Nëse ka diçka që i çmend nacionalistët serbë, atëherë ky është shqiptari normal, shqiptari që ka vetëbesim, që e njeh botën dhe që nuk nënshtrohet. Aleksandar Vuçiqi në mendjen e tij shqiptarin e përfytyron si shitës tullumbash, shitës farash, bartës qymyri dhe si mashtrues që luan me qibritë. Shërimi i këtyre komplekseve raciste kërkon kohë. Serbia nuk e ka gjetur ende liderin që është i gatshëm të shërojë veten dhe shoqërinë nga stereotipat racistë.
Këta (nacionalistët serbë) ende kujtojnë se kthehen në Prishtinë për ta vendosur para Hotelit Grand pllakatin: “Ndalohet hyrja për qenë dhe shqiptarë”. Ende ëndërrojnë se mund t’i hyjnë pazarit të Prishtinës dhe t’ua marrin markat krejt shitësve. Ende ua ha mendja se mund të veprojnë si Arkani në vitet 90-të: të futen në argjendari, të marrin “fitimin” dhe të kthehen në Hotelin Grand për ndonjë orgji me prostituta që silleshin për të argëtuar kriminelët serbë që për fundjavë vinin nga Bosnja, ku kishin kryer krime kundër civilëve. Aleksandar Vuçiqi është fëmijë i kësaj epoke, kur ishte krejt “normale” që në diskursin publik në Serbi shqiptari të shihej jo vetëm si qytetar i rendit të dytë, por edhe si skllav, si shërbëtor që duhet të ulë kokën përballë padronit. Përkundër humbjes së luftës më 1999, nga diskursi i nacionalistëve serbë nuk është hequr gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve.
Sepse, siç pati shkruar shkrimtari i shquar serb Bora Qosiq më 2008, pak javë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shoqërinë serbe shqiptarët janë parë si diçka e “keqe”, por të cilët janë të nevojshëm për të punuar në ndërtimtari apo për të prerë dru. Shqiptari nuk mund të jetë tjetër veçse druvar. Ose bartës qymyri. Qosiq i përshkuan shqiptarët nga perspektiva e gjashtëvjeçarit. Ata vinin nga jugu, ishin të hajthëm, të varfër, çanin dru nëpër oborre, nganjëherë flinin në bodrume dhe ushqeheshin me sardina dhe rrush. Ishin modestë, të ngurrueshëm, kryesisht të përzemërt. Bora Qosiq, i cili e ka kryer shërbimin ushtarak në Prizren, tregon se nuk i kujtohet të ketë qenë i miqësuar me ndonjë djalë shqiptar gjatë fëmijërisë në Beograd. Sepse, thotë ai, në shkollat tona nuk kishte shqiptarë.
E tash, hop, përnjëherë Dua Lipa e Rita Ora “terrorizojnë” veshët e nacionalistëve serbë. Shih ti, shih, edhe këta qenkan njerëz! Tronditja më e madhe e nacionalistit serb është kur e kupton që edhe shqiptari është njeri. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq e di që shqiptarët janë njerëz, por s’mund të pranojë. Të mërkurën ai ishte në Budapest në një takim me bashkëmendimtarë iliberalë nga Europa Lindore. Dhe nga Budapesti Aleksandar Vuçiqi e quajti kryeministrin e Kosovës “qibritxhi”. Në logjikën e tij ultranacionaliste një shqiptar mund të jetë bartës qymyri, pra qymyrxhi, në Beograd, mund të shesë tullumba, të jetë sharrëxhi dhe të luajë me qibrita.
Ajo kohë ka kaluar dhe kjo është trauma e Vuçiqit! Kur i heqin posterët e Dua Lipës në Serbi – e dini pse e bëjnë këtë? Sepse në logjikën fashiste të nacionalistëve serbë, shqiptari nuk është gjë tjetër veçse shërbëtor!
Aleksandër Vuçiqi, dikur përgjegjës për bartjen e birrave në Partinë Radikale Serbe të kriminelit të luftës Vojisllav Sheshel, sado që aktron në forume ndërkombëtare, ai s’mund ta fshehë racizmin, fashizmin dhe urrejtjen e tij patologjike ndaj shqiptarëve. E ka shfaqur këtë urrejtje në vitet 90-të, e ka vazhduar pastaj dhe e kultivon edhe sot. Vite më parë, kur e pati nisur atë trenin e “famshëm” nga Beogradi për në Mitrovicë (që s’arriti në Mitrovicë), doli e tha - pak a shumë - kështu: shqiptarët nuk e kanë parë trenin, por nëse e kanë vendosur kokën në shina ndoshta e kanë dëgjuar uturimën e trenit si indianët.
Shqiptarët – indianë! Pra, skllevër. Skllevërit duhet shtypur, vrarë, poshtëruar, diskriminuar! Shqiptari me duart e nxira nga qymyri. Shqiptari që në kthina të ndërtesave të Beogradit ha sardina nga konserva dhe pajtohet me fatin e tij prej shërbëtori. Të tillë e përfytyrojnë shqiptarin, Vuçiqi dhe bashkëmendimtarët e tij. Për shqiptaret mund të kenë të gatshme ndonjë anekdotë të pistë seksiste. Apo ndonjë poshtërsi mbi gruan shqiptare si “lavatriçe për lindje”. Rrjedhimisht, nuk është befasi që Vuçiqi e quan kryeministrin e Kosovës “qibritxhi” që po mashtruaka çdokënd që mundet. Do ta quante kështu çdo shqiptar që e kundërshton Vuçiqin. Nuk ka lidhje me emra të përveçëm. Sepse racizmi strukturor nuk lidhet me emra të përveçëm, racizmi shtetëror serb është problem strukturor dhe mental i zyrtarëve të shtetit serb. Por këtë nuk e kanë kuptuar “opinionbërësit” e dehur të Prishtinës, pseudoliberalët e etur për vëmendje, vrapuesit pas fondeve, shërbëtorët e nëntokës dhe të parapolitikës.
Shqiptari, sipas Vuçiqit, është mashtrues, sepse ka vetëm një hobi: lojën me qibritë (šibicari), të arritur më të madhe në karrierë shqiptari e ka një dyqan apo një tezgë ku shet portokaj, shqiptari është njëfarë indiani i Ballkanit, i cili për të kuptuar se kur vjen treni, e vë kokën mbi shina, sepse shqiptari është larg civilizimit.
Gazetari nga Beogradi Slobodan J. Georgiev e ka vërejtur mirë këtë qasje të Vuçiqit. Georgiev shkruan në Twitter: “Sa herë që (Vuçiq) thotë: duhet t’i detyrojnë të sillen në mënyrë të civilizuar, ai tregon se cili është raporti i tij ndaj shqiptarëve: njerëz që shesin fara dhe bartin qymyr në bodrum”.
Gazetarja nga Beogradi Jelena Obuqina kështu e demonton racizmin e presidentit serb ndaj shqiptarëve: “Miletit i pëlqen shakaja, andaj na ofrojnë grotesken. Roli kryesor, aktori i vogël, i ngjashëm edhe diplomati, tema: çka ndodhi në Kosovë? Teksti: qibritxhinjtë ofruan kutinë, tri këtu, dy atje, nuk kalon kjo, automjetet për safari shërbejnë për gjueti të kafshëve të egra, i kam hedhur poshtë të gjitha ofertat, tërhiquni, nëse jo, atëherë do ta shohim, sa kushtojnë portokajtë? Këtu bie perdja, mileti hesht, s’ka duartrokitje. Pse? Sepse nuk është qesharake, sepse është bajate, e kemi parë disa herë”.
Mirë që së paku gazetarët liberalë serbë po e atakojnë presidentin e tyre ultranacionalist, primitiv dhe racist. Nga pjesa më e madhe e shoqërisë civile të Kosovës dhe nga “opinion-ngrënësit” kosovarë mos e pritni këtë. Opozita në Kosovë, “opinion-ngrënësit”, shoqëria civile, lepa-brenat “liberale” të Prishtinës – heshtin! Dhe kësisoj simulojnë normalitetin përballë racizmit të hapur të Vuçiqit.
Nëse ka diçka që i çmend nacionalistët serbë, atëherë ky është shqiptari normal, shqiptari që ka vetëbesim, që e njeh botën dhe që nuk nënshtrohet. Aleksandar Vuçiqi në mendjen e tij shqiptarin e përfytyron si shitës tullumbash, shitës farash, bartës qymyri dhe si mashtrues që luan me qibritë. Shërimi i këtyre komplekseve raciste kërkon kohë. Serbia nuk e ka gjetur ende liderin që është i gatshëm të shërojë veten dhe shoqërinë nga stereotipat racistë.