Qyfyret mund të jenë të rrezikshme. Tashmë ka filluar më zëshëm të promovohet një ide që qarkullon viteve të fundit dhe është përkrahur edhe nga Zyra e presidentit të Kosovës. Ideja quhet: amnisti krimesh në marrëveshjen me Serbinë. Në mënyrë makabre ky mund të quhet një “reciprocitet” me viktima.
Para 300 vjetësh, më 11 maj 1720, u lind Hieronymus von Münchhausen, i cili përshkruhet si rrenacaku më i madh i historisë botërore. Është quajtur baron i rrenave. Baroni është titull i pronarëve feudalë në Evropën Perëndimore, i cili zinte vendin e pestë në hierarkitë e aristokracisë dhe ishte një shkallë më poshtë se ai i kontit. Më 1786 u botuan rrëfimet e tij me rrena. Këto rrena janë përkthyer në rreth 50 gjuhë të botës.
E vërteta është kjo: asnjërën nga këto histori nuk e ka shkruar vetë Hieronymus von Münchhausen. Rrëfimet për marifetet e tij janë shkruar nga të tjerët. Një nga rrëfimet është ai për baronin Münchhausen dhe kalin e tij, “lituanin plak”. Kalorësit i çmojnë shumë kuajt nga Lituania. Kali i baronit Münchhausen galopon në dy këmbë, vallëzon mbi një tavolinë, nuk thyen asgjë, kërcen nga dritarja e karrocës. Një ditë kalorësi dhe kali duan të kërcejnë mbi një hendek me moçal. Hendeku, thotë Münchhausen, nuk mu duk aq i gjerë, kur e pashë tashmë isha duke kërcyer. Duke fluturuar në ajër u ktheva... Baroni e provon edhe njëherë të kërcejë dhe të mbërrijë te bregu shpëtues në anën tjetër të moçalit. Kësaj radhe kalorësi dhe kali i tij zhyten në baltë deri në fyt. Por kalorësi është i shkathtë: e kap veten me dorë në kokë dhe bashkë me kalin, të cilin e fut mes gjunjëve, dalin në sipërfaqe. Kështu rrjedh rrena e baronit Münchhausen. Një rrenë e pasherr.
Rrena me sherr janë parë e dëgjuar pafund muajve të fundit në Kosovë. Një parti me traditë prej tri dekadash merr vota me premtimin për demontimin e sistemit të korruptuar dhe të patronazhit si dhe rrjeteve klienteliste. Pas zgjedhjeve fillon zvarritjen për krijimin e Qeverisë, hyn në Qeveri më shumë nën presionin e opinionit, punon nga brenda për rrënimin e Qeverisë, largohet nga koalicioni për një arsye për të cilën partitë normale nuk largohen. Dhe tani Kosova gjendet në një qorrsokak politik. Fjalën e fundit pritet sërish ta thotë Gjykata Kushtetuese, institucioni mbase më i përdorur dhe më i keqpërdorur si pasojë e lojërave të ndyra të politikës, të cilat do të kishin një vend prominent në librin e qyfyreve të Hieronymus von Münchhausenit.
Por qyfyret mund të jenë të rrezikshme. Tashmë ka filluar më zëshëm të promovohet një ide që qarkullon viteve të fundit dhe është përkrahur edhe nga Zyra e presidentit të Kosovës. Ideja quhet: amnisti krimesh në marrëveshjen me Serbinë. Në mënyrë makabre ky mund të quhet një “reciprocitet” me viktima. T’ia falim krimet Serbisë, pastaj edhe ata na i falin disa krime që i kanë kryer “këta tanët”, të cilët po tuten se ka mbetur i pavrarë ndonjë dëshmitar që mund të dëshmojë. Kjo është forma “moderne” e reciprocitetit, ekonomia e tregut me viktima. Mund ta paramendojmë skenën. Dy kryetarët e mbyllur në një zyrë diku në Evropë. Biseda sekrete. Njëri: Nëse ne ua falim rastin e vrasjes së asaj plakës në Prishtinën e pasluftës, çka na falni ju? Tjetri: Ne ua falim 50 për qind të viktimave në fshatin Mejë. Urra, përpara drejt “marrëveshjes historike”.
Hapi tjetër: zhbërja e Gjykatës Speciale. Në të vërtetë nëse amnistohen krimet, s’ka nevojë as për gjykatë. Ku s’ka prokuror, s’ka as gjykatës. Nejse, ka një deformim logjik-juridik këtu, ngase krimet e luftës nuk parashkruhen, por me “marrëveshje historike” ndoshta edhe parashkruhen. Çudira ballkanike!
“Definimi i veriut”. Se çka domethënë kjo, opinionin e paralajmëroi një nënkryetar i LDK-së. Tha: ne po nisemi në bisedime me dëshirën që t’i mbrojmë kufijtë, por diçka duhet të japim. Toni kapitullues fillon para se të nisin bisedimet, nëse do të ketë fare bisedime. Sidoqoftë, faleminderit për sinqeritetin. Bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën nuk po përmendet më me atë intensitet siç përmendej dikur. Por diçka duhet dhënë. Po thonë. Sepse janë mësuar të japin shumë e të mos marrin pothuaj asgjë. Thonë: e kemi pavarësinë. Së cilës nuk po ia lënë as skeletin. Kompromis pas kompromisi. Lëshim pas lëshimi. Poshtërim pas poshtërimi.
Siç e shkroi me saktësi ish-ministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati: “Gjatë viteve të projektimit të realitetit të ‘ri’ në Kosovë janë rrëzuar qeveri, janë paguar lobistë për të nxjerrë në tryezën e bisedimeve e hapësirën mediatike tema të pluhurosura në arkivat e Serbisë, por problemet veçse janë thelluar. Ndërkohë që projekti i shtetësisë ka ngecur dhe projekti qeverisës, që mori mbështetje të gjerë popullore më 6 tetor 2019, është minuar. Tani po hyjmë në fazën finale ku synohet të projektohet një realitet sipas të cilit, planet e mëdha për amnisti të krimeve të Serbisë në Kosovë, zhbërja e Gjykatës Speciale dhe një copëtim territorial në veri të Kosovës duhet të kthehen në një ‘marrëveshje historike’”.