbuluar esencën e qenies së tyre – krejt çka bëjnë në jetë e bëjnë për interes të vetin. Të sigurohen financiarisht aq mirë sa pavarësisht të gjithave, ata do të vazhdojnë të pushojnë edhe atëherë kur janë të papunë në vendet më të shtrenjta në botë. E për popullin: kush i ka faj popullit që sillet dhe vepron si një kope e madhe delesh që lëviz me inerci. Beee-beee-të e dhenve të shkreta nuk dëgjohen, se nuk kanë as fuqi e as kuptim.

Cirku i shpëtimtarit të rrymës

E duket se as marrëveshja e fundit që Kosova e ka nënshkruar për termocentralin e ri ka ndonjë kuptim as logjik, as financiar. Një dokument që numëron 1.200 faqe në fakt e cyt pyetjen e parë: a përnjëmend ndonjë kosovar i ka lexuar 1.200 faqe, në anglisht, dhe i ka kuptuar të gjitha klauzolat që i përmban kjo kontratë. Duke e ditur se një pjesë e madhe e popullatës në Kosovë lexon ose postime në FB ose tituj nëpër portale, e kam vështirë të besoj se është gjetur një profesionist apo edhe politikan që ta ketë lexuar këtë kontratë.

Kontrata e nënshkruar e parasheh një klauzolë shumë interesante: nëse Kuvendi nuk e miraton kontratën, Kosova do të duhej t’i paguajë kësaj kompanie nja 20 milionë euro dëmshpërblim. A do të thotë kjo se kjo kontratë qenka nisur për t’u mos bitisur me termocentral, por me humbje të parave? Kjo për shkak se sot ministri Lluka na informoi, nëse e kam kuptuar mirë, sesi kompania fituese do t’i investojë 30% të mjeteve e Kosova 70% për t’u bërë me TC.

Asociacioni i parë që m’u shfaq qe telefonia virtuale, aty ku Vala investon krejt, porse i merr vetëm 28% të fitimit. Pra, tash po i bie se do të kemi rrymë virtuale, ku ne, qytetarët do të paguajmë 70% e një investimi, pronarë të të cilit do të bëhemi pas 20 vjetësh. Ndërkohë ne do ta sigurojmë ujin dhe thëngjillin, dhe në fund do t’i paguajmë faturat e fryra të rrymës, për shkak se KEDS-i do të mundë ta blejë rrymën prej rajonit e jo prej kësaj TC-je.

Nëse kjo është kështu, dhe nëse ne dalim gjithsesi humbës, fikë se fikë, po fikemi me muzikë: më mirë po ua falim 19 milionë amerikanëve sesa me i marrë 700 milionë euro kredi që do t’i paguajmë kush e di sa vitet e ardhshme.

Dhe, nëse është kështu, a bëhet që jemi kaq të marrë saqë veten po e fundosim dita më ditë për shkak se dikush do ta marrë përqindjen e vet nga kjo kontratë?

* * *

Interesi personal, arroganca dhe mosdija e këtyre njerëzve që e kanë udhëhequr dhe po e udhëheqin shtetin e kanë shndërruar këtë të fundit në një cirk të vërtetë. Jemi bërë shtet për t’u përqeshur dhe për të qeshur me të. Gjasat që dikush të na marrë seriozisht janë duke u venitur dita më ditë. Sepse ne veten më nuk po mund ta shohim ndryshe sesa një atraksion panagjyresh që sa herë që montohet e çmontohet e humb nga një copë jo të vogël të tendës që e mbulon.

[email protected]