Në rend të parë VV-ja, por edhe partitë deri dje opozitare, janë përgjegjëse për gjendjen në të cilën jemi tash. Aq shpesh jam duke e përsëritur, saqë edhe veten e kam mërzitur, porse kriza ekonomike të cilën po e jetojmë për shkak të krizës politike dhe menaxhimit të keq financiar e ekonomik të këtij pushteti, është duke na fundosur. Që prej më shumë se katër vjetësh dëgjoj se si Kosova shënon rritje ekonomike, më të lartën në rajon, më stabilen, blla, blla... dhe mbi katër vjet ka që e përsëris që unë atë rritje nuk po e shoh askund. Për më tepër, të vetmen gjë që shoh është rritja e inflacionit që është duke na gërryer substancën
Kushtetuesja konstatoi se Kuvendi nuk ishte konstituuar, ngase nuk ishte zgjedhur përfaqësuesi i komunitetit serb në kryesi të Kuvendit. Pra, kryesia e pakompletuar, e bën Kuvendin të pakonstituuar. Kushtetuesja nuk e konsideroi jokushtetutese ndarjen e votimit për përfaqësuesin e komuniteteve joshumicë/joserbe nga vota për përfaqësuesin e komunitetit serb, pra zgjedhja e Emilija Rexhepit u konfirmua.
Në vijim, Kushtetuesja e la pas edhe një fjali me shumë peshë, sidomos në kontekstin e kësaj që po ndodh tani. Fjalia i detyron deputetët “...që ta ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës”.
* * *
Na munguan interpretimet e Muratit dhe të Bajramit, por reagime pati disa, duke qenë një nga ato më të zëshmet ajo që flet për “veton” serbe, që është edhe qëndrim thuajse zyrtar i partisë që e mban pushtetin “në detyrë” që nga fillimi i këtij viti.
Aktgjykimi në esencë dëshmoi se herën e shkuar, kur Kosova u bë më në fund me një kryeparlamentar të dalë nga korneri, deputetët kanë mundur ta votonin Rashiqin, pasi kishte dështuar votimi për 9 deputetët e Listës Serbe. Po ata deputetë që e kishin votuar Rexhepin dhe ia dhanë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur (të LDK-së), nuk e votuan Rashiqin, duke thënë se do ta shkelnin Kushtetutën me këtë veprim. Pas publikimit të aktgjykimit në Gazetën Zyrtare, dhe nëse janë të interesuar për ta konstituuar Kuvendin, do të duhet ta votojnë ndonjërin nga kandidatët serbë.
Por, votimi ose jo, mbase edhe do të varet nga përmbajtja e aktgjykimit, përkatësisht, nëse ai do të parashohë se moskonstituimi i Kuvendit nënkupton shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Mbase një paragraf që i kushtohet kësaj çështjeje hipotetike në aktgjykim, do të na e kursente edhe së paku një muaj. Po qe se nuk ka qartësi se çfarë ndodh nëse nuk votohet asnjëri deputet, sërish dikush do t’i drejtohet Kushtetueses për ta marrë interpretimin që duhet t’ia japë mbarimin një çështjeje që kot së koti na i hëngri gjithë këta muaj.
* * *
Në rend të parë VV-ja, por edhe partitë deri dje opozitare, janë përgjegjëse për gjendjen në të cilën jemi tash. Aq shpesh jam duke e përsëritur, saqë edhe veten e kam mërzitur, porse kriza ekonomike të cilën po e jetojmë për shkak të krizës politike dhe menaxhimit të keq financiar e ekonomik të këtij pushteti, është duke na fundosur. Që prej më shumë se katër vjetësh dëgjoj se si Kosova shënon rritje ekonomike, më të lartën në rajon, më stabilen, blla, blla... dhe mbi katër vjet ka që e përsëris që unë atë rritje nuk po e shoh askund. Për më tepër, të vetmen gjë që shoh është rritja e inflacionit që është duke na gërryer substancën.
Inatet politike na sollën në situatën ku ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nuk bëhet që nga viti i shkuar. Ne jemi i vetmi shtet i rajonit që nuk kemi marrë para nga BE-ja, për shkak se njëherë nuk kishte shumicë prej dy të tretash, për shkak se opozita bojkotonte, e tash për shkak se nuk kemi Kuvend që do të duhej ta votonte marrëveshjen.
Për më keq, do të jemi edhe shtet pa buxhet shtetëror, për shkak se kemi Qeveri në detyrë që nuk do të duhej ta kishte pushtetin për të vendosur për një çështje kaq esenciale, dhe për shkak se nuk kemi Kuvend që do ta votonte. Se çfarë do të ndodhë në javët në vijim, s’e besoj se e di kush.
* * *
Përderisa tema më aktuale e vitit nuk hiqet nga rendi i ditës, nesër po hyjmë në javën e fundit të fushatës së zgjedhjeve komunale. S’di kush e sugjeroi që fushata nuk do të duhej të ishte më e gjatë se nja dhjetë ditë, sepse premtimet e rrenat që na i hedhin brenda një muaji, shumë lehtë mund t’i sintetizojnë në kohë trefish më të shkurtër. Sepse ai që do të fitojë, edhe ashtu nuk do t’i përmbushë premtimet.
Në rastin e Prishtinës do të ishte shumë më mirë që fushata të zgjaste sa më pak, ngase druaj se deri në fund të saj, “trami” i cili në shtetet normale ecën mbi binarë, e që ndërkohë u shndërrua në mjet transporti me rrota “që furnizohet me rrymë”, me “harmonikë” dhe nja 30 metra i gjatë, do të mbërrijë në nja 50 metra gjatësi dhe që furnizimin me rrymë me siguri do ta marrë me Wi-Fi a ndoshta edhe “bluetooth”, nuk po di.
Lehtësia me të cilën flitet për projekte madhore; mendjemadhësia, arroganca e disa kandidatëve karshi tonit të matur dhe argumenteve qetazi të shtuara të kandidatëve të tjerë, e kanë karakterizuar edhe këtë fushatë. Dhe, nëse fushata e shkuar nuk ka mjaftuar, kjo i ra vulë një gjëje që prej kohësh është bërë evidente: kryetarët aktualë të komunave (me pak përjashtime), kur futen në garë, sillen me arrogancën më të madhe të mundshme karshi kundërkandidatëve të tyre si dhe publikut. Janë shumë selektivë dhe nuk shkojnë në mediumet ku kërkohet ballafaqimi me kundërkandidatë, ndërkohë që garuesit që pretendojnë t’i rrëzojnë kryetarët nga pushteti, refuzojnë të dalin pa të...
* * *
Uroj që Gjykatës Kushtetuese nuk do t’i duhen tri javë për ta shkruar aktgjykimin e për ta publikuar në Gazetë Zyrtare, ngase në atë rast do të shkelim thellë në nëntor pa e pasur të qartë nëse do të kemi Kuvend ose jo.
Gjithashtu uroj që të dielën e ardhshme, kur do të dalim të votojmë ose jo, KQZ-së nuk do t’i kolapsojë sistemi e që në kohë reale do të shohim se si shkon trendi i votimit. Nga fillimi i fushatës parashikimi ka qenë që pjesa më e madhe e komunave do të ketë edhe një rund votimi për shkak se rezultatet e fituesve preliminarë do të jenë të pamjaftueshme për fitore absolute.
Duke e pasur parasysh agoninë nëpër të cilën jemi duke kaluar qe sa muaj, nuk jam shumë e sigurt se entuziazmi i votimit do të jetë ai që e kishim para katër vjetësh.
Është fakt se këto nuk janë zgjedhje parlamentare dhe se qytetarët kanë shumë arsye për të dalë e për ta hedhur qoftë votën e ndëshkimit, qoftë atë të lavdërimit për kryetar. Porse mosmaterializimi i asaj vote në trupin më të lartë përfaqësues të popullit nëpërmjet deputetëve, për shumëkënd është shndërruar në një dëshpërim tepër të madh, që ka gjasa të kompensohet me bojkotimin e votës.
Por sille kah t’e sill’sh, të gjitha pasojat e dështimit të të tjerëve, i bart qytetari, si votoi, si nuk votoi.
* * *
Po them, mirë do të ishte të gjendej dikush që do të mund të na e jepte një parashikim se çfarë do të ndodhë me ne në muajt e vitet në vijim. Por, ne jemi aq të rryer për të shkatërruar struktura e për t’i krijuar vetes probleme nga asgjëja, saqë as Nostradamusi nuk do të mund të na kishte ra në fije. Ndërkohë, do të vazhdojmë të dëgjojmë përralla për rritje ekonomike dhe për stadiume olimpike.