Matti Nissinen & Veronika Vashchenko
Në botën e sotme, që po zhvillohet me shpejtësi, qasja e barabartë në arsim cilësor nuk është vetëm një aspiratë - është një domosdoshmëri. Kosova, me një popullsi prej 1.6 milionë banorësh dhe demografinë më të re në Evropë, ka mundësinë të riformësojë të ardhmen e saj duke investuar në sistemin e saj arsimor. Megjithatë, me gjendjen aktuale sistemi arsimor i Kosovës përballet me një sërë sfidash kritike që kërcënojnë të lënë pas fëmijët më të cenueshëm.
Kriza arsimore në Kosovë
Sistemi arsimor i Kosovës përballet me një situatë të tmerrshme. Sipas Indeksit të Kapitalit Njerëzor, një fëmijë i lindur sot do të arrijë vetëm 57% të potencialit të tij për shkak të investimeve të pamjaftueshme në arsim dhe kujdesin shëndetësor. Rezultatet e PISA-s së Kosovës janë vazhdimisht nën mesataren e OECD-së, me vetëm 15% të nxënësve që demonstrojnë aftësi bazike në matematikë.
Kriza tejkalon statistikat. Derisa 96% e fëmijëve janë të regjistruar në shkollën fillore, pjesëmarrja e tyre bie ndjeshëm ndërsa rriten, veçanërisht në mesin e komuniteteve të margjinalizuara, siç janë fëmijët romë, ashkalinj dhe egjiptianë. Vetëm 84% janë të regjistruar në shkollën fillore, me pjesëmarrjen në arsimin e mesëm të lartë, që bie në vetëm 31%, krahasuar me 87% në të gjithë vendin. Kjo ndarje arsimore kërcënon progresin afatgjatë shoqëror dhe ekonomik të Kosovës.
Ndarja digjitale e përkeqëson edhe më tej krizën. Pavarësisht depërtimit të lartë të internetit në Kosovë, Kosova u rendit e parafundit midis 35 sistemeve arsimore (35 vendeve pjesëmarrëse) në Studimin Ndërkombëtar për Njohuritë në TIK (ICILS). Performanca digjitale e Kosovës është një kontrast absolut krahasuar me mesataren prej 520 pikësh të arritur nga vendet me performancë të lartë. Në një botë ku edukimi digjital është thelbësor për sukses, nxënësit e Kosovës, veçanërisht ata me të ardhura të ulëta, po lihen pas, të paaftë për t’u kyçur në burimet teknologjike të nevojshme për ta arritur atë.
Gjithashtu, sistemi arsimor i Kosovës vazhdon të dështojë për fëmijët me aftësi të kufizuara, shumë prej të cilëve përjetojnë vështirësi funksionale, por u mungon mbështetja e nevojshme për të arritur sukses në klasë. Kjo ndikon drejtpërdrejt në rreth 8% të fëmijëve të moshës 2-17 vjeç që përballen me sfida të vështirësive funksionale, duke nënvizuar urgjencën për një sistem arsimor gjithëpërfshirës që i akomodon të gjithë fëmijët.
Të mësosh bazuar në modelin e arsimit të suksesshëm të Finlandës
Megjithatë, nuk ka pse të jetë kështu. Kosova mund të marrë mësim nga modelet e arsimit të suksesshëm dhe të përdorë ligjëratat e mësuara globalisht për të transformuar një sistem arsimor në vështirësi në një sistem të suksesshëm. Finlanda - shpesh e cilësuar si vendi me një nga sistemet më të mira arsimore në botë - ofron një udhërrëfyes që Kosova duhet ta ndjekë. Suksesi i Finlandës mbështetet në tri shtylla kryesore: edukimi digjital i hershëm, trajnimi gjithëpërfshirës i mësimdhënësve dhe qasja e barabartë në teknologji. Duke adoptuar këto parime, Kosova mund të fillojë të mbyllë boshllëqet në sistemin e saj arsimor.
Së pari, edukimi digjital i hershëm duhet të integrohet në kurrikulë që në moshë të re, duke u lejuar kështu nxënësve që të fitojnë aftësi thelbësore digjitale në një mënyrë të strukturuar dhe të përshtatshme për zhvillim.
Në Finlandë edukimi digjital është i integruar në të gjitha lëndët nga arsimi fillor, duke u përqendruar në kodim, edukim mediatik dhe qytetari digjitale të përgjegjshme. Kjo qasje i ndihmon nxënësit që të ndërtojnë një themel të fortë në aftësitë digjitale për sukses akademik dhe punë. Kosova mund të adaptojë një model të ngjashëm duke përfshirë aftësitë digjitale në lëndët kryesore dhe duke siguruar një zhvillim gradual të aftësive digjitale në të gjitha nivelet e arsimit.
Së dyti, trajnimi i mësimdhënësve duhet të shndërrohet në prioritet pasi përdorimi efektiv i mjeteve digjitale në klasë varet nga besimi dhe aftësia e edukatorëve. Në Finlandë mësimdhënësit sigurojnë zhvillim të vazhdueshëm profesional përmes programeve të trajnimit të bazuara në studime, punëtorive të pedagogjisë digjitale dhe bashkëpunimit me universitetet për të qëndruar në hap me zhvillimet më të fundit teknologjike. Përveç kësaj, shkollat kanë specialistë pedagogjikë të TIK-ut që ofrojnë mbështetje të vazhdueshme për mësimdhënësit. Në Kosovë shumë mësimdhënës ende nuk e kanë trajnimin e nevojshëm për të integruar në mënyrë efektive teknologjinë në mësimdhënien e tyre. Në Kosovë shumë mësues nuk e kanë trajnimin e nevojshëm për të shfrytëzuar fuqinë e teknologjisë në klasë. Duke investuar në programe për ndërtimin e aftësive të mësimdhënësve, duke krijuar rrjete të mentorimit digjital dhe duke përfshirë pedagogjinë digjitale në trajnimin e mësimdhënësve para dhe gjatë kohës sa shërbejnë si të tillë, Kosova mund t’i pajisë edukatorët me aftësitë e nevojshme për të krijuar një mjedis mësimor tërheqës, interaktiv dhe të fuqizuar nga teknologjia.
Së treti, qasja e barabartë në teknologji është thelbësore. Në Finlandë çdo nxënës, pavarësisht nga prapavija e tyre socio-ekonomike, ka qasje jo vetëm në pajisje digjitale, por edhe në burime të të nxënit digjital me cilësi të lartë dhe mësimdhënës të trajnuar mirë që mund ta integrojnë në mënyrë efektive teknologjinë në arsim. Kosova duhet të sigurojë që të gjithë nxënësit të përfitojnë nga një mjedis gjithëpërfshirës i të nxënit digjital duke investuar jo vetëm në prokurimin e pajisjeve, por edhe në trajnimin e mësimdhënësve, pedagogjinë digjitale dhe sistemet e sigurimit të cilësisë. Investimet e qëndrueshme në këto fusha do të ndihmojnë në kapërcimin e hendekut digjital dhe do të sigurojnë përdorimin kuptimplotë të teknologjisë në klasë.
Zbatimi i udhërrëfyesit do të kërkojë investime të konsiderueshme në infrastrukturën digjitale, por është një investim që do të japë fryte në planin afatgjatë. Në vitin 2022, Finlanda ndau afërsisht 5.5% të PBB-së së saj për arsimin, ndërsa shpenzimet publike të Kosovës për arsimin përfshinin rreth 4.7% (2020) të PBB-së së saj. Këto investime nxjerrin në pah rëndësinë e ndarjes së burimeve të mjaftueshme për arsimin për të mbështetur rritjen dhe zhvillimin ekonomik.
Çfarë duhet të prioritizojë sistemi arsimor i Kosovës?
Sistemi arsimor i Kosovës aktualisht karakterizohet nga rezultate në rënie të PISA-s, pabarazi të thella arsimore dhe një hendek digjital. Nëse Kosova do të zhbllokojë potencialin e saj të plotë, duhet t’i japë përparësi arsimit gjithëpërfshirës, edukimit në fëmijërinë e hershme (EFH) dhe të nxënit digjital. Këto nuk janë investime opsionale - ato janë të nevojshme për të ardhmen e Kosovës.
Fuqizimi i edukimit në fëmijërinë e hershme (EFH) është thelbësor për ndërtimin e një baze të fortë arsimore. Që nga viti 2023/2024, vetëm 36.8 për qind e fëmijëve të moshës 3-5 vjeç janë të regjistruar në EFH në Kosovë, krahasuar me standardin e BE-së prej 9 në 10 fëmijë (ose 96 për qind). Pavarësisht rritjes së ndjeshme të investimeve në EFH në përputhje me prioritetet e përcaktuara në Strategjinë e Arsimit të Kosovës 2022/2026, pabarazitë janë të dukshme në regjistrimin e fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, fëmijëve që jetojnë në varfëri dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara. Prandaj planifikimi i buxhetit i bazuar në fakte dhe shfrytëzimi efikas është i domosdoshëm për të arritur objektivin e regjistrimit prej 45% deri në vitin 2026, siç parashikohet në Strategjinë e Arsimit të Kosovës 2022–2026, duke u përqendruar në qasjen e barabartë për komunitetet e margjinalizuara dhe fëmijët me aftësi të kufizuara. Përveç kësaj, për të siguruar integrim kuptimplotë dhe mësim cilësor për fëmijët me aftësi të kufizuara, infrastruktura e edukimit në fëmijërinë e hershme, materialet mësimore dhe kapacitetet e profesionistëve duhet të vazhdojnë të përforcohen, në përputhje me prioritetet strategjike. Integrimi i mjeteve digjitale në mbështetje të zhvillimit holistik të fëmijëve dhe arritjes së aftësive, duke u përshtatur me nevojat e grupmoshave të ndryshme, është gjithashtu thelbësor për të përgatitur fëmijët për një të ardhme gjithnjë e më digjitale.
Prosperiteti i ardhshëm i Kosovës varet nga aftësia e saj për të pajisur të rinjtë e saj me aftësitë që u nevojiten për të pasur sukses në një ekonomi të globalizuar dhe digjitale. Arsimi është çelësi për zhbllokimin e këtij potenciali. Duke i dhënë përparësi arsimit gjithëpërfshirës, zhvillimit të fëmijërisë së hershme dhe mësimit digjital, Kosova mund të krijojë një sistem arsimor që i përgatit të rinjtë e saj për sukses në një botë gjithnjë e më digjitale, duke siguruar që asnjë fëmijë të mos lihet pas dore.
*Autorë janë ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen dhe shefe e UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko.
