OpEd

BE-ja vështirë se do të ketë stabilitet në të ardhmen

Nëse një palë zgjedhje në disa vende anëtare mund ta lëkundin themelin e BE-së, atëherë mund që tani të thuhet se ajo vështirë se do të ketë stabilitet në të ardhmen. Kështu BE-ja tashmë ka hyrë në një fazë ku një kohë të gjatë do të duhet të luftojë për mbijetesën e saj

Bashkimi Evropian mbijetoi votën e britanikëve për të dalë nga anëtarësia dhe do ta mbijetojë edhe procesin e negociatave me Londrën. Për këto negociata, gjithsesi të pakëndshme, Brukseli është përgatitur. Në to do të sigurojë që të ruhen interesat e 27 shteteve anëtare (edhe pse ato nuk i kanë të gjitha të njëjtët interesa), por do të kujdesen që për Londrën, divorci të jetë sa më i vështirë që të jetë e mundur. Edhe pse publikisht thonë se do të kërkohet një zgjidhje në të mirë të të dyja palëve, apo që pasojat të jenë sa më të vogla për të dyja palët, nuk është fshehtësi që Brukseli dëshiron që si rezultat të mos dalë se është më mirë që të jesh jashtë BE-së sesa brenda. Kjo do të mund të ishte një stimulim për disa vende të tjera që të dalin nga BE-ja, duke ndjekur shembullin e Britanisë dhe një gjë e tillë do të ishte edhe fundi i BE-së.

Brexiti nuk është fundi i BE-së, edhe pse shënon rastin e parë të ngushtimit, apo zvogëlimit të këtij blloku, i cili gjatë tërë historisë vetëm është zgjeruar. Britanikët edhe ashtu me një këmbë kanë qenë më shumë jashtë sesa brenda BE-së, dhe edhe pa ta jeta do të vazhdojë. Por BE-ja nuk do të mund t’i përballonte daljes së ndonjë nga shtetet e tjera të rëndësishme, para së gjithash, Holandës, Francës dhe Gjermanisë. E në këto shtete ka forca në rritje që duan largim nga Bashkimi Evropian, nga eurozona apo duan ndryshime dramatike në BE të cilat, në rrethanat ekzistuese dhe me procedurat e vendimmarrjes nuk janë reale.

Bashkimi Evropian sot ndodhet në një fazë të kërkimit të identitetit dhe kuptimit të ri. Sa herë që zhvillohen zgjedhjet në ndonjë shtet në Bruksel ato priten me ankth. Të tilla ishin edhe zgjedhjet e fundit në Francë ku kandidatja e partisë ekstremiste të djathtë, e cila do dalje edhe nga BE edhe nga NATO, Marin le Pen, jo vetëm se hyri në finale por arriti vota rekorde për një kandidat të tillë. Dallimi me të cilin ajo humbi zgjedhjet në raundin e dytë duket i madh në përqindje, por numri i votave të cilat i fitoi ajo shkaktojnë shqetësim në Bruksel dhe vërejtje ndaj partive centriste se duhet të ndryshojë diçka në mënyrë që në të ardhmen të mos rrezikohet e ardhmja e shtetit dhe e BE-së.

Edhe në Holandë pati rrezik dhe mobilizimi i qytetarëve bëri që të mos fitonte Partia anti-BE. Zgjedhje në vjeshtë do të ketë edhe në Gjermani. Ndonëse atje dy partitë e mëdha, nëse ka nevojë bëhen edhe bashkë për të ruajtur stabilitetin politik të vendit dhe rolin udhëheqës në BE, nuk duhet nënçmuar rritjen e partive ekstreme. Në Itali janë po ashtu në rritje partitë populiste. I tërë ky vit do të kalojë në ethe të zgjedhjeve nacionale në disa vende anëtare. Dhe të gjitha përcillen me frikë nga Brukseli. Por ethe të tilla do të ketë edhe në të ardhmen. Zgjedhje do të ketë pothuajse secilin vit në ndonjë shtet anëtar. Do të ketë edhe zgjedhje për Parlamentin Evropian.

Nëse një palë zgjedhjesh në disa vende anëtare mund ta lëkundin themelin e BE-së, atëherë mund që tani të thuhet se ajo vështirë se do të ketë stabilitet në të ardhmen. Kështu BE-ja tashmë ka hyrë në një fazë ku një kohë të gjatë do të duhet të luftojë për mbijetesën e saj.

Më parë kur zhvilloheshin zgjedhje në vendet kyç të BE-së thuhej se ato do të kenë ndikim në drejtimin në të cilin do të shkonte BE-ja. Por tash thuhet se ato do të kenë ndikim vendimtar rreth asaj se a do të ekzistojë apo jo BE-ja në të ardhmen.

Në Bruksel dominon qëndrimi se në këto rrethana të vështira për Bashkimin Evropian duhet të ketë “më shumë Evropë” e jo “më pak Evropë”. Por në shtetet anëtare mendojnë ndryshe. Janë shumë shtete, të cilat nuk e vënë në dyshim ekzistencën e BE-së apo anëtarësinë e tyre, por që insistojnë që të mos ketë kompetenca të reja që i jepen institucioneve të përbashkëta në Bruksel. Prandaj, edhe Kryetari i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, në planin e tij për të ardhmen përmend qasjen “BE-ja e madhe në gjërat e mëdha e jo në ato të vogla”. Me fjalë të tjera, duke respektuar parimin e subsidiaritetit, në nivel të përbashkët të BE-së do të veprohej vetëm atëherë kur dëshmohet se në atë mënyrë problemet do të zgjidhen më lehtë. Problem i madh në BE. Me 27 shtete anëtare, është parimi i vetos në shumë gjëra, duke përfshirë edhe në ndryshimin e traktateve. Kjo ka bllokuar disa procese. Prandaj tash edhe i hapen dyert një “Evrope me dy shpejtësi” në mënyrë që disa shtete të mund të integrohen më shumë mes vete, pa pritur që t’u bashkohen ato që nuk duan, por pa pasur mundësi që dikush t’i pengojë në këtë rrugë.

Problem për BE-në paraqesin edhe Partitë politike të cilat shohin probleme vetëm te kundërshtarët e tyre e jo në radhët e veta. Kështu ato gjithmonë tërheqin vërejtjen për populizëm, por nuk e luftojnë atë sa duhet në radhët e veta. Për shembull Partia Popullore Evropiane EPP thotë se “populizmi është sot rreziku më i madh për Evropën” por toleron populizmin e kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban. Në anën tjetër, socialistët, të cilët janë partia e dytë më e madhe evropiane, kritikojnë populizimin e qendrës së djathtë, por heshtin ndaj deklaratave të kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, për emigrantët, deklarata të cilat edhe Marin le Pen e bëjnë të duket si e moderuar.

Ethet zgjedhore që i ndien Brukseli sa herë që të votojnë qytetarët e ndonjë shteti anëtar nuk janë vetëm një episod, por tash e tutje do të jenë sikur seriale me vazhdime.