Anulimi i mbledhjes ndërqeveritare e datës 14 qershor në Gjakovë mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte një kurth i kryeministrit Rama për ta izoluar më tej kryeministrin Kurti. Kurti ra pre e kurthit të Ramës, e kësisoj, të dy shkatërruan arritjet e deritanishme të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë prej arrogancës dhe papjekurisë së tyre.
Rama, përkundër pretendimeve në Kosovë dhe Shqipëri, nuk është agjent i Beogradit dhe nuk e ka “vëlla” Vuçiqin. Është në fakt më e thjeshtë se kaq. Politika e jashtme shqiptare është e influencuar skajshëm – për të mos thënë e diktuar – prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Rama është duke ndjekur në një masë të madhe qëndrimet amerikane, edhe kur ato e dëmtojnë Kosovën, si p.sh. nisma Ballkani i Hapur dhe më në tërësi përpjekja amerikane për ta shtyrë Serbinë të shkëputet prej varësisë strategjike ndaj Rusisë.
Shumë shqiptarë të Kosovës ende nuk e kanë kapërdirë faktin që SHBA mund të punojnë kundër interesave shtetndërtuese të Kosovës, në mënyrë që të çojnë përpara përpjekjet e tyre për ta shkëputur Serbinë prej Rusisë – e më tutje prej Kinës. Kësisoj, është më e lehtë që sjelljen e Ramës ta kuptojnë e ta përshkruajnë si pro-Beogradit sesa si në shërbim të Uashingtonit.
Me emërimin e Kristofer Hill si ambasador të SHBA-së në Beograd, shumë shqiptarë të Kosovës ishin shpresëplotë se politika e SHBA-së ndaj Serbisë do të ishte më e ashpër, duke marrë parasysh këtu përvojën e Hillit në Ballkan, politikën antiruse të amerikanëve dhe marrëdhëniet e ngushta strategjike mes Serbisë dhe Rusisë në kontekstin e agresionit rus në Ukrainë. E kundërta ndodhi dhe kjo u pa qysh prej qëndrimit amerikan, e veçanërisht të Hillit, për reciprocitetin e targave gjatë verës dhe vjeshtës të vitit 2022. Qoftë Hill, qoftë Ambasada e SHBA-së në Prishtinë e shtynë qeverinë Kurti ta shtynte deri në pafundësi vendimin për ndërprerjen e qarkullimit të automjeteve me targa të Serbisë dhe e nënçmuan rëndësinë që ky vendim kishte për sovranitetin e Kosovës. Ruajtja e qëndrueshmërisë në rajon dhe parandalimi i përshkallëzimeve të mëtejshme duket se ishin më të rëndësishme për ta sesa sovraniteti i Kosovës.
Rama i ka përqafuar zellshëm qëndrimet e Hillit dhe të SHBA-së jo vetëm prej dobësisë e politikës së jashtme të Shqipërisë dhe varësisë së saj ndaj SHBA-së, por edhe prej përputhjes së qasjes së Ramës me atë të amerikanëve ndaj Kurtit. Ndërkohë që amerikanët e shohin Kurtin si kërcënim për qëndrueshmërinë në rajon (lexo: politikën amerikane në rajon), Kurti paraqet një kërcënim politik dhe ideologjik për Ramën.
Qasja ideologjike e Kurtit, pavarësisht se është krejtësisht e orientuar drejt strukturave euro-atlantike, nuk i përmban dozat e servilizmit që janë të theksuara në radhët e politikanëve shqiptarë në rajon. Ky është një problem thelbësor, pasi politikanët e korruptuar shqiptarë garojnë se kush është më proamerikan e proevropian, në mënyrë që të sigurojnë vazhdimësinë e tyre politike nëpërmjet legjitimimit të jashtëm, duke anashkaluar e nënçmuar legjitimitetin e brendshëm që buron prej sovranit. E rëndësishme për ta është të vazhdojnë marrëdhënien transaksionale me partnerët euro-atlantikë nëpërmjet së cilës nuk e kanë problem të shkëpusin nga një copëz të sovranitetit të vendeve të tyre me kusht që të lejohen ta plaçkitin atë. Dhe nëse qeverisja e Kurtit rezulton e suksesshme e jetëgjatë, atëherë shqiptarët në Ballkan do të kuptojnë që ata janë burimi i vërtetë i legjitimitetit demokratik, e jo servilizmi dhe marrëdhëniet transaksionale me fuqitë e huaja.
Përpos kërcënimeve që vijnë si rezultat i qasjes së Kurtit ndaj marrëdhënieve euro-atlantike, çelja e zyrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë në prill 2019 dhe kandidimi për deputet i drejtuesit ekzekutiv të saj, Bojken Abazit, në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë në prill 2021, qartazi shprehën ambiciet e Kurtit për të influencuar politikisht Shqipërinë.
Kjo qasje nuk u prit mirë jo vetëm nga Rama, por edhe nga politikanët e tjerë të Shqipërisë. Kurti është pritur relativisht ftohtë nga politikanët e Shqipërisë. Ndërkohë që reagimet e Sali Berishës dhe Ilir Metës në përgjigje të përleshjeve midis strukturave kriminale serbe me Policinë e Kosovës dhe KFOR-it dhe të draftstatutit të Ramës për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe kanë qenë joparimore e të mekëta.
Në rastin e Berishës, reagimet e tij të ashpra nuk kanë qenë për arsye parimore, me qëllim forcimin e marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Kosovës, por të vendosura gjithnjë nën kontekstin e sulmeve politike e delegjitimuese ndaj Ramës si “argat i Beogradit” e “vëlla i Vuçiqit”. Ndërkohë, reagimet e Metës kanë qenë relativisht të dobëta, duke bërë thirrje për komunikimin “të drejtpërdrejtë e konstruktiv me institucionet e Kosovës dhe kryeministrin Kurti”, por po specifikuar më tutje se çfarë nënkupton konkretisht. Me tej, sipas tij, “zgjidhja se si do të arrihet Asociacioni gjendet te respektimi i Marrëveshjes së Brukselit e Ohrit”, duke mos thënë asgjë konkrete për mënyrën se si duhet të arrihet zbatimi i Marrëveshjes.
Në këto kushte, kërkesa në formë kurthi e Ramës për ta tkurrur mbledhjen ndërqeveritare në Gjakovë, duke përfshirë vetëm kryeministrat, ministrat e mbrojtjes dhe të punëve të jashtme duhej të ishte pranuar nga Kurti. Pavarësisht natyrës dashakeqe të kërkesës, ai takim mund t’i shërbente Kurtit për ta kritikuar ballazi dhe publikisht Ramën, duke treguar qartazi se ai e vlerëson bashkëpunimin me Shqipërinë pavarësisht se kush është kryeministri i saj. Nuk ishte në interes të Kurtit të izolohej më tej nga Shqipëria dhe fatkeqësisht dëmtoi më tepër pozitat e veta se sa të Ramës.
Megjithëse përkeqësimi i marrëdhënieve midis kryeministrave të Kosovë dhe Shqipërisë nuk është një zhvillim i mirë pavarësisht individëve specifikë, më shqetësuese dhe e frikshme për të ardhmen tonë është përkeqësimi i marrëdhënieve midis shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë si rezultat i prishjes së marrëdhënieve të krerëve të qeverive respektive.
Fatkeqësisht, ndërveprimi midis shoqërisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës e interesi i ndërsjellë në zhvillimet e brendshme shoqërore dhe politike nuk është i fortë. Pavarësisht rritjes së ndërlidhjeve mes dy shoqërive tona, ato vijojnë të jenë të mbështjella në paragjykime gjuhësore, krahinore, e shoqërore; pritshmëri të papërmbushura në drejtim të çështjeve kombëtare dhe komplekse inferioriteti e superioriteti në art, sport e politikë.
Në momente krizash, të gjitha këto qejfmbetje e paragjykime të ndërsjella dalin në sipërfaqe dhe i përçajnë edhe më shumë shoqëritë tona pikërisht atëherë kur duhet më tepër bashkëpunim. Kjo ndodh për shkak të krizës intelektuale, shpirtërore e politike të shqiptarëve. Shoqëritë tona nuk prodhojnë ide rreth natyrës së identitetit shqiptar në kushtet e zhvillimeve të vrullshme e dinamike gjeopolitike; nuk ka debat për mënyrën se si Shqipëria e Kosova duhet t’i zhvillojnë marrëdhëniet e tyre përballë ndikimeve të huaja; nuk diskutohet se cilat janë vlerat që duhet t’i udhëheqin shqiptarët; nuk diskutohen çështjet që janë kritike për sigurinë e shqiptarëve e kësisoj, të panegociueshme. Këto çështje u janë lënë në dorë udhëheqësve politikë, të cilëve fatkeqësisht u mungon urtësia, dija, vendosmëria, kuraja e aftësia për të frymëzuar e organizuar. Të ardhmen tonë e kemi lënë në duar të pasigurta pasi e kemi nënçmuar rolin që ne – jo udhëheqësit politikë – duhet të luajmë për të zhvilluar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin kombëtar. Kjo krizë në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë, në vend që të na përçajë edhe më thellë, duhet të na shtyjë për të kuptuar se fatet tona janë e do të jenë të ndërlidhura përherë dhe është në interesin tonë të ndërsjellë të bashkëpunojmë ngushtësisht.
(Autori është hulumtues pranë Qendrës Kosovare për Studimet e Sigurisë)