Arsyeja pse serbët dhe shqiptarët e kanë humbur besimin është se janë të pasigurt, pa perspektivë brenda kufijve ekzistues, nuk ka të bëjë me mungesë të territorit të mjaftueshëm për jetë kualitative, por me mënyrën se si po qeveriset në ato territore. Pra, duhet të kërkohet korrigjimi dhe ndërrimi i politikëbërësve të cilët qytetarëve po ua shkelin të drejtat dhe liritë, e jo të “korrigjohen” kufijtë
Derisa festohej shpallja e pavarësisë gjithandej Kosovës, isha në studio të RTK-së me analistët e entuziazmuar me shpalljen e pavarësisë. Edhe ata, përveç meje, pajtoheshin me sloganin e pamerituar imponues - “Bac u kry”... Në një ekzaltim kolektiv vërejtja ime se ne, me serbët dhe Serbinë do të ballafaqohemi edhe një kohë të gjatë…u tretën, si ekzagjerim, në euforinë kolektive. Mendimin e ndava, jo pse nuk ma ka ënda, por e kam pasur parasysh faktin se serbët dhe Serbinë i kam njohur në themel si dhe sa duhet. Por, dorën në zemër, mendja nuk më ka shkuar se kthimin e Serbisë dhe serbëve në politikëbërjen kosovare do të marrë guximin për ta bërë ndonjë shqiptar që do të bëhet shkas për të rifilluar formimin e shtetit. Të bëjë “korrigjimin” e kufijve para se të bëjë demarkacionin! Edhe më e pamundshme më është dukur se këtë do ta bëjë dikush që identifikohej me sloganin “Bac u kry”. Sidoqoftë, në vend se në dhjetëvjetorin e pavarësisë qytetarët të krenohen me afirmimin e shtetit të pavarur, qytetarët sot, për shkak të solo aventurës së presidentit të Kosovës po ballafaqohen me rrezikun që ai të dështojë! Pse? Arsyet pse shteti i Kosovës, në vend të konsolidimit, po shkon drejt dështimit janë të shumta, por për këtë rast do t’i theksoj disa.
Së pari, shkaku thelbësor i të gjitha konflikteve në Ballkanin e cilësuar si “fuçi baruti” kanë ndodhur me motive gjeostrategjike. Për politikanët luftënxitës, territoret kanë qenë shumë më të rëndësishme se njerëzit që jetonin në ato territore. Ndërsa, diversiteti etnik ka qenë pretekst që ka shërbyer si karrem nga politikëbërësit hegjemonistë për të mobilizuar popullin e vet “në emër të gjakut dhe tokës”. Edhe luftërat e fundit të viteve ‘90, në ish-Jugosllavi, të nxitura nga ideologjia milosheviqiane kanë pasur pretendime hegjemoniste për të cilin qëllim Milosheviqi e ka homogjenizuar popullin kundër të gjithë të tjerëve, veçmas shqiptarëve. Milosheviqi dhe luftërat e Serbisë përfunduan me humbje. Por bashkëvepruesit e asaj ideologjie, me bashkëveprimin e dyshimtë të kryetarit kosovar dhe disa qarqeve të politikës së hutuar ndërkombëtare , nën pretekstin e” marrëveshjes së palëve” po riciklojnë ideologjinë hegjemoniste dhe nacionaliste të neomilosheviqianëve me mjete “paqësore”, duke tentuar për t’i përfituar si aleat edhe ata që, kohë më parë, e bombarduan Serbinë ?!
Së dyti, fatkeqësisht tendencat e fundit që po zhvillohen nën pretekstin e “korrigjimit të kufijve” janë dëshmi si qendrat e vendosjes ndërkombëtare po u ndihmojnë atyre që kanë qenë dhe janë shkaktarë të krijimit të klimës së frikës, shkeljes së të drejtave në territorin e Serbisë dhe të Kosovës, në vend se të insistojnë në korrigjimin dhe ndërrimin e politikave praktike ndaj pakicave në territoret e tyre. Pra, në vend se të kërkohet korrigjimi dhe ndërrimi i politikëbërësve dhe politikave, të cilat qytetarëve po ia shkelin të drejtat dhe liritë, ata nuk po kundërshtojnë “korrigjimin” e kufijve, nëse palët(kryetarët), në emër të popullit merren vesh! Ndonëse, arsyeja pse serbët dhe shqiptarët e kanë humbur besimin, është se janë të pasigurt, pa perspektivë brenda kufijve ekzistues, nuk ka të bëjë me mungesë të territorit të mjaftueshëm për jetë kualitative, por me mënyrën se si po qeveriset në ato territore.
Së treti, “dobia” e vetme nëse ndodh korrigjimi kufijve është riciklimi i pushteteve që brenda territoreve kanë shkelur të drejtat dhe kanë krijuar mungesë të mirëbesimit, pasiguri dhe mungesë të perspektivës brenda shteteve ku aktualisht jetojnë . Riciklimi i pushteteve që me politikat e veta qytetarët masivisht po i largojnë jashtë për të mbetur sa më gjatë në pushtet ata brenda. Në rastin e Serbisë, ndoshta shqiptarët e Luginës do të “shpëtojnë” nga ai pushtet, por Serbia ka edhe shumë pakica të tjera (24%) ndaj të cilëve do të udhëhiqet politika e mosbesimit… Ndërsa, kur janë në pyetje serbët e Kosovës, ndoshta ata serbë që jetojnë në veri shpëtojnë nga politikëbërësit kosovarë, por çfarë do të bëhet me shumicën e serbëve që jetojnë në jug?!
Së katërti, korrigjimi eventual shkakton si pasojë rritjen e pasigurisë së komunitetit serb që do të mbetet në Kosovë. Ata do të ballafaqohen me pushtetbërësit e njëjtë, por me disponim edhe më kontestues të shumicës ndaj tyre. Nëse ndodh “korrigjimi “ i kufijve, çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të shndërrohet në aventurë me shumë të panjohura, ndërsa trashëgimia kulturore serbe lë për të dëshiruar. Kjo gjendje në instancën e fundit do të kërkojë zgjidhje si pjesa tjetër e serbëve, të cilët eventualisht do t’i bashkohen Serbisë, ose detyrimisht do të asimiloheshin?! “Korrigjimi”eventual, në fakt, do të ishte pasojë e keqqeverisjes dhe pikërisht për këtë arsye do të rigjeneronte pushtet etnonacionalist, të cilat do të vazhdonin për të krijuar ambiente të mosbesimit dhe diskriminimit të lirive dhe të drejtave individuale, dhe kolektive, veçmas të komuniteteve pakicë… Kjo do të pamundësonte krijimin e standardeve demokratike, sundimin e shtetit të së drejtës.
Së pesti, precedenti nën pretekstin e “korrigjimit”, sipas vlerësimit të shumë njohësve të kësaj problematike, do të nxiste kërkesa edhe nga komunitetet e tjera, sepse këtë model të “zgjidhjes” nuk ka askush, asnjë arsye të argumentuar për të përjashtuar, përkundrazi, nëse zbatohet ky model do të shërbejë si “zgjidhje” pavarësisht kërkesave dhe premtimeve të kujtdo qoftë! Jo rastësisht, reagimi i Dodikut (Republika Serbe) ishte i menjëhershëm: “serbët janë një, kanë sinergji të përbashkët”, pavarësisht se presidenti serb e njeh integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës!? Ndërsa, sipas vlerësimeve shkencore, vetëm rreth 10% të shteteve anëtare të OKB-së janë etnikisht homogjene, që do të thotë se rreth 90% të shteteve që kanë dy e më shumë grupe etnike sinjifikante, potencialisht mund t’i qasen këtij modeli?!
Së gjashti, “korrigjimi” i kufijve në fakt do të nënkupton edhe shkëmbim të territoreve, që do të nxitë edhe shpërnguljen e njerëzve. Ky veprim, përveç pasigurisë, hap probleme të natyrës pronësore, sociale, ekonomike, emocionale, psikologjike, religjioze, humane dhe të kujtesës kolektive për të kaluarën e përbashkët dhe të ardhmen e paqartë!
Së shtati, epilogu përfundimtar i kësaj aventure do të ishte krijimi i shteteve etnike që në thelb është në kundërshtim me filozofinë dhe parimet e multietnicitetit dhe multikulturalitetit, mbi të cilën është ngritur dhe funksionon BE-ja. Pra, “korrigjimi” i kufijve në fakt është paradhoma e shteteve etnike. Ndërsa, krijimi i shteteve etnike në fakt është në kundërshtim direkt me konceptin mbi të cilin funksionon Bashkimi Evropian, ku paradoksalisht pretendojnë Serbia dhe Kosova për t’u anëtarësuar në perspektivë! Në këtë kuptim duken anakronike, zhgënjyese edhe disa deklarata mirëkuptuese të zyrtarëve evropianë që nuk i kundërshtojnë embrionet e tendencave etnocentrike në Serbi dhe Kosovë. Nuk është për t’u habitur nëse qysh nesër nisma të ”korrigjimeve” nuk do të ketë në Bruksel mes flamanëve dhe valonëve.
Fundja, nëse synohet normalizimi i mirëfilltë i raporteve mes Serbisë dhe Kosovës qasja duhet të jetë normale. Nuk normalizohen raportet me veprime abnormale dhe propagandë gebelsiane. Duke tërhequr zvarrë, para kamerave televizive negociuesi serb (Gjuriqi) në Kosovë, apo duke kërcënuar me burg pjesëtarët e FSK-së, të nacionalitetit serb, nga ana e pushtetit të Serbisë!? Kjo imponon nevojën e ndryshimit të kualitetit të politikëbërësve dhe politikëbërjes brenda kufijve e jo “korrigjimin” e kufijve. Politikëbërësit duhet korrigjuar kualitetin e raporteve etnike e jo - territoret. Derisa të mos ndërrojë qasja e dialogut ata që e kanë mashtruar “komandantin legjendar” gjatë luftës po orvatën të mashtrojnë edhe sot. Fundja, duhet thënë troç, pa ekuivok, se shteti i pavarur i Kosovës, para së gjithash për shkak të një kryetari, që ka mashtruar bashkëluftëtarët, kryetari të shantazhuar që ka sakrifikuar disa kilometra bashkëveprues, miq dhe ish-bashkëpartiakë… shteti i Kosovës, në vend se të konsolidohet, mund të dështojë. Prandaj, nuk duhet të jetojmë në lajthitje as nga lajthitja “Bac s’u kry”.