OpEd

Bosnja si vërejtje për BE-në dhe Kosovën

Paralajmërimet e para për mundësinë e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë u paraqitën si nevojë “për të mos lejuar përsëritjen e Bosnjës”. Kur u krijua korniza për zgjidhjen e statusit të Kosovës, përsëri u tha se “nuk duhet përsëritur gabimet nga Bosnja”. Sot, 27 vjet pas luftës, BE-je kështu e vlerëson situatën në atë shtet: “Vendi po kalon përmes krizës më të madhe politike që nga përfundimi i luftës në vitin 1995”. Por, përpos fjalëve me të cilat shprehin shqetësime, as në BE nuk po japin dëshmi se kanë nxjerrë mësime të duhura nga Bosnja

Rajoni i Ballkanit Perëndimor akoma vazhdon të ketë një “stabilitet të brishtë”. Kjo është një diagnozë të cilën shumë qarqe ndërkombëtare e japin për një kohë të gjatë për këtë rajon. Dhe kështu është edhe tash. Janë disa vende stabile si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Ka vende edhe si Serbia që janë aq stabile sa është stabil regjimi që ka pushtetin e plotë. Por e njëjta ka ndikime në tri shtete të tjera të rajonit, për të cilat të thuhet se është një “stabilitet i brishtë” do të ishte relativizim i problemit.

Kosova, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi nuk janë edhe aq stabile. Së paku jo në të gjitha pjesët e tyre. Për Malin e Zi mund të thuhet se ka një ombrellë sigurie, sepse është anëtar i NATO-s dhe gëzon atë që quhet mbrojtje kolektive përmes Artikullit 5 të Traktatit, sipas të cilit “sulmi në një shtet është sulm ndaj të gjithëve”. Kështu, ndonëse me ndikim të qartë nga Serbia, si politik ashtu edhe mediatik e klerikal nga Kisha Ortodokse Serbe, turbulencat politike në Mal të Zi mund të vlerësohen formalisht si “zhvillime të brendshme”.

Por situata në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë nuk mund të quhet e tillë. Për disa arsye. Së pari, për shkak se në asnjërin prej këtyre dy shteteve qeveria qendrore nuk e kontrollon në tërësi tërë territorin e shtetit. Dhe së dyti, të dyja këto shtete janë krijuar dhe zhvilluar me një rol të fuqishëm ndërkombëtar dhe me misione ndërkombëtare të cilat kanë pasur, dhe në disa fusha vazhdojnë të kenë edhe kompetenca ekzekutive. Pra, në rastin e Kosovës dhe të Bosnjë-Hercegovinës as përgjegjësia nuk mund të kufizohet vetëm tek “udhëheqësit politikë të vendit” dhe nuk mund të amnistohen bashkësia ndërkombëtare, as BE-ja e as NATO-ja. Tash situata po del jashtë kontrollit pikërisht për shkak se është investuar tepër shumë në liderët lokalë politikë, duke besuar se përmes tyre do të sigurohej një stabilitet. Për këtë qëllim u sakrifikuan edhe demokracia, edhe liria e mediave e besa edhe sundimi i ligjit, efikasiteti i gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Kjo tash e disa vjet është pagëzuar me termin “stabilokraci”, që përshkruan qasjen e BE-së kur punon me ata liderë politikë të cilët sigurojnë që të mos ketë konflikte, ndërsa atyre u tolerohen të gjitha të këqijat e tjera dhe mbështeten fuqishëm nga Brukseli.

Kjo qasje e gabuar ka zgjatur aq shumë, saqë tash nuk mund të ndryshohet pa pasoja. Sepse ata që për periudha të gjata ishin në pushtet kanë shumë gjëra në duar të tyre dhe mund të shkaktojnë trazira të cilat nuk do t’i konvenonin as bashkësisë ndërkombëtare.

Zakonisht në zhargonin e BE-së nuk thuhet asnjëherë se BE-ja ka bërë ndonjë gabim. Kur bëhen gabime këto quhen “nxjerrje e mësimeve”. Dhe kështu, kur nga viti 1995 e panë se në Bosnjë-Hercegovinë kanë bërë gabime thanë se “e kanë mësuar mësimin dhe nuk do të veprojnë në mënyrë të njëjtë në Kosovë”.

Paralajmërimet e para për mundësinë e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë u paraqitën si nevojë “për të mos lejuar përsëritjen e Bosnjës”. Kur u krijua korniza për zgjidhjen e statusit të Kosovës, përsëri u tha se “nuk duhet përsëritur gabimet nga Bosnja”. Sot, 27 vjet pas luftës, BE-ja kështu e vlerëson situatën në atë shtet. “Vendi po kalon përmes krizës më të madhe politike që nga përfundimi i luftës në vitin 1995”. Por, përpos fjalëve me të cilat shprehin shqetësime, as në BE nuk po japin dëshmi se kanë nxjerrë mësime të duhura nga Bosnja.

Në Bosnjë-Hercegovinë sot situata është shumë e rëndë dhe BE-ja, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bëjnë trysni që të arrihet reforma zgjedhore dhe kushtetuese. Palët nuk po pajtohen për këto reforma. Dhe BE-ja insiston që zgjedhjet të zhvillohen “pa marrë parasysh epilogun e këtyre përpjekjeve”. Pra, BE-ja do të dëshironte që zgjedhjet të jenë sipas një ligji të reformuar zgjedhor, por mund të bëhen edhe me ligjin e tashëm. E nëse bëhen me ligjet e tashme, vetë BE-ja do të konstatojë se ato “nuk janë sipas standardeve evropiane” dhe këtë do ta shfrytëzojë si argument për të mbajtur të bllokuar rrugëtimin e Bosnjë-Hercegovinës në procesin e integrimeve evropiane. Në Bosnjë-Hercegovinë, Marrëveshja e Daytonit ishte bazuar në elementet etnike. Pra, u krijuan dy entitete dhe shteti me tre popuj konstitutivë (boshnjakët, serbët dhe kroatët): serbëve iu dha një entitet i vetëm që përfshin afro gjysmën e territorit, ndërsa boshnjakët dhe kroatët u detyruan të jenë në një etnitet të përbashkët “Federata e Bosnjë-Hercegovinës”. Dhe në këtë entitet të përbashkët, kroatët ndihen të dominuar nga boshnjakët më të numërt. Aq sa boshnjakët zgjedhin edhe përfaqësuesit e kroatëve në zgjedhje. Dhe tash nuk shihet rrugëdalje nga ky qorrsokak. Sepse nuk mund të hiqet dorë aq lehtë nga kriteri etnik në një shtet që është ndërtuar mbi parimin e tri kombeve konstitutive. Ata që nuk janë pjesëtarë të këtyre tri kombeve konstitutive hyjnë në kuadrin e “qytetarëve të tjerë”.

Tentimet që Bosnjë-Hercegovina të shndërrohet tash në një “shtet qytetar” janë parë nga serbët dhe kroatët si “unitarizëm që do të shkaktojë kriza, sepse tenton të krijojë shtetin me dominim të boshnjakëve”. Në anën tjetër, është nisur procesi secesionist i serbëve të Bosnjës përmes bartjes së kompetencave nga niveli shtetëror në atë të entitetit. Kështu në Bosnjë-Hercegovinë tash edhe “secesionizmi” edhe “unitarizmi” po shihen si procese të rrezikshme.

Kur Kosova u bë shtet u insistua të jetë “shumetnikë”. Nuk u lejua që Kosova në simbolet e saj të ketë asnjë element etnik shqiptar. Por BE-ja përmes dialogut dëshmoi se nuk e ka mësuar mësimin nga Bosnja dhe lejoi që të arrihet marrëveshje sipas çelësit etnik. Pra, me një marrëveshje politike u caktua se çfarë përkatësie etnike duhet të jetë gjykatësi, prokurori, shefi i policisë dhe kështu me radhë në disa pjesë të Kosovës. Bile BE-ja e quajti si shkelje të marrëveshjes një verdikt me të cilin u dënua një serb nga veriu i Kosovës për shkak se në panelin e gjykatësve paskan qenë dy shqiptarë.

Bosnja gjithsesi duhet të jetë një vërejtje për Kosovën dhe për BE-në. Sepse nëse është bërë aq vështirë të shndërrohet Bosnjë-Hercegovina në një shtet funksional, edhe pse nuk kontestohet subjektiviteti ndërkombëtar i saj, si mund të bëhet Kosova e cila akoma e ka të kontestuar shtetësinë jo vetëm nga Serbia, por edhe nga BE-ja dhe NATO-ja, pasi janë organizata ku vendoset me konsensus.