OpEd

BE-ja duhet të bëhet, më në fund, serioze në raport me Serbinë

Është ironike që BE-ja me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut nuk i ka nisur akoma negociatat e anëtarësimit, edhe pse këto dy vende janë anëtare të NATO-s dhe mbështesin 100 për qind qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, e në anën tjetër Serbia avancon në këtë proces, edhe pse nuk u është bashkuar sanksioneve. Edhe kur Serbia bën ndonjë veprim sipas dëshirës së BE-së, siç është votimi për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, thotë se “këtë e ka bërë nën presion dhe shantazhe”, duke pranuar vetë se nuk ndan vlerat evropiane

“E kush tjetër nëse jo Vuçiqi”- është përgjigjja më e shpejtë që dërgohet në Bruksel nga zyrtarë të Bashkimit Evropian sa herë që pyeten se pse janë aq tolerantë ndaj tij, edhe kur vetë përmendin dëshmi për shkelje të lirive të mediave, presion ndaj pavarësisë së gjyqësorit, mohim të gjenocidit dhe glorifikim të kriminelëve të luftës nga sistemi në krye të të cilit është ai. E kjo “kush tjetër” ka të bëjë me dy pyetjet kryesore që kanë të bëjnë me zgjidhjen e problemeve kryesore për stabilitetin dhe paqen afatgjatë në rajon; njohjen e Kosovës si shtet dhe vendosjen e Serbisë përfundimisht dhe pa rezerva në anën e BE-së.

Për vite Brukseli, e këtu ndihmën më të madhe e kanë dhënë edhe Berlini, Vjena, Roma e Parisi, e ka parë liderin e pakontestueshëm të Serbisë si partnerin kryesor. Të zhgënjyer me lojën e dyfishtë dhe me dështimet e qeverisë së parë pas vrasjes së ish-kryeministrit Zoran Gjingjiq, sidomos me presidentin e atëhershëm Boris Tadiq, BE-ja ia hapi dyert Vuçiqit. Ishte kjo një kthesë e madhe, sepse në BE në atë kohë e dinin se Vuçiqi vinte nga një, siç e quanin, “e kaluar e errët e Serbisë”, pasi ishte pjesëtar i Qeverisë së Slobodan Milosheviqit dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Vojislav Sheshelit. Por ishin të gatshëm t’ia harronin të kaluarën, sepse ai i bindi se “për dallim nga Tadiqi, me të mund të kryejnë punë”.

Prej kur Vuçiqi erdhi në pushtet u ndërruan tre komisionerë të BE-së, tre përfaqësues të lartë dhe shumë zyrtarë të nivelit të mesëm. Ndërkohë Vuçiqi mbeti aty ku ishte. Siç ndodh në sistemet me tendenca autoritare, nuk ishte me rëndësi a ishte ai kryeministër apo kryetar shteti. Sepse për BE-në, ai gjithmonë ishte “njeriu me të cilin mund të kryejmë punë”. Vuçiqi e përdori për mrekulli rastin që iu dha. Në Serbi forcoi pushtetin, ndërsa me Perëndimin forcoi lidhjet. Ai me gjasë mund të jetë ndoshta edhe lideri i vetëm në Evropë me të cilin të impresionuar mund të jenë në të njëjtën kohë edhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, edhe ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, edhe lideri çeçen Ramzan Kadirov, edhe komisioneri i BE-së, Oliver Vehrlelyei, edhe presidenti i Kinës Xi, edhe kryeministri i Shqipërisë, Rama. Vuçiqi ka arritur të mbajë në bindje Perëndimin se “vetëm edhe pak kohë dhe do ta njeh Kosovën”, e Rusinë dhe popullin serb se “kurrë nuk do ta bëjë këtë”. Ka arritur ta bindë Rusinë se “kurrë nuk do ta prishë miqësinë me të dhe t’i vendosë sanksione”, dhe BE-në se “është pa asnjë dyshim në rrugën e integrimeve evropiane”. Ka arritur që në Evropë të duket paqedashës dhe njeri që “shikon nga e ardhmja” e në Serbi në fushatën e partisë së tij defilojnë kriminelë të dënuar të luftës.

Por tash krejt kjo lojë, pa dashjen e Vuçiqit dhe të BE-së, ka hasur sikur sharra në gozhdë.

Lufta në Ukrainë dhe krimet e tmerrshme të forcave ruse, sanksionet të cilat i ka vendosur BE-ja në përpjekje për të ndalur makinerinë vrastare të Putinit, kanë zhdukur atë hapësirën e lirë për manovrime që ka pasur deri tash Serbia e Vuçiqit.

të drejtë disa autorë me renome nga Perëndimi, si Timothy Gartoin Ash dhe Daniel Kohn-Nendit, kanë shkruar në gazetën “Guardian” se duhet të ndalen që të jenë “kuaj Troje në Evropë Hungaria e Orbanit dhe Serbia e Vuçiqit”. Në stilin siç e bën sot regjimi i Putinit, edhe në Serbi këto teza u quajtën si “shkrime të porositura me pagesë!”, që kanë për qëllim të diskreditojnë Serbinë, e cila “është shumë e suksesshme dhe suksesi po u pengon të gjithëve”.

Serbia është i vetmi vend nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që nuk i ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Dhe ka vazhduar, për disa javë, të luajë lojën “edhe me BE-në, edhe me Rusinë”. Por kjo më nuk është e mundur. Sepse të jesh apo jo në anën e BE-së nuk po kuptohet më si një orientim politik apo strategjik. Po shihet si një zgjidhje mes së keqes dhe së mirës, mes civilizimit dhe barbarizmit, mes vlerave dhe antivlerave. Se “nuk ka më hapësirë për kalkulime dhe balancim” e thonë edhe mbështetësit dhe adhuruesit më të mëdhenj të deridjeshëm të Vuçiqit. Tash që Serbia “të vendosë se në cilën anë të historisë është” kërkojnë shumë diplomatë të vendeve anëtare, të cilët deri tash mbështetën fuqishëm Serbinë. Sepse ishte e lehtë të pranohej që Serbia të ketë vetëm dikur rreth 60 për qind të përshtatjes me BE-në në politikën e jashtme (ani pse ato 40 për qind ishin gjithmonë kur fjala ishte për Rusinë, Kinën apo Bjellorusinë) kur edhe në BE kishte aleatë dhe adhurues të Vladimir Putinit dhe kur vendet e shumta të BE-së bënin gara se kush do të ketë raporte më të mira me Moskën. Por tash ato kohë kanë kaluar dhe me gjasë nuk do të kthehen shpejt.

Presioni ndaj Serbisë është duke u rritur, por me shumë kujdes. Sepse akoma në Bruksel mendojnë se “nuk guxojmë ta humbim Vuçiqin”, me bindjen se “kush tjetër nëse jo ai mund ta njeh Kosovën dhe t’i shpallë sanksione Rusisë!”. Përmendet edhe “opsioni nuklear”, ai i suspendimit të negociatave të anëtarësimit mes BE-së dhe Serbisë, edhe pse në këtë moment kjo do të kuptohej si “opsion me disa rreziqe që do të mund të kishte efekt të padëshiruar”. Por po rritet numri i atyre edhe në BE që thonë se “nuk ka më kohë për llogaritje se çfarë do të mund të ishte kondërproduktive e çfarë jo” kur shihen pamjet e krimeve të tmerrshme të forcave ruse ndaj civilëve në Ukrainë.

në BE tash po e pranojnë gjithnjë e më shumë se Serbia është përkëdhelur, ndërsa BE-ja ka qenë e padrejtë ndaj disa shteteve të tjera. Nuk ka hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nuk i ka hequr vizat me Kosovën. Kur nga Beogradi thonë se “mbështetja për BE-në në Serbi është zvogëluar, sepse procesi i anëtarësimit po shkon shumë ngadalë”, harrojnë se me këtë arsyetim shqiptarët do të duhej të ishin më së shumti të irrituar dhe kundër BE-së. Por është e kundërta, pikërisht shqiptarët, në Shqipëri dhe Kosovë, janë mbështetësit dhe besuesit më të mëdhenj të BE-së.

Është ironike që BE-ja me Shqipërinë e Maqedoninë nuk i ka nisur akoma negociatat e anëtarësimit, edhe pse këto dy vende janë anëtare të NATO-s dhe mbështesin 100 për qind qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë për shkak të agresionit ndaj Urkainës, e në anën tjetër Serbia avancon në këtë proces edhe pse nuk u është bashkuar sanksioneve. Edhe kur Serbia bën ndonjë veprim sipas dëshirës së BE-së, siç është votimi për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, thotë se “këtë e ka bërë nën presion dhe shantazhe”, duke pranuar vetë se nuk i ndan vlerat evropiane. Pra, Serbia me fjalë të tjera thotë se nuk pajtohet me këto vendime, por i ka votuar sepse ka qenë nën presion.

Ka ardhur koha që BE-ja të bëhet më në fund serioze me Serbinë, sepse duke e toleruar deri tash nuk i ka ndihmuar as Serbisë. Nëse Vuçiqi është “më i miri” kjo vetvetiu dëshmon se Serbia nuk ka shënuar progres dhe ka mbetur e ngulfatur në të kaluarën. Edhe vetë Vuçiqi do të mundohet të arsyetojë mosveprimet e tij, edhe në raportet me Rusinë e Kinën, edhe në dialog me Kosovën, nga “frika e rritjes të së djathtës ekstreme”. Dikush do të mund të rikujtojë se edhe lideri i opozitës në zgjedhjet presidenciale në Serbi, Ponosh, ka thënë se “gjenerali Mladiq ka bërë gjëra të mrekullueshme ushtarakisht” (sa për të rikujtuar, është dënuar për gjenocid për masakrën e rreth 8000 njerëzve për disa ditë në Srebrenicë). Kjo flet më shumë keq për Serbinë sesa mirë për Vuçiqin. Sepse, për fat të keq, Serbia nuk është ajo që BE-ja e paramendon se është. Kjo Serbi e ka mohimin e gjenocidit si pjesë të politikës shtetërore. Prandaj në këtë shtet mediat dhe shumica e popullit besojnë se “nuk ka pasur gjenocid në Srebrenicë”, se masakrën në Reçak “e kanë inskenuar shqiptarët dhe NATO-ja për të satanizuar popullin serb”, se edhe masakra në Markalle në Sarajevë gjatë rrethimit të këtij qyteti ka qenë vepër e vetë myslimanëve”, se “në Vukovar kanë luftuar kundër fashistëve kroatë”. Prandaj në Serbi hasin në tokë të pëlleshme edhe pohimet e propagandës ruse se krimet e tmerrshme në Bucha, Mariupol dhe në vende të tjera në Ukrainë “i kanë bërë vetë ukrainasit për të provokuar Rusinë”. Një qasje e drejtë e BE-së, që do të duhej të kthente edhe detyrimin për t’u përballur me të kaluarën, dënimin e krimeve dhe ndaljen e mohimit të tyre, do ta ndihmonte shumë edhe Serbinë, edhe rajonin, e edhe tërë Evropën që të ndalë tensionet në rajon, të sigurojë pajtimin dhe të avancojë rajonin jo vetëm drejt integrimit në BE, por edhe përqafimin e vlerave, për të cilat sot prapë luftohet, sepse shihet se nuk janë të garantuara vetvetiu.