OpEd

Ambasadori Rrahmani: “Kosova është Zvicër edhe për Zvicrën”

Kryeparlamentari z.Kadri Veseli deklaroi se “Kosova është Zvicra e Ballkanit”. Pajtohem plotësisht me deklaratën e tij, edhe qe besa ajo është Zvicër edhe për Zvicrën për mënyrën se si jetojnë politikanët, familjarët e tyre dhe vartësit, Kosova është Zvicër edhe për Zvicrën

E mërkurë, 5.12.2018

Nga ajo që mund të kuptoj është se ngjarjet politike në vend kanë hyrë në fazën e sprintit dhe zhvillohen me shpejtësi marramendëse. Është bërë mjaft e vështirë që t’i përcjellësh të gjitha ato. Javën që lamë pas komisari për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Johannes Hahn, na i shkurtoi pantallonat sa i përket liberalizimit të vizave për vitet 2018-2019. Ç’është e vërteta, ai këtu nuk erdhi aspak për këtë temë, por për të bërë trysni që Qeveria e Kosovës ta heqë taksën 100% të vënë për produktet e Serbisë dhe Bosnjës-Hercegovinës.

Kryeministri Haradinaj nuk u zmbraps kësaj radhe dhe vazhdon ta mbajë qëndrimin se taksa nuk do të hiqet deri “në njohjen ndërkombëtare të Kosovës nga ana e Serbisë”.

Vazhduan sulmet e qeveritarëve dhe të politikanëve ndaj Bashkësisë Evropiane për dyfytyrësinë e saj!? Po ka diçka të vërtetë edhe aty, por e vërteta më e madhe të cilën ne nuk e kemi për qejfi që t’ia themi vetes është se klasa politike ka dështuar në kryerjen e detyrave të shtëpisë, të cilat i kanë takuar asaj, dhe adutin kryesor për fushata të thata politike ua dogjën para syve. Po në cilën BE deshët me lëvizë të lirë? Me cilën qeveri? Me këtë që i ka 28 ministra? 80 zëvendësministra, shumë nga ta me padi nëpër gjykata, me kidnapim të shtetasve turq pa “dijen dhe njohurinë” e njerëzve kyç të politikës kosovare. Me presidentin që hap kuti të Pandorës dhe dëshiron të bëjë shkëmbime territoresh me Serbinë pa pasur autorizim dhe legjitimitet për ta bërë një gjë të tillë, në fakt është totalisht kundërkushtetuese. E pra, këto janë vetëm disa nga ngjarjet të cilat e përshkruajnë kaosin politik që është në Kosovë, dhe mendoni se mërzitet Evropa për premtimet e politikanëve ndaj popullatës së Kosovës? Jo, njerëz të mirë, Evropa ka dertet e saja dhe Kosova çdo ditë e më shumë është larg agjendave të rëndësishme me itinerarin e saj politik.

Kosova është e lënduar nga brenda. Për 20 vjetët e fundit ajo është lënduar, gllabëruar nga politikanë të papërgjegjshëm dhe vazhdon po i njëjti avaz. Po këtu i patëm edhe misionet e Kombeve të Bashkuara, edhe ELUEX-in, të cilat gjithashtu dështuan. Por edhe dështimin e tyre unë personalisht e shoh si dështim tonin për të mos dashur ta shohim vendin tonë duke prosperuar, por secili i implikuar në politikë së pari i kishte ambiciet e veta egoiste për përfitim material, klanor, grupor, nepotizëm, partiak, e në një atmosferë të krijuar ku “nuk dihet as kush pi e as kush paguan”, nuk do të ketë mision ndërkombëtar në botë i cili do të mundë t’i qartësojë dhe rregullojë gjërat. Shtëpinë tënde duhet dashur së pari ti e pastaj gjithkush tjetër, i cili në të mund të jetë vetëm mysafir i përkohshëm.

Në bisedimet me Serbinë vërehet një iniciativë e partive të koalicionit të madh që në to të përfshijnë njerëz nga shoqatat civile (Veton Surroi), dhe nga partitë opozitare (Shpend Ahmeti, kryetar i PSD-së). Si iniciativë është në rregull dhe e tillë do të duhej të ishte qasja qysh nga fillimi i këtyre bisedimeve. Ato gjithmonë do të duheshin të ishin gjithëpërfshirëse dhe transparente ndaj Kuvendit të Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës, dhe jo vetëm në pronësi të një aktori herë nga njëra pozitë e herë nga pozita tjetër politike e tij.

Z. Surroi ishte i qartë se ai do ta pranonte këtë detyrë në rolin e një këshillëdhënësi vetëm nëse ekziston dhe formohet një konsensus i plotë i faktorëve politikë kosovarë. Shpend Ahmeti është emëruar bashkëkryesues i ekipit negociator së bashku me Fatmir Limajn.

Unë një gjë s’e kam të qartë, ku po mbetet Hashim Thaçi në këtë proces? Ndoshta më ka ikur diçka?

Për hir të korrektësisë më duhet të them se kryetarit të Prishtinës, qytetit me 1001 probleme nuk i takon që të merret me këto bisedime. Në fakt ai mund të merret me to, mirëpo vetëm duke e liruar pozitën e të parit të kryeqytetit. Përndryshe po i mbetet një shije e keqe ndaj këtij emërimi. Z. Ahmeti ka deklaruar se bisedimet me Serbinë janë proceset më të rëndësishme nëpër të cilat po kalon Kosova sot. Ky mendim është e drejtë e tij për t’u cilësuar si i tillë, por nëse ajo është ashtu atëherë merru me atë problematikë edhe përkushtoju, ndërsa pozitën e të parit të kryeqytetit delegoja dikujt tjetër apo thjesht liroje atë pozitë. Qytetarët e Prishtinës e kanë votuar që të menaxhojë me problemet e Prishtinës (as nuk do të hyj në atë se si ka rrjedhur procesi zgjedhor, premtimet, fushatat etj., unë nuk i përkas asnjë partie apo grupimi politik). Çdo qasje ndryshe është vetëm përfitim politik i çastit dhe rastit dhe katapultim për të përfituar poenë politikë nga “procesi më i rëndësishëm nëpër të cilin po kalon Kosova sot”. Mund të thoni që edhe Limaj është në pozitë politike (zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës), mirëpo ai është i emëruar në atë pozitë, nuk është votuar direkt nga vota e popullit për atë pozitë, dhe fundja me përshkrim të detyrave të punës edhe do të mundë t’i delegohej, por kryetari i Prishtinës?

Njerëz, të bëhemi realë, t’u kishte ndodhur e njëjta gjë Ismet Beqirit apo Isa Mustafës sa ishin kryetar komune do të bëhej hataja. Asgjë kundër Shpend Ahmetit personalisht, në mënyrë virtuale e ka pasur edhe përkrahjen time që të udhëheqë qytetin.

Z. Ahmeti disponon me përvojën, diapazonin e edhe aftësitë, i vetmi problem për mua mbetet që atë nuk mund ta bëjë nga pozita e të parit të Komunës së Prishtinës. Atë mandat nuk e ka kërkuar e as nuk e ka marrë nga qytetari i Kosovës.

***

Ngjarja e radhës e cila zgjoi kërshërinë time dhe nuk më lejon që të qëndrojë indiferent ka të bëjë me vendimin e z. Ramush Haradinaj që të vesë së kryetarit të parë të Republikës së Kosovës, z.Ibrahim Rugova, t’i jepen rrogë mujore në vlerë prej 1.000 eurosh, veturë, si dhe një shofer personal?!

Po nuk kishte shumë kohë më parë që kësaj shtëpie/familjeje i është paguar edhe peleti për ngrohje me vlerë prej gati 10.000 eurosh. Tani mbetet të pritet edhe vendimi mbi 12 të punësuarit në shtëpinë presidenciale dhe të ardhurat e tyre vjetore. E se çka bëjnë 12 punëtorë në një shtëpi që nuk është pallat mbretëror unë s’e kam të qartë.

Ndoshta Haradinaj me qëllimet e tija mund t’i ketë shumë dashamirëse, mirëpo këto gjëra nuk bëhen kështu. Këto rregullohen me ligj dhe jo me vendime ad-hoc. Jo, nuk e them këtë nga ajo se i përkas dikujt që ka edukatë patriarkale dhe jam kundër ndihmës për të venë e presidentit. E tëra që po e them është se i tërë statusi i asaj shtëpie, zonjës në fjalë, duhet të jetë i rregulluar me ligj dhe ligji të parashohë se si e çka, e jo me vendime arbitrare. Me vendim arbitrar një kryeministër i radhës mund t’ia ndërpresë ato të gjitha. E kuptoni problematikën kur gjërat nuk janë të definuara me ligj, por bëhen në bazë të vendimeve arbitrare. Por ky fatkeqësisht nuk është i vetmi vendim arbitrar që kryeministri Haradinaj e ka marrë gjatë këtij mandati të tij, prandaj jam i bindur se kjo kritikë është më se e qëndrueshme.

Kryeparlamentari z.Kadri Veseli deklaroi se “Kosova është Zvicra e Ballkanit”. Pajtohem plotësisht me deklaratën e tij, edhe qe besa ajo është Zvicër edhe për Zvicrën për mënyrën se si jetojnë politikanët, familjarët e tyre dhe vartësit, Kosova është Zvicër edhe për Zvicrën. Në mënyrën qysh zhvatet pamëshirshëm buxheti i shtetit, qysh punësohen pa kritere njerëz që do të paguhen nga po ai buxhet, për t’i rehatuar apetitet partiake, qysh Qeveria i ka 80 zëvendësministra, qysh anëtarët e Kuvendit të Kosovës udhëtojnë më shumë se cilado aviokompani turistike e Zvicrës, për numrin e veturave zyrtare në dispozicion të Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës, të gjitha rent-a-car-ët e Zvicrës sikur të bëheshin bashkë nuk do të arrinin atë numër dhe atë luks. Po këtu Zvicra vetëm yrnek mund të marrë nga ne. Mos t’i harrojmë, ne i kemi edhe 60.000 veteranë, e Zvicra as luftë nuk ka pasur qe 700 vjet. Veteranin e fundit të tyre duhet kërkuar diku në ndonjë muze të natyrës bashkë me mbetjet e ndonjë dinozauri. Pfff, çfarë shteti!

E përderisa për Zvicrën jemi Zvicër me këta “fukarenjtë” e Ballkanit, të cilëve iu është referuar Kadri Veseli, as që dëshiroj të merrem.