OpEd

Brekë Sitë

P. S. Çakori osht duke ndodhur Ramush? Atje në Bjeshkët e Rugovës stanet e kosovarëve po shemben nga ana e malazezëve! A do me i shti si pjesë e fushatës tënde 100% shtet apo jo? Në mungesë dokumentacioni, siç u prononcua një nga pronarët e atyre staneve, kishe mujtë me shku me dëshmu se je 100% shtet dhe me ua rrëzu ti me planet e Qeverisë për ndërtimin e qendrave të skijimit!

Në ditarin e javës së kaluar unë ashtu me kast nuk e përfundova përshkrimin e ngjarjeve me një Post-Scriptum për Ramushin, që zakonisht e kam bërë rregullisht. Por lexuesit e ditarit tim janë shumë symprehtë dhe e kanë vërejtur atë gjë. Pranova shumë pyetje në inboxin tim se çka ndodhi me P. S.?

Prandaj, ditarin tim të kësaj jave po e filloj me P.Sin e munguar nga java e kaluar.

P. S. Çakori osht duke ndodhur Ramush? Atje në Bjeshkët e Rugovës stanet e kosovarëve po shemben nga ana e malazezëve! A do me i shti si pjesë e fushatës tënde 100% shtet apo jo? Në mungesë dokumentacioni, siç u prononcua një nga pronarët e atyre staneve, kishe mujtë me shku me dëshmu se je 100% shtet dhe me ua rrëzu ti me planet e Qeverisë për ndërtimin e qendrave të skijimit!

Si ambasador i Republikës së Kosovës në Facebook me vendbanim në Londër të Britanisë së Madhe, jo rrallëherë më bie që të merrem edhe me aktualitetet e shoqërisë britanike. Kur them të Merrem, të mos keqkuptohemi jo nga niveli i përgjegjësisë së detyrës sime, por thjesht si mbajtje shënimesh, ngjarjesh dhe observimesh në ditarin tim. Që do të thoshin andej nga mëmëdheu “u bone ti”.

Ne zakonisht jemi mësuar që këta njerëz të ngritur, eksplorues dhe bujarë të lënë studime dhe shkrime rreth nesh si komb, si dhe ngjarje të ndërlidhura me ne siç ishin p.sh. Lord Byron, Edith Durham, Aubrey Herbert, Noel Malcolm etj. Universi vepron në mënyrë të çuditshme! Në lojën e tij me fate njerëzish dhe kombesh ato lojëra shpeshherë nga këndvështrimi i një historiani apo përshkruesi ngjarjesh mund të duken absurde apo ndoshta edhe qesharake, e të tilla mund të duken edhe nga lexuesit e këtij ditari 100 vjet më vonë.

Do të lexojnë anglezët për ambasadorin e Republikës së Kosovës Asdren Rrahmani me vendbanim në Marylebone të Londrës, i cili përfaqësonte një shtet të vogël dhe të ri evropian me aspirata për liberalizim vizash dhe lëvizje të lirë në Bashkësinë Evropiane, dhe me vendbanim në Mbretërinë e Bashkuar, një shtet i fortë politiko-ekonomik me aspirata për largimin e saj nga Bashkimi Evropian. Në fakt, aspirata e Mbretërisë së Bashkuar duhet quajtur më shumë se aspiratë, sepse ligjërisht populli doli në referendum dhe pyetjeve se a dëshironi që Mbretëria e Bashkuar të mbetet në Bashkimin Evropian apo a dëshironi që Mbretëria e Bashkuar të dalë nga Bashkimi Evropian, me 2% dallim më të shumtë ishin ata të cilët votuan pro daljes. Aspirata tashmë ishte shndërruar në obligim ligjor për Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar që të siguronte daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja. Si proces u njoh me emrin Brekë Sitë. Filloi Brekë Sita me i nda pordhët e ftohta nga dromca të tjera të padëshiruara që ta tejkalojnë sitën.

Dromca e parë e padëshiruar që brekë sita e ndau nga pordhët e ftohta ishte pikërisht ai, i cili e përshpejtoi atë proces të referendumit me pretekstin se ky referendum do të fuqizonte dhe forconte pozitën e tij dhe të Qeverisë së tij, duke e përshpejtuar datën e mbajtjes së këtij referendumi dhe duke e prejudikuar rezultatin e saj se populli do të votonte pro qëndrimit në BE. Pra, bëhet fjalë për ish-kryeministrin, David Cameron. Rezultati i dalë nga referendumi e qiti Cameronin si dromcë e padëshiruar nga brekë sita, dhe ai u detyrua që të jepte dorëheqjen e tij. Ashtu siç ndodh në politikë, apetitet e kolegëve partiakë rriten për të zënë karrigen e liruar. Më e zhdërvjellëta dhe e uritura për pozitën në atë karrige doli Theresa May.

Ajo u mundua për 2 vjet rresht që të binte në ujdi me Bashkimin Evropian për mënyrën dhe obligimet të cilat Britania e Madhe do t’i merrte në raport me marrëveshjet ekonomike, lëvizjen e lirë të qytetarëve evropianë, si dhe leje qëndrimet për qytetarët evropianë, të cilët tashmë jetojnë dhe veprojnë në Britaninë e Madhe. Një gjë të tillë ajo nuk arriti që ta bëjë dhe brekë sita e ndau edhe atë si një dromcë të padëshiruar nga pordhët e ftohta, dhe pas mosbesimit të shfaqur nga Parlamenti britanik ajo u detyrua që të dorëhiqej. Apetitet e ujqërve të uritur përbrenda partisë së konservatorëve u shtuan edhe njëherë për pozitën tashmë të liruar për herë të dytë përbrenda mandatit qeverisës konservator. Në këtë garë lakenjësh politikë do të fitonte Boris Johnson, që dikur ishte kryebashkiaku i Londrës dhe njëri ndër më të zëshmit për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja.

Në politikën britanike njihet për përfundimin e shkollave elitare private, siç është ajo e Eton College, ku të njëjtën e kanë përfunduar edhe shumë politikanë të tjerë britanikë. Gjithashtu, njihet për shumë veprime dhe deklarata sa kontroverse aq edhe skandaloze. Ashtu në stilin e tij, që nga marrja e detyrës së kryeministrit, tonet e tij të ashpra në Parlament dhe jashtë tij të përcjella me deklaratat se 31 tetori do të ishte data kur Britania do të largohej nga BE-ja qoftë edhe pa asnjë lloj marrëveshjeje nuk pushuan asnjëherë. Leshkuqi i grondreqit në lojërat djallëzore të tij me një takim arriti ta bindë mbretëreshën Elizabeth për përkrahjen e saj për suspendimin e Parlamentit britanik në afat 5-javor, derisa të përfundonte çështja e brekë sitës. Qëllimi i tij ishte që të mos haste në kurrfarë rezistimi parlamentar gjatë daljes finale të Britanisë së Madhe nga BE-ja me datën 31 tetor siç ai kishte premtuar. Kjo gjë shkaktoi zemërim të ligjvënësve skotlandezë, si dhe atyre anglezë. Sistemet gjyqësore të këtyre dy vendeve dallojnë dhe në shumë gjëra kanë veçoritë e tyre. Gjykata Supreme e Skotlandës rrëzoi poshtë vendimin e kryeministrit Johnson për suspendimin e Parlamentit si të jashtëligjshëm. Gjykata Supreme angleze, gjithashtu, duke e kuptuar seriozitetin e çështjes në mënyrë të përshpejtuar krijon panelin e saj gjykues për t'iu përgjigjur akuzave me gjithë ligjshmërinë e atij vendimi nga ana e kryeministrit Johnson.

Njëmbëdhjetë gjyqtarë të Gjykatës Supreme në mënyrë unanime e sjellin vendimin se me të vërtetë kryeministri Boris Johnson kishte marrë një vendim të jashtëligjshëm në lidhje me suspendimin e Parlamentit. Tashmë brekë sita si duket do të mbushet edhe me një dromcë shtesë të padëshirueshme, ndërsa pordhët e tija të ftohta ashtu si edhe ato të dy paraardhësve të tij do të depërtojnë tutje dhe të shkrihen në kontaminimin dhe ndotjen e ambientit.

Dhe ja këtu qëndroj unë, duke e shkruar ditarin tim dhe duke i përshkruar hallet e miqve tanë, përshkrime këto të cilat do t’i rezistojnë testit të kohës dhe do të mbesin këtu për shumë breza të ardhshëm për t’i studiuar dhe ekzaminuar ato.

***

Nga ngjarjet në politikën vendore vlen të përmendim faktin se dje me datë 25.9.2019 zyrtarisht filluan edhe fushatat zgjedhore të partive politike kosovare për zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat do të mbahen më 6 tetor 2019. Partitë i filluan fushatat e tyre elektorale në qytete të ndryshme të Kosovës dhe secila me strategjinë e saj dëshiron që në njëfarë mënyre simbolike sentimentale të përçojë te populli mesazhe për simpati ndaj tyre. Sa më përket meje mund t'ju them se veshët e mi po dëgjojnë vetëm fraza të thata dhe patetizëm të pakufishëm nga të gjithë aktorët dhe pretendentët për kryeministra, ashtu si edhe nga ata për deputetë. Ka shumë populizëm, ka shumë fajësi të hedhura tek njëri-tjetri e në pjesën më të madhe të këtij 20-vjeçari shumica nga ta bashkëqeverisën në kombinime të ndryshme. Më çojnë mallin e pjesëmarrësve të një Swing Party, që tani pas kënaqësisë asnjëri nuk dëshiron të marrë përgjegjësitë për fëmijën e lindur, edhe pse testet e ADN-së kollaj e caktojnë atësinë, por as të tjerët nuk amnistohen si pjesëmarrës akti si të tillë. E në krejt këtë katrahurë, një popull i tërë i hutuar dhe i transportuar me autobusë nga një qytet në tjetrin për t’i mbushur sallat dhe sheshet me njerëz shumica prej të cilëve as nuk e dinë se pse janë aty e aq më pak kuptojnë se çfarë lojërash bëhen me ta, personalisht dhe me fatet e tyre dhe të fëmijëve të tyre në veçanti. Edhe në 10 ditët e ardhshme do të vazhdojmë të dëgjojmë surle, të dëgjojmë tupana, të dëgjojmë ndërprerje fjalimesh kur të këndohen ezanë. Më tha një ditë miku im i çmuar Menani “e gjitha kjo shoki mu është Suxhuk Ballkanik. I merr copat e mishit më të keq të mundshëm i bluan në makinë të bluarjes së mishit dhe e mbështjell me zorrë armani”.

P. S. Ramush kishe deklaru që zgjedhjet e 6 tetorit do të jenë referendum që të mos prekën kufijtë e Kosovës. Ramush mu ma shumë po më doket që më shumë ka me qenë referendum që politika mos me u prek prej duarve tua dhe të Kadrushit.