Kur Kosova kishte vendosur, në bazë të marrëveshjes me SHBA-në dhe për njohjen nga Izraeli, të hapte Ambasadën në Jerusalem, BE-ja kishte shprehur “keqardhje të thellë”, duke thënë se në këtë mënyrë “Kosova po largohet nga orientimi i saj evropian”. Por tash, kur Serbia refuzon të mbështetë sanksionet ndaj Rusisë që i ka vendosur BE-ja, nga Brukseli ka mirëkuptim. Madje BE-ja për këtë as që ka shprehur keqardhje, por e relativizon këtë çështje. Për më tepër, BE-ja tash është duke bërë presion të paparë për t’i ndihmuar Serbisë duke e detyruar Kosovën të lejojë zgjedhjet e Serbisë në territorin e saj. Kjo është sfida më e madhe për Qeverinë Kurti deri tash
Nga shumë qarqe në BE ka presion që Serbia të vendoset qartë se në cilën anë të historisë është. Pra, të vendosë a është në anën e Rusisë dhe barbarizmit të saj në Ukrainë, apo me botën e civilizuar perëndimore, së cilës Serbia thotë se dëshiron t’i takojë, përmes orientimit për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Ka pasur deputetë të Parlamentit Evropian, ministra, kryeministra dhe shumë diplomatë të cilët kanë thënë se “ka ardhur koha që Serbia të vendosë se në cilën karrige dëshiron të ulet, sepse nuk mund më të jetë në dy”.
Por në Bruksel përkëdhelja e Serbisë vazhdon. Serbia, krahas Turqisë janë të vetmet vende kandidate të cilat nuk ia kanë vendosur sanksionet Rusisë. Të gjitha shtetet e tjera u janë bashkuar këtyre sanksioneve. Madje Serbia, sikur edhe Turqia, në ditët e para të hyrjes në fuqi të sanksioneve filluan të përfitojnë nga situata. U rriten dukshëm për shembull fluturimet e avionëve nga këto shtete për në qytetet e Rusisë.
Por thirrjet për të vendosur “sanksione sekondare”, pra sanksione ndaj atyre që ndihmojnë të anashkalohen sanksionet, në këtë rast Serbisë dhe Turqisë, nuk hasën në mbështetje në Bruksel. Në rastin e Serbisë, zyrtarët e BE-së edhe kësaj radhe e rrotulluan situatën në atë mënyrë, saqë të shprehen në favor të Serbisë. Në pyetjet për pasojat që Serbia mund të ketë për shkak se nuk iu bashkua sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, në Bruksel kanë “mirëpritur faktin se Serbia në Asamblenë e OKB-së ka votuar në favor të Rezolutës që dënon agresionin rus dhe mbështet integritetin territorial të Ukrainës”.
Për Rusinë ky qëndrim i Serbisë nuk ka pasur ndonjë rëndësi, sepse a janë 5 apo 6 vende kundër kësaj rezolute nuk do të ndryshonte gjë. Në anën tjetër, këto rezoluta nuk kanë ndonjë peshë detyruese. E Serbia duke refuzuar të mbështesë sanksionet ndaj Rusisë ka marrë falënderime nga Moska, ndërsa duke e mbështetur Rezolutën e parëndësishme ka marrë lëvdata nga Perëndimi. Dhe kështu presidenti i Serbisë, Vuçiq, i cili ka një ndikim të jashtëzakonshëm në Bruksel, ka arritur të mbajë me sukses lojën e tij të uljes në dy ulëse në të njëjtën kohë.
Dhe në BE dëgjojmë të njëjtat gjëra si çdo vit më parë. “Nuk mund të jemi të ashpër ndaj Serbisë, sepse nuk duam ta çojmë në duart e Rusisë”. Në anën tjetër, në Serbi pothuajse i gjithë spektri politik, mediat dhe qytetarët janë në anën e Rusisë. Kjo, po ashtu i shkon në favor presidentit Vuçiq, i cili i thotë Evropës “e shihni se më kritikojnë opozita pse mbështetëm rezolutën në mbështetje të integritetit territorial të Ukrainës”. Dhe ai mbetet edhe kësaj radhe favorit i BE-së për të fituar zgjedhjet në Serbi, sepse besojnë se ai është paqebërës.
Për t’i ndihmuar Vuçiqit duket se i kanë premtuar se deri në zgjedhje nuk do të bëjnë presion sa u përket sanksioneve ndaj Rusisë. Për më tepër, presioni tash është orientuar nga Kosova, nga e cila kërkohet që të lejojë zgjedhjet e Serbisë në territorin e saj. E Serbia këto zgjedhje i mban me pretendimin se “Kosova dhe Metohija” është pjesë e Serbisë. Pra, nuk ka mirëkuptim ndaj qëndrimit të Kosovës që të respektojë statusin e vetvetes si shtet sovran, por kërkohet nga ajo që në territorin e saj të lejojë zgjedhje të një shteti tjetër. Duket se presioni është duke dhënë rezultat dhe vetëm kërkohen modalitete që kjo të lejohet me pasojat minimale për Qeverinë e Kosovës. Kjo qeveri deri më tash me sukses ka refuzuar presionet që të bëjë gjërat që i kanë bërë qeveritë e mëparshme në raport me Serbinë. Fundi i fundit, edhe zgjedhjet i kishte fituar, mes të tjerash, duke premtuar se nuk do të sillet njësoj. Kështu nuk u pajtua që në territorin e Kosovës të votohej në referendumin e Serbisë. E BE-ja dhe SHBA-ja kërkojnë që kjo të ndodhë “sipas praktikave të zakonshme të deritashme”. Nuk është lehtë për Kosovën që të mbajë qëndrimin parimor e në të njëjtën kohë të ruajë edhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Qëndrimin e bën edhe më të vështirë fakti se Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbështetur qëndrimin e BE-së në këtë rast. E as SHBA-ja e as Britania e Madhe nuk kanë asnjë ndikim në proceset e BE-së me Kosovën, as në liberalizimin e vizave e as në njohjen e 5 shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën. Sido që të vendosë Kosova, do ta ketë të vështirë. Qeveria do të hasë në kritika të opozitës me të drejtë, sepse kur ka qenë në opozitë ka qenë shumë e ashpër ndaj lëshimeve që i janë bërë Serbisë. Nëse nuk i lejon zgjedhjet, do të jetë nën presion edhe të miqve ndërkombëtarë, edhe të opozitës, e cila do ta kritikojë se po e prish Kosovën me miqtë.
Por është e padrejtë edhe kësaj radhe që BE-ja të ketë mirëkuptim për Serbinë, e cila është vendosur qartë në anën e Rusisë, ndërsa të bëjë aq shumë presion ndaj Kosovës.
Edhe tash po dëshmohet se Brukselit i pengon më shumë kur Kosova mban anën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ndonjë qëndrim ndërkombëtar, sesa kur Serbia në një çështje aq historike, siç janë sanksionet ndaj Rusisë për të ndalur makinerinë luftarake të saj në Ukrainë, mban anën e kundërt nga ajo që mban BE-ja.
Kur Kosova kishte vendosur, në bazë të marrëveshjes me SHBA-në dhe për njohjen nga Izraeli, të hapë ambasadën në Jerusalem, BE-ja kishte shprehur “keqardhje të thellë”, duke thënë se në këtë mënyrë “Kosova po largohet nga orientimi i saj evropian”. Por tash, kur Serbia refuzon të mbështetë sanksionet ndaj Rusisë që i ka vendosur BE-ja, nga Brukseli ka mirëkuptim. Madje BE-ja për këtë as që ka shprehur keqardhje, por e relativizon këtë çështje. Për më tepër, BE-ja tash është duke bërë presion të paparë për t’i ndihmuar Serbisë duke e detyruar Kosovën të lejojë zgjedhjet e Serbisë në territorin e saj.
E Serbia vazhdon negociatat e anëtarësimit në BE, ka liberalizimin e vizave dhe BE-ja i jep kohë duke thënë se përshtatja me politikën e saj të jashtme duhet të ndodhë “gradualisht”, duke e arsyetuar ose, në rastin më të mirë, duke e relativizuar refuzimin e Serbisë që të mbështetë sanksionet kundër Rusisë.