OpEd

Çfarë qeverie i duhet Kosovës

Tashti pasi Qeveria e Kosovës edhe një herë e rrëzoi vetveten, më faktin se partneri kryesor i koalicionit votoi për mosbesimin ndaj Qeverisë, më shumë sesa kush do të fitojë sa vota po bëhen pazare se kush me kë do të shkojë në koalicion. Këtë pyetje po e bëjnë edhe në Bruksel, natyrisht duke shikuar prioritetet e veta. Historia e re e Kosovës na mëson se votat janë më pak të rëndësishme sesa pazaret politike. Dhe ato janë bërë duke u bazuar në shumë kritere. Kështu do të jetë edhe tash. Dallimi është se kësaj radhe qytetarët do të votojnë në një situatë në të cilën nuk kanë asnjë arsye të kenë as minimumin e besimit ndaj partive politike dhe “zotimeve” të tyre se nuk do të hynë me këtë apo atë parti në koalicion. Me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk ka pasur ende rastin që të jetë pjesë e pushtetit, secila parti ka qenë në një periudhë të caktuar në pushtet me secilën parti tjetër.

Më së paku arsye për të folur për “pabesi” dhe “tradhti” natyrisht kanë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lideri i saj, Isa Mustafa. PDK-ja, siç e dëshmoi javën e shkuar, nuk ka kurrfarë problemi që “tradhtoi” një parti që më parë kishte tradhtuar aleatët e mëhershëm që donin ta çonin PDK-në në opozitë. Kur “tradhtojnë” apo “i hanë fjalët” partitë e Kosovës gjejnë shumë arsye: “Kështu na kanë thënë amerikanët!”, “kjo është në të mirë të Kosovës”, “kemi garanci për hapësirë për zbatimin e programit tonë” apo se “kjo është në të mirë të Kosovës”. Pra, kaosi me këto parti politike që ka Kosova do të vazhdojë tash në prag të zgjedhjeve dhe më vonë edhe pas zgjedhjeve. Nuk ka këtu parti që koalicionet i lidhin në bazë të ideologjisë, programeve apo qëndrimeve por vetëm në bazë të interesit të grupit të caktuar për të marrë pjesë në pushtet. E kjo pjesëmarrje në pushtet sjell dobi për ta dhe për klientët e tyre. Sepse, partitë politike në Kosovë kanë klientë e jo vetëm votues. Nga pjesëmarrja në pushtet e partisë “së tyre” shumë njerëzve në Kosovë u varen vendi i punës, biznesi, regjistrimi në shkollë e shumëçka tjetër.

Në të kaluarën në Kosovë ka qenë i famshmi “faktori ndërkombëtar” ai i cili ka vendosur për krijimin e qeverisë. Së paku kështu është krijuar përshtypja dhe ajo nuk ka qenë një përshtypje e gabuar. Edhe kur janë vjedhur votat, edhe kur janë shkelur parimet e demokracisë, faktori ndërkombëtar ka ndërhyrë për të mbrojtur qëndrimin në pushtet të disa partive, në rastin e fundit të PDK-së.

Kosova ka edhe një precedent nga zgjedhjet e kaluara kur Gjykata Kushtetuese kishte dhënë mendimin se vetëm fituesi relativ i zgjedhjeve ka të drejtë të propozojë mandatarin për krijimin e qeverisë. Pasi tash ekziston një mendim i tillë i Kushtetueses, dhe Kushtetua ndërkohë nuk është ndryshuar, do të jetë më e rëndësishmja se cila parti, apo koalicion parazgjedhor eventual do të dalë në pozitën e parë. Nëse i pari nuk do të arrijë të krijojë qeveri, do të duhet të shkohet në zgjedhje përsëri, derisa i pari të mos e krijojë qeverinë. Sikur ta këtë dhënë këtë mendim VMRO-DPMNE-ja e Maqedonisë, e cila, madje edhe duke përdorur dhunën nuk lejon që shumica parlamentare e krijuar në atë shtet ta të formojë qeverinë. Kështu vërtet bashkësia ndërkombëtare, sidomos BE-ja, përdorin standarde të dyfishta të demokracisë në rastin e Kosovës nga ai i Maqedonisë. Kësaj së dytës i thonë: “Shumica parlamentare është shumicë, pa marrë parasysh a ju pëlqen apo jo, dhe këto janë rregulla themelore të demokracisë”. Por në rastin e Kosovës parimet e demokracisë nuk kanë qenë asnjëherë kriter në angazhimin e „faktorit ndërkombëtar“. Prioritet ka qenë gjithmonë dialogu me Beogradin dhe ruajtja e asaj që është konsideruar si stabilitet politik. Nëse insistimi në parimet e demokracisë do ta rrezikonte prioritetin e parë apo të dytin, atëherë ato parime nuk mund të jenë prioritet. Kemi shumë shembuj në Kosovë për ta dëshmuar këtë.

Në fillim, në kohën e UNMIK-ut, Thaçi ishte i papranueshëm, sepse nuk e pranonin LDK-ja e as serbët e as Serbia. Rugova ishte i papranueshëm, sepse nuk e pranonte „krahu i luftës“. Si kompromis ishte bërë kryeministër Bajram Rexhepi i PDK-së. Pastaj u bë kryeministër Ramush Haradinaj, në koalicion me LDK-në. Pasi Haradinaj e kishte thyer akullin duke u bërë kryetar në një qeveri koalicioni me LDK-në këtë më vonë e shfrytëzoi edhe Thaçi dhe u bë edhe ai. Kështu u zhdukën paragjykimet se një parti e caktuar nuk mund të jetë në pushtet me dikë. Në kohën kur në Beograd në pushtet janë ish-bashkëpunëtorët e diktatorit Slobodan Milosheviq, është krejtësisht e pakuptimtë që të përmendet ndonjë parti e Kosovës si „e papranueshme“. Një gjë e tillë është madje edhe fyese, edhe pse për shumë parti kosovare kundërshtarët në Kosovë shihen me sy më armiqësor sesa partitë në Serbi.

Nëse llogarisim sipas interesave të Brukselit, Hagës, Beogradit, miqve ndërkombëtarë, ambasadave, zyrave ndërkombëtare - atëherë Kosovës i duhet një qeveri e cila do t’i detyrojë të akuzuarit të shkojnë në Hagë, e cila do të ketë guxim ta kalojë demarkacionin me Malin e Zi, e cila do të ketë guxim të zbatojë marrëveshjet me Serbinë dhe të bëjë kompromise të tjera dhe e cila do të pranojë që Serbia të ketë rol në çështjet e brendshme dhe të jashtme të Kosovës. Llogari të tilla deri tash janë bërë gjithmonë sa herë që ka pasur zgjedhje në Kosovë dhe ato kanë qenë më të rëndësishme sesa votat e qytetarëve. Ka ardhur koha që kosovarët të llogarisin se çfarë qeverie u duhet atyre.

Tash e sa vite, edhe në rastin e Serbisë e edhe të Kosovës, në Bruksel preferojnë që në pushtet të jenë partitë që kanë imazhin e nacionalistëve dhe luftëtarëve të çështjes kombëtare. Sepse mendojnë se vetëm ata mund të bëjnë kompromise të dhimbshme për popullin dhe shtetin e tyre e të mos quhen tradhtarë. Këtë shumë diplomatë e kanë thënë dhe vazhdojnë ta thonë shpesh në Bruksel. Përmendin si shembull marrëveshjen e parë të arritur mes atëherë kryeministrave Hashim Thaçi nga Kosova dhe Ivica Daçiq nga Serbia. Sikur një marrëveshje të tillë ta kishin bërë, ta zëmë, një kryeministër i LDK-së nga Kosova dhe një i Partisë Demokratike në Serbi, e në opozitë të ishte „krahu i luftës“ kush e di se çfarë do të kishte ndodhur.

Llogari të tilla bëhen edhe tash për shkak të Gjykatës Speciale. Presidenti Hashim Thaçi ka thënë në Bruksel se ai është „kampion i krijimit të kësaj Gjykate“ sepse, siç pati thënë ai, „Kosova nuk ka çfarë të fshehë“. PDK-ja mund edhe ta përdorë këtë si argument ndaj „faktorit ndërkombëtar“ edhe në të ardhmen duke lënë përshtypjen se vetëm kur ata janë në pushtet mund të arrestohen dhe akuzohen për krime të rënda zyrtarë të lartë të saj dhe të dërgohen në Hagë. Apo mund të bëhen kompromise me Serbinë. Tash kanë edhe shembullin e „mungesës së guximit të Qeverisë Mustafa“ për të zbatuar ato marrëveshje që i kishte arritur qeveria Thaçi.

Nëse llogarisin se kush ka guxim, të drejtë morale dhe gatishmëri për bashkëpunim të plotë dhe të pakushte me Gjykatën Speciale për zbatimin e Marrëveshjes së „Bashkësisë/Asociacionit“ të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë, atëherë përsëri vinë në përfundim se për një gjë të tillë ideale do të ishte një qeveri e PDK-së me LDK-në dhe Nismën, në koalicion me „Listën Srpska“ që praktikisht është e Beogradit. Sepse, mendojnë sipas kësaj logjike, LDK-ja në pushtet me Listën Srpska nuk do të guxonte të bënte të njëjtën gjë, sepse nuk i ka kredencialet patriotike. Vetëvendosja vazhdon të jetë e etiketuar nga PDK-ja dhe LDK-ja nga e kaluara si „parti destruktive“ e cila nuk do dialog me Serbinë.

Nuk janë tema të parëndësishme Gjykata Speciale, dialogu me Serbinë, Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi. Por Kosova duhet të ketë prioritetet e tjera. Ka sistemin më të dobët arsimor në botë. Pamë se nuk e ka as ajrin të pastër, por ndër më të ndoturit në Evropë, sidomos në kryeqytetet. E nuk ka as energji elektrike për t’u bërë së paku dritë atyre që thithin ajrin e ndotur që e ndot Termocentrali të cilin BE-ja e konsideron si „ndotësin më të madh në rajon“. Ka një administratë publike, gjykatë dhe sistem shkollor tejet të politizuar që duhet pavarësuar.

Do të ishte mirë sikur në Kosovë të dalë nga këto zgjedhje një qeveri e cila do t’i kishte prioritet këto interesa të qytetarëve e jo të shohim prapë sikur në seriale defilime nga një ambasadë në tjetrën, nga një lokal në tjetrin, të liderëve partiakë për të bërë koalicione „të pranueshme“ për të gjithë të tjetër, por pa menduar për vetë qytetarët e Kosovës.