Tri ngjarje të publikuara në javët e fundit, në dukje pa lidhje në Ballkanin Perëndimor janë shfaqur si argumentet më të fundit për një tezë që e kam parashtruar dy vjet më parë: se projekti euroatlantik në Ballkan është drejt fundit të vet.
Merrni parasysh historitë: Nikola Gruevski, ish-kryeministri i Maqedonisë, i dënuar kohët e fundit për akuza korrupsioni, është larguar nga vendi në prag të burgosjes së tij dhe ka kërkuar azil në Hungari; Kosova ka imponuar tarifa të ashpra importesh për Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën; dhe Milorad Dodik, anëtari i sapozgjedhur serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, ka deklaruar se do të përdorë pasaportë serbe dhe jo boshnjake për udhëtimet e veta zyrtare.
Fije që i bashkon këto zhvillime është se ka rënë çdo pretendim se Ballkani Perëndimor drejtohet nga rendi i bazuar në rregulla.
Duke qenë se e kanë kuptuar edhe vetë këtë, elitat vendase po janë gjithnjë e më të furishme në konfrontimet e tyre me BE dhe SHBA.
Ata janë të bindur se kjo është një strategji efektive për të nxjerrë përfitime nga institucionet diplomatike të pakujdesshme në Bruksel dhe Uashington, të cilët janë të etur vetëm për të ruajtur iluzionin e stabilitetit rajonal.
Ç’është më e rëndësishmja, elitat vendase e llogarisin këtë si një strategji të shëndoshë për t’i bërë përshtypje edhe bamirësve të tyre të rinj post-perëndimorë; Rusisë, Kinës, Turqisë dhe monarkive të Gjirit.
Disa mund ta shohin si hiperbolë sugjerimin se rendi i bazuar në rregulla (padyshim i dobët) në rajon është shembur. Por le të vlerësojmë faktet.
Elitat si Gruevski dhe Dodik plaçkitin, fyejnë dhe shkelin sipas dëshirës, pastaj i largohen ndonjë sanksioni ose pasojave të veprimeve të tyre nga institucionet lokale ose ndërkombëtare.
Ndërkohë, Kosova ka humbur besimin në kapacitetin e BE-së për të integruar vendin në bashkësinë europiane të shteteve.
Si rezultat i kësaj, Prishtina po zbaton të gjitha llojet e politikave dikur heretike, nga luftërat tregtare në marrëveshjet e ndarjes.
Dhe pse shumë është folur për të ilustruar pse propozimi i fundit do të ishte një kthesë katastrofike për të gjithë rajonin, ai vazhdon të jetë pjesë e një fenomeni ekzistues – rënies së legjitimitetit politik të Perëndimit në Ballkan dhe kthimit drejt marrëveshje alternative nga elitat vendase.
Këto marrëveshje alternative janë një tipar i regjimeve autoktone dhe atyre autoritare të mbështetur nga iliberalë të huaj.
Asnjë prej tyre nuk i ngjan ndonjë gjëje që mund të shihet si “europiane”, domethënë demokratike, siç ka qenë dhe mantra e Ballkanit Perëndimor për gati dy dekada.
Natyrisht, ngjarjet në këtë rajon janë thjesht pjesë e krizës më të gjerë të liberalizmit ndërkombëtar që është bërë veçanërisht i theksuar që nga fillimi i agresionit të Rusisë në Ukrainë, Brexit të Mbretërisë së Bashkuar dhe rrethanave të qarta në SHBA.
Megjithatë, vendet e Ballkanit nuk janë thjesht viktima të këtij riorganizimi politik global. Elitat e rajonit janë agjentë, megjithëse të vegjël që manipulojnë ngjarjet ndërkombëtare për të mirën e vet.
Si gjithmonë, viktimat janë qytetarët e zakonshëm të rajonit. Diplomatët europianë dhe amerikanë mund të vazhdojnë të shërbejnë në sipërfaqe, por asnjë ndihmë kuptimplotë nuk është në horizont.
Pavarësisht nëse referohet si ndihmë për demokracinë, shtet-ndërtim ose zgjerim, ideja e promovimit të qeverisjes së mirë jashtë vendit nuk ka më vend përballë impulseve të nativistëve të rrjedhës së re populiste të Perëndimit.
BE dhe SHBA nuk janë palë të pa interesuara në trazirat e Ballkanit. Shfaqja e Gruevskit në Hungari, një shtet anëtar i BE-së, implikon drejtpërdrejtë Brukselin si një palë, ose të paktën një mundësues, ndaj sulmit mbi sundimin e ligjit në Maqedoni dhe rajon.
Nëse BE nuk siguron menjëherë kthimin e Gruevskit në Shkup, kjo do të ishte një goditje për praninë e saj tashmë shumë të keqe në rajon.
Ndëshkimi me tarifa nga ana e Kosovës, ndërkohë duhet të njihet si një akt dëshpërimi. BE ka kënaqur sabotazhin e Serbisë për aspiratat legjitime të Kosovës për njohjen ndërkombëtare, së fundmi duke i mohuar vendit një vend në INTERPOL.
Duke vepruar kështu, ajo ka udhëhequr në mënyrë efektive radikalizimin e klasës politike të vendit, të cilët kanë arritur në përfundimin se sjellja e mirë fiton vetëm lëvdata retorike, jo ndihmë aktuale nga europianët.
Në një farë pike, BE-ja duhet të vendosë nëse duhet të veprojë me drejtësi dhe në këtë mënyrë të rrezikojë të shkaktojë zemërimin e aktorëve të caktuar, ose të vazhdojë të pretendojë se nuk po i kupton realitetet në terren dhe kështu ta humbë besueshmërinë e saj te të gjitha palët e përfshira.
Kosova është shembulli më i spikatur i zgjedhjes që duhet bërë, por situata në Bosnjë është pak më e mirë.
Provokimi me pasaportë i Dodik është më i fundit nga gjithë tekat.
Megjithatë, nuk është thjesht teatër. Kjo ngjarje duhet të shihet si përpjekje e tij për të krijuar defakto një sundim njëpartiak në entitetin e Bosnjës në Republikën Srpska dhe dështimin e partisë së tij për të ndryshuar kushtetutën e njësisë, për të militarizuar policinë, për të rekrutuar paraushtarakë të trajnuar në Rusi dhe për të krijuar struktura paralele të sigurisë duke ruajtur lidhjet diplomatike jo vetëm me Rusinë dhe Serbinë, por me territore të pushtuara si Osetia e Jugut.
Këto nuk janë lojëra, kjo është themeli për shkëputjen. Në shumicën e shteteve të tjera, Dodik do të ishte dënuar me kohë për tradhti. Por, për shkak se është në Bosnje, ai vazhdon të përdorë fondet e taksapaguesve boshnjakë për të minuar shtetin boshnjak, ndërsa BE dhe SHBA bëjnë një sy qorr.
Për fat të keq, së shpejti situata do të jetë e pamundur për t’u shpërfillur. Me këtë ritëm nuk do të duhet shumë kohë që nisim të flasim për zvetënimin e projektit euroatlantik në Ballkan.
Atëherë do të jemi duke u përpjekur të gjejmë kuptimin e pasojave shkatërrimtare.
(Marrë nga Balkan Insight)